Prishtinë, 29 mars 2017: Prof. Dr. Nusret Pllana, Djaloshi me dy zemra (Aushvici i Krushës së Madhe), Monografi, Prishtinë, 2017, f. 230.
“Unë do t’ua jap një zemër të re, një shpirt të ri do ta fus në ju, do ta nxjerr nga mishi juaj zemrën e gurtë e do t’ju jap një zemër mishi” (Ez 36, 26).
Kjo monografi dhe vepër publicistike e prof. Dr. Nusret Pllanës është një vazhdimësi e hulumtimit dhe paraqitjes sistematike e tematikës së Luftës, tmerrit dhe ferrit që ka pësuar populli Shqiptar, me ngjarje të panjohura, të njohura dhe të harruara, që mund ta njollosin shpirtin dhe ndërgjegjen tonë, janë shenja dhe mund të kushtojnë tejet shtrenjtë, mund të kërcënojnë të tashmen dhe të ardhmen tonë.
Të nisemi me tri konstatime jetësore dhe filozofike mbi grupet njerëzore.
• Ka njerëz që quhen të tillë, kanë pamje njerëzore, por me jetë dhe me veprime, nuk janë fare njerëz, pasi që me të drejtë emërohen dhe cilësohen si njerëz pa shpirt dhe pa zemër, domethënë pa ndjenja, të udhëhequr dhe të “frymëzuar” nga e keqja. Të tillë janë ata që urrejnë, shpifin, përgojojnë, bëjnë dallime dhe përjashtime gjinore, kombëtare, fetare, përfitojnë në “shpinë” të tjerëve, ndajnë dhe përçajnë njerëzit, deri te skajshmëria e vrasjes, masakrimeve, pa kursye askënd. Në këtë kategori janë edhe përfituesit e luftës, ata që janë të prirë nga lakmia, njollosin vetveten dhe luftën, trimërinë, burrërinë, fytyrën, nderin e kombit tonë, “kapitalizojnë” gjakun e dëshmorëve dhe martirëve.
• Kategoria e dytë e njerëzve është ajo si të rëndomtë, që kanë zemër, organ, por edhe ndjenja njerëzore, të gatshëm për t’u gëzuar me ata që gëzohen, për të qarë me ata që qajnë, për t’u solidarizuar me të tjerët në kërkimin dhe zbatimin e të mirës së përbashkët. Kjo kategori njerëzish jetojnë dhe veprojnë sipas bindjes, ndërgjegjes, përcaktimeve jetësore, janë të prirë të pasurohen me vlera dhe me virtyte njerëzore, familjare, kombëtare, fetare dhe morale, për të qenë pjesë e shëndoshë dhe e ndershme e shoqërisë.
• Kategoria e tretë janë njerëzit “Zemër”, me zemër dhe shpirt të madh, ata që thënë figurativisht kanë “dy zemra”, si organ, raste të rralla, por të mundshme, por edhe më tepër si ndjenja flijimi, dhurimi, shërbimi, altruizmi, atdhedashurie, drejtësie, mbi të gjitha dashurie gjithëpërfshirëse. Këta janë njerëz hero, trima të shquar dhe të dalluar, ata që nuk kursejnë asgjë, as jetën, për ideale të larta, pra, model jete dhe virtyti, flijues të spikatur, martirë të merituar, patriotë që do të duhej të jetonin në shpirtin dhe mendjen e popullit, në zemrat e brezave, si frymëzim jete dhe veprimi, si kujtesë historike dhe aktuale.
Sot ne Shqiptarët, si individ, familje dhe shoqëri, kemi nevojë për “ndërrimin e zemrës”, pra, për “shartimin” e zemrës së re dhe shpirtit të ri të kulturës së jetës dhe qytetërimit të dashurisë, sipas shembullit dhe dëshmisë së Shën Nënës tonë Tereze, për kultivimin dhe pastrimin e kujtesës, për “kirurgji shpirtërore dhe kulturore”, që do të na aftësonte që t’i kthehemi vetvetes dhe të vërtetës, historisë dhe trashëgimisë ilire, arbërore dhe shqiptare, që të jemi vetvetja me identitet dhe personalitet tonë burimor.
Protagonisti i kësaj historie dhe monografie është Blerim Nalli, së bashku me 241 të vrarë dhe të masakruar të Krushës së Madhe, edhe më mirë anëtarë të familjes së madhe në dhembje dhe martirizim ndër Shqiptarë, apo siç thotë Autori, “Aushvici i Krushës së Madhe”, që gati është harruar në kujtesën dhe ndërgjegjen tonë, në mjetet pamore dhe dëgjimore, në jetën publike dhe shoqërore, përpos ndonjë përvjetori.
Dr. Nusret Pllana, gjatë Luftës ishte zëri i “Kosovës së lirë”, ndërsa pas Luftës, vazhdon të jetë zëri i heshtjes dhe ndërgjegjes së fjetur, që lufton kundër harresës dhe padrejtësisë, zëri i atyre që fizikisht s’mund të flasin më, sepse janë të vrarë dhe të masakruar. Mirëpo gjaku i tyre flet dhe thërret, bërtet, qorton dhe sfidon njerëzinë dhe lirinë, demokracinë, atdhedashurinë, historinë, të tashmen dhe ardhmërinë tonë.
Harresa, mospërfillja, anashkalimi, moskujdesi për martirët tanë, si dhe për familjet e tyre, nënçmimi, përbuzja, injorimi, na rrezikon të gjithëve, që edhe ne të jemi apo të bëhemi “vrastarë” dhe pjesëmarrës në “vrasjen e dytë” të tyre, asaj shpirtërore, kulturore, njerëzore, që fatkeqësisht është një proces në të cilin pothuaj jemi të gjithë.
Protagonisti Blerim Nalli, djaloshi me dy zemra, që kriminelët serbë ia kishin nxjerr organet e brendshme, pra edhe zemrën, dhe ashtu të masakruar e kishin djegur, për t’ia humbur çdo shenjë dhe gjurmë, bëhet për ne Protagonist i historisë së vuajtjes, pësimit, trimërisë, flijimit, lirisë, vdekjes dhe pavdekësisë, me shpresë që do t’i prekë edhe zemrat tona të ngurrëta dhe të gurta, egoiste dhe egocentrike, që udhëhiqen nga fitimi dhe përfitimi, pasurimi dhe karrierizmi, jeta e shfrenuar, duke shkelur mbi kokat, shpinën dhe gjakun e martirëve tanë.
Prof. Dr. Nusret Pllana nëpërmjet filmit dokumentar, shkrimit dhe botimit, vazhdon ta mbajë të gjallë kujtesën për luftëtarët dhe martirët tanë, pasi të gjallët sot, përpos rrethit të ngushtë familjar dhe përjashtimeve pozitive, kanë “valë dhe halle tjera”, nuk merren më me këto ngjarje trishtuese dhe tronditëse, duan ta shijojnë jetën ndryshe.
Simbolika e djaloshit me dy zemra më përkujton simbolin tonë kombëtar, Shqiponjën dykrenare, si dyfishim i së mirës, qëndresës, burrërisë, atdhedashurisë, për t’i përballuar baticat dhe zbaticat e shumta historike dhe aktuale, për t’ua “huazuar” një zemër dhe kokë atyre njerëzve që s’kanë zemër dhe kokë, ide, ideale, ndërgjegje, dashuri dhe flijim, dhurim dhe veprim për të mirën e përbashkët, që nuk dinë dhe nuk duan t’i përkujtojnë dhe nderojnë as të gjallët, as të vdekurit, askënd përpos vetvetes.
O temporal, o mores! O kohëra, o doke! A thua i tillë qenka njeriu ynë, qenkemi ne, që kaq shpejt i harrojmë më të dashurit tanë të vrarë dhe të masakruar, të zhdukur dhe të përbuzur, edhe më shumë të gjallët e familjeve të tyre! Pse jemi “analfabet”, që nuk dimë ta nderojmë dhe lexojmë as historinë të shkruar me gjak, të vulosur me dashuri dhe vdekje për liri, demokraci dhe pavarësi!
Frikësohem nga kjo harresë dhe përbuzje, që mos të na ndodhë, si shumë herë më parë, që s’kemi mësuar asgjë nga e kaluara, nga historia, dhe si pasojë e kësaj, kemi përsëritur atë në forma dhe trajta edhe më të vrazhdë.
Prof. Dr. Nusret Pllanën e përgëzoj për punën në vazhdimësi, për ndriçimin e së kaluarës sonë kaq të hidhët, të tmerrshme, të përgjakshme, por edhe shumë të lavdishme dhe heroike, me klithje nga varrezat e gjetura dhe të pagjetura: Memento nobis – na kujtoni neve, si amaneti të shenjtë dhe të vazhdueshëm, porosi dhe siguri për të tashmen dhe të ardhmen tonë të përbashkët dhe vëllazërore.
Do ta përfundoj këtë paraqitje me fjalët që ia vë në gojë dhe në zemër Prof. Nusret Pllana, “djaloshit me dy zemra”, Blerim Nallit: “Nga kushdo që vjen vdekja, qoftë edhe nga plumbi i armikut të tokës sime, është vdekje, sepse është kapak i jetës. Do të thotë, kurdo që vjen vdekja, kësaj jete ia vëmë kapakun për të gjitha kërkesat që mund të ketë njeriu i gjallë. Çudi me njeriun!… Prandaj,pasi i di të gjitha këto,atëherë është krejt e natyrshme të më kujtohen të gjitha ato ngjarje që kanë ndodhur, që kur kam qenë fëmijë krejt i vogël e deri në ditën kur ka ardhur vdekja nga pushka e armikut të vendit tim dhe më ka marrë me vete, vetëm si trup, sepse shpirtin dhe të dy zemrat i kam këtu. Në tokën time, në tokën e fshatit tim më të bukur në botë, në Krushën e Madhe” (Prof. Dr. Nusret Pllana, Djaloshi me dy zemra, ve. e cit. f. 184-185).
Prishtinë, 27 mars 2017 Prof.dr.Don Lush GJERGJI