Pashtriku.org, 18. 02. 2015 – Sot e njëzet vite më parë, më 17 Shkurt 1995, mbaroi koha e inkuizicionit për shqiptarët e Maqedonisë, lindi dielli edhe në këto anë, mori udhën e vet të përjetshme lapsi e fletorja në krye me të pavdekshmin profesor Fadil Sulejmanin dhe nisën ligjëratat e para në Universitetin e Tetovës, kohë kur ishin kapluar dhëmb për dhëmb e bukura me të shëmtuarën, drita me terrin, e madhërishmja me të ulëtën, tragjikja me komiken dhe para botës së civilizuar dukej qartë kjo tragjikomedi ballkanike, pasi popullata shqiptare kërkonte të drejtën më elementare të jetës – arsimin e gjeneratave të reja, për të cilën, 1oo vite më parë, Rexhep Vokë Tetova ua kishte lënë amanet gjeneratave në libri i tij Mendime ku thotë: “ Kasollet me kashtë t’i mbulojmë / sa fëmijët në shkollë t’i çojmë”, sepse: “Pa fe e pa dije / njeriu s’ka dallim prej bagëtie / vetëm me hije,” kurse pala tjetër, me një politike shoviniste, përpëlitej që me çdo kusht t’i shkelte me dhunë, përmes çizmes së hekurt, ligjëratat e para të USHT-ës, të cilat ishin, jo vetëm imperativ i kohës, por edhe domosdoshmëri urgjente për mbijetesë të popullatës shqiptare në Maqedoni, e cila me shekuj jeton dhe vepron në këto troje. Pikërisht, bota e civilizuar e ndiqte me kujdes këtë tragjikomedi të ndërtuar mbi dhunën dhe orët e para që shënonin epokën e re në arsimin tonë, luftën shpirtërore, morale e fizike për këtë tempull të shkencës dhe të dijes, që ne po e gëzojmë sot. Një ditë para ligjëratave të para, më 15. 02. 1995, në tubimin e frikshëm e madhështorë në Reçicë të Vogël erdhi nga Amerika diplomati e kongresisti amerikan, Gjozepe Diogardi, për të përcjellë për së afërmi vuajtjet dhe krenarinë kombëtare të gjakut të vet dhe në anën tjetër të ndjek dhunën dhe ligjet fashizoide të asaj kohe, që ishin tërbuar kundër Universitetit të Tetovës, simbolikë kjo, e cila nënkuptoi se Diogardi erdhi për të paralajmëruar se Universiteti i Tetovës ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sot e dy dekada më parë, që nga Kuvendi i idesë së themelimit të Universitetit të Tetovës, 04 qershor 1994 e deri te data 16 e 17 shkurt 1995, përvjetor pas përvjetori, populli e priti ngrohtësisht këtë tempull të dijes, me kënaqësi e entuziazëm të veçantë, i trimëruar thellësisht, që me çdo kusht, ky ideal kombëtar të udhëtoj deri në fund, ndërsa pushteti i atëhershëm e luftoi me të gjitha mjetet që kishte në dispozicion. Asaj kohe, në këtë shtet nuk vlenin parimet e demokracisë, siç thoshte Abraham Linkoln: “Qeveria e popullit, nga populli, por popullin”. Përkundrazi, gjithçka ishte kurdisur kundër popullit. Për shqiptarët në Maqedoni ishte krijuar klima politike e një kohe të errët mesjetare – politikë e kohës së inkuizicionit, që të mbetemi të varfër e të pa ditur, të pa aftë e të pa shkolluar dhe gjithmonë të na llogariste si argatin e tij, siç shkruante dikur edhe Noli madh: pranë sofrës i pa ngrënë / pranë dijes i pa nxënë / lakuriq dhe i dreqosur/ trup e shpirt i sakatosur. Me një fjalë, që shekull pas shekulli të mbetemi rrob i rrobit.
Tani më historia ndryshoi. Bota shqiptare e këtij krahu u nda në mes. Lindi epoka e re e arsimit të lartë për shqiptarët e Maqedonisë. Edhe pse ligjëratat e para dhe shkronjat e tyre gjithmonë do të mbajnë erë gjaku, sot ky universitet buzëqesh me aromën e trëndafilave, vëzhgon me sytë e Sharrit dhe freskon shpirtin e këtij kombi me freskinë e lumit Artat. Ato ditë dukej qartë se, qeveritarët e atëhershëm as që kishin ndërmend të bisedojnë me logjikën e botës së civilizuar, as që çanin kokën se edhe shqiptarëve u duhej shkollimi i lartë në gjuhën amtare. Ato flisnin me gjuhën snobiste: ne kemi shtet, polici, ligjet, gjyqin, ekonominë në duart tona dhe me shqiptarët mundemi të veprojmë si të duam, por nuk e dinin se, vullnetin e lirë dhe të drejtat e një populli s’ka forcë që mundet t’i shemb. Herë kurdo, sado që të zgjatet, e drejta do fitoj patjetër, se ashtu thonë ligjet e natyrës, ashtu thotë populli, ashtu donë e jep urdhër edhe Zoti. Ata deshën ta ndrydhnin këtë vullnet të pa përshkruar të popullit, udhëhequr nga Profesor Fadil Sulejmani, kur edhe u thyen shpatat në Poroj dhe në Reçicë të Vogël. Asokohe, pushteti kundërshtonte me forcat ushtarake-policore, të armatosur dhe të veshur me petkun e hekurt, sërish vullneti i popullit, studentët dhe profesorët, mposhtën çdo forcë dhe u bënë forcë mbi forcën, pasi morali dhe e drejta ishte në anën e popullatës shqiptare, e cila me shekuj priste nga do të linte dielli për ta. Me të parë diellin, më nuk e lanë tu ikte nga dora. Kjo forcë dhe ky moral i madh nuk kishte kthim mbrapa. Fitorja ishte e sigurt, ja, e shohim sot të gjithë ne, e ndjejmë dhe e prekim realitetin historik, e shijojmë, shkrijmë dëshirat dhe ndjenjat tona me këtë gjigant të dijes, prej ku edhe jemi duke folur.
Atë ditë, në Poroin legjendar, një copë diell tentonte t’i shpërthej mjegullat me pikat e imëta të shiut, sikur bashkoheshin me lotët e fëmijëve, të cilët mallëngjyeshëm shikon prindërit e tyre si ballafaqoheshin me fallangat policore, për tua siguruar abetaren, lirinë, dritën e syve të tyre. Në çdo moment pritnin se cili nga prindërit e tyre do bie dëshmori i parë. Populli ishte mbledhur nga të gjitha anët dhe ballë përballë me tytat e pushkëve nga policia e hekurt e shtetit, u bën digë e fuqishme dhe nuk e lejuan që të ndërpriten ligjëratat. Kur thundra e hekurt pa që ky vullnet i popullit nuk zmbrapset me asnjë kusht, qoftë edhe me sakrificën më sublime, atëherë u zmbrapsën dhe dielli filloi ta gjej rrugën e vet dhe ta ngrohë sublimen më të madhe të popullit, Universitetin e tyre. Kjo gjendje, kjo histori, për brezat e ardhshëm do të duket ngjarje dhe vepër përrallore, ndërtuar mbi mite e legjenda, gjë e cila, sa më shumë kohë që të kalojë, dashuria për Universitetin Shtetëror të Tetovës do zgjojë kërshërinë edhe më të madhe, shekull pas shekulli, pasi ky universitet ka histori unikale në botë. Është më i dhimbshmi, më i dashuri dhe më krenari se çdo histori tjetër universitare, i cili edhe sot e kësaj dite po zhvillohet me hapa marramendës.
