PROF.AGIM ZOGAJ: BOTA, PAS COVID-19, DO TË JETË NDRYSHE

Prishtinë, 1 Prill 2020: Të trembur e të vetmuar
Që tani, derisa, ende jemi larg për ta fituar betejën me Covid 19, mendimtarët, filozofë botëror kanë hapur debatin në temën: Si do të jetë bota pas Covid-19? A do të ndryshoj ose jo, natyra konfliktuoze e politikës botërore? Përkatësisht, kriza e shkaktuar me pandeminë, Covid -19, a do të nxisë tensione të reja në marrëdhëniet SHBA – Kinë – Rusi? Nëse do të dobësohen proceset integruese evropiane? Ndoshta, me arsye, shtrohet kjo pyetje, sepse, vërtet, ky civilizim, po përjeton një histori tepër dramatike, “vetë” vrastare. Dikush, madje, do të mund ta përdor edhe shprehjen: kohë e vdekjeve!
Sidoqoftë, kombi dhe besimi, në kuptimin e identifikimit të përgjithshëm, do të mund të pësojnë transformime të thella, duke qenë kështu, ndoshta, realitete të së kaluarës. Apo, ndoshta, njerëzimi, do të aspirojë, që, pas betejës mbi Covid – 19, elitat politike, ushtarake, financiare, pse jo edhe ati kulturore dhe akademike, të mbushën mend dhe, tërë potencialin njerëzor ta vënë në shërbim të njeriut , qenies më të çmuar në planet. Elitat përkatëse, pra, do të mund të mendonin dhe vepronin për një shoqëri, për qeveri, për demokracia, më shpirtërore se këto, të cilat kaq lehtësisht u dorëzuan para armikut të padukshëm! Prandaj, mund të jetë që, në një botë krejt më ndryshe se kjo,qytetërimi i ri, në radhë të parë politika, nuk do të jetë aq pamëshirshëm në shërbim të fuqisë së pushtetit, të pushteteve financiare, ushtarake të oligarkive, të cilat, në emër të demokracisë e vjedhin lirinë e njeriut! Elitat përkatëse, e keqpërdorin demokracinë, lirinë, të drejtën e njeriut të jetë qenie, akoma më humane, seç realisht është! Të kihet, parasysh, vetëm statistika e frikshme për numrin e atyre individëve, të cilët, me një numër aq simbolik, aq të vogël e kontrollojnë, e mbajnë në grusht pasurinë e botës, pasurinë e cila është më e madhe se e vetë shteteve! A mund, pra ta kemi një shoqëri, një botë tjetër, në të cilën liria e individit, e drejta e tij në jetë, në paqe, në siguri, në lumturi të jetë prioritet i shtetit, i shteteve, demokracive? Kjo, mund të jetë sfida e radhës, thirrja më humane që, pas Covin – 19, mund t’i drejtohet njerëzimit, gjithnjë e më të trembur , më të vetmuar, më të përhumbur!

Ka parashikime, si, Stephen M. Walt, profesor i Harvardit, i cili është i mendimit se, pas epidemisë pritet të forcohet nacionalizmi, ndërkohë që, edhe natyra, përplot konflikte, në marrëdhëniet ndërkombëtare pritet të ashpërsohet. A mund, pra, që tani, të parashihet që, bota e pas Covid 19, mund të jetë më pak e hapur, më pak prosperuese, pra, dhe më pak e lirë dhe shumë më e trembur?
Gjithnjë në këtë pikëvështrim, ka pikëpamje, sipas të cilave, pritet faktorizimi i Kinës, madje, jo vetëm në planin e forcimit të saj ekonomik. Kina, sipas vlerësimeve të ish ministrit të jashtëm të Singaporit, Kishore Mahbuban, është dhe do të jetë në ngritje , duke e forcuar ndikimin e saj ekonomik dhe atë kulturor. Kina, ka pretendime që, në këtë plan, ta sforcojë garën me shtetet më të zhvilluara në botë, veçmas me SHBA-të. Ndonëse, pas Covid – 19, pritet që, të përhapet ideja se, bota reale, planeti ynë, jo vetëm në kohë krize është shumë e vogël se që kemi menduar. Ka dy alternativa, ose do të zgjerohet bashkë punimi midis shteteve dhe popujve ose, si rezultat i frikës për siguri individuale, kolektive, shtetet të “ mbyllën” në vete, gjë që do të kishte ndikim në përmasa globale.
Është me interes të përmendet fakti se, Qeveria palestineze nga Bregu Perëndimor dhe grupet e Hamasit në Gazë po mbajnë kontakte të vazhdueshme me autoritetet shtetërore të Izraelit. Izraeli, madje, autoriteteve në Gazë, në formë ndihme u ka dërguar mjete mjekësore. Në Liban ndërsa, ushtria e rregullt dhe milicia Hejzbullah, bashkërisht janë të angazhuara në luftë kundër korona virusit, Covid’19. Është pra, në këtë hapësira gjeografike, ku rrallë ndodhë të ketë heshtje të armëve, një lloj armëpushim, si rezultat i Covid – 19, i cili, nuk njeh kufij shtetëror, nuk njeh, racë, komb, besim…
Solidariteti global ose vet izolimi
Ndoshta, siç vlerëson, John Allen, Kryetar i Institutit Brooking, historia, sikur gjithnjë,do të shkruhet nga fituesit e sotëm dhe ata të nesërm. Botën, për një kohë të gjatë, për një epokë të re do të mund ta përfshijë periudhë e jo stabilitetit, në radhë të parë ekonomik dhe shëndetësor. Jo stabiliteti, në radhë të parë ekonomik, do të mund të nxiste ndjenjën e pasigurisë, mbylljen, por edhe përshkallëzimin e konflikteve potenciale. Gjithsesi, pikëpamjet, pikëvështrimet, për të nesërmen e botës, njerëzimit nuk janë edhe aq premtuese.
Hapësira gjeografike, e cila, pas tërheqjes së Covid-19 do të mund të përballej me vështirësi të ndryshme, pritet të jetë, pikërisht BE-ja. Që tani, studiues të zhvillimeve botërore, veçmas të zhvillimeve krizë siç është rasti me Covid -19, mbrojnë pikëpamjen se, BE-ja, nuk doli e suksesshme në betejën me Covid – 19. Ky mos unitet, mos harmonizim, mos bashkëpunim, madje, edhe me elemente të përçarjes mes shteteve anëtare të BE-së nuk është se, doli në shesh vetëm tani në kohën e pandemisë, Covin -19. Ky mos unitet, mungesë, madje, edhe e solidaritetit, u reflektua edhe në rastin e krizës, tragjedisë së shkaktuar në Itali, nga Covid-19. Mungesa e përkrahjes emergjente, financiare e BE-së për Italinë, e dëshpëroi popullin, por edhe qeveritarët italianë. Madje, kjo situatë nxiti eufori te qytetarët italianë, kur nga Kina arritën ndihmat e shumta, në luftën kundër Covin-19. Qytetarët, të dëshpëruar nga pa vendosmëria dhe mos veprimi i BE-së, e hoqën flamurin e BE-së dhe atë e zëvendësuan me flamurin e Kinës! Në këtë kontekst, pra, të krizës, së BE-së, e cila, mund të përballet me krizë të thellë ekonomike, çështja thelbësore është: Cili është interesi më i madh për Italinë, partneriteti me BE-në, ose partneriteti i ri me Kinën ose edhe me Rusinë? Prandaj, i dëshpëruar dhe i pa shpresë, ish Presidenti i Komisionit evropian, francezi 94 vjeçar, Jacques Delors tha se: ”…mungesa e solidaritetit evropian, është rrezik vdekjeprues për BE-në”! Po, aq i shqetësuar me të ardhmen e BE-së është edhe ish ministri i jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel i cili shprehet se:” Evropa mund të shkatërrohet”! E çfarë të themi ne në Kosovë, kur, pa asnjë arsye, si rezultate i mos liberalizimit të vizave, BE-ja po na mban të rrethuar, të vetë izoluar, të braktisur, pa të drejtën e lëvizjes në shtetet evropiane!?
Analisti politik amerikan, Thomas Friedman është i mendimit se, shpejtësia e përhapjes vrastare të Covid – 19, ndërlidhet edhe me realitetin e sotëm të botës në të cilën jetojmë dhe ku, sipas Friedman dominon teknologjia dhe mjetet e komunikimit. Ai madje, shtron pyetjen nëse, pandemia Covid 19 do ta ndryshojë, në përmbajtje, kulturën apo politikën amerikane? Sido që të jetë, sipas, Friedman, pandemia, Covin-19, do të bëj ndryshime të konsideruara në kulturën politike të qytetarit amerikanë. Gjithsesi, qytetërimet e sotme, do të përballen me sfida të jashtëzakonshme. Në radhë të parë, mbetet që, bota, njerëzimi, shtetet më të fuqishme, të bëjnë aleancë, marrëveshje të re, mbarëbotërore, për drejtimet, politikat e përbashkëta në nivel global, në radhë të parë në fushën e shëndetësisë dhe të mirëqenies sociale. Në themelet e asaj marrëveshje, midis shteteve, kombeve të botës, duhet të jetë individi, njeriu i vetmuar, i braktisur, i lënë në dëshpërim, njeriu i shekullit XXI, pavarësisht, racës, besimit, përkatësisë nacionale, shtetërore, mirëqenia e tij, pra, e njerëzimit mbarë, një udhëheqje globale e shëndetit publik! Vetëm mbi ato themele, të një filozofie të re, mund të ndërtohet solidariteti global, i cili, është parakusht për një të ardhme më të sigurt, më paqësore, me pamje më njerëzore!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura