PLEJADA E KRENARISË SË ARSIMIT SHQIP NË ANË TË MALIT
Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin 26 Maj 2022
Personalitetet e shquara të arsimit shqip në Mal të Zi, siç ishin mësuesit dhe mësueset veteranë/e të Anës së Malit, i duheshin popullit, ngase ata u shndërruan në pishtarë që përhapnin dritë kodo që vepronin. E kjo është detyrë shumë humane dhe hyjnore. Misioni që kishin marrë për t’u arsimuar ishte sa njerëzor, po aq edhe atdhetar. Sepse mbi supet e tyre dhe mësuesve të tjerë peshon një barrë shumë e rëndë, në radhë të parë për zhdukjen e analfabetizmit dhe të përhapjes së arsimit në gjuhën shqipe edhe në trevën e Anës së Malit, ku ata punuan katër dekada të plota.
Shkolla Fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë sivjet, me rastin e shënimit të 153 -vjetorit të saj , më 15 maj 2022, ndau mirënjohje për 30 veteranë/e të arsimit: Haxhi Taipi, Sadik Shaba, Syme Kokaj, Musa Maxharr, Hatixhe Maxharr, Idriz Kallaba, Jakup Lleshi, Rexhep Lleshi, Qazim Hoti, Fadil Salaj, Bajram Sala, Ahmet Gjoni, Feride Gjoni, Hata Gjoni, Zarife Gjoni, Imer Çobi, Kasem Çobi, Ramadan Mehmedi, Ani Kurti, Razije Maxharr, Xhevdet Astafa, Halit Avdiu, Rasim Alla, Kasem Halili, Miliha Ibriq, Kadri Doda, Enver Nasradini, Ramiz Nasradini, Paulina Marini dhe Roza Jankoviq. Më i vjetri nga ata kishte 92 vjet.
Vërtet ishte kënaqësi dhe nder të ndodhesh në shoqërimin e këtyre njerëzve të shquar të arsimit, të cilët janë më meritorët për edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të tëra, në veçanti gjeneratave të cilat sot i shohim si kuadro shumë të mirë në çdo pore të shoqërisë sonë, veçanërisht në Komunën e Ulqinit. Duke i shikuar të rreshtuar për bukuri njëri-pranë tjetrit me mirënjohje në duar këta njerëz të dalluar të arsimit shqip së pari na shkon mendja tek sakrifica dhe mundi i madh i tyre, në arsimimin e shqiptarëve në Komunën e Ulqinit, i cili nuk mund të kompensohet me asgjë.
Drejtoria e kësaj shkolle ishte e vetëdijshme se këtyre meteorëve të arsimit nuk mund t’ua kthejë aq sa duhet mundin dhe kontributin e dhënë në fushën e arsimit, mirëpo tregoi se nuk do ta harrojë asnjëherë atë që ata e dhanë nga vetja për arsimimin e shqiptarëve në këtë komunë. Ajo nderoi plejadën e krenarisë të arsimit shqip në Anë të Malit me rrethinë, duke shprehur mirënjohjen e saj për punën shumëvjeçare dhe të pakursyer për arsimimin e gjeneratave të tëra, të cilat bartën misionin e shenjtë të mësuesisë . Të gjithë anamalasit duhet të jenë krenar për punën e veteranëve të arsimit, për dashurinë që shpërndanë për dijen dhe përparimin në kohët më të vështira, kur duhej vullnet i madh për ta arsimuar popullatën. Ata (veteranët/et e arsimit) bënë më të mirën e mundshme për popullin. Trasuan rrugën e fatbardhësisë dhe të dinjitetit të shqiptarëve, duke nxitur dashurinë ndaj gjuhës shqipe, edukimit dhe arsimimit të brezave, trashëgimisë kulturore dhe vlerave tjera civilizuese. Të gjithë këta mësues/e tërë jetën iu përkushtuan arsimit pa u penduar dhe e shkrinë veten sikur qiriri për arsim. Edukuan ndër vite breza të tërë, të cilët sot falë punës së tyre të mbarë kanë pozita të larta në institucione të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Veteranët/et e arsimit në Anë të Malit ushtrimin e profesionit të mësimdhënies nuk e kanë shikuar vetëm nga aspekti i pagës mujore. Por si një mision fisnik, bazament i edukimit dhe arsimimit të fëmijëve për formimin intelektual, shkencor e qytetar të shoqërisë njerëzore. Prandaj, edhe duke u frymëzuar nga ata, nga puna e tyre vetëmohuese, shoqëria e sotme duhet të ketë detyrim ndaj tyre, për mirëqenien e mësimdhënësve, për një jetë më me dinjitet, ngase një jetë të tërë e dhuruan për gjenerata e reja
Mësuesit/et veteranë/e të Anës së Malit me krenari pohojnë se mësuesi dikur vlerësohej e konsiderohej si qenie hyjnore e mitike, sa që ishte krijuar përshtypja se “a ha bukë mësuesi?” “Në të kaluarën është çmuar e vlerësuar shumë puna, përkushtimi dhe misioni i shenjtë i mësuesit, sa që ai gëzonte respektin e autoritetin më të madh të kohës. E sot? Mësuesin e kanë degraduar e nëpërkëmbur. Mësuesi sot është një personalitet që nuk respektohet e nuk nderohet sa duhet as nga shteti, as nga prindërit, as nga nxënësit”, shtojnë me keqardhje pishtarët e arsimit anamalas. Institucionet shtetërore duhet të punojnë që t’ua kthejnë dinjitetin mësimdhënësve, duke e pasur prioritet arsimin si në nivel vendor ashtu dhe në nivel qendror.