Pashtriku.org, 23. 05. 2015 – (Prof. Dr. Sabile Keçmezi Basha “Qëndresa shekullore e Familjes Mehaj”.botoi Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, 2015, f. 360) – Me kënaqësi të madhe e pranova propozimin e Këshillit Shkencor të Institutit të historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, qe unë të jem recensent i këtij libri monografik qe ka për objektiv të ndriçoj një pjesë të rezistencës kombëtare shqiptare në momentet më të vështira në Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore. I shtyrë nga një motiv i tillë e lexova me kujdes të veçantë librin monografik “Qëndresa shekullore e familjes- Tahir Meha”, të shkruar nga shkencëtarja tash më e njohur dhe e afirmuar, Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha, dhe me duhet të them qe në fillim të këtij vështrimi të shkurtër se ky libër, është një studim gjithëpërfshirës, shkencor e analitik i cili në mënyrë të argumentuar flet për trimërinë, sakrificën dhe heroizmin e kësaj familje shqiptare gjatë gjithë shekullit tё XX.
Sakrifica dhe qëndresa e familjes shqiptare Mehaj nga Prekazi, na prezantohet në ketë libër si përjetësi e heroizmit të përsëritur në historinë tonë kombëtare. Ky fenomen i përkushtimit atdhetar, gjeneratave të ardhshme, do t’u kujtoj se për çlirimin dhe lirinë e këtyre trojeve është dashtë të sakrifikohet shumëçka, mund, djers e gjak, në fund edhe vetë jeta e shumë shqiptarëve të të gjitha moshave, që Kosova dhe viset e tjera etnike, një ditë të jenë të lira dhe të bashkuar.
Autorja e librit: Prof. Dr. Sabile Keçmezi Basha.
Autorja e nderuar e këtij studimi shkencor dhe gjithashtu aktual për kohën, intrigues për ngjarjet historike dhe ka një rëndësi të veçantë për Kosovën në veçanti e për shqiptaret në përgjithësi. E tërë veprimtaria dhe angazhimi i familjes – Tahir Meha, duhet theksuar se ka karakter kombëtare në tërë tё kaluarën e lavdishme heroike të disa gjeneratave të familjes Mehaj, e në veçanti të Tahir e Nebih Mehës. Autorja me një përkushtim të madhe e prezanton dhe e venë në spikamë përmes dokumentacionit dhe fakteve ekskluzive të vjela nëpër arkivat e vendit, të regjionit, Evropës dhe Amerikës. Një punë e tillë asaj i ka krijuar mundësi, që të na ofroj këtë libër të veçantë, i cili me siguri në të ardhmen do tu shërbej gjeneratave të ardhshme qe ta kujtojnë të kaluarën e tyre të lavdishme dhe të edukohen në frymën e atdhe dashurisë dhe të jetës së lumtur nё liri, nё atdheun e tyre tё dashur.
Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha, me një përkushtim tё rrallë profesional, arrin qe në detaje dhe me saktësi të madhe tё na sjell të dhëna të bollshme për jetën e veprën e këtyre trimave e heronjve kombëtar të dalë nga familja Mehaj e Prekazit legjendar. Ajo gjithashtu me përkushtim dhe mjeshtri i qaset veprimtarisë ilegale, qëndresës dhe flijimit sublim të pjesëtarëve tё kësaj familje. Autorja e monografisë Prof. Dr. Keçmezi Basha ” Qëndresa shekullore e Familjes-Tahir Meha“, konsideroj se ia ka arritur qëllimit, që tek lexuesi të përcjell mesazhin kryesor tё këtij libri: “Për çlirimin dhe lirinë e Kosovës janë derdhur shumë lumenj gjaku nga bijtë dhe bijat më të mirë të popullit shqiptar, prandaj ne dhe pasardhësit tonë duhet ta ruajmë dhe ta ndërtojmë lirinë e vendin tonë”.
Nё vazhdim tё këtij vështrimi tё shkurtër, duhet shtuar se autorja e respektuar, nё ketë libër monografik ka arritur me tё drejtë tё nxjerr konkludimin se: “Lufta e Tahir e Nebih Mehaj, ishte njëra ndër levat kryesore qe e nxiti dhe e fuqizoi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Kosovë në vitet e kthesës së madhe historike të periudhës 1981-1990. Ajo kundërvënie e armatosur- luftë e këtyre dy trimave tё Drenicës kundër forcave policore të Perandorisë Jugosllave, jehoi larg dhe sensibilizoi faktorin demokratik ndërkombëtar, zgjoi shqiptarët e përgjumur, dhe u tregoi atyre se kishte ardhur momenti i sakrificës së madhe për “Liri a vdekje”.
Zhvillimet historike nga rënia heroike e Tahir e Nebih Mehës kanë vërtetuar rendësin e aktit sublim tё sakrificës sё tyre. Heroizmi i tyre u kuptua dhe u vlerësua drejtë nga individ e familje, madje edhe nga i gjithë populli shqiptar qe po dergjej nga robëria e vrazhdë sllave dhe shpejt u shndërrua nё një kod kombëtar, me porosi qe të mos lëvizet as një milimetër nga rruga dhe amaneti i Mehajve dhe i tё gjithë dëshmorëve të tjerë tё kombit se vetëm me sakrifica sublime arrihet liria.
Nga ajo qe u tha më lartë për Librin e autores Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha, “Qëndresa shekullore e familjes-Tahir Meha”, të cilin e promovuam ditë më parë në qytezën e Skenderajt, po atu ku para 34 viteve Tahir e Nebih Meha e zhvilluan luftën e tyre të lavdishme, me plotë të drejtë konstatoj se lexuesit shqiptar në Kosovë dhe me gjerë i ofrohet një libër i rëndësishëm për historinë tonë të dhimbshme por krenare i mbështetur në dokumente arkivore të proveniencave të ndryshme dhe i cili e begaton përmbajtjen serioze të historiografisë shqiptare dhe me gjerë.
Lavdi e respekt i përjetshëm për dëshmoret Tahir e Nebih Mehajn, dhe për të gjithë dëshmorët qe u flijuan për lirin e atdheut.
Falënderim të sinqertë për autoren Basha, tё cilën e pёrgezojmё dhe e urojm që të vazhdoi tё na ofroi libra- margaritar tё tjerë tё ngjashëm.
Prof. dr. Haki Kasumi- Recensent, Skënderaj 13 maj 2015