Prishtinë, 15 tetor 2020: Ngrehina e vetmisë dhe e harresës
Me propozimin e saj, data 5 shtator 2015, ditë e shtunë, u caktua takimin ynë i parë. Derisa po përgatitesha për udhëtimin në Tiranë, në një takim me një shok timin, besnik nga Prizreni nuk u përmbajta dhe, meqë e dija se do gëzohej, i tregova “fshehtësinë”. Ai, madje në disa takime radhazi, më kërkoi që ta merrja në takim. Rridhte nga një familje me traditë atdhetarie, me vëllezër që kishin kaluar nëpër ilegalen atdhetare, nëpër burgjet e Serbisë / Jugosllavisë, pjesëmarrës në luftën e UÇK-së. E meritonte ta nderoja, jo vetëm, atë, por edhe familjen e tyre. Nuk i dhashë përgjigje, sepse më duhej ta merrja edhe mendimin e mikpritëses nga Tirana, ndërkohë që, isha marrë vesh se, do e merrja edhe time shoqe…
Të premten e datës 4 shtator 2015 u nisëm për Tiranë, unë, ime shoqe, shoku im dhe një shok tjetër, i cili ishte në përcjellje, por se nuk do të merrte pjesë në takim. Atë natë, me të arritur, e përcollëm ndeshjen e Kombëtares me një ekip ndërkombëtar dhe pasi, Shqipëria e mori një pikë si mysafire, zbritëm në shesh dhe festuam deri vonë me vëllazëritë dhe motrat shqiptare. Të nesërmen, me plot ndjena lumturie, u nisëm drejt rrugës, lagjes në të cilën gjendej Pallati ku, Nexhmije Hoxha po i ngryste ditët e pleqërisë së thellë, ditët kur, edhe ajo e kuptonte se, ishte shumë afër takimit me Zotin! Nuk mund ta fsheh ndjenjën se, vetë fakti se po e takonim gruan e Enver Hoxhës, na jepte një nostalgji për kohën e atyre viteve kur Enver Hoxha e drejtonte shtetin shqiptar.
…U afruam tek lagja, nuk kishte nevojë ta pyesnim asnjeri, sepse, ashtu, siç zonja e nderuar ma kishte përshkruar vendndodhjen, ne ishim në vendin dhe kohën e duhur. Aty pranë, ndërtesës së ish Institutit të Pylltarisë, një rrugicë e vogël, ca shtëpi të vjetra përreth, pamje që nuk të përngjante se je në kryeqytetin shqiptar. Nga të gjitha komunikimet me email dhe përmes bisedave telefonike, e kisha krijuar bindjen se, ajo ishte një grua me standarde të elitës shqiptare, me kode të mirënjohura në bashkëbisedim, në qëndrime, në pyetje dhe në dhënien e përgjigjeve, thjesht, që, gjithçka e analizonte thellësisht, sikur veprimet e saja, ashtu edhe të bashkëbiseduesit. Ndaj, e prisja se, nuk është edhe aq e thjeshtë dhe e lehtë të komunikoje me të, për çka, në të kthyer për Kosovë, e kuptova se kisha pasur të drejtë.
– Nexhmije Hoxha –
Po afroheshim, të tretë afër oborrit të shkretë të Pallatit, në të cilin ishte vetëm një makinë, një shtëpi e ulët në të djathtë. Përballë pallati ngjyrë jeshile, i vjetër dhe i pa gëlqerosur, një Zot e di se kur ishte gëlqerosur. Oborri, i pa rregulluar, i tëri me pluhur vjeshte, krejt i lënë shkret, në harresë dhe i braktisur. Dielli i asaj vjeshte po shkëlqente, ashtu siç di të bëj mrekulli në Tiranë. Më kishte përfshirë një nervozizëm i turbullt, më dukej se po hyja në botën e hijeve, e një kohe që nuk ishte, se po e takoja një shpirt të braktisur, të harruar… Derisa po afroheshim, për të hyrë brenda, edhe pse nën ndjenjën e emocioneve, arrita ta krijoja idenë për një Pallat, i cili të ngjante në një ngrehinë të boshatisur të epokës së komunizmit, të lënë në harresë dhe në vetmi. Asnjë lëvizje, asnjë njeri, asnjë zog mali, vetëm shkëlqim i një dielli përcëllues, i cili nuk e dinte se kë e ngrohte…
Unë, po ecja i pari, pas meje ata dy, në heshtje, pa folur asnjë fjalë. Hyra në katin përdhes, pashë në të djathtë shkallët, me pamje të një ndërtimi tepër, tepër të vjetër. Vallë, u mendova, a është e mundur që, shteti shqiptar nuk kishte pasur një hapësirë, godinë tjetër për ta sistemuar Nexhmije Hoxhën, apo, qëllimisht ishte ky një dënim! Nuk ishte kohë e as çast që, të merresha me krahasimin e epokave, me teket, inatet, hakmarrjet, mjerimet, kapriciozitetet e sunduesve të tyre, me diktaturat e shndërruara gjoja në demokraci tekanjoze, e as me diktaturat që e lozin lojën e demokracive mashtruese, sepse, po prodhonin demokraci të diktaturës…
Ishte e qartë, askush nuk kishte dalë për të na pritur, prandaj, u mendova, nëse kemi hyrë në pallat të gabuar, apo zonja tek e cila ishim nisur, është nën arrest, me roje shteti, e çka tjetër bluante mendja ime. Heshtje e plotë, asnjeri për rreth, katet e boshatisura, ne të tre ecnim nëpër shkallë për të mbërri në katin e parë dhe, lirisht dukeshim sikur të humbur në hapësirë krejt të pa njohur. Një paradhomë e gjatë, e mbuluar me heshtje, vetëm në pjesën e djathtë kishte dyer që, dukeshin se nuk ishin hapur me vite. E vlerësoja se, nuk duhej trokitur në asnjë derë, sepse ato as nuk kishin mbishkrime dhe as numra, ashtu më dukej mua, nëse nuk isha gabuar. Muret e vjetra, të pa gëlqerosura, heshtje, sikur në ngrehinat e lëna në harresë dhe pa asnjeri… Përtej, nga mesi i katit të parë, një derë ishte e hapur, sikur po priste mysafir të pa njohur, edhe pse, nuk po dëgjohej asnjë zë njeriu, absolut, asnjë lëvizje. Më shkoi mendja të afrohesha, i rashë ziles, duke mos pasur kurrfarë ideje se kush vallë mund të na priste, apo, në rast e ia kisha qëlluar derës dhe banesës në të cilën banonte gruaja të cilën e kërkonim, ai shpirt i braktisur! Të heshtur, me një emocion të pa definuar, gjithsesi të hutuar, ndaluam para një porte të hapur. Për një çast, një grua, e veshur me rroba ngjyrë të çelët, u afrua dhe më doli përballë. Nuk flisja, nga emocioni dhe frika që e ndjeja, sepse prisja që ajo të shprehej e para. Pasi, ngadalë, me qetësi dhe ëmbël na pyeti nëse jemi nga Kosova, ende pa e dëgjuar përgjigjen tonë, gjithçka u nënkuptua, mes njerëzve që po shiheshim për herë të parë. Gruaja me të bardha, ishte një e pa njohur për ne, kurse ne të tre, ishim tre të pa njohur për atë mikpritësen, që, duket se ishte më tepër seç duhej e heshtur, e trembur, e kujdesshme në komunikim. Isha i bindur se, kur ajo, u sigurua se ne jemi mysafirët, që vinim nga Kosova, me dashamirësi na dëshiroi mirëseardhje. Ajo, pasi e lëshoi një buzëqeshje, krejtësisht të përgatitur, jo të natyrshme, arriti të thoshte vetëm një fjali: Urdhëroni, ju pret shoqja Nexhmije…!?
Ndoshta, po të kisha mundësi, do isha kthyer mbrapsht, për të rimarrë forcë dhe qetësi për takimin e paralajmëruar. Por, tani më, përballë e kisha zonjën, Nexhmije Hoxha, një copëz historie, e cila, edhe pse në vite të shkuara, po qëndronte në këmbë për të na përshëndetur. Ishte në moshë, por, impononte qëndrimi i saj, krejt natyrshëm, mendje kthjelltësia, kujtesa e jashtëzakonshme, veshja me rroba ngjyrë të çelët, ato flokët e drejtuar, me shumë estetikë, sikur, dikur, kur, në ato vitet e braktisura, të harruara, tani më edhe me kujtesë të përzier e të lodhur, kishte qenë e re, plot hijeshi. Në një shikim, plot fisnikëri, linte të kuptohej se, ende ishte plot shpresë se, madje, po i tepronte koha për shkrime, takime me miq, dashuri me nipërit mbesat dhe familjarët… Asnjë shenjë dëshpërimi dhe vetmie… Ne po qëndronim në këmbë, ndërsa, u ulëm vetëm pasi e zonja e shtëpisë na luti që t’i zinim vendet. Dhe, edhe ajo, vetëm atëherë u ul, në ulësen e saj, pranë shtratit të ditës, ngjitur me një tavolinë të vogël mbuluar me libra dhe me një aparat të vjetër të telefonit klasik. Flokët, siç e kishim parë shpesh në fotografitë e rinisë së saj, i kishte rregulluar, bukur dhe me harmoni në të majtë. Fytyra e saj, të jepte pamjen sikur, ajo ishte e lumtur për takimin, apo ndoshta, tradita shqiptare e donte që, mikpritësja të udhëhiqte bisedën dhe të rrezatonte dashamirësi. E ndjeja se, po lumturohej, dhe, shpirtërisht po përjetonte sikur, nga Kosova i kishim sjellë një përjetim e nostalgji, një copë qiell Kosove…
Filloi radhazi për të na dëshiruar mirëseardhje, duke pyetur, për shëndetin tonë dhe të familjeve tona. Pyetjet për Kosovën, ecjet e saja, lirinë, fëmijët, gratë, ishin ndër pyetjet e para që, mikpritësja, Nexhmije Hoxha na i drejtoi… Mua, ndërsa mu kujtuan, përshtypjet e sa e sa luftëtarëve të UÇK-së, të cilët, një numër prej tyre, të ardhur nga diaspora shqiptare, para se të futeshin në tokën e Kosovës, kishin ardhur për ta takuar Nexhmije Hoxhën. Në ndarje, ajo, me përqafime, u kishte uruar, fitoren e Kosovës, fitoren e fëmijëve, grave, burrave, djemve të lirisë, UÇK-së me madhështinë e saj!
Përballë Nexhmije Hoxhës
Nuk e la pa theksuar se, ndjehej e lumtur që po priste vëllezër dhe motra nga Kosova, ashtu siç i kishte pritur edhe gjatë luftës së UÇK-së së përndritur. Pastaj, kur e prezantova shokun tim nga Prizreni, ajo mu drejtua me fjalët, nëse ky ishte ai shoku im nga Drenica. Kishte të drejtë, sepse, në komunikimet e para, një shoku im, koleg i studimeve nga Drenica kishte qenë në plan të ishte me mua. E pranoj, ajo kujtesë dhe ndërhyrje e Nexhmijes më shpërqendroi, nuk dhashë asnjë detaj, asnjë shpjegim veçse i bëra me dije se miku im është nga Prizreni, i një familje me traditë atdhetarie.
Muret e dhomës ishin mbuluar me pamje, fotografi të familjes Hoxha, ndër të cilat, binin në sy fotografitë e Enver Hoxhës. Biblioteka familjare, ishte e vendosur me një standard të bibliotekave moderne. Ishte e qartë, Nexhmije Hoxha po jetonte edhe nga kujtimet për të kaluarën, edhe me fotografitë e Enverit dhe të familjes së ngushtë Hoxha. Gjithçka e kuptueshme dhe racionale, për një person që mbi jetën e saj e barte historinë e trazuar, të pa drejtë, të dhimbshme, por edhe krenare të Shqipërisë, të popullit tonë shqiptar. Më imponoi, se, për asnjë çast, për asnjë detaj, për asnjë pjesë të historisë, nuk tërhiqej, për tu dorëzuar para spekulimeve, falsifikimeve që tjerët i bëjnë historisë moderne të Shqipërisë. Por, po ashtu ishte e qartë se, mikpritësja e jonë, po jetonte, deri në idealizëm dhe me shumë krenari me historinë, veprën e të shoqit të saj, Enver Hoxha dhe të bashkëpunëtorëve të tij. Konsideratën për Enverin, nuk e shprehte vetëm pse ai kishte qenë bashkëshorti i saj, as vetëm pse e kishte nderuar, dashur dhe respektuar shumë, por, edhe, duke e pasur parasysh se ai ishte për mbi 50 vite në krye të shtetit shqiptar, prijës i shqiptarëve.
Ndoshta, edhe Nexhmije Hoxha, në ato ditë vjeshte, kur po e jetonte atë copë jete që i kishte mbetur, ishte e mendimit se, ndër betejat më të fuqishme të njeriut, pikërisht janë, durimi dhe koha… Ndoshta, sepse, kujtimet për historinë e shkuar, të mbuluar me plot të panjohura, për Nexhmije Hoxhën ishin beteja, histori pa fitues!? Ishte, për shumë dekada jeta e socializmit, jo vetëm në Shqipëri. Vitet e rënda, për shumëçka të pakuptimta, të ashpra e të padrejta, me shpresën e mbytur të Luftës së Ftohtë. E Shqipëria, jetoi me vetminë, e braktisur e kërcënuar edhe nga vetë modelet dhe ideologjitë e socializmit, titist, stalinist, maoist… Bashkëbiseduesja jonë, i njihte dhe i kujtonte në detaje, zjarret, kurthet, tradhtitë, e atyre betejave, përmes trishtimit, flakës të së cilës kaloi Shqipëria me izolim të hekurt… E pranoi hapur se, megjithatë e vërteta është se, Shqipëria nuk u vetizolua me vetë vullnet, se, në fund të viteve të shtatëdhjeta dhe në fillim të tetëdhjetave të shekullit të kaluar, i kishte dhënë shenja Perëndimit për hapje dhe bashkëpunim. Por, ndodhi heshtja…?! Prandaj, me një dëshpërim dhe pendesë të fshehur, bashkëbiseduesja jonë u shprehë: Në ato realitete të Luftës së Ftohtë, aq mundëm, aq bëmë…
Nexhmije Hoxha, nuk i frikësohej gjykimit objektiv të historisë së viteve të udhëheqjes së Enverit. E përmendi se, Ramiz Alia ishte bashkëpunëtor besnik i Enver Hoxhës, se, Koçi Xoxe, Panojat Plaku dhe të tjerë, nga fillimi i themelimit të PKSH-së ishin bashkëpunëtorë të jugosllavëve dhe synonin ta rrëzonin Enverin nga pushteti, një e vërtetë e madhe historike. I shpalosi kujtimet për një darkë me Hrushqovin, jugosllavët dhe reflektimet e Enverit dhe të saja gjatë takimit. Foli drejtpërdrejt edhe për miqësinë e tradhtuar nga Mehmet dhe Fiqerete Shehu…
Në bisedë e sipër, mund ta ndjeje se, Nexhmije Hoxha ishte përgatitur për takim, bashkëbisedim, se, ndër të tjera ishte e vendosur që, ti shpalos, ashtu siç e mendon ajo, idetë, pikëpamjet e veta, duke i mbrojtur me zgjuarsi qëndrimet, vlerësimet, dhe analizat për historinë politike të kohës. Ishte e qartë, edhe nga shprehjet e saj, edhe nga vendosmëria në mbrojtjen e qëndrimeve të saja se, para veti kisha një personalitet me autoritet të madh, njerëzor, politik dhe kombëtar. Ishte po ajo Nexhmije Hoxha, e cila aq fuqishëm dhe në mënyrë bindëse, kategorike i paraqiste pikëpamjet e saja politike në vitet e 70-ta, 80-ta, por edhe përjetimet, pas lirimit të saj nga burgu.
Një qëndrim i tillë, në shpjegimin e situatave politike për të cilat bisedonim, më impononte të mendoja se, ajo shfaqte kulturë shumëdimensionale. I kishte faktet, i përsëriste me një kujtesë të paparë, i shtjellonte ngjarjet, zhvillimet dramatike politike me argumente, kryesisht me paanësi, objektivitet. Nuk i kishte ndryshuar qëndrimet, e ashpra, të drejta dhe të guximshme politike për prapaskenat e emisarëve jugosllavë, jo vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe pas prishjes së marrëdhënieve me jugosllavët. Në momente të caktuar, ndërhyrja fare shkurtë, jepja mendimet e mia, për t’i dëshmuar se, i njihja ato zhvillimet nga literaturat dhe burimet e arkivave perëndimore, shqiptare dhe jugosllave.
Nuk flisja, dëgjoja derisa ajo e përcaktonte kahen e bashkëbisedimit për temat historike, politike, kombëtare, për historinë e fshehur, për hijet e jetës, për të ardhmen e premtuar e cila, nuk ka ardhur ende, për përfituesit e historisë, kërkimin e lirisë, vitet e burgut dhe për lirinë e robëruar…
Që në fillim e qartësoi se, nuk dëshironte që biseda të regjistrohej, por më udhëzoi të merrja shënime dhe të pyesja sa herë të dëshiroja. Ngadalë, e rimerrja veten, i përcillja me shumë disiplinë mendimet, shpjegimet e saj, dhe në të njëjtën kohë edhe përgatitesha për pyetje eventuale, por gjithnjë për çështjet, nënçështjet, për të cilat e kuptoja se dëshironte të flitej. Ajo foli gjatë dhe drejtpërdrejt për interesimin, kujdesin dhe kontributin e Enver Hoxhës për Kosovën. Madje, duke dashur të ishte edhe më e argumentuar, më bindëse, ndonëse këtë çështje as që e diskutoja, përmendi fjalinë e Enverit i cili me një rast i kishte thënë: ”Më vjen keq që, nuk kam mundur të bëjë më shumë për Kosovën”! E mendoja, pa të drejtë, se, ai takim mund të ishte i pari dhe i fundit me të, ndaj, i kisha në mendjen time çështjet për të cilat kisha shumë interes ta merrja mendimin e saj. Në atë fushë ishin edhe çështja e rrethanave politike në të cilat Enver Hoxha u zgjodh në krye të PKSH-së, pastaj, kishte ose jo luftë civile në Shqipëri, roli i emisarëve jugosllavë, prapaskenat e Konferencës së Tiranës, prishja me sovjetikët, me kinezët, dalja nga traktati i Varshavës dhe guximi i madh i udhëheqjes shqiptare, e shumë tema të tjera.
Mehmet Shehu e kishte lajmëruar Nexhmije Hoxhën për demonstrata e vitit 1981 në Kosovë
Në momente, më krijohej bindja sikur, fliste dhe fliste pa ndërpre, madje e mbyllte një temë dhe kalonte në tjetrën, ndoshta për të mos pasur unë kohë të shtroja pyetje, që, shoqes Nexhmije mund të mos i pëlqenin. Isha shumë i vëmendshëm, i kujdesshëm, sepse, ndër të tjera doja që ta nderoja autoritetin e saj, mikpritjen dhe vullnetin për të më takuar. Ajo e dinte se, unë isha gjurmues, studiues i historisë, dhe se, misioni im parësor në atë takim me të ishte mbledhja e fakteve, të dhënave, burimeve të reja nga dora e parë, nga një prej protagonisteve të historisë moderne shqiptare. E prisja, se gjatë bisedës, do t’i mbronte, vlerësonte pikëpamjet veprimet shtetërore të Enver Hoxhës, por, ndoshta jo me aq vendosmëri dhe në mënyrë kategorike, sikur ato, të kishin qenë, të tërat, një madhështi e heshtur. Në interpretimin, vlerësimin e saj për ngjarjet historike, të cilat i kishte përcaktuar Enver Hoxha, ajo ishte shumë e vendosur, i arsyetonte, i përkrahte dhe u jepte mbështetje, argumente historike, politike, kombëtare.
U shpreh se, pas daljes së Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, udhëheqja shqiptare kishte pritur sinjale pozitive, së paku shenja, manifestime respekti nga Perëndimi, por ajo konsideratë, ajo mbështetje kishte munguar. Mendimi i saj ishte se, gjatë epokës së Luftës së Ftohtë, Shqipëria u la në vetmi, sepse, Perëndimi nuk ishte i vendosur se çfarë do të bënte me Shqipërinë, dhe aq më tepër me çështjen shqiptare. Prandaj, me plot të drejtë pyeti, përse sot, kur NATO është në Kosovë nuk u lejua bashkimi i Kosovës me Shqipërinë?
Shumë pikëpamje të saj, lidhur me ngjarjet historike ishin reale dhe përputheshin me burimet e arkivave. Ishte bindëse dhe e faktuar edhe në lidhje me grupet diversante, të cilat në vitet 1949-1953 kishin hyrë nga ajri, deti dhe toka në Shqipëri për ta rrëzuar, qëllimisht regjimin komunist. Ishin të faktuara edhe njohuritë, të dhënat për ndërhyrjen e personelit të ambasadës jugosllave në Tiranë, gjatë organizimit dhe mbajtjes së punimeve të Konferencës së Tiranës, më 1956. E dinte saktësisht rolin që, një person shqiptar i Kosovës, në ambasadën jugosllave e kishte pasur në lidhje me ndërhyrjet flagrante të jugosllavëve në punimet e Konferencës së Tiranës. Unë, ia përmenda emrin e atij personi, sepse në ato çaste asaj nuk i kujtohej… derisa fliste edhe për shumë detaje të ndërhyrjeve të jugosllavëve, veçmas nga viti 1941-1948, e kuptoja dëshpërimin e saj të thellë me iluzionet që, udhëheqja shqiptare i kishte pasur për atë bashkëpunim. Ndër personat jugosllav, sipas Nexhmije Hoxhës, të cilët kishin udhëhequr veprimet dhe politikën e ndërhyrjeve në Shqipëri, gjithnjë nën politikën e gllabërimit të Shqipërisë, veçonte Dushan Mugoshën, Svetozar Vukmanoviq – Tempon dhe Velimir Stojniqin.
Nga kujtimet e Nexhmije Hoxhës, për ato vite dhe përplasje me jugosllavët, kuptohej se, udhëheqja komuniste dhe shtetërore e Shqipërisë e kishte idealizuar bashkëpunimin me jugosllavët, Titon, të shtytur nga internacionalizmi proletar e çka tjetër. Iluzione, të tretura, të përziera me shpresë të rreme…?! Sot, në këtë vjeshtë shqiptare, shpirtin e bashkë bisedueses sime, po e mbyste një pendesë e vonuar, plot trazim e ankth shpirtëror… Sikur të kishte mundësi, edhe në atë moshë të thyer, Nexhmije Hoxha do t’i pranonte iluzionet, vetë mashtrimet e një historie të largët, plot pezëm e intrigë: na tradhtuan, na tradhtuan, jo vetëm për Kosovën, të pa besët, me fajin tonë!?
Biseda zgjati mbi dy orë, bashkëbiseduesja dhe mikpritësja ishte shumë konkrete, kryesisht i përzgjidhte çështjet dhe temat për t’i diskutuar, shpjeguar, natyrisht duke u përqendruar në mënyrë korrekte edhe në temat, çështjet e specifikuara për të cilat shfaqja interesim.
Një ndër çështjet e diskutuara, që më bëri përshtypje të veçantë ishte ajo në lidhje me demonstratat e vitit 1981 në Kosovë. Nexhmije Hoxha, duke folur në detaje për çastet e para, kur ajo ishte informuar për demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, jepte të kuptohej, se, Mehmet Shehu i kishte bërë asaj telefonatë gati dhjetë ditë pasi demonstratat kishin shpërthyer në Kosovë. Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha ndërsa kishin qenë për pushime në Vlorë. Kryeartikulli i gazetës “Zëri i Popullit”, ku shteti shqiptar u dilte në përkrahje rinisë dhe popullit të Kosovës u botua më 8 prill 1981. Ky fakt, posa e kisha dëgjuar drejtpërdrejt nga Nexhmije Hoxha më jepte të kuptoja, se, në rast se i tërë ishte i vërtetë, atëherë, studiuesit e atyre ngjarjeve do të kenë mundësi, dhe liri që të japin interpretime të ndryshme…? Si ndodhi që, për demonstratat e rinisë dhe popullit të Kosovës, Enver Hoxha të informohej aq vonë…? Dhe, përse, pikërisht Mehmet Shehu ishte ai i cili, për ngjarjet në Kosovë e lajmëroi Nexhmije Hoxhën…? Para se, të botohet libri im, Kosova: Të vërtetat e fshehura, në të cilin do të jetë edhe intervista me Nexhmije Hoxhën, nuk më takon dhe nuk dua të jap komente, për rrethanat në të, cilat Enver Hoxha ishte informuar për herë të parë dhe me aq vonesë për ngjarjet e Kosovës.
Gjatë gjithë bisedës, takimit, mikpritësja, Nexhmije Hoxha ishte shumë dashamirëse, e sinqertë, krijova përshtypjen reale se, kishte pasur dëshirë të na takonte dhe për këtë ndjehej e lumtur. E kuptoja, i ndjeja fjalët, shprehjet plot emocion për Kosovën dhe popullin shqiptar. Në ndarje, na dhuroi me përkushtim ca libra të saj të çmuar. Pasi u përshëndetëm, për pak çaste ajo ngeli me time shoqe, ne ndërsa po prisnim para shkallëve të katit të parë. Po afroheshim te hyrja për në Kosovë, unë ndërsa, vazhdoja ta kisha një përshtypje midis reales dhe imagjinatës për takimin e asaj të shtune. Gjithsesi, ai takim i datës 5 shtator 2015, me Nexhmije Hoxhën ishte i mbarë, sepse i hapi rrugë komunikimit tonë të mëtejshëm, intervistës shkencore, dokumentare për librin e radhës, Kosova: Të vërtetat e fshehura.
– FUND –
__________________________
PROF.DR.AGIM ZOGAJ: BASHKËBISEDIM ME NEXHMIJE HOXHËN – NË SHQIPËRI ME ATDHETARIN, QAZIM BLLACA (I)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10643
***
PROF.DR.AGIM ZOGAJ: BASHKËBISEDIM ME NEXHMIJE HOXHËN – NGREHINA E VETMISË DHE E HARRESËS (II)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10649