Prishtinë, 21. 05. 2016: Enciklopedistët e Malit të Zi të sotëm nuk mund t’i referohen pashmangshmërisë historike se vetëm ata janë pasardhës autokton të arealit malazias. Unë nuk e di se çfarë do të jetë një malazez i ndryshëm nga një shqiptar i po të njejtës lagje ose fshati. Është fjala për popullatën e njejtë, dhe dallimi është aty se, njeri ka zgjedhur një, dhe tjeri gjuhën e dytë, ndërsa në shtëpi flasin gjysmë shqip, gjysmë gjuhë malazeze. Në këtë kontekst, do të ishte fyerje jo vetëm për shqiptarët por edhe për popullatën malazeze, që edhe sot në shek. XXI në FJALORIN E AKADEMISË MALAZEZE të përdoret ndonjë termin si, bie fjala “Albanizacija”, “poturica”, e ndonjë tjetër, të riprodhuara nga shkollat antropologjike të Garashaninëve dhe të Cvijiqëve të shek. XIX dhe fillimeve të shek. XX, shkolla këto, që më së shumti i kanë sjellur dëme vetë popullatës malaziase.
Qëllimet janë të qarta, rikthimi i Biogradit atje, praktikë kjo tashmë e parë disa herë gjatë Historisë Moderne të Malit të Zi.
Qëllimi im kësaj radhe është vetëm t’ju tërheqi vëmendjën autorëve të Fjalorit të Akademisë Malazeze se, gjatë gjithë mesjetës në kontinuitet me ilirët, si dhe gjatë shekujve të parë të sundimit osman, Arbërit kanë përbërë pjesën më të madhe të popullatës të arealit të Malit të Zi të sotëm.
I ndeshim edhe si sundimtar shteti siç ishte Koçopari në shek. XII (Ljetopis Popa Dukljanina, SKA, posebna izdanja, knj. LXVII, filozofski i filološki spisi, knj.18, ed. F. Šišić, Beograd 1928, p. 359).
Burimet mesjetare, madje edhe njerëz të oborrit mbretëror nemanjid, si, G. Camblaku dhe K. Filozofi, gjithashtu Malin e Zi të sotëm e shohin si pjesë të Arbërisë (Stare srbske biografije, ed. L. Mirković, Beograd 1936, pp. 28, 78-79, 110. K. Filozof, Žitije despota Stefana Lazarevića, Beograd 1989, pp. 96, 97, 115, 120, 121). Malin e Zi (Zetën) të sotëm, edhe vetë Car Dushani, në një kartë të riprodhuar në vitin 1349, e konsideronte si pjesë përbërëse të Arbërisë (Istorija C. Gore, II-2, Titograd, 1970, p. 138).
Mirëpo, ajo që tërheqë më tepër vëmendjen është se kryeqendra e sotme e Republikës së Malit të Zi, PODGORICA në mbështetje të dokumenteve zyrtare të Republikës së Raguzës, që mbajnë vulën e vitit 1443, është përfshirë në kuadrin e konceptit Arbëri (Državni Arhiv u Dubrovniku, regjistrat e serialit, Lamenta de Foris, fleta. 216 verso).
Sundiuesit e huaj, që kishin kontakte me këto anë, gjithë bregdetin malazias e konsideronin pjesë të Arbërisë (Notes et extraits pour servir a l’historie des Criosades au XV-e siecle, I, Paris 1889, p. 239).
Edhe Republika e Venedikut, e cila zotëronte disa qytete bregdetare të Adriatikut Jugor, Malin e Zi (Zetën) e shohin si pjesë të Arbërisë. Kështu një e dhënë që doli nga zyra venedikase më 1440, thotë: “Budua e Zeta dhe vende të tjera të Arbërisë”.
Se arbërit bashkëjetonin si shumicë me sllavët e romanët në të gjitha qytetet bregdetare dhe në prapatokën e tyre, dëshmohet edhe në radhonjtë e statuteve të Kotorrit, të Buduas dhe të Grbaljska Zhupës (Bibliotheca Nazionale Marciana, MSS Italiani C I. II. No. 38 [5197]; Statuta et leges civitas Buduae […]. Zagrabiae: JAZU, 1882-3; Statuta civitas Cathari, Venetis 1616, etj.)
Njoftime të ngjashme burimore të dorës së parë do të ndeshim prore deri nga kapërcyelli i shekullit XVII, kur ndërrimet e strukturës fetare të popullatës vendore do të krijojnë kushte të reja për një simbiozë interesante etnike, e cila ka tërhequr dhe tërheqë edhe sot e gjithë ditën vëmendjën e shumë studjuesve të njohur jo vetëm të Ballkanit por edhe të Europës dhe më gjerësishtë!