Brezat që do vijnë, kur do lexojnë se USHT-ja u ndërtua me erë gjaku, i çeli librat dhe fletoret e para nën tytat e pushkës, me një përkrahje popullore deri në sakrificën më sublime, me profesor të gatshëm të ligjëronin edhe falas, duke ecur nëpër atublinda e kordone policore, fshatra që lëshuan shtëpitë e tyre për mësojtere dhe dhomat e tyre bëheshin leximore, klasa mësimi e kabinete, ata, këtë universitet do ta quajnë Universiteti i Shenjtë, pasi ideja është konvertibël me parimet kuranore, lexo mëso në emër të Zotit. Edhe praktikisht duket i shenjtë, pasi gjatë ligjëratave të para, në çdo moment pritej rrezik kanosës për profesorët, studentët e veprimtarë të shumtë të UT-së dhe gjeneratat e ardhshme do pyesin: A thua është e vërtetë, athua ka pasur dikur një qeveri që ka ndaluar dijen, mësimin me forca policore, A thua në fund të sh. 20 u përsërit koha inkuizicionit…Ata, gjatë studimeve të tyre, do kaptojnë pushtetin që nuk i njihte rregullat e civilizimit botëror. Pushteti, asokohe, s’e kuptonte se të drejtat e njeriut nuk blihen, nuk falen apo nuk dhurohen, por ato u përkasin njerëzve, thjeshtë sepse ato janë qenie njerëzore dhe të drejtat e njeriut lindin bashkë me njeriun. Kombet lindin dhe zhvillohen me gjuhën, zakonet dhe doket që i trashëgojnë brez pas brezi në tokën dhe hapësirat tyre.
Pas gjithë kësaj odisejade, procesi i rrugës së universitetit vazhdoi. më 19. XII, 1994 ishte shpallë konkursi për pranim-regjistrimin e studentëve në vitin e parë akademik 1994-1995, botuar në revistën dyjavore të asaj kohe TRIBUNA –SH.
Më 7 janar 1995, mbahen provimet pranuese për afatin e dytë, në të njëjtat lokale, ku, në dy afate kishin konkurruar 607 studentë, prej të cilëve 517 e dhanë privimin pranues.
Më 8 janar 1995, Këshilli Mësimor-Shkencor i Universitetit të Tetovës, mbajti mbledhjen e IX me radhë, në lokalet e Partisë Demokratike Popullore, ku u zgjodhën organet drejtuese të Universitetit. Rektor i parë i Universitetit u zgjodh prof. Dr. Fadil Sulejmani dhe të gjithë organet e tjera si: prorektorët, dekanët, prodekanët etj.
– Më 27 janar 1995, në Gostivar mbahet mbledhja e përbashkët e subjekteve politike shqiptare në Maqedoni dhe përfaqësuesve të dekanateve të Universitetit të Tetovës, ku në mes tjerash u morën disa vendime:
– Të gjitha subjektet politike shqiptare të marrin pjesë në mënyrë obligative me rastin e fillimit akademik në Universitetin e Tetovës, më 15 shkurt 1995.
-Subjektet politike shqiptare, përmes qeveritarëve dhe deputetëve shqiptarë të kërkojnë me ngulmë nga organet shtetërore të R. M.-së që të mos pengohet veprimtaria e UT-së nga ana e forcave policore. Në të kundërtën, subjektet politike shqiptare duhet të shqyrtojnë pjesëmarrjen e vet të mëtejshme në Qeveri dhe në Parlamentin e Maqedonisë.
Me këtë rast, njoftohen studentët e UT-së se ligjëratat dhe ushtrimet në këtë institucion të lartë arsimor –shkencor do të fillojnë më 15 shkurt të këtij viti, në ora 12, te objekti i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore , i cili gjendej në Lagjen e Reçica e Vogël, ku studentët do të priten nga ana e profesorëve, ku do të jenë të pranishëm edhe strukturat politike shqiptare, si dhe korri diplomatik i akredituar në Republikën e Maqedonisë.
Pas mbledhjes së 14 shkurtit, po atë ditë në lokalet e PDP-së në Tetovë, Rektori Profesor Fadil Sulejmani mbajti një konferencë për mjetet e informimit, i cili, në mes tjerash, njoftoi të pranishmit për vizitën e delegacionit të UT-së që bëri kohë më parë në SHBA (prej 1-11. Shkurt 1995).Poashtu njoftoi rreth përgatitjeve përfundimtare për fillimin e vitit akademik të Universiteti të Tetovës. Sipas deklaratës së asaj kohe të Rektorit Fadil Sulejmanit, dilema më nuk kishte. Viti akademik i studentëve të Universitetit të Tetovës fillonte nesër (e mërkurë 15 shkurt) në ndërtesën e Reçicës së Vogël, e cila ishte planifikuar për Fakultetin e shkencave Matematike-Natyrore. Se interesimi i opinionit botëror ishte i madh, dëshmonte ftesa e bërë nga Kongresi Amerikan që rektori i UT-së të vizitoi SHBA- të. Përveç tjerash, Profesor fadil Sulejmani deklaroi se ato ditë ishte zhvilluar një aktivitet i gjerë, me qëllim që të nesërmen të dilet para studentëve dhe popullatës sa më të organizuar. Me këtë rast janë ftuar të gjithë studentët që do të fillojnë vitin akademik në 15 objektet, që ishin paraparë për t’u zhvilluar mësimi, të ftuar profesorët e 6 fakulteteve, deputetët e kuvendit të R.M.-së, ministra, kryetarët e Kuvendeve Komunale të Dibrës, Tetovës e Gostivarit, liderët e partive politike shqiptare, të shoqatave dhe asociacioneve të tjera… Nëse policia e pengon punën tonë,thoshte rektori, atëherë ne do të vazhdojmë mësimin në objektet tjera, atje ku nuk ka policë.
Por, me planin e paraparë të 15 shkurtit, nuk filluan ligjëratat në UT, sepse forcat dhe njësitë speciale policore i kishin ndërmarrë të gjitha masat duke bllokuar të gjitha hyrje-daljet në Reçicë të Vogël. Idealet për ligjëratat e para të UT-së ishin të pathyeshme, kështu që, më 16 shkurt 1995 filluan ligjëratat e para akademike të UT-së, në mejtepin e Xhamisë së Porojit legjendar, ditën e enjte, në ora 10 paradite. Në këtë ditë nisën punën dy fakultete: Fakulteti Filozofik me dy degë: Historisë dhe Pedagogjisë dhe Fakulteti Filologjik me e dy degë: Gjuhë dhe letërsi shqipe, Gjuhë dhe letërsi angleze.
Ligjëratat zgjatën një orë dhe kishin karakter udhëzues, njoftim për literaturën e nevojshme studimore, për lëndët përkatëse dhe kërkohej prej studentëve që të jenë të pathyeshëm në këtë udhë të shenjtë, të vijnë çdo ditë në ligjërata e ushtrime, pavarësisht nga rreziqet që u kanosen nga forcat policore të shtetit.. Jashtë, nëpër rrugët e Porojit dhe në oborrin e shkollës qenë mbledhur me qindra e qindra vullnetarë, dashamirës të arsimit kombëtar, për të shijuar këtë ditë kombëtare të dijes, me gëzim përshkrimi ndjenjash dhe për të përshëndetur fillimin e ligjëratave në Universitetin e Tetovës. Shumë prej tyre nuk përmbaheshin duke derdhnin lot gëzimi dhe në sytë e tyre lexohej ëndrra shekullore, se edhe ne shqiptarët e Maqedonisë u bëmë me Universitet në gjuhën tonë.
Në orët e hershme të mëngjesit, ende pa zbardhë drita, nëpër rrugët e fshatit Poroj të Tetovës, ku edhe do fillonte punën Universiteti, rreth Fakultetit Juridik dhe Ekonomik, ishin vërejtur grupe të vogla policore, që nënkuptonte se do të ketë ” mysafir “ të paftuar. Edhe ashtu ndodhi. Që në orët e hershme të mëngjesit, në Poroj kanë mbërritur dy autobusë plotë me pjesëtarë të policisë maqedonase, me uniforma speciale dhe armatim të ndryshëm për situatë të jashtëzakonshme. Qëllimi i tyre ishte i qartë për rininë e Poroit dhe 25 veta nga dashamir të flaktë të universitetit, u vendosën para objektit universitar dhe u bënë digë e pathyeshme për policinë maqedonase, të cilëve në çdo moment u shtohej numri i përkrahësve dhe forcohej gjithnjë e më shumë kjo digë nga vullnetarë të ardhur nga të gjitha anët. Tani më, kjo digë e fuqishme u bë bllokadë e vërtetë për policinë dhe nuk lejuan që ta uzurpojnë objektin. Situata bëhej gjithnjë e më alarmante. Arriti edhe lideri politik i asaj kohe Nevzat Halili, u bashkëngjit me vullnetin e popullit, i cili alarmoi për gjendjen e rëndë të gjitha faktorët vendimmarrës të shtetit dhe diplomacinë e jashtme të akredituar në Maqedoni, pasi në Poroj të Tetovës situata mund të eskaloj në një konflikt të pa dëshirueshëm, pasi masat popullore në çdo moment po shtoheshin dhe situata mundeshe të dali prej kontrollit.
Derisa në fshatin Poroj po bëhej beteja për ruajtjen e objektit, nga ana tjetër, në fshatin Xhepçisht, dhe në Reçicë të vogël, numër i madh i forcave policore, i kishin pushtuar objektet dhe nuk lejonin që studentët e profesorët të nisin punë me ligjërata e para.
Siç duket, vetëm objekti në Poroj mbeti i pa prekur nga falangat policore të kohës dhe në orën e caktuar të datës 17 shkurt, në Poroj arrijnë studentët e Fakultetit Juridik dhe Fakultetit Ekonomik, të cilët u përshëndetën me profesorët e tyre, ku, në krye të të cilëve qëndronte krenar dhe i pathyeshëm, mu si lisat e Sharit, Rektori Fadil Sulejmani, bashkë me stafin e tij akademik. Studentët filluan ligjëratat në kohën e paraparë në kushte të jashtëzakonshme, u njohën me materialin dhe me ecurinë e punës së mëtutjeshme.
Në Poroj e Reçicë të Vogël, që asokohe quhej Qyteti Studenti, filluan ligjëratat në gjashtë fakultete, të cilat edhe shënojnë simbolin në stemën e UT-së. Studentët nuk u frikësuan as nga policia e as nga presionet dhe u ulën para ligjëruesve, duke i marrë shënimet e para. Ata ishin të vetëdijshëm se në këto ditë dhe orë po shënonin historinë më të re të popullit shqiptar në Maqedoni, duke realizuar një ëndërr të kahershme kombëtare.
Këtë dëshmi historike, sot e 20 vite më parë, e kujtojmë me mëllë dhe me ndjenjat më sublime shpirtërore, për këtë plejadë profesorësh e studentësh, në krye me heroin e arsimit shqip në Maqedoni, Profesor Fadil Sulejmani, i cili, me një rast solemniteti, 17 shkurt 2000 , përgëzonte të gjithë ata që dhanë gjithçka nga vetja, vetëm e vetëm që të fitojë gjuha shqipe, flamuri dhe emblema e UT-së. Për këtë tempull thoshte se do të jetë një roje nderi për ne dhe simbol frymëzimi për gjeneratat tona të ardhshme, se e vetmja rrugë që do të na çojë përpara drejtë fitoreve të reja është rruga e Universitetit dhe e diturisë. Kësisoj u mund e keqja dhe fitoi e drejta mbi dhunën, e mira mbi të keqen, prandaj kemi pse të gëzohemi dhe të jemi krenarë para botës, veçmas për humanizmin dhe fisnikërinë tonë.
Sot, ky tempull i shkencës, i artit dhe i dijes në përgjithësi, është shndërruar në një gjigant, i cili numëron 11 fakultete, 93 programe studimore dhe mbi 15 mijë studentë, i cili është dhe do mbetet krenaria dhe shpresa shekullore e shqiptarëve në Maqedoni.
Rroftë Universiteti Shtetëror i Tetovës.
Faleminderit.
Tetovë, 17 shkurt 2015