PROF.DR. HAKIF BAJRAMI: PSE BAJRAM CURRI NUK ISHTE NË VLORË – MË 28 NËNTOR 1912?

Prishtinë, 07. 10. 2013 – (Botohet në prag të 101 vjetorit të shpalljes pavarësisë së Shqipërisë) – Ata, që e penguan Gjeneralin e vegjëlisë Bajram Currin, që mos të shkojë në Vlorë, provuan ta vrasin për së gjalli. Me dredhi e makinacione e arritën qëllimin. Po ata, më vonë, kur erdhën në pushtet, u forcuan, e vranë në pabesi, me tradhti duke u shërbyer interesave të Beogradit. Ai që e kishte lajmëruar vendqëndrimin e Bajram Currit, (prefekti i Krumës), pasi që e vranë në pabesi, mori për guxim edhe të mbajë një fjalim mortor pranë varrit. Po ai (H.K.), më 6 prill 1925 “i kërkonte Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë 500 napolona ari të premtuara për atë që ka dhënë njoftime se ku gjendet Bajram Curri, si dhe kërkonte gradime për vrasësit e tij.” (Shiko: AQSH i Shqipërisë, Fondi MPB, d. nr. 9. 1925; d. 51 dhe d. 58).
Nuk ka personalitet shqiptar që politika dhe diplomacia serbe t`i ketë siguruar tetë (8) analiza-biografi analitike sikurse për Bajram Currin dhe të afërmit e tij. Në kohën kur kam hulumtuar nuk ka pasur para që i “blenë” ato dorëshkrime të fotokopjuara. Kam provuar përmes Akademik Bogumil Hrabakut t`i nxjerr të fotokopjuara, por kot. Të paktën prej tij (Hrabakut) e kuptova se tri dorëshkrime i kishin përpiluar për Bajram Currin oficerët rus me urdhër të Nikolla Pashiqit. Ata oficerë kishin punuar si projektantë të kolonive sllave në Kosovë 1920-1928. Ndërsa nga shqiptarët bukë përmbysur është vrarë Bajram Curri, është vrarë truri i kuvendeve dhe gjenerali i istikameve shqiptare për liri dhe pavarësi për 100 000 dinarë. (Shiko: AVII B. Koleksioni për Bajram Currin 1903-1928).
Unë mendoj se Bajram CURRI në Vlorë, do të thoshte e tërë shqiptaria e Kosovës aty, do të thoshte se Kosova nuk mund të qitej në Pazar aq lehtë siç ngjau në Londër. Shkenctarët kroatë dhe maqedonë më kanë thënë se atë e kishte Serbia në plan të parë dhe atë e vrau të parin, më 1925. Për Bajram Currin bëri çdo gjë që mos të gjendej në Vlorë më 28 XI 1912. Për sjelljet e Bajram Currit në Shkup më 1912 si komandanti i një ushtrie, Arqibad Rajs, korrespondent luftës ballkanike shkruan: “Gjeneral i urtë dhe drejtues i denjë për admirim që nuk lejon askujt t` ibëhet asnjë dem, padrejtësi, në qytet. Nuk guxon askush të i ngucë joshqiptarët pa armë në dorë. Ata që i ngucin kanë punë me mua”.

Bajram Curri (1862 – 1925)

Me rastin e varrimit, pa u trembur fare, malësorja trime Xhufe Sylaj e vajtoi pranë varrit Bjarm Currin: “ajo pushkë vlla si t`muer ty, muer Krasniqen shpi për shpi, Gash e Bytyç deri n` Dri, muer Kosovën bitevi..”.
Nuk kam për qëllim me këtë rast të shkruaj biografi, por të potencoi një detal tragjik të historisë sonë të vuajtur që ende kullon gjak. Ato detale tragjike duhet t` I objektivizojmë në mënyrë që mos të na përsëriten vëllavrasjet dhe tradhtia që ishte bërë mode gjatë gjithë shekullit XX. Në dokumente, të gjithë tradhtarët mendonin se kurrë nuk do të zbulohen. Por… Arkivat janë gjykata të pa mëshirshme dhe, zbulojnë heroizma, zbulojnë hipokrizi e tradhti, shkurt, bëjnë “copë e grim çdo detal të jetës”. Të mësojmë pra, nga mësuesja e jetës për të djeshmen, për të sotmen e më shumë për të nesermen, sepse e sotmja, nesër bëhet dje. Nuk mund të përmirësohet kurrë krimi. Kush e pengoi Bajram Currin të gjiedet pranë Ismail Qemalit, dokumentet e zbulojnë pa asnjë dilemë!
***
Skënder Drini, duke shkruar për Bajram Currin, (Tiranë 1983 f. 5) ka shënuar : “ Viti 1862. Zbaticë armësh në Kosovë…Sa zgjat? Mbulohen varret, vajohen pushkët dhe deti i luftës vjen prapë… Megjithatë osmanlinjtë derdhen vale-valë nëpër Kosovë dhe fitojnë mbi fëmijët (infanticid i paparë i okupatorit më 1863-HB), mbi gratë dhe kullat pa meshkuj. Klithma e Kosovës në flakë! Klithma e Kosovës në atë qerre që zbret nga Gjakova dhe që do të bëhet djep i Bajram Currit! Kështu do të hakmerren turqit ndaj Shaqir Currit, që rri maleve dhe nuk dorëzohet….).
Po, Bajram Curri u rrit dhe u bë emër I kombit. Ideal të jetës e kishte Sylejman VOKSHIN, por u rrit dhe bëri emër duke ndjekur shkollën e Haxhi ZEKËS, duke u shkri për liri dhe pavarësi të Shqipërisë. E vërteta, ajo shkollë që e vrau Haxhi Zekën, e tradhtoi dh e vrau edhe Bajram Currin, por jo kurrë luftën e tyre për dinjitet dhe pavarësi të truallit arbëror. Historia e luftës për liri nuk do të ndalet kurrë, as nuk do të dorëzohet si institucion i civilizimit. Kështu emri i Bajram Currit, do të vjen e bëhet shkollë kombëtare, gjeneral i vegjëlisë, i nderit dhe luftës pa rreshtur për liri.
Po, është e vërtetë, e vranë serbët me pare Haxhi Zekën, e vranë serbët me pare Bajram Currin, I vranë edhe shumë të tjerë. Por, patrioti dhe i drejti, Bajram Curri na e la një porosi shkollore civilizuese që Evropa dhe bota e civilizuar duhet ta mësojë edhe sot. Bajram Curri e dinte fare mire kush po e lufton për vdekje. Por si burrë i pjekur prej shqiptari do ta lënë për histori këtë shkollë civilizuese: –‘Kush prek popullsinë serbe të paarmatosur, ka punë me mue! Kush djeg e vjedh, e din çka e pret! Mjafton kaq për të frenuar vrasjen e njerëzve të paarmatosur dhe për të mos i lënë shqiptarët të bëheshin “serbë”.(S. Drini, Bajram Curri, Tiranë 1983. F. 179).Shkolla e Bajram Currit u bë kombëtare, dhe bota këtë shkollë duhet ta njohë, ta mësoi dhe përvetësoi, se I duhet njerëzimit, I duhet ardhmërisë.
***
Më 11 janar 1912 Parlamenti I Turqisë shpërndahet. Të nesërmen, më 12 janar paria shqiptare e drejtuar nga Ismail Qemaili dhe Hasan Prishtina në periferi të Stambollit do ta mbajnë Mbledhjen, që në histori njihet si Kuvendi I Taksimit. Aty, u vendos që Kombi shqiptar ta marrë në duar të veta fatin e vet dhe të drejtohet prej një qeverie shqiptare. Detyrat u caktuan me shkrim dhe ato u përmbushën, varësisht mundësive dhe aftësive të secilit pjesëmarrës që mori obligime në Kuvend.
Qendra e organizimit të shqiptarëve për një kohë fare të shkurtër do të shndërrohet Shkupi, si kryeqytet i Vilajetit të Kosovës. Aty, me nismën e Gjeneral Bajram Currit do të themelohet “Komiteti i Shpëtimit”, që kishte për detyrë organizimin e luftës së armatosur në të gjitha trevat kombëtare. Këtë rol Gjeneral Bajram Curri do ta marrë jo rastësisht sepse atëbotë jetonte dhe vepronte në Shkup , po i mbante edhe të gjitha lidhjet politike dhe ushtarake me qendrat tjera të vilajeteve shqiptare.
Në frymën e këtyre përgatitjeve për luftë çlirimtare të tokave shqiptare, gjatë prillit 1912 në vise të ndryshme të atdheut do të lidhen shumë BESA. Një e tillë ishte ajo e 10 prillit 1912 me qendër në Gash, së cilës Besë pastaj iu bashkuan Krasniqja, Bytyqi, Hasi dhe të gjitha krahinat e Malësisë Gjakovës. Dhe kush të ishte prijës I kësaj lufte çlirimtare në këtë trevë patriotike para Bajram Currit. Po, Bajram Curri i priu luftës çlirimtare me dinjitet dhe profesionalizëm prej GJENERALI.
Kushtrimi për kryengritje çlirimtare në prill-maj 1912 I kishte përfshirë të gjitha qendrat e vilajetit të Kosovës: Mitrovicën, Vuçitërnën, Llapin, Drenicën, Gjilanin, Prishtinën, Pejën, Malësinë e Gjakovës, Prizrenin dhe Lumën. Në këtë trevë kryengritëse në detyrë operacionale Turqia I kishte 19000 ushtarë, 56 topa dhe 7500 kalorës. Shqiptarët n`anën tjetër nuk kishin armatim. Konzulli austro-hungarez në një shkrim të shkurtër e thekson edhe këtë: “Shqiptarët janë të armatosur edhe me kosa e sëpata, por vendimi i tyre është i pathyeshëm. Ata duan liri”.Në këtë luftë çlirimtare që pasoi pas shumë lidhjeve të besave në krahina të ndryshme, si emërues I përbashkët për luftë unike do të shërbejnë Vendimet e Kuvendit të Junikut 21-25 maj 1912. Pas kësaj ngjarje Bajram Curri do të shkëlqej me organizim dhe porosi në tërë Vilajetin. Emri i tij do të bëhet kushtrim për jetë të lire a vdekje. Gjithmonë Bajarm Curri do të gjendet tash e tutje pas Hasan Prishtinës me veprime dhe me këshilla prej ushtaraku professional. Në këtë rrafsh nuk duhet harruar se Bajram Curri kishte afruar ngat veti patriot të rangut të Hysni Currit, Isa Boletinit, Idriz Seferit, Bajram Daklanit e shumë luftëtarë trima nga Drenica, Shala e Bajgora, Llapit, Gallapit, Preshevës, Kumanovës, Shkupit, Tetovës e sidomos të Dukagjinit, gjithnjë për t` i bërë ballë ushtrisë serbë-malazeze që synonte okupimin. Për këto plane Bajram Curri ishte informuar qysh sa ishte në Shkup. Pse mos ta themi edhe këtë se me Bajram Currin në ball ë12000 kryengritës të Malësisë Gjakovës më 22 korrik 1912 do ta hyjnë në Prishtinë si çlirimtarë. Ata do të bëhen gjenerues të fuqishëm për Hasan Prishtinën që në bisedime me palën turke të shfaqë kërkesa maksimale.
Vetëm në saje të vendosmërisë së Bajram Currit më 5 gusht të vitit 1912 do të hyjnë çlirimtarët e parë në Shkup. Më 13 gusht 1912 të prirë nga Gjeneral Bajram Curri, 6000 kreshnikë të armatosur shqiptarë do të hyjnë në Shkup. Popullsia e Shkupit Bajram Currin dhe ushtrinë shqiptare do ta presin me brohoritje :Rroftë Bajram Curri; Rroftë Shqipnia”. (Këto shënime i kemi siguruar nga Shyqri Hoxha, vëlla i Mulla Ahmet Shtimes; nga Qamil Luzha, vëlla i Asim Luzhës, Metë Podujeva që ishte pranë Isa Boletinit ne një qetë përcjellëse etj.)
Hasan Prishtina ishte personaliteti kryesor i kryengritjes më 1912. Por ai i kishte pranë veti tre gjeneral që ishin të pamposhtur: Bajram Curri në frontin perëndimor I kishte bërë të gjitha organizimet. Ai që komandonte në frontin verilindor të Kosovës ishte Isa Boletini. Idriz Seferi me Bajram Daklanin komandonin në frontin juglindor. Kishte edhe të tjerë por këta dalloheshin prej të tjerëve.Në Zonën e Drenicës kryengritjes i printe Ahmet Delia-Prekazi. Në këto rrethana pas Kuvendit të Taksimit në realitetin historik shqiptar ishin krijuar dy filozofi të mundshme për fitore. Hasan Prishtina i DUHEJ POPULLIT. Ky personalitet me dituri politike komplete ishte I ngarkuar me “sindromin” egalitar të katër vilajeteve shqiptare , që të bëhen një-Shqipëri. Një Shqipëri të tillë e kishte projektuar së pari Mit-hat Pasha më 1876. Por, mu për atë psoi shumë keq nga sulltani-u likuidua politikisht dhe fizikisht. Ismail Qemalit n` anën tjetër më 1912 i DUHEJ POPULLI, që të krijoi shtet “qoftë edhe me 30 fshatra”!. Të gjithë patriotët tjerë iu duheshin të dy liderëve (Hasanit dhe Ismailit). Po, kishte edhe të atillë që ende ngrihshin në këmbë, për padishahun, pas të gjitha atyre mizorive (të paktën prej viteve 1878-1912). Bajram Curri ishte me shpirt për filozofinë politike të Hasan Prishtinës, po edhe Vlorën dhe Ismailin e pati në zemër deri sa u vra pabesisht. Pse mos të thuhet, so për t` ua lehtsuar liderëve “fajet” se Fuqitë e Mëdha Evropiane (sidomos Antanta) nuk e pranonin “sindromin” egalitar shqiptar në katër vilajetet, me asnjë çmim. Si përfundim I tërë kësaj filozofie të diskutueshme, RRESHTIMI politik I shqiptarëve (si factor kryesor përbrenda dhe përjashta) ishte fatalizëm historik-kah Roma- Wjena dhe Berlini, fuqi këto që e kishin humbë luftën për koloni, po e humbën edhe Luftën botërore. Në këto lëvizje, Bajram Curri prap do të shkelqej si gjeneral i vegjëlisë sepse me tërë qenien iu afrua filozofisë se Hasan Prishtina, i duhej më tepër popullit se sa politikës diplomatike :
“Ismalil Qemalit i duhej populli”, për të krijuar pushtet-shtet”. Lidhur me këtë rezultatet e Aleancës Ballkanike në Luftë, qëndrimi I Fuqive që kishin filluar të bëjnë “tregti me harta” për tokat shqiptare, tregonte faktin se shqiptarët ishin të rrezik të zhbërjes më 1912. Këtë e vërtetojnë dokumentet me shifër tejet sekrete në Fondin e Vlladan Gjorgjeviqit (periudha 1907-1915). Në vitin e kaluar u shkruan madje edhe libra se “Shqipërinë e themeloi Austro-Hungaria”. Po, ajo bënte tregti me Rusinë vetëm: Shkodra t` I takoi Princ Widit, por Gjakova t` i takojë Serbisë.
Ja pra çështja ishte zbritur nga tërësia e tokave shqiptare (katër vilajetet) në një “detal” dhe Serbia e këtë politikë të detalit e pelqente. Të mos I llogarisim instructorët evropianë ku më së shumti kishte francez dhe ruse. (po kishte edhe oficerë austro-hungarez që ishin në Ushtrinë serbe si instructorë professional për ta përzënë Turqinë nga Evropa më 1912).
Të shkojmë edhe me thellë në histori. Në Berlin më 1878 në harta ishte caktuar që kufiri Serbi-Kosovë të mbaroi në fshatin XHAKE. Por diplomati francez gjatë përcaktimit të kufirit më 1879 atë vizatim në harta e zgjëroi në dobi të Serbisë për 30 km në vijën: Përpellac-Kulla e Asqerit-Vrajë. Fuqitë evropiane edhe atëherë filluan të debatojnë a t`i takoi PERPELLACI Serbisë apo Vilajetit të Kosovës me kusht që nëse kjo pike strategjike nëse mbetet në pronësi të Vilajetit Kosovës, atëherë Vraja duhet t`i takoi Serbisë. Dhe kështu ndodhi. Askush më 1879 në Komisionin e përcaktimit të kufirit nuk i konsultonte nenet e Kongresit Berlinit . Madje diplomati francez e qortonte serbët: i vrani Arnautët, i dëboni përtej kufirit” në dhjetor 1879. Shtrohet tash pyetja: Ku ishim dje, ku jemi sot, a duhet të diskutohet rreth BASHKIMIT KOMBËTAR me fakte dhe pa cinizëm bajraktarësh politik. Po të kthehemi në vitin 1912.
Në prag të Luftës Parë Ballkanike për t` i mposhtur forcat e organizuara shqiptare nga Hasan Prishtina, okupatori kishte përqendruar në trevën Shkup-Prizren divizionin e 11-të dhe 19-të si dhe një pjesë të regjimentit 36. Divizioni i 1-rë dhe 21 nga regjimenti 37 i nizamëve ishte përqendruar në Gjakovë. Regjimenti i Radosit dhe regjimenti i 32-të ishin përqendruar në vija të frontit në Pejë. Divizioni i 20-të ishte në gjendje lufte në Mitrovicë. Kishte marrë urdhër që të gjuaj në çdo gjë që lëvizë. Nga dy batalione ishin të stacionuara në Vuçitern, Gjilan, Podujevë, Preshevë, Tutin, Plavë, Gusi dhe dy brigade këmbësorie të armatosur me topa të lehtë ishin të stacionuara në Prishtinë dhe Shkup. (Shiko: Miftar Memia, Bajram Curri si komandant e strateg më 1912, në publikimin “Bajram Curri” Tiranë 1982. F. 46).
Pas çlirimit të Shkupit, pas betejave të përgjakshme në Kulinë-veri të Prishtinës (prill 1912), Carralevë (maj-qershor 1912), Kaçanik (fillim i gushtit 1912), Ushtria shqiptare e drejtuar nga Hasan Prishtina dhe gjeneralët e tij do të hyjnë më 12 gusht 1912 në Shkup. Shkupi i priti me brohoritje për Hasan Prishtinën dhe gjeneralët tij dinitoz. Vlen të theksohet se katër ditë ushtria shqiptare e Hasan Prishtinës ishte në gjendje lufte në Shkup. Natë e ditë të gjitha dyqanet dhe shtëpitë ishin të hapura për ushtrinë shqiptare. Lidhur me këtë korrespodentët e luftës, siç ishte Arçibad Rajs do të shkruaj në notesin e tij: “Ushtri e çuditshme. Dyqanet janë të hapura, furrat e bukës dhe kafenetë punojnë. Askush as një mollë nuk e merr në dyqane, askush asnjë bukë nuk e grabitë në furra. Ushtri e disiplinuar dhe e paparë në histori. Këtë veti në Evropë e kanë si duket vetëm shqiptarët”. (AJ. S. Ministria e Luftës dhe Fondi “DVOR”-letra e A. Rajsit-zvicran, dhëndër serb deri më 1928, e ruajtur me kujdes nr. 04. 1912).
Ultimatumi I ndërkombëtarëve më 15 gusht në Shkup drejtuar Hasan Prishtinës
Më 15 gusht 1912 në Shkup papritmas do të arrijnë nga Beogradi TRE diplomat evropianë: një rus, një anglez dhe një austriak. Drejtuesve të luftës çlirimtare shqiptare në krye me Hasan Prishtinën, ata do të u thonë prerazi: ”çfarëdo rezultati të ketë Lufta e juaj, ndryshim të kufijve të Perandorisë Turke nuk ka ”Lidhur me këtë, ata do të kërkojnë që ushtria shqiptare të demobilizohet. Hasan Prishtina , Bajram Curri, Isa Boletini dhe Idriz Seferi me lot në sy do të u drejtohen KRESHNIKËVe-ushtarëve të tyre: “KTHEHUNI nepër shtëpia, ma luftë nuk ka”. (Shiko: K. Jezdiq, Narod I drzhavnici Serbije, Beograd 1913, f.7; AVII B. P. 3. K. 12. D.25 I 15 gushtit 1912; Albanski Odsek në ish DASIP.B). Korrespodenca e Nikola Pashiqit me parinë e Matit-4 letra në turqishte me shkronja arabe, të nënshkruar me iniciale). Ja pra cil;i ishte qëndrimi i Fuqive evropiane për luftën çlirimtare të shqiptarëve. Po çka ngjau pas dy muajsh, atëherë ndryshim të kufijve pati dhe u pranuan në Londër. Edhe një Shqipëri e cunguar u pranua në fillim por nën sovranitetin e sulltanit. Plus, çka ndodhi në Paktin secret të Londrës më 1915? Po , na ka shpëtuar rastësia dhe lufta jonë e drejtë dhe heroike për liri.
Si bëri përpjekje politika dhe qeveria e Serbisë për t’ i tradhtuar shqiptarët në vitin 1912
Aleanca Ballkanike, që përbëhej nga Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia, njëra pas tjetrës i shpallën luftë Turqisë gjatë tetorit. Së pari Mali i Zi i shpalli luftë Turqisë më 8 tetor 1912. Në këtë kohë Turqia në kufi me Malin e Zi I kishte në Pejë 2000 ushtarë, në Rugovë 1200, në Plavë e Gusi 2400, në Beranë 2900, në Bellopole 2450. Këto forca ushtarake drejtoheshin nga Xhavit Pasha. Në radhët e shqiptarëve ishin në mobilizim redifët. Ata drejtoheshin nga Bajram Curri, Riza Kryeziu dhe Asim Beg Mahmut Begolli. Prej këtyre prijësve vetëm Bajram Curri ishte i përkushtuar që të luftojë edhe kundër forcave turke edhe kundër atyre serbo-malazeze. Për Bajram Currin Turqia dhe Mali i Zi ishin okupatorë dhe prej tyre duhej çliruara një orë e më pare, kuptohet me fuqinë e armës. Pas sulmeve të para të ushtrisë malazeze, forcat turke do të tërhiqen me shpejtësi kah Prizreni. Territori i Dukagjinit mbeti në mëshirën e ushtrive sllave serbo-malazeze. Këtyre forcave okupuese së shpejti do t` u gjinden edhe shqiptarët e mobilizuar, të cilën do të pranojnë gjendjen e rikrijuar. Kështu më 29 tetor, në Qafë të Paklenit do të kuvendojnë 19 përfaqësues shqiptarë të drejtuar nga Sefedin Mahmut Begolli me Gjeneral Janko Vukotiqin. Në marrëveshje theksohet se ushtria e Janko Vukotiqit do ta siguroi rendin dhe qetësinë, ndërsa popullsia shqiptare obligohet të qëndrojë e qetë dhe lojale. (Shiko: Dr Liman Rushiti, Rrethanat politiko-shoqërore në Kosovë 1912-1918, Prishtinë 1986, f.34). Në këto rrethana Bajram Curri nuk ishte i mendimit që të dorëzohet dhe të qëndrojë nën një robëri të re, e cila përnjëherë do të filloi me të njëjtat krime , plus duke bërë ndërrimin ne fesë me dhunë.
Diplomacia serbe në anën tjetër, me kohë I kishte angazhuar konsujt e vetë nëpër vilajetet shqiptare që me bisedime t` i tradhtojë shqiptarët në forma të ndryshme. Deri sa në Sanxhakun e Pejës shqiptarët i kishte bërë për vete Janko Vukotiqi, në rajonin e Gjilanit Kapiten Bozhini kishte zhvilluar disa radha bisedimesh me parinë e kësaj treve. Asaj parie i prinin Idriz Seferi dhe Sali Agë Gjilani. Pas shumë bisedave, Kapiten Bozhini nuk arriti t` i përvetësojë shqiptarët e kësaj treve kreshnike. Idriz Seferi pranoi të marrë një sasi armatimi, por jo me çmim të tkurrjës së trojeve shqiptare. Këtë fakt ai e tha me fjalë dhe pastaj e vërtetoi edhe me vepra sepse mu pse nuk kishte pranuar bashkëveprim me serb në fillim të nëntorit 1912 u burgos dhe nuk pati mundësi të ishte më 28 XI 1912 në Vlorë në shpalljen e pavarësisë.
Në Mitrovicë diplomacia serbe e kishte autorizuar Dragutin Dimitrieviq-Apisin të bisedojë me Isa Boletinin dhe Sadik Ramën. Edhe këta patriot përdorën një politikë :’tërhjek e mos këput” sepse kishin nevojë për armatim të Serbisë, por nuk u pajtuan kurrë që të bëhet tregti me tokat den baba den shqiptare.
Në Krahinën e Gjakovës Nikolla Pashiqi e kishte ngarkuar për bisedime Simo Garmën. Bisedimet do të zhvillohen me Rizah Beg Kryeziun dhe me Bajram Currin duke u ofruar shqiptarëve armatim. Por sipas dokumenteve zyrtare (AS.Dosje S.Garama” d. okto.1912), biseduesit shqiptarë, Rizah Gjakova-Kryeziu dhe Bajram Curri, as që deshën të dëgjonin për “një zëvendësim të pushtetit të Padishahut me një të Kralit serb. Shkurt, që të dy prerazi do të theksonin se tokat shqiptare do të qeverisen prej një qeverie shqiptare. Vilajeti I Kosovës është 93% I populluar me shqiptarë, prandaj pushteti serb këtu nuk ka vend. Po, I than ata Garmës, serbët e të tjerët do t` I kenë të drejtat e tyre ashtu si qytetarët tjerë në shtetin e rinj shqiptar. Bisedime do të rizhvillohen edhe një herë ku ishin Bajram Curri, Rizah Gjakova-Kryeziu dhe nga ana serbe kapiteni Rosin dhe konzulli Millojeviq, por rezultati I bisedimeve ishte edhe më i qartë se më pare: “Serbia me pushtetin e saj nuk ka çka të kërkon në Kosovë, se jemi lodhë nga torturat e padrejtësitë e të huajve”, do të shkruajë në kujtimet e tij Qamil Luzha për ato rrethana të vështira për kombin , për vitin 1912. (Shiko gjerësisht: Zekeria Cana, Realacione të Bajram Currit me qeverinë serbe më 1912 , në librin Bajram Curri, Tiranë 1982. F 52-58).
Lidhur me këtë që u tha më lartë profesor Zekeria Cana shkruan: “S` ka pikë dyshimi se Hasan Prishtina, si organizator dhe drejtues kryesor i Kryengritjes së Përgjithshme , së bashku me një numër të vogël pasuesish të tij, ishte kundërshtar I çdo orientimi (politik-HB) kah Serbia. Por në anën tjetër kemi Isa Boletinin , Idriz seferin, Sadik Ramë Gjurgjevikun që mbajnë me këtë shtet lidhje , furnizohen s` andejmi me armë dhe municion, por megjithatë nuk luajnë lojën e qarqeve drejtuese të atjeshme. Kategoria e tretë- Bajram Curri, Nexhip Draga, përpiqet të heq taktikën në të mire të çështjes kombëtare-duke mos përjashtuar mundësinë e ndonjë marrëveshje shqiptaro-serbe. Por është edhe një dorë njerëzish, si Iliaz Agë Vuçitërni, Shaqir çavdarbasha nga Peja, Bajraktari i Ostrozubit, Zejneel Beu nga Gjilani, Shani Llausha nga Prizreni, Mahmut Zajmi me të tjerë, të cilët tjetërsohen, vihen në shërbim të huaj për të zënë vend në faqet e historieke të tradhtisë kombëtare”. (Shiko; Zekeria Cana, p. cituar f. 53.) Profesor Cana e mbështet vlerësimin e tij në dokumente të pamohueshme diplomatike dhe shtetrore serbe që ruhen nepër arkiva e tyre. (Shiko: Klime Xhambazofski, Regesta dhe dokumente sekrete në A. të Kosovës, të ruajtura me kujdes deri më 1990).
Bajram Curri gjatë tetorit të vitit 1912 nuk donte të dorëzohej. I bashkoi kreshnikët e Gjakovës, Vokshit, Hasit, Krasniqës, Bytyqit, Gashit, Rekës-krejt Malësin e Gjakovës dhe filloi të organizohet për luftë të re në kushte dhe rrethana të tjera.Okupatorët e kishin ndarë Gjakovën në dy pjesë dhe në të dy anët e kishin shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Nuk vlente asnjë rregull, asnjë adet popullor, vlente vetëm plumbi dhe djegiet masive të popullsisë së pambrojtur. Bajram Curri nuk do të hamendet do të vendosë të vazhdoi luftën në të gjitha frontet dhe me të gjitha mjetet që dispononte.
Në fund të tetorit 1912, Bajram Curri të gjithë të burgosurit politik që I kishte çliruar nga burgu I Shkupit do t` I regrutonte si gardë e pare me ca plotësime për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga çdo agresor. Nga mesi shtatorit u detyrua të largohet nga Shkupi e të kthehet në Gjakovë, sepse kishte lajme se malazezët po grupojnë forca në frontin Plavë-Gusi-Rugovë. Ishte zë e ndërgjegjës që Gjeneral Bajram Curri të gjendej atje për të komanduar jo sulmin në trojet e huaja por mbrojtjen në trojet e vata kombëtare. Po sa e organizoi frontin gjithandej do të qëndronte dy ditë në Pejë për ta parë qëndrimin e parisë dhe popullit dhe do të drejtohet kah Gjilani. Në të gjitha këto treva kreshnike Bajram Curri organizoi “ Këshilla për qetësinë publike” sepse u besonte fjalëve të tre diplomatëve të Fuqive Evropiane (Anglezit, Austriakut, Rusit) thenë në Shkup se “nuk ka ndryshim të kufijve të Perandorisë Turke, se shqiptarët do t`i fitojnë të drejtat në shkollim dhe në administrate në gjuhen e tyre amtare”. Për këtë tradhti të Fuqive evropiane kemi shkruar disa here dhe të mbetet me kaq.
Shtrohet pyetja pse pati pranim të ndryshimit të kufijve pas 8 tetorit (17 tetorit) 1912 kur Mali i Zi Serbia, Greqia dhe bullgaria e sulmuan Turqinë dhe i ndryshuan kufinjtë .Në këtë rrethana Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Nexhip Draga Sali Gjuka, Idriz Seferi nepër rrethe do to të formojnë “Komitetet për shpëtim” , gjithnjë për t` u bërë ballë ushtrive të Aleancës Ballkanike, që ishte një kryqëzatë e paparë, sepse Ushtria turke vetëm marshonte kah jugu dhe tërhiqej po thuaj se pa shpresë asnjë plumb. Drejtuesit shqiptarë në krye me Hasan Prishtinën në këto rrethana do ta lëshojnë një komunikatë “ Populli I Shqipnisë po i kap armët, jo për ta mbrojtur ekzistencën e Turqisë në Ballkan, por për t’i dal zot tokave të veta.” Duhej ky deklarim sepse Fuqitë Evropiane jo vetëm që I kishin “harruar” fjalët që I thane në Shkup Hasan Prishtinës, por filluan të kërcënohen se shqiptarët me luftën e tyre kundër malazezëve dhe serbëve po duan ta ndihmojnë Turqinë.” Ja hipokrizia evropiane.(Shiko: S. Drini, Bajram Curri, Tiranë 1983. F. 167).
Hasan Prishtina dhe Bajram Curri mbajnë tubime popullore për mbrojtje të atdheut
Së pari Hasan Prishtina mbajti një kuvend në Popovë të Llapit. Pastaj tubim mobilizues mbajti në vendin e quajtur “Dushku i Fushës” afër Merdarit për t`i dal në ballë ushtrisë serbe. Një kuvend të tillë do ta mbajë Bajram Curri në CARABREG të Gjakovës për të organizuar mbrojtjen nga sulmet barbare malazeze, të cilat sulmonin me kodin “METLA” (Fshësa) për ta përzënë nga vendlindja çdo shqiptar(HB). Në këto rrethana Bajram Curri do ta përpilonte një dokument drejtuar Fuqive Evropiane nga Fronti i mbrojtjes Plavë-Gusi-Pejë. Për fat të keq pranë Bajram Currit kishin mbetë fare pakë kreshnikë. Shumica e luftëtarëve ishin arratisur sepse ushtritë serbo malazeze digjnin me granata topash çdo skutë të Kosovës me strategjinë e quajtur “METLA”(FSHISA), sulmo dhe asgjëso çdo gjë para veti.
Në kuvendin e Carabregut Bajram Curri, sipas Shyqri Hoxhës (vëllai më i ri i Mulla Ahmet Shtimës-HB) nga Bajram Curri ishin dëgjuar këto fjalë: “Ne shqiptarët e kemi humbë luftën; ne shqiptarët u vërtetua se nuk kemi miq; por shqiptarët nuk do të shkatërrohen nga toka e Kosovës kurrë”. Një pjesëmarrës do t` I drejtohet Bajram Currit: Bajram Beg, I kam pa me sy shqiptarët kah e puthin Flamurin e shkaut;”. Në këtë fjali Bajram Begu do të përgjigjet shkurt: “Atëherë ne herë do kurë do ta fitojmë luftën”. Të gjithë u stepën dhe askush nuk fliste për këtë profeci të Gjeneral Bajram Currit.
Lufta më e ashpër në frontin e Pejës do të zhvillohet në Plavë. Aty luftimet i drejtonte Bajram Curri, Jakup Ferri, Niman Ferizi Sadik Rama dhe Rizah Kryeziu. Por malazezët do të mitralojnë me armë të rënda. Aty kjo pari do të dëgjonte për Kuvendin e Vlorës (ose Durrësit) që do të mbahej për shpalljen e Pavarësisë. Në këto rrethana Bajram Curri u përgatit për të udhëtuar për në Vlorë. I zgjodhi edhe trimat që do ta përcillnin. Por përqendrimi I trupave serbo-malazeze për ta okupuar Gjakovën do ta vonojnë Bajram Currin sepse ai nga Malet e priste epilogun e luftës në mess aleatëve se kush do të zaptoi më shumë toka shqiptare. Ma në fund mësoi se Gjakova u nda përgjysmë në mes Malazezëve dhe serbëve. Kufiri ishte ckatuar në Lumin Krena.
Bajram Curri u vonua për Kuvendin e Vlorës duke u përpjekur për të kaluar mbi lumin Mat
Pasi që e lëshoi trevën në afërsi të Gjakovës, Bajram Curri do të niset të shkonte për Vlorë nëpër Mat. Deri në Mat Gjeneral Bajram Currin do ta përcjellin kreshnikët e çdo bajraku-fisi. Kështu në Urtakë të Matit Bajram Curri kërkoi një mjet për ta kaluar lumin. Bashkë-udhëtarët e tij u çuditën kur nuk munden të gjejnë asnjë mjet për ta kaluar lumin. Në prapavijë serbo-malazezët kishin filluar të bëjnë mizori të ndryshme. Këto lajme ia sollën Bajram Currit kreshnikët që i kishte lënë të vijnë pas tij. Në Urakë u përgatit një trap për ta kaluar lumin, por edhe atë me rrëmbim e mori uji. Shkurt, Bajram Currit iu komunikua se duhet pritë një kohë deri sa të ulët lumi. Në disa shënime thuhet se në Mat ishin dy barka që mund ta përballonin çdo vale, por ato me qellim dikush natën e mënjanoi.
Bajram Curri u vonua dhe nuk arriti me kohë në Vlorë. Lidhur me këtë në DASIP B. ruhen 4 letra të shkruar me germa arabe e me fjalë turke, por të përkthyera serbisht, por që nuk lejohej të fotokopjohen se: “Nuk do të lejohet Bajram Curri të kalojë lumin e të shkonte pastaj në Vlorë”.Për këtë shërbim në prani të Nikollë Ivanajt, (që ishte përkthyes) Nikolla Pashiqi më 1913 do t`i falënderohet prijësit matjan (AS. D. prepiska. S. pov.o2. 1912-4 pisma.) që u “rehabilitua vitin e kaluar nga politika në Tiranë dhe në Prishtinë! Bajram Curri me qellim u la në hije. Ja ku ishim, po pse nuk mësojmë edhe sot ku jemi, sepse e sotjma nesër do të bëhet DJE.
Duke dëshiruar që me çdo kusht të shkoi në Vlorë Bajram Curri u drejtua kah Shkodra, por ushtritë serbo-malazeze e kishin bllokuar çdo rrugë. Gjon Marka Gjoni në këto rrethana u kishte lejuar serbo-malazezëve që përmes Prizrenit, Gjakovës dhe Mirëditës të zbresin në Shkodër. Për të humbë gjurmë Bajram Currit ia bënë një lutje të qëndroi në Orosh. Por me që Bajram Curri e kishte njohur Gjon Marka Gjonin në Shkup, për sjelljet e tij nuk do të pranoi të ndalet në Orosh. Do të shkoi në Iballë të Pukës. Në këtë kohë e kishte kuptuar se në Vlorë kishte ndodhë historia-ishte shpallë pavarësia e Shqipërisë më 28 XI 1912. Pas këtij lajmi Bajram Curri me kreshnikët e tij, do të kthehet në Krasniqe me shpresë se shqiptarët do të organizohen, të veprojnë, t`i ndajnë punët, të i përcaktojnë funksionet shoqërore dhe shtetërore dhe të udhëhiqen nga një ideal kombëtar. Bajram Curri e mendoi shumë mirë këtë rrugëtim, por padrejtësitë e shumta, të brendshme dhe të jashtme nuk e lejuan t`i realizojë.
E shkrova këtë studim me shkas sepse vitin e kaluar, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, ky kolos u la në një “hije” në shkrimet e shumta. Mendoj se ishte një arsye pse ndodhi ai fenomen. Ishte krijuar një shtab i fuqishëm qeveritar për ta “rehabilituar” Ahmet Zogun. Dhe, të “rehabilitosh” vrasësin dhe njëkohësisht ta objektivizosh heroin siç ishte Bajram Curri, nuk ishte punë e lehtë për klasën politike. Në këtë rrafsh edhe shkenca ka vendnumëruar. Prandaj, pse jo, me plot të drejtë në 101 vjetorin e pavarësisë Bajram Curri do të quhet me argumente Gjeneral i Ushtrisë shqiptare më 1912.
Të përfundojmë, “Bajram Curri nuk mundi të marrë pjesë në Kuvendin e Vlorës më 28 Nëntor të vitit 1912. Ai u nis për në Vlorë dhe arriti deri në Mat. Pasi nuk mundi të kalonte lumenjtë u kthye në Mirditë. Por, për shkak të përparimit të forcave serbe, u detyrua të kthehet në Krasniqe” do të shkruaj Niman Ferizi, Familja Curri, Konstancë 1931, f. 21. Bajram Curri e vazhdoi luftën në dy fronte, për njohjen e pavarësisë së shpallur në Vlorë dhe për çlirimin e Kosovës me fuqinë e armëve, pasi që Fuqitë e Mëdha nuk vepruan drejtë, por i shpërblyen vrasësit e një populli pa mëshirë, krejt me qëllim për ta shfarosë nga trojet e veta etnike.
Në fund po prezantojmë Letrën e Isa BOLETINIT, dërguar Ismail Qemalit për punën që e bënte Bajram Curri në mbrojtje të Qeverisë së Vlorës. Letra është shkruar turqisht në vjeshtë të vitit 1913: “ Ju puth duart e shtrenjta dhe lus Perëndinë të ju mbajë shëndetin. Nevoja më shtyn ta shqetësoj prapë Imzotin mendohet për Isamil Qemalin, shqiptari kryesor i themelimit të qeverisë së re shqiptare, më pare Zoti e mandej Shkëlqesia e juaj. Nderin e vlerën e këtij shërbimi edhe ne e kemi çmuar. Siç e dini, Shkelqësia juaj, edhe na jemi përpjekur e po përpiqemi për ta nxjerrë në breg të shpëtimit këtë atdhe këtë Shqipni(…). Bajram Curri, mblodhi njerëzit e Krasniqes, Gashit, Bytyçit e të Hasit. Doli për fushë roli që deshën të luanin dallaverxhinjtë, duke ftuar në Shkodër e në Vlorë Elez Hoxhën me shokë. Bajram Beu u dëftoi tri rrugë këtyre fiseve: ose të pranojnë shërbimin e poshtër të Krajl Petrit e të Krajl Nikollës dhe kështu të bëjnë theror atdheun, ose t` u shtrohen urdhrave të Ismail Qemal Beut, atij patrioti të madh, që ka marrë mbi vete rregullimin e qeverisë së re të Shqipërisë. Dhe kjo është tamam rruga e vërtetë dhe e nevojshme. Ata të gjithë thane: “Mbasi ji qenkeni të lidhur me Ismail Qemal Beun , edhe ne , pra , deri te foshnjet në djep, jemi gjithsesi të lidhur me të”. Këto fjalë, të thëna njëzëri I mbërthyen me dhënien e BESËS. Ne e dimë se ju veç nesh s` keni tjetër kënd që të përbuzë jetën dhe të marrë parasysh çdo fli. …). Shkelqësia e juaj, ashtu edhe ne, u dhamë gjegje e sigurime të varfërve. Gashi, Krasniqja, Hasi, Bytyçi, Plava e Gucia , të gjithë janë mbledhur grumbull dhe janë në rrezik të vdesin nga URIA. Serbët e malazezët po djegin, po vrasin, po presin e po masakrojnë. Gjendja paraqet pamjen e një kasaphane. Disa çeta të vogla nga tonat janë në lëvizje; por çeta të forta s` kemi mundur të ngremë edhe. Kështu pa nder si duhemi gjë as vetës as Shkeqësisë suaj. Jemi betuar e kemi dhënë besën të flijojmë jetën për këtë atdhe. Nuk jemi prej atyre gënjeshtarëve që keni aty. Ai mendonte në disa bajraktarë që subveciononte Serbia dhe e dezorientonin Plakun-(HB).
Shkelqësi, Po kthehemi përsëri në çështjen e drithit. Ne prej qeverisë s` po kërkojmë ushtarë e fuqi. Kjo, lidhet me politikën e Evropës. Ne lypim ushqim, lypim bukë nga Evropa, ashtu si e ka kjo detyrë njerëzore t` u shërbejë e t`u ndihmojë atyre mbi të cilët rëndon kobi e mjerimi.
Kur qemë ndarë nga Shkelqësia juaj, na patët premtuar me fjalë se “ ja tash po ju jap këtë drithë, përsëri ju çoj sa here të shihet nevoja”. Në qoftë de ka të tillë që duan të qesin pengesa në këtë punë, Imzot, si kryetar qeverie , mund të merrni hua gjetkë. Ju lutemi shumë! Për këtë letër po ju vjen enkas njeriu. Në qoftë se dëshironi të na ruani nderin, presim prej mirësisë suaj të kryeni këtë punë një orë e më pare. Nëse s` do të jetë e mundur t` i pranoni lutjet tona, atëherë na ktheni përgjigje që mos mbetemi me shpresë dhe të shohim për të gjetur një rrugë tjetër. Dëshira jonë kryesore është vazhdimi i shëndetit tuaj dhe e famës e i nderit tuaj. *** Mirësia juaj është shumë e lartë. Nuk na u dërgua edhe pjesa tjetër e të hollave, premtuar Bajram Beut. Ju betohem se s` ka 10 para. Nevojat e jetesës ditore është duke i përballuar me njëmijë vështirësi, me hua. Shumë po më vjen turp. Po ju lutëm fort, fundi i fundit , gjeni hua e na i dërgoni.
Çetat e këtushme po tregojnë mjaftë aktivitet. Përveç ndeshjeve të vogla pardje, mësyn në midis flakës të pushkës e të topit kodrat e Morinës, të zëna e të forcuara prej serbëve dhe u ripushtuan prej tonëve. Serbët lanë disa plaçka dhe ikën për Gjakovë. Në Gjakovë serbët e malazezët kanë pak fuqi 40-50 batalione që i kanë pasur këtu i kanë ngarkuar në Ferizaj me trena të posaçëm dhe i kanë nisur për Shkup. Kështu kemi marrë vesh. Por, qëllimi s` po e kuptojmë. Ka qenë fjala për përgatitje për Luftës së Dytë Ballkanike në mes Serbisë dhe Bullgarisë-(HB). Afër 40 veta morën pjesë në ndeshjen e Morinës dhe prej tyre 8 veta u vranë e u plagosën”(Shiko A. Shqipërisë: D. 53. D. 32. Origjinali turqisht. Në shqipe I botuar në Bajram Curri, Tiranë, 1982, f.138-140). E sollëm këtë dokument për të parë se në çfarë kushtesh ka vepruar dhe luftuar paria jonë patriotike e në çfarë kushtesh janë sorollatë matrapazët dhe tradhtarët e kombit në një periudhë të caktuar por shumë delikate historike.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura