PESTOVA – KRUJЁ E DYTЁ

PESTOVA – KRUJЁ E DYTЁ

Pestova – Krujë e dytë

(Kushtuar Hakif Zejnullahut dhe dy bashkëluftëtarëve të tij)

Rritur me ujin e freskët të burimeve të Llapit
dhe me bukën e arave të tij,
shpejt hodhe shtat e u bëre bajrak.

Punëtor e i vyer si bleta,
i qetë e i dashur me familjarë, shokë e miq,
por rrufe për tradhtarë e armiq.

I çiltër e i kthjellët në mendim.
Ece në hap me kohën; veprove kur rëndë lëngonte Atdheu.

Nënshtrimin dhe poshtërimin nga mizorë e trushpërlarë
e quaje fytyrë të vdekjes,
akt të ulët që e pranon vetëm horri e tradhtari.

Thirre pandërprerë për mobilizim e ndërgjegjësim:
besë, qëndresë dhe bashkim.

Atë që e thoshe e bëje.
Kishe shikim skifteri e guxim luani,
ishe më i fortë se guri,
burrë e trim si Oso Kuka e Dedë Gjo Luli.

Së bashku me Zahirin e Edmondin
u nisët drejt Vushtrrisë,
për t’i dhënë hakun një satrapi
që linte gra të veja e fëmijë jetimë.

Në Pestovë kriminelët,
me tanke, kallashë e helikopterë,
ju ngritën pritë.

Tokën e mbërtheu flaka,
qiellin tymi.
Në deje me gjak të Gjergj-Kastriotit,
bëtë vdekje të bardhë, duke shkëmbyer zjarr me zjarr.

Pestovën e shndërruat në Krujë të dytë.

Kur kryekasapi i Ballkanit
mori vesh për rënien e tyre,
që frikën në palcë ia kishin futur,
dekoroi pjellën e vet të ndytë —
por harroi se ata tre viganë
do të jenë vetëvrasja e tij.

Tre emra të gdhendur me shkronja ari,
të një ngjarjeje madhështore që prek zenitin,
histori e një lavdie dhe krenarie të rrallë.

ARIF EJUPI
Gjenevë, 14 shkurt 2026

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura