PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: NË TETOVË U PËRURUA LIBRI ‘OPINIONE’ I AUTORIT PROF. DR. VULLNET PALLOSHI

Tetovë, 11. 11. 2016: Më 10 nëntor 2016, në praninë e një numri të madh të dashamirëve të librit, intelektualë, profesorë universitetesh, studiues, miq dhe dashamirë të shumtë, në Tetovë u përuruar vepra e prof. dr. Vullnet Palloshit, profesor i rregullt në Fakultetin e Shkencave të Zbatuara të Universitetit të Tetovës, në të cilën përfshihen opinionet, intervistat, deklaratat, analizat, vështrimet dhe prononcimet publike të autorit, të botuara dhe publikuara gjatë dy dekadave të kaluara në mediumet në gjuhën shqipe, angleze, italiane, maqedonase dhe disa gjuhë të tjera, në mediumet e shkruara dhe elektronike të vendit dhe ato ndërkombëtare, në të cilat trajtohen çështje nga fusha profesionale e inxhinierisë së ndërtimeve-infrastruktura rrugore, politikat gjeostrategjike të vendit në kontekst rajonal dhe evropian, nga sfera e arsimit, kulturës, mjedisit jetësor, kulturës së banimit dhe çështje të tjera sociale, ekonomike dhe politike, të cilat e kanë preokupuar popullatën vendëse dhe të rajonit gjatë kësaj periudhe.
Në këtë përurim, përveç prezantuesit të librit, gazetarit të Televizionit ,,Koha”-Tetovë, Shefqet Osmani, fjalë rasti mbajtën edhe recensenti, prof. Abdulla Mehmeti dhe autori i librit.
Jetëshkrimi i shkurtë i autorit
Vullnet Palloshi u lind në Tetovë, në vitin 1950. Rrjedh nga një familje me tradita qytetare dhe atdhetare, nga prindërit Subije dhe Xheladin Palloshi, pishtarë të arsimit shqip në Maqedoni.
Arsimin fillor dhe të mesëm i kreu në qytetin e tij të lindjen, ndërsa Fakultetin e Ndërtimtarisë, drejtimi i komunikacionit, në Shkup.
Deri në vitin 1991 punoi si drejtor teknik i ndërmarrjes ,,Rrugët” në Prishtinë.
Nga viti 1992 deri më 1998 punoi në Kuvendin komunal të Tetovës, si këshilltar i prefektit të kësaj komune, për çështje komunale-urbanistike.
Në periudhën kohore 1998 deri më 2002 ka qenë drejtor i Fondit Republikan për Rrugët e Maqedonisë, në Shkup.
Nga viti 2002-2006 punoi si konsulent i pavarur profesional.
Në Universitetin ,,Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, më 1989 e morri thirrjen profesionale, specialist i shkencave teknike.
Më 2002 e mbrojti tezën e magjistraturës dhe fitoi gradën shkencore, magjistër i shkencave teknike, ndërsa më 2005 gradën shkencore, doktor i shkencave teknike.
Më 2007 u emërua mësimdhënës i lëndëve profesionale dhe fitoi thirrjen mësimore-shkencore docent i shkencave teknike, pas themelimit të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, ndërsa në vitin 2012 e morri thirrjen profesor i asocuar i lëndëve të inxhinierisë së ndërtimit-infrastrukturë dhe rrugë, në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku punon edhe aktualisht, në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve universitare.
Prof. dr. Vullnet Palloshi jeton dhe punon në Tetovë.

Një libër i opinioneve dhe analizave shkencore me gamë të gjerë të interesit shoqëror dhe kombëtar
Prof. dr. Vullnet Palloshi është një personalitet i shquar ndër shqiptarët në Maqedoni dhe në nivel kombëtar, i cili në fushën e tij profesionale, inxhinierinë e rrugëve dhe infrastrukturën rrugore, ka dhënë kontribut shumë të çmuar, jo vetëm si ekspert i kësaj fushe, por edhe si punonjës shkencor, ligjërues fakulteti i lëndëve nga kjo fushë dhe si udhëheqës i disa institucioneve në nivel shtetëror dhe i asociacioneve profesionale.
Vullnet Palloshi është shqiptari i vetëm në Maqedoni, i cili mban gradën doktor i shkencave dhe thirrjen mësimore-shkencore të docentit në fushën e inxhinierisë së ndërtimeve-rrugëve, ndër të vetmit edhe në Shqipëri dhe Kosovë.
Për 10 vjet ka qenë drejtor teknik i rrugëve të Kosovës, ndërsa në Maqedoni ka drejtuar institucionet më të rëndësishme të kësaj sfere.
Aktualisht është kryetar i lidhjes së inxhinierëve të ndërtimtarisë në Maqedoni dhe nënkryetar i Shoqatës së inxhinierëve të rrugëve në Maqedoni, si dhe kryetar i Komisionit për informim, në nivel republikan, për sigurinë në komunikacion.
Nga periudha 1998-2002 ka qenë drejtor i Fondit të rrugëve të Maqedonisë, ndërsa si sukses më i madh gjatë kësaj periudhe janë ndërtimi dhe përfundimi i dy pjesëve të autostradës në Korridorin 8, Shkup-Tetovë dhe pjesa e baj-pasit në Tetovë, të dyja në gjatësi prej afro 50 km, për katër vite të menaxhimit me Fondin për rrugë të Maqedonisë, nga Vullnet Palloshi.
Aktualisht është profesor i rregullt i lëndëve profesionale nga sfera e inxhinierisë së ndërtimeve, rrugëve dhe infrastrukturës, në Fakultetin e Shkencave të Zbatuara të Universitetit të Tetovës, në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në Programin studimor – Ndërtimtari.
Autori është anëtar i Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve– Shkup dhe kandidat për marrjen e gradës Akademik.
Nga fusha e tij profesionale dhe sfera të tjera shkencore, ka publikuar një numër të konsiderueshëm të punimeve shkencore, të cilat kryesisht lidhen me fushën e inxhinierisë së ndërtimeve dhe infrastrukturën rrugore, por edhe nga sfera të tjera, si dhe ka marrë pjesë në shumë konferenca, simpoziume, debate shkencore dhe manifestime të tjera, ku kontributet shkencore të tij kanë zgjuar interesim të jashtë zakonshëm, jo vetëm ndër ekspertët e vendit të kësaj fushe, por edhe në nivel ndërkombëtar. Ndër publikimet shkencore të Prof. dr. Vullnet Palloshit bëjnë pjesë edhe tekstet universitare, të cilat përdoren nga studentët e ndërtimtarisë të Universitetit të Tetovës, si dhe universitetet tjera në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë.
Përveç veprimtarisë arsimore të Prof. dr. Vullnet Palloshit dhe kontributit të tij shkencor në fushën profesionale të ndërtimtarisë, inxhinieria e rrugëve dhe infrastrukturës, nga kontributet e veçanta të tij mund të veçojmë edhe:
– kontributin e madh të profesorit Vullnet Palloshi në jetën shoqërore e politike, kulturore e arsimore të qytetit të tij të lindjes, duke marrë parasysh vjetërsinë e familjes së tij në këtë qytet dhe kontributin e madh të saj ndër shekuj, për kulturën, arsimin dhe rrjedhat e gjithmbarshme shoqërore e politike, në mënyrë të veçantë për ndriçimin e të vërtetës historike për këtë qytet, mbrojtjen dhe kujdesin ndaj monumenteve kulturore e historike, siç janë kompleksi i Teqesë bektashiane, Xhamia e Pashës, Sahat kulla, konakët e njohur të këtij qyteti, urat e gurit dhe monumentet tjera me rëndësi të veçantë kulturore dhe historike për qytetin e Tetovës dhe kombin shqiptar në përgjithësi;
– kontributin në iniciativën për themelimin e Universitetit të Tetovës, si funksionar i lartë në Kuvendin komunal të Tetovës, mbajtjen e Kuvendit për themelimin e këtij Universitetit të Tetovës, më 4 qershor 1994 dhe më vonë sjelljen e vendimit për mbështetjen institucionale dhe fillimin e punës së këtij Universiteti, së bashku me kuvendet komunale të Gostivarit dhe Dibrës, në koordinim me Këshillin për themelimin e Universitetit të Tetovës;
– kundërshtimin e ndryshimeve të Ligjit për themelimin e Universitetit të Tetovës, i datës 25 dhjetor 2015, me të cilin këtij universiteti në mënyrë të padrejtë iu shkëputën të gjitha programet studimore të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, ku edhe vetë profesori Vullnet Palloshi është profesor i rregullt dhe ligjërues në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve – studimeve të magjistraturës. Kjo përpjekje rezultoi me sukses, pasi ky profesor bashkë me kolegët e tij iu përgjigjën thirrjes për kundërshtimin e këtij ligji me të cilin do të pushonte puna e këtij fakulteti, me kinse transferimin e tij në një uni vesitet të sapoformuar, Universiteti ,,Nënë Tereza” në Shkup. Iniciativa e ngritur në mënyrë institucionale nga profesorët e këtij fakulteti në kuadër të Këshillit mësimor-shkencor të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, e përkrahur edhe nga organet më të larta të Universitetit, Këshilli i Rektoratit dhe Senati i Universitetit, bashkë me ngritjen e iniciativës në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin dhe ndryshimin e këtij Ligji u kurorëzuan me sukses të plotë vetëm pas disa muajsh, përmes rishqyrtimit dhe ndryshimit të këtij ligji dhe rikthimin e këtij fakulteti në gjirin e vet, Universitetin e Tetovës;
– denoncimi i politikave serbe në shtypin botëror, siç ishte rasti i deklaratës në Uashington kundër politikës hegjemoniste serbe, në prag të intervenimit të forcave të NATO-s për dëbimin e okupatorit serb dhe çlirimin e plotë të Kosovës;
– kontributi në sferën politike, si mik dhe përkrahës i Arben Xhaferit, për dhënien e kaheve të reja politikës shqiptare në Maqedoni, sidomos me pjesëmarrjen në bisedimet mes forcave politike në vend, me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar, të organizuar në Shkup, më 1993, me ç’rast iu bë me dije edhe faktorit ndërkombëtar se kërkesat e partive politike shqiptare janë të drejta dhe legjitime, që synojnë barazinë e plotë të popullit shqiptar në Maqedoni;
– denoncimi i projekteve antishqiptare, siç ishte projekti për ndërrimin e rrjedhës së lumit Radika në rajonin e Dibrës dhe shkatërrimi i vendbanimeve shqiptare në rajonin më të gjerë;
– hartimi i strategjisë nacionale të Maqedonisë për siguri në komunikacion dhe rrugë, të njohur si Strategjia Nacionale për vitet 2009-2014 (e publikuar në nëntor 2008), në periudhën kur prof. dr. Vullnet Palloshi ishte në detyrën e drejtorit të Fondit për Rrugë të Maqedonisë;
– pjesëmarrja në Kongresin në Tiranë, më 2015, për krijimin e strategjisë kombëtare për rrjetin rrugor, autostrada dhe komunikacion, në kontekst të rajonit më të gjerë, për ndërtimin e tyre në interes të integrimeve globale, lidhjen e rajonit me shtetet e Evropës Perëndimore, etj.
Libri më i ri i autorit Vullnet Palloshi, i cili vjen para opinionit lexues, është disi më i veçantë, për shkakun se në të përfshihen, opinionet, analizat, studimet, intervistat, qasjet dhe pikëpamjet, si dhe kontributet tjera të autorit, jo vetëm nga sfera e tij profesionale, por edhe nga sfera të tjera me interes shoqëror, ekonomik, madje dhe politik.
Në këtë libër janë përfshirë në formën e tyre origjinale, në gjuhën shqipe, angleze, maqedonase dhe disa gjuhë të tjera, ashtu siç edhe janë publikuar në mediumet e shtypura, ose janë transmetuar në mediumet elektronike, të cilat përfshijnë një gamë të gjerë të interesimeve dhe përkushtimit të autorit, e që trajtojnë tema nga më të ndjeshmet për kohën kur ato janë publikuar.
Sa ka arritur autori ta përcjell tek lexuesit, punonjësit shkencorë dhe studiuesit e këtyre fushave, në të cilat shtrihet gama e mendimit dhe kontributit profesional të tij, këtë më së miri do ta dëshmojnë referimet e tyre në të ardhmen. Para së gjithash, këto janë kontribute të një eksperti të dalluar, punonjësi shkencor dhe mësimdhënës universiteti. Këto janë idetë, mendimet, opinionet, analizat, të arriturat, sugjerimet dhe sukseset e një eksperti, i cili me punën e tij profesionale dhe përvojën shumëvjeçare ka lënë gjurmë të dukshme në sferën e mendimit shkencor dhe jetën shoqërore e publike ndër shqiptarët në Maqedoni dhe më gjerë.
Tetovë, 4 tetor 2016
(Prof. dr. Abdulla Mehmeti – Kryetar i Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve – Shkup 11.11.2016)

VULLNET PALLOSHI PROMOVON LIBRIN OPINIONS

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura