POLEMIKË ME DREJTUESIT E ISH PKMLSHJ-së, OSMAN OSMANIN DHE ABDULLAH PRAPASHTICËN PËR ZHVILLIMET NË LRSSHJ, NGA SHKURTI 1982 … (4)

Nga arkivi i facebookut, 21 shkurt 2023

POLEMIKË ME DREJTUESIT E ISH PKMLSHJ-së, OSMAN OSMANIN DHE ABDULLAH PRAPASHTICËN PËR ZHVILLIMET NË LRSSHJ, NGA SHKURTI 1982 … (4)

Nga Sheradin Berisha, Prill 2024

Sheradin Berisha

Nga mbledhja e fundit e KVG-së

PROCESVERBALI I KOMITETIT VËLLEZËRIT GËRVALLA (KVG), MË 11 korrik 1982

Të nderuar Osman Osmani, Abdullah Prapashtica dhe Nuhi Sylejmani

Në vazhdën e përshkrimit të aktiviteteve më të rëndësishme të Komitetit Vëllezërit Gërvalla (KVG) për Europën Perëndimore, (nga themelimi) ka mbetur pa u trajtuar edhe muaji korrik. Në fakt më 11 korrik 1982 është mbajtur mbledhja e fundit e KVG. Në këtë mbledhje u analizua atkiviteti i gjithmbarshëm, nga vrasja e trefishtë, e Jusufit, Kadriut e Bardhoshit, më 17 janar 1982 e deri në momentin kur po mbahej mbledhja.

Pa u futur në analizë, në vijim ju ftojë të lexoni procesverbalin e kësaj mbledhjeje të mbajtur nga Skenderi (Xhafer Durmishi)

Për shkak të gjatësisë (me shumë faqe) procesverbalin e sjellë këtu me dy vazhdime:

Procesverbal i mbledhjes së Komitetit Vëllezërit Gërvalla (KVG) i mbajtur më 11 korrik1982

Rendi i ditës:

1. Një analizë e punës së gjertanishme

2. Diskutimi rreth Projektstatutit të Lëvizjes

3. Puna rreth revistës

4. Caktimi i datës për takimin e ardhshëm

5. Të ndryshme

Shtatë të pranishmit (Skënderi (Xhafer Durmishi), Halimi = Osman Osmani, Naim Haradinaj, Faridin Tafallari, Haxhi Berisha, Hafiz Gagica dhe Nuhi Sylejmani) njëzëri e aprovojnë propozimin mbi rendin e ditës.

Skënderi hapë diskutimin rreth pikës së parë.

Fjalën e merr shoku Faridin (Tafallari).

Shpjegim: Në diskutim u vendosë që analiza të bëhet nga 17 janari e gjer më sot.

Pritja e njerëzve sipas Faredinit ka qenë e mirë dhe ndihmat për këtë kanë ndikua. Kjo nuk është bërë me një organizim të mirëfilltë por është veprua në atë mënyrë që secili ka veprua si ia ka marrë mendja më së miri. Dalja e numrit të tretë të ZK ka qenë ngjarje e madhe.

Sjelljet e Ibrahim Kelmendit (IK) nuk kanë qenë të mira.

Veprim i ngutshëm nga ana jonë, pra nga Skënderi dhe Haxhiu, si dhe vonimi i Nuhiut që të thotë fjalën e tij me një shumë të hollash prej njëmbëdhjetëmijë DM. Mosmarrëveshja në mes veti për këtë veprim. Demonstratat kanë kaluar mirë. Udhëtimi i Suzanës për në Shqipëri ka qenë në rregull. Formimi i KVG konsiderohet ngjarje e madhe. Riorganizimet në rregull. I dyti jo aq i mirë sepse mungoi Haxhiu. Fushata e shfaqjes së filmave çmohet lartë. Demonstrata e Bonit çmohet lartë e gjithashtu e Vjenës përkundër vështirësive. Haxhiu nuk e sqaroi situatën gjer në fund. Demonstrata e Bernit në rregull. Numri i fundit i revistës dhe komunikata të mira. Me kaq shoku Faridin e mbylli fjalën e tij.

Pas kësaj Skënderi i drejtohet Nuhiut që ta merr fjalën por ai përgjigjet se don të dëgjoj të tjerët e vetë do të flasë në fund. Të tjerët pajtohen me këtë.

