Torino (Kanada), 7 Prill 2020: Dua ta shohë një vend të zhvilluar në çdo drejtim: Në bujqësi, industri, shëndetësi, arsim, kulturë, art, shkencë, teknikë, sport etj.
Dua ta shohë të pastër tokën, lumin, liqenin, detin dhe ajrin. Populli të jetë i shëndetshëm.
Dua ta shohë që toka, nëntoka, deti dhe ajri të jenë pasuri vetëm e kombit shqiptar.
Dua ta shohë një shtet me ligje dhe drejtësi, ku të gjithë shqiptarët të jetojnë të lumtur.
Dua ta shohë Republikë Parlamentare me dy Dhoma: Dhoma e Përfaqsuesve të Popullit dhe Dhoma e Senatit.
Dua ta shohë me qeveri, që punon për popullin shqiptar, dhe jo për vete dhe të huajt.
Dua ta shohë një vend me mbrojtje vetjake, shtetësi dhe pavarësi të sigurt.
Kjo Shqipëri do të shërbejë si forcë tërheqëse për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare.
A mund të realizohen të gjitha këto?
PO, sepse vendi ynë është shumë i pasur me burime natyrore, por duhet ndryshim rrënjësor në politikë. Këtë ndryshim e ka në dorë vet populli shqiptar.
Pasuritë e Shqipërisë nuk janë vetëm fjalë boshe, por të bazuara me fakte dhe shkencë. Atëhere lind pyetja: Pse jemi kaq të varfër?
Përgjigja është: Sepse jemi të keqqeverisur.
Çfarë duhet bërë në ekonomi?
1 – Të zhvillohet bujqësia. Të bashkohen tokat e fshatit dhe të krijohen fermat private të fshatarve, të shkëputura nga shteti. Të riparohen kanalet ujitës dhe kullues. Të mekanizohet bujqësia. Të pyllëzohet vendi, sidomos malet. Shteti të ndihmojë me kredi.
2 – Të shtetëzohen (nacionalizohen) nafta, gazi dhe minierat.
Në Shqipërinë Perëndimore le të zhvillohet bujqësia, nafta dhe turizmi bregdetar.
Në Shqipërinë Lindore le të zhvillohet nafta dhe minierat.
Brezi ofiolitik i Mirditës (Fig.1, brezi me figurat e zeza, që shtrihet në jug ndërmjet Ersekës dhe Bilishtit dhe vazhdon drejt veriut ndërmjet Morinës dhe B.Currit) është i pasur me krom, bakër, ar, hekur-nikel etj. Të gjitha këto duhen zhvilluar, por ky brez pritet të ketë rezerva të jashtzakonshme nafte dhe gazi, sidomos në gëlqerorët poshtë masivëve ultrabazikë (figurat e zeza). Këta gëlqerorë, me trashësi rreth 4000 m, pritet të takohen rreth thellësisë 2000-3000 m. Prandaj, fillimisht investimet kryesore qeveria duhet t’i përqendrojë në sektorin shtetëror të naftës, ku pritet të zbulohen vendburime gjigante nafte dhe gazi. Zhvillimi i sektorit shtetëror të naftës do të zhvilojë të gjithë ekonominë e Shqipërisë. Do të rritet shumë mirqënia e popullit dhe do të zhduket papunësia dhe emigrimi masiv i shqiptarve. Kështu veproi Norvegjia. Të marrim shembull prej saj.
Shqipëria Veriperëndimore (Zona e Alpeve Shqiptare) ka perspektivë të madhe për naftë, gaz dhe alumin etj. Të gjitha këto duhen zhvilluar, por sidomos ka perspektivë të jashtzakonshme për boksite (minerali i aluminit), sikurse janë faktuar përtej kufirit, në Mal të Zi. Brezi ngjyrë blu në hartë (Fig. 1 me ngjyra), që vazhdon në veri-verilindje të Liqenit të Shkodrës (ndërmjet fshatit Gruemirë dhe Hanit të Hotit, drejt fshatit Tamarë në veri-verilindje) ka perspektivë shumë të madhe për boksite. Pse e theksoj këtë perspektivë? Sepse në këtë brez ndodhen dy nivele të fuqishme stratigrafike me gëlqerorë harofitikë. Këta gëlqerorë karakteristikë zakonisht shoqërohen me boksite. Pra, gjeologët tashmë e dinë se ku duhen kërkuar këta boksite cilësorë, sikurse janë takuar në Mal të Zi. Atje shumë boksite kanë ngjyrë të bardhë. Prandaj, me sa duket, gjeologët tanë gabimisht i kanë konsideruar si gëlqerorë, të cilët gjithashtu kanë ngjyrë të bardhë. Zbulimi i këtyre boksiteve do të krijonte mundësi për hapjen e shumë minierave. Aty mund të ngrihej edhe metalurgjia (shkrirja e aluminit). Në lindje të brezit blu (Fig.1) pritet të zbulohen vendburime gjigante nafte dhe gazi. Kështu do të hapeshin shumë fronte të reja pune, dhe do të rritej mirqenia e popullit të Malësisë së Madhe dhe Dukagjinit.
Energjetika do t’i sillte shumë të ardhura ekonomisë. Me gazin e bollshëm natyror, që pritet të zbulohet, të ndërtohen termocentrale të fuqishme, për prodhimin e energjisë elektrike. Edhe në lumenjtë malorë, ku nuk prishet mjedisi, të ndërtohen hidrocentrale për prodhimin e energjisë elektrike. Kjo energji elektrike do të shfrytëzohet për nevojat e vendit dhe për eksport.
Turizmi do të ishte një burim tjetër i të ardhurave, por jo vendimtar për zhvillimin e vendit, sikurse konsiderohet padrejtësisht deri tani.