Vlorë, 6 mars 2021: Këngë elegjiake për Dëshmorin e Atdheut Skerdilajd Bardhyl Llagami (Komandant Shpendi): Tiranë, 31 tetor 1969-Bogovinë, Tetovë, 29 Qershor 2009
Nga Albert HABAZAJ *
Vanë njëzet vite
Skerdilajd i motrës,
Të kërkoj si qyqe
Qiejve të botës.
O Shpirt, elegjinë
Ta këndoj me vaje,
Mbulojë ke lavdinë
O vëlla me halle!
Lirinë zbukuruar
Me gjak tënd e kemi.
Ku ke fluturuar
O Komandant Shpendi?!
Dhe mali nga vendi
Luajti nga dhëmbja,
O Komandant Shpendi,
Shpendi yn’ me ëndrra!..
Si zog të pranverës
Tirana të nisi,
Lugin’ e Preshevës
Një yll ta qëndisi.
Prizreni, Tetova,
Sipër, mal i Sharrit,
Me shpresa të njoma,
Trim i Idealit.
Dhe në Bogovinë
Një dre po derdh lot,
Kurorë me dafinë
Të thur motra sot.
Luan guri vendit
Gur shkëmbi Babai,
Amanet i Shpendit
Jehon skaj më skaj…
*) drejtues artistik i Grupit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”
Vlorë, 01.03.2021