Fjalën e merr Naimi (Haradinaj):

Pritjen e quan të mirë megjithëse ram në konflikt me IK. Hapat tonë i quan të drejtë sidomos përjashtimin e tij nga shtëpia e Jusufit. Edhe Nuhiu ka qëndrua mirë një kohë të gjatë në pritjen e njerëzve. Marshet protestuese në rregull. Varrimi kishte me qenë më i mirë sikur për incizimin me video kamerë të angazhohej një punëtor profesional. Numri i tretë i revistës i realizuar mirë. Demonstrata e Vjenës më e mirë se e Bonit. Formimi i KVG me vend. E sheh si rënie dhe në kundërshtim me komunikatën. Heqja e citatit të JG (nga Ballina e ZiK-ut – Shb) e gabueshme. Me kaq Naimi e mbaron fjalën e vetë.

Haxhiu (Berisha): Pritja në rregull. Për shkak të mos organizimit më të mirë kanë lindur mospajtime. Ka pasur sabotim dhe zhagitje të punëve nga ana e IK. I është tërheq vërejtja disa herë. Sipas mendimit tim ai nuk ka jetuar fare me atmosferën ato ditë. Angazhimin e një punëtori profesional për incizimin e varrimit e quan të panevojshëm. Përmes formimit të KVG u vazhdua puna e mëparshme. Vështirësitë me demonstratën e Vjenës kanë të bëjnë me qëndrimin anësor të policisë të cilët na thonin herë po e herë jo. (Haxhiu ka qenë i angazhuar për leje dhe ka bërë një udhëtim gjer në Vjenë ditën e enjte më 22 prill 1982). Megjithatë këtë e çmoj më shumë se të tjerat.

Halimi (Osman Osmani): Formimi i KVG i domosdoshëm (ky ia fillon nga kjo ngjarje pasi më parë nuk ka qenë këtu). Puna ka vazhdua por ka pasur dobësi. Për shkak të mos përvojës mund të kemi bërë gabime, por largimi i tij nga familja i mirë për të mos thënë i domosdoshëm. Gabim strategjik që ia kemi thënë të gjitha. Puna e komitetit dhe vetë ekzistenca e tij kanë qenë formale.

Nuhi Sylejmani: Pritja ka mund me qenë më e mirë, por ngjarje të tilla të befasishme s’kemi mund ndryshe. Nuk është i kënaqur. Pritja ka qenë formale. Nuk kemi diskutue në mes veti. Ditën e varrimit nuk dilnin njerëzit prej dhome. Ka shkua si në diktaturë. Video filmimin e varrimit është dashur ta bëjë një profesionist ashtu siç thotë Naim Haradinaj. Formimi i KVG i mirë por është dashur më parë të formohen celulat e pastaj komiteti dhe jo anasjelltas. S’kemi pasur asnjë shokë afër veti. Organizimi i brendshëm jo i mirë. Dekonspirimin e dënon dhe e quan krim të madh.

Veprime me gjaknxehtësi dhe pa marrëveshje i kanë dhënë IK fakte për sulm megjithëse përjashtimi nga shtëpia e Jusufit ka qenë i drejtë.

Udhëtimi i Suzanës në Shqipëri mirë, megjithëse nuk jemi marrë vesh në mes veti. Demonstrata e Bonit e mirë por me Skënderin ka pasur mosmarrëveshje sepse kam brohoritur Kosova-Republikë dhe lavdi Marksizëm-leninizmit e ai më ka thënë mos bëjë ashtu. (Shkaktohet një qeshje kur Nuhiu thotë se më ka thënë mos thuaj Kosova-Republikë, Marksizëm-Leninizëm dhe Nuhiu e përmirëson veten dhe thotë se më ka thënë vetëm mos me brohoritë Marksizëm-Leninizëm.

Skënderi (Xhafer Durmishi): Moskuptim ka pasur me shokët e Zvicrës dhe të Dyseldorfit lidhur me atë që të lexohen nga dy referate. Shfaqja publike e dyshimeve ndaj IK e gabueshme. Demonstrata e Vjenës përkundër vështirësive është historike sepse është demonstrata e parë shqiptare që bëhet për Kosovën në Austri. Përgjigjja e masave në thirrjet tona është fakti më demantues kundër gënjeshtrave se njerëzit janë dëshpëruar.

Mbyllet pika e parë.

Lexohet projektstatuti në dorëshkrim. Në përgjithësi nuk kishte vërejtje ndaj tij. U vendos që të shtypet dhe të shpërndahet për diskutim e gjithashtu të shërbej si bazë për formimin e celulave të reja.

(Vijon…)

_____

Ilustrim nga arkivi i pashtrikut:

Projektsatuti i lexuar në këtë mbledhje. Në janar 1984 është prezentuar si Statut i përkryer i LRSSHJ-së

***

Osman Osmani

Sheradin Berisha i nderuar, une nuk kam pas njohuri per kete projektstatut te Levizjes (qe ka qene detyre e organit me te larte te Levizjes se perbashket) dhe ne fakt ky proçesverbal si i tille edhe nuk eshte aprovuar as nga vet pjesemarresit. Keshtu qe autori i procesverbalit ka mund te pretendoj gjithçka. Une, siç kam theksuar disa here, jam ne pritje te publikimit te shkresave tjera ku Xhafer Durmishi udhezohet nga Sabri Novosella qe nder te tjera te „shtyp shoket…“ (duke aluduar ne mua dhe Fatoni Topallin, anetare te udheheqjes se perbashket qendrore te LR(S)SHJ) dhe qe keto sjellje te tyre mund te shpjegojne e sqarojne shumeçka si edhe vet nderprerjen e bashkeveprimit me Xhafer Durmishin e Sabri Novosellen, jo vetem nga ana jone dhe e Baces Nuhi, por ndervte tjere edhe largimin e Hysen Spahiut edhe nga Gjermania.

***

Sheradin Berisha

I nderuar Osman Osmani

Proceverbali ka pjesën pëmbajtësore të diskutimeve e edhe diskutimin tuaj. Nëse diskutimi juaj nuk është i plotë, mungon ndonjë çështje të cilën e keni shtruar në këtë mbledhje, mund ta sjellësh këtu pa problem.

Sa i përket Projekt Statutit!

Projekt Statuti i përgatitur nga Xhafer Durmishi nuk ka qenë dokument final, ishte një material fillestar në dorëshkrim dhe si i tillë ka hyrë (me miratimin e të gjithë anëtarëve të KVG të pranishëm në mbledhje) si pikë e dytë e rendit të ditës për diskutim. (Shiko rendin e ditës në proceverbal).

Dhe nëse e keni lexuar procesverbalin, lidhur me këtë pikë, aty thuhet: “Lexohet projektstatuti në dorëshkrim. Në përgjithësi nuk kishte vërejtje ndaj tij. U vendos që të shtypet dhe të shpërndahet për diskutim e gjithashtu të shërbej si bazë për formimin e celulave të reja.”

Se ky Projekt Statut është lexuar pa vërejtje dhe pastaj është “vendos që të shtypet dhe të shpërndahet për diskutim…” e vërteton edhe një letër e Skënderit (Xhafer Durmishit) dërguar Faridin Tafallait më 13 korrik 1982, vetëm dy ditë pas mbajtjes së kësaj mbledhjeje në Sindelfingen. Këtë letër të Xhaferit, Faridin Tafallari e ka botuar në librin e tij “Terror, Dhimbje, Qëndresë”.

Ju ftoj të lexoni letrën në vijim:

Xhafer Durmishi – letër Faridin Tafallarit, më 13 korrik 1982

Shoku F. (Faridin) 13 korrik 1982

Projekt Statutin do ta shtypim sonte në makinë dhe do ta dërgojmë sa më shpejt me postë. Ulu e bisedo pak me Qendin por pa i dhënë diçka. Prej neve mos të del fjala. Për këtë të shtunë tuboi shokët. Lexojua projektstatutin, por kopje të tij nuk ke nevojë t’u japësh. Pra thirre një mbledhje me këtë rend dite:

👉 1. Leximi i Statutit (të përkohshëm të LRSHJ). 👈

Në të vërtetë ti ua lexon si me qenë statut i vërtetë që të shohim se a po u pëlqen.

2. Situata momentale.

3. Të ndryshme

4. Caktimi i mbledhjes së ardhshme.

Për situatën momentale folu për atë në Kosovë, ku dje erdhi një shok i Haxhiut dhe tha se ka shumë milici e ushtri. Milicët serb bajnë ”shlema” e ata shqiptarë jo. Parulla ka vazhdimisht dhe kudo. Sa i përket neve, edhe ne do të bashkohemi me situatën në Kosovë. Lufta e armatosur duhet të shtyhet edhe për një kohë. Ne duhet akoma të zhvillojmë luftën me mjete demokratike dhe në këtë mënyrë të vazhdojmë ta dobësojmë armikun tonë. Lexojua edhe artikullin e Ademit ”Kthimi” dhe krahaso atë se për çka mundohet Ademi, e për çka brengoset Nikolla Pano. Në pikën 3 të rendit të ditës ata le ta marrin fjalën vet dhe të diskutojnë dhe le të bëjnë pyetje çka t’u intereson e ne i përcjellim me shkrim.

Me kaq prit të fala nga S. (Skënderi – Xhafer Durmishi)

(Burimi: Faridin Tafallari, Terror, Dhimbje, Qëndresë, Tiranë 1997, f.435)

_________

Ilustrim: lexoni faksimilin e letrës, të shkëputur nga libri i autorit Faridin Tafallari: Terror, Dhimbje, Qëndresë, Tiranë 1997, f.435.

***

Sheradin Berisha

I nderuar Osman Osmani

Se projekt Statuti është shqyrtuar në mbledhjen e 11 korrikut 1982 dhe i njejti pastaj është shpërndarë për lexim, diskutim e plotësim nga anëtarët e LRSHJ-së, përmendet edhe në një letër tjetër të Xhafer Durmishit, dërguar Faridin Tafallarit, në vjeshtën e vitit 1982.

Ju ftojë ta lexoni 👇👇👇

Xhafer Durmishi – Letër Faridin Tafallarit, vjeshtë 1982:

Shoku F. (Faridin)

Para dy ditësh ta lëshova një letër në post, ku të thash me i mbledhë ata shokët. Në anën tjetër me Muratin (Kryeziun) e lamë që të shkojmë në Augsburg. Kështu, po që se i ke njoftuar shokët për takimin atë duhet edhe me e mbajtë. Kështu për Augsburg jam i mendimit le të shkojnë Remziu (Ademaj), nëse ka kohë, Murati dhe Hafizi (Gagica). Unë do të shikoj me të marrë në telefon e i qartësojmë senet më mirë. Deri të shtunën gjendet kësajde edhe Ahmeti (Ahmet Sadiku).

👉 Do t’ia japi projektstatutin. 👈 Gjithashtu duhet me ia dhënë edhe kasetën.

Me kaq mirë u pafshim.

Gjithashtu edhe këtë kambialin (çekun) me dy mijë dollarë e merr me ia dhënë Ahmetit.

S. (Xhafer Durmishi)

***

Osman Osmani

Sheradin Berisha i nderuar, sa i perket programit dhe statitit te LR(S)SHJ shihe Dokumetin e Bashkimit dhe pikerisht per kete çeshtje Piken 3 te Vendimeve!

***

Sheradin Berisha

Osman Osmani

E di, dhe në pikën tre të bashkimit të 17 shkurtit shkruan:

“3. Më vonë të formohet komisioni nga anëtarët e KQ për përpilimin e tezave të programit dhe statutit të LRSHJ.”

Por, ky komision me anëtarë të KQ (Komitetit Qëndror) të LRSHJ-së prej të katër ish subjekteve të bashkimit (LNÇKVSHJ – PKMLSHJ – OMLK – FKP) nuk është formuar asnjëherë.

Sepse nuk është formuar kurrë një KQ i përbashkët. Në fakt, gjatë rrugës (pas 17 shkurtit 1982) është formuar KVG për Europën Perëndimore (më 26 shkurt 1982).

Ky Komitet (anëtar i të cilit ishit edhe ju) ka zhvilluar një sërë aktivitetesh (gjatë muajve mars – korrik 1982) dhe ato më të rëndësishmet i shpërfaqa në këtë bashkëbisedim. Dhe në këtë kuadër është ofruar një Projekt Statut i cili nuk është miratuar në mbledhjen e 11 korrikut të KVG, por vetëm është lexuar dhe pastaj ajo ka qarkulluar dhe është plotësuar dhe tek në vitin 1984 nga KQ apo Qendra Ekzekutive e LRSSHJ (që u formua në mesin e janarit 1983) ka marrë formën e përkryer. Për të qenë i saktë edhe ky Statut nuk është praktikuar mirëfilli, për të mos thënë ka mbetur në sirtar! Pse? Sepse zhvillimet brenda KQ (QE) të LRSHJ-së, në fund të vitit 1983 e veçanërisht nga marsi i vitit 1984 përkeqësohen dhe kemi një ndarje, e cila shkakton pastaj një zinxhir problemesh.

Ndërkaq në anën tjetër grupimi i LRSSHJ (të ish PKMLSHJ-së) ka një organizim të veçantë dhe në këtë kuadër ka edhe platformën, programin dhe statutin e veçantë, që s’ka të bëjë fare me pikën tre të vendimit të bashkimit, që do të thotë nuk është zbatuar nga asnjëra palë e subjekteve të bashkimit. Për këtë gjë është i vetëdijshëm edhe Abdullah Prapashtica bashkë me bacin Nuhi Sylejmani …

Për rrugëtimin e grupimit tuaj të LRSHJ-së mund të bashkëbisedojmë në ditët në vijim…

***

Sheradin Berisha

MBLEDHJA E FUNDIT E KVG-së

Të nderuar Osman Osmani, Abdullah Prapashtica, Nuhi Sylejmani

Sipas këtij proceverbali mbledhja nuk ka përfunduar në mënyrë të rregullt, për shkak të largimit të Bacit Nuhi, pas një debati polemizues me anëtarët tjerë të KVG-së, për disa çështje…

Cilat ishin ato çështje?

Në vijim ju ftojë të lexoni vazhdimin e dytë të proceverbalit:

***

Nga Skënderi u lexua letra e Abdullah Prapashticës (Kushtrimit). Datë nuk kishte, andaj duhet ta veçojmë me titullin: “Të dashur shokë! Të analizohet”. Kjo letër paraqiti disa risi të të shkruarit sepse letra të formuluara në atë formë para këtyre shokëve ende nuk janë lexuar. U vërejt edhe brengosje pse gjithë ato materiale teorike, ligjërata, artikuj e shpjegime të ndryshme, pasi na tregohet se ekzistojnë, thuhet se u gjetën të bllokuara. ‘Pra ne kemi shumë nevojë për ato materiale të nevojshme’. Letra e Kushtrimit u kopjua me nga një ekzemplarë për secilin pjesëmarrës.

Skënderi duke ju referuar udhëzimeve të Kushtrimit që të organizohemi sa më shumë edhe nëse në fillim ai të duket formal dhe shton: Ne e kemi formuar një komitet të vetëm (VG) dhe nga kryetari i tij momentalisht po na thuhet se e kemi formuar pa asnjë shokë afër, e në anën tjetër thirremi që të formojmë kaq organizata e forume dhe përfundoi se me të vërtetë vlerësimet e Nuhiut dhe Kushtrimit janë diametralisht të kundërta. Nuhiu pa e kuptuar shpjegimin tim nxehet duke menduar se kam diçka ndaj vlerësimit të tij. Më tutje Skënderi thotë: Nga një drejtim i KQ të LRSHJ ka ardhur një letër ku kërkohet të shpjegohet çështja se a po largohen punëtorët apo nuk po largohen. Pasi Halimi (Osman Osmani) ka dërguar lajme se punëtorët po na largohen ndërsa Skënderi njëkohësisht ka raportuar se jo vetëm që nuk po largohen por po na afrohen. Për këtë ai këtë çështje e shtron para të gjithëve që të japin vlerësimet e tyre.

Nuhiu e merr fjalën dhe thotë: Po është e vërtetë se njerëzit po na largohen. Në pyetjen se a po u largohen disa njerëzve apo luftës ai përgjigjet: Po na largohen neve, disa vetave, se po ikin prej nesh si prej dreqit. …

Faridini ndërhynë dhe thotë flisni qetë, se më mirë po shkon dhe Nuhiu le ta përfundoj fjalën e vetë. Nuhiu vazhdon: E mirë pra-unë jam dreq. Unë (Skënderi) në këtë kohë nuk i kam në dorë fletët e procesverbalit. Kur i marrë ato prapë që të shënoj fjalën e çdonjërit, ai thotë se nuk thash ashtu. Halimi (Osman Osmani) duke e ditur se është ai i cili e ka informuar KQ se po largohen njerëzit e merr fjalën dhe thotë se këtë e kam bërë me telefon, se ashtu e kam pasur përshtypjen. Prej të tjerëve asnjë nuk ishte i mendimit se njerëzit po na largohen, as neve e as luftës. Nga ky forum u kërkua nga Nuhiu e Halimi që t’i përgatisin me shkrim vlerësimet e tyre duke i bazuar ato me shembuj konkret dhe t’i raportojnë KQ.

Në lidhje me këtë pikë të hapur diskutimi zgjerohet. Në kohët e fundit ka pasur një konflikt në mes Skënderit e Halimit. Si shkak mund të merret një banesë e Nuhiut. Sk(ënderi) i thotë Nuhiut se pse ti me i thënë një njeriu në Shtutgart se këta djemtë po më bëjnë dallavere dhe a mund ta argumentosh këtë. Nuhiu thotë se kjo është çështje private dhe do ta shqyrtoj me atë punëtorin.

Gjithashtu Faridini i drejtohet Nuhiut me fjalët se pse po i përhapë disa fjalë nënçmuese për djemtë duke thënë se edhe filloren e kanë marrë privatisht e kanë ardhë të lavdërohen si studenta. Nuhiu thotë se a është gjallë Qemal Haxhillari (fqinji i parë i Faridin Tafallarit i cili kohëve të fundit është shoqërua më shumë me Nuhiun). Më pas Nuhiu hidhërohet duke i ndryshuar fjalët para të gjithëve herë pas here. Në një moment ngrihet në këmbë dhe thotë: Eh me kend kam mbetë me folë dhe me këto fjalë largohet. Pra ai u largua vetë dhe iku.

Me kaq edhe mbledhja u mbyll, të gjithë të dëshpëruar me sjelljen jonjerëzore të Nuhiut. Në lidhje me largimin dhe shenjat e tij kohëve të fundit KVG do të përgatitë një material të veçantë, si dhe për ndikimin e Halimit dhe punën e tij prej se iu ka bashkua KVG-së.

Procesmbajtësi

Skënderi (Xhafer Durmishi)

PS. Në pikën tre u diskutua rreth revistës. Më përafërsisht për të foli Sk. Ai tha se puna rreth revistës duhet të filloj menjëherë. Për këtë hap i parë është që makina të vendoset tek shokët gjerman. Ai pyeti të pranishmit se a ka dikush që të propozoj ndonjë zgjidhje, a don t’a shtroj këtu para nesh, apo don ta thotë në mënyrë individuale apo të na thuhet ‘bëni si t’ua merr mendja’, dhe kjo çështje të mbetet për ata që janë përgjegjës për revistën. Pas një heshtje Nuhiu tha: ‘Bëni si të doni!’

__________

Ilustrimi nga arkivi i pashtrikut:

Një pjesë e faqes së parë e letrës së Kushtrimit – Abdullah Prapashticës (dërguar nga Ankaraja, më 14.06.2982), që u lexua në këtë mbledhje:

***

Sheradin Berisha

TRAJTIMI I MBLEDHJES SË KVG-së, MË 11 KORRIK 1982, NË LIBRIN: “VRASJA E TREFISHTË”

Të nderuar Osman Osmani, Abdullah Prapashtica dhe Nuhi Sylejmani

Kur jemi te mbledhja e KVG-së, e datës 11 korrik 1982, pas prezentimit të procesverbalit të kësaj mbledhjeje, në vijim sjellë një fragment nga libri i Bacit Nuhi Sylejmani, ku shpërfaq kujtime pikërisht për këtë ngjarje.

Baci Nuhi Sylejmani në faqet 148 – 150 të librit për mbledhjen e 11 korrikut 1982, shkruan:

“Ishte e shtunë, ditë pushimi, kur ra zilja. Dola. Kishin ardhur për vizitë pune Fahredin Tafallari, Hafiz Gagica, Xhafer Durmishi dhe Osman Osmani. Më thanë se duhej biseduar dhe shqyrtuar problemet që na ishin shfaqur gjatë gjithë kohës sa bashkëvepronim, që nga vrasja e tre shokëve. Nuk hapen debate, por vendosën të takoheshim të dielën e 11 korrikut, në orën nëntë, në një fushë të Sidelfingenit. Pranova.

Të nesërmen, në kohën e caktuar, u takuam. Pos meje ishin edhe Xhafer Durmishi, Osman Osmani, Fahredin Tafallari, Hafiz Gagica, Haxhi Berisha, Naim Haradinaj dhe unë. Për rend të ditës, që ishte parapërcaktuar prej tyre, ishte shqyrtimi dhe analiza e punës së organizatës sonë që nga rënia e shokëve e deri më sot. U tha se duhej mbajtur procesverbal për t’u raportuar „organeve të larta“. Kisha parandjenja të këqija. Vetë përshëndetjet e ftohta të shokëve më dhanë të kuptoj se diçka e pakëndshme po përgatitej kundër meje. Asgjë nuk ishte e rastit. E hapën

debatin duke analizuar çështjet anësore, me akuza sipërfaqësore e të tërthorta kundër meje. Në vend të argumenteve, merreshin fjalët e thëna nga dikush e nga diku, që nuk ishin të ndonjë rëndësie të veçantë. Po i dëgjoja me vëmendje shokët kur flisnin ngadalë e qetë, njëri pas tjetrit, duke i përtypur ato që me dhjetëra herë i kisha dëgjuar prej tyre, pa nxjerrë në pah asnjë dobësi që kishte ndodhur gjatë organizimit të demonstratave, gjatë marrjes së lejeve për mbajtjen e demonstratave, për mosrealizimin e vendimeve që dilnin nga „Komiteti Vëllezërit Gërvalla“, për shumat marramendëse të parave që i kishin marrë e që nuk u dihej vendi, koha e as mënyra e shpenzimeve.

Derisa ata po flisnin në mënyrë „të butë“ e kritike kundër meje, unë po përgatitesha me vete që kur ta merrja fjalën, të kërkoja llogari prej tyre pikërisht për ato çështje që ata qëllimisht po i anashkalonin. Porsa e mora fjalën, në mënyrë të qetë i kërkova llogari „kryesorit“ (Xhafer Durmishit), për fyerjet që m’i kishte bërë para masës në demonstratën e 3 prillit në Bon. Në vend të shpjegimeve që i prisja, si përgjigje mora buzëqeshje cinike, tallje dhe shikime ironike. Osman Osmani mori guximin dhe i tha Xhaferit që të përgjigjej para shokëve dhe para bacës Nuhi! Edhe kësaj radhe, në vend të arsyes, „kryesori“, Xhafer Durmishi, reagoi ashpër kundër Osmanit, duke i thënë: „Ti nuk e ke të drejtën e fjalës dhe je i detyruar t’ju nënshtrohesh urdhrave të mia… dhe pikë!“ U përpoqa të jem i arsyeshëm, duke i thënë se nënshtrim e përbuzje prej nesh kërkon vetëm armiku. Kësaj radhe, me ashpërsinë më të madhe ndërhyri Hafiz Gagica, duke më pyetur qortueshëm se kujt po i thosha armik unë? Në anën tjetër foli Haxhi Berisha, duke thënë se këto fjalë duhet t’i vinte në protokoll, që t’i mbetën dëshmi historisë… Cilës histori?, – e pyeta vetën, duke aluduar në historinë e turpit që kishin filluar ta shkruanin me veprimet e tyre! Ndërsa, Naim Haradinaj më pyeti me atë zërin e tij të qetë prej pajtuesi, se a më shumë janë gjashtë apo një? Kjo pyetje më dha të kuptoja se të gjithë ishin kundër meje, kurse atij iu përgjigja shkurt, se aty ku qëndron shumica nuk do të thotë se qëndron gjithmonë edhe e drejta! Dukej se çdo gjë po rridhte ashtu siç e kishte planifikuar „kryesori“ ynë, i vetëshpalluri i devotshëm, Xhafer Durmishi.

Në mënyrën më dinake e zbatoi urtinë filozofike „mbrojtja më e mirë është sulmi“. Andaj, bëri sulmin e radhës, duke më thënë se “ti, pasi nuk je me ne, je kundër nesh, prandaj largohu! Shko…! Ik te Ibrahim Kelmendi”! Prapë ndërhyri Hafiz Gagica me fjalë fyese, duke më quajtur lavire dhe duke bërë zik-zake me dorë mbi barin e njomë, dhe kërcënueshëm më tha: „Unë t’i thyej dhëmbët!“ E ndjeva vetën të poshtëruar faqe burrash… por, ata nuk ishin burra! Për një çast e humba kontrollin dhe ia ktheva me zemërim Hafizit, duke e cilësuar si bushtër që po me vërsulej pa argumente, pa fakte dhe pa të drejtë. Ia bëra me dije se ‘boll mirë po e di se çka po lyp ti, por nuk do të hy në ato ujëra të turbullta, pavarësisht se situatën po e çon drejt vëllavrasjes’… Ende pa e përfunduar fjalën, ndërhyri prapë „kryesori“ ynë i devotshëm, duke më kërcënuar me plumb kresë, me vrasje, me ekzekutim, me zhdukje… I thashë se nuk kam frikë nga plumbi, por nga turpi… kurse unë nuk kam plumba për shqiptarë, sado të poshtër qofshin ata… Plumbat do t’i ruaj për armikun, që po na rri këmbëkryq në ballë të vatrës dhe herë pas here po na e hedhë nga një asht… ja si tani, për t’u grindur, për t’u sharë e vrarë mes veti! U ngrita në këmbë për t’u larguar prej tyre.

Desha të përshëndetesha për të fundit herë me „shokët e idealit“, por pasi më cilësuan si tradhtar, si dezertor, lavire që duhet të m’i thyejnë dhëmbët… që duhet të më ekzekutojnë me plumba kresë… asnjëri prej tyre nuk e pa të arsyeshme të ma zgjatë dorën, bile as ata që gjatë gjithë kohës dukej se kishin qëndrim indiferent, si Osman Osmani, Fahredin Tafallari dhe Naim Haradinaj. I vrarë shpirtërisht, me moral të rënë dhe me indinjatë të thellë, me një taksi u ktheva pranë familjes sime.

(…)

(Burimi: lexo në foto Nuhi Sylejmani – Vrasja e trefishtë, Kombi 2010 – faqe 148 – 150)

***

Sheradin Berisha

I nderuar Osman Osmani

A mbretëronte vërtetë kjo atmosferë në mbledhje, kështu siç e përshkruan baci Nuhi Sylejmani?

***

Osman Osmani

Sheradin Berisha i nderuar, po, me keqardhje duhet ta pohoj atmosferen e pershkruar nga Baca Nuhi. Une e kam ndier veten keq atehere, sikur nuk e kam ndier veten mire kur Baca Nuhi ka shkruar per kete rast ne librin e tij, por mjerisht kjo ishte e verteta.

***

Sheradin Berisha

I nderuar Osman Osmani

Në proceverbalin e kësaj mbledhje të mbajtur më 11 korrik 1982, lidhur me atmosferën e krijuar që çoj në largimin e Bacit Nuhi nga mbledhja, përshkruhet si më poshtë:

“Pasi Halimi (Osman Osmani) ka dërguar lajme se punëtorët po na largohen ndërsa Skënderi njëkohësisht ka raportuar se jo vetëm që nuk po largohen por po na afrohen. Për këtë ai këtë çështje e shtron para të gjithëve që të japin vlerësimet e tyre.

Nuhiu e merr fjalën dhe thotë: Po është e vërtetë se njerëzit po na largohen. Në pyetjen se a po u largohen disa njerëzve apo luftës ai përgjigjet: Po na largohen neve, disa vetave, se po ikin prej nesh si prej dreqit. …

Faridini ndërhynë dhe thotë flisni qetë, se më mirë po shkon dhe Nuhiu le ta përfundoj fjalën e vetë. Nuhiu vazhdon: E mirë pra-unë jam dreq. Unë (Skënderi) në këtë kohë nuk i kam në dorë fletët e procesverbalit. Kur i marrë ato prapë që të shënoj fjalën e çdonjërit, ai thotë se nuk thash ashtu.

Halimi (Osman Osmani) duke e ditur se është ai i cili e ka informuar KQ se po largohen njerëzit e merr fjalën dhe thotë se këtë e kam bërë me telefon, se ashtu e kam pasur përshtypjen. Prej të tjerëve asnjë nuk ishte i mendimit se njerëzit po na largohen, as neve e as luftës. Nga ky forum u kërkua nga Nuhiu e Halimi që t’i përgatisin me shkrim vlerësimet e tyre duke i bazuar ato me shembuj konkret dhe t’i raportojnë KQ.

Në lidhje me këtë pikë të hapur diskutimi zgjerohet. Në kohët e fundit ka pasur një konflikt në mes Skënderit e Halimit.

Si shkak mund të merret një banesë e Nuhiut. Sk(ënderi) i thotë Nuhiut se pse ti me i thënë një njeriu në Shtutgart se këta djemtë po më bëjnë dallavere dhe a mund ta argumentosh këtë. Nuhiu thotë se kjo është çështje private dhe do ta shqyrtoj me atë punëtorin.

Gjithashtu Faridini i drejtohet Nuhiut me fjalët se pse po i përhapë disa fjalë nënçmuese për djemtë duke thënë se edhe filloren e kanë marrë privatisht e kanë ardhë të lavdërohen si studenta. Nuhiu thotë se a është gjallë Qemal Haxhillari (fqinji i parë i Faridin Tafallarit i cili kohëve të fundit është shoqërua më shumë me Nuhiun).

Më pas Nuhiu hidhërohet duke i ndryshuar fjalët para të gjithëve herë pas here. Në një moment ngrihet në këmbë dhe thotë: Eh me kend kam mbetë me folë dhe me këto fjalë largohet. Pra ai u largua vetë dhe iku.

Me kaq edhe mbledhja u mbyll, të gjithë të dëshpëruar me sjelljen jonjerëzore të Nuhiut. Në lidhje me largimin dhe shenjat e tij kohëve të fundit KVG do të përgatitë një material të veçantë, si dhe për ndikimin e Halimit dhe punën e tij prej se iu ka bashkua KVG-së.”

A janë diskutuar këto çështje që përshkruhen në këtë pjesë të procesverbalit?

VIJON …

© Pashtriku.org

_______________________________

Nga arkivi i facebookut, 21 shkurt 2023

POLEMIKË ME DREJTUESIT E ISH PKMLSHJ-së, OSMAN OSMANIN DHE ABDULLAH PRAPASHTICËN PËR ZHVILLIMET NË LRSSHJ, NGA SHKURTI 1982 … (5)

Nga Sheradin Berisha, Prill 2024 

https://pashtriku.org/polemike-me-drejtuesit-e-ish-pkmlshj-se-osman-osmanin-dhe-abdullah-prapashticen-per-zhvillimet-ne-lrsshj-nga-shkurti-1982-5/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura