Pashtriku.org, 21. 04. 2015 – (Vazhdon informimin e denjë “Përpjekja Kosovare” nr. 3) – Organi i Lidhjes Kosovare “Përpjekja Kosovare”, nr. 3, sikurse edhe numrat e mëparshëm të saj edhe më tej kishte vazhdua traditën për të informuar në mënyrën më të drejtë botën e qytetëruar për politikën e dhunës që përdorej nga pushteti ndaj popullatës shqiptare si në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në tokat tjera shqiptare.
“Përpjekja Kosovare” nr. 3, po ashtu ka të njëjtin format, A-4, sikurse që kishin numrat e mëparshëm të saja. Në këtë numër, vërehej vetëm një dallim, se kopertinat e numrit 3, kanë ngjyrën vjollce të mbylltë dhe vazhdon të trajton tema të ndryshme me karakter kombëtare. Sipas të dhënave që na ofrohen nga organi i organizatës politike, thuhej se është i botuar në Paris, me 28.11. 1957, dhe ende llogaritet se është viti i parë i botimit .
Po ashtu edhe ky numër fillon me një letër drejtuar të gjithë kosovarëve brenda e jashtë atdheut.
Në shkrimin “Letër Kosovarëve”, po ashtu është pa emër të autorit, pa pseudonim, por në të shkruhet: Kosovarë, sot mbushën plot 45 vjet që u ngrit në Vlorë, Flamuri i Shqipërisë. Në Kuvendin e popullit shqiptar që vendosi Lirinë e Pavarësinë e Kombit tonë. Murrën pjesë atë ditë edhe përfaqësuesit e Kosovës. E përfaqësoi Shqipërinë Etnike i biri i Abdyl Frashërit, punëtori i aftë i Atdheut, Midhat Frashëri, mori pjesë Rexhep Mitrovica, ngau me vullnetar Kosovarë Isa Boletini. Kosova nuk mund të rrinte larg Ditës së Flamurit, sepse qe ajo që në fillim të këtij shekulli, me kryengritjen e Mitrovicës, të Ferizajt, të Prishtinës, të Shkupit, bëni të ndihej në botë, me zë armësh e drejta e kombit shqiptar. Me sulmet e Bajram Currit e të Isa Boletinit u arri, më 1912 ke autonomia e pikave të Junikut, që kërkuan dhe shënuan njohjen e Kombit Shqiptar. Mirëpo fati i keq i Shqipërisë e deshi që bash Kosovës, e cila kishte derdhë gjakun ma të shumtë për liri të saj, t’i falesh nga Evropa, një vjet më vonë, fqinjit të veriut, pa pyet dëshirat tona, pa marr parasysh vullnetin tonë, pa shikua se me gjuhë e zakone e histori ishin pjesë e pandarë e Atdheut të humbur thuhej në letrën drejtuar kosovarëve.
Më vonë artikullshkruesi vazhdon: Kosovar, kanë kalua 44 vjet nga copëtimi i Kombit tonë edhe na ende jemi besnikët e Vendit tonë. Gjithnjë punojmë, gjithnjë luftojmë kundër padrejtësisë, gjithnjë shpresojmë për më të mirën. Për të vazhduar se “po të mos ishte kështu, nuk do të derdhesh gjaku i Kosovës nëpër zagnat e lirisë shqiptare. Nuk do të dalshin dëshmorët e kohës sonë për me pohua shqiptarësinë e saj. Po të mos ishte kështu, gjyqi i Prishtinës, i Shkupit, i Prizrenit nuk do i dënonte në vitin e kaluar, djelmoshat guximtar të Kosovës pse kremtuan në robëri Ditën e Flamurit, pse ëndërruan lirinë si ushtarët e një atdheut. Se, kohën në të cilën po jetojmë na rrëfen gjithnjë se robëria nuk mund të përjetësohet mbi kryet e një populli të gjallë e të vendosur, se të drejtat fitohen me punë dhe me qëndresë. Për këtë ka dalë Komiteti “Lidhja Kosovare”. Për ti kujtua botës se kemi një Atdhe, një Flamur. Rroftë Shqipëria , dhe shkrimi mbante firmën e Kryetarit të Komitetit “Lidhja Kosovare”, Dr.Nexhat Mitrovica.
Kush ishte Dr. Nexhat Mitrovica?
Dr. Nexhat Mitrovica kishte lindur më 15 shkurt, 1912, në qytetin e Mitrovicës dhe në vitin kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur. Nexhat Mitrovica përndryshe ishte djalë i atdhetarit të madh të Kosovës, Rexhep Mitrovica. Shkollimin fillor e kishte filluar në Mitrovicë, për ta vazhduar në Shkup e Tiranë e për ta përfunduar në Vjenë. Po ashtu në Vjenë e kishte fillua dhe përfunduar gjimnazin. Nexhat Mitrovica duke e parë se populli shqiptar kishte nevojë për intelektual, por jo do si do. Me ndihmën dhe ndikimin e babait të tij Rexhep Mitrovica, ai kishte vazhdua shkollimin superior në Midvajda të Gjermanisë, duke studiuar një vit të fakultetit në drejtimin e inxhinierisë (Technique en Saks). Për shkak se i ndërpresin bursën, qe i detyruar që të ndërpres shkollimin, që më vonë kalo në Paris, ku studioi në Fakultetin e Elektroteknikës në Institutin Politeknik të Grenoblit. Veç kësaj ai paralel studionte dhe e përfundoi edhe Fakultetin e Shkencave Politike në Paris. MË 1942, pas përfundimit të studimeve, u kthye në Shqipëri, ku qëndroi deri më 1944 , ku po në këtë vit u largua përfundimisht për në Francë, për të mos u kthyer kurrë më në vendlindje. Nexhat Mitrovica gjatë tërë jetës pati vetëm një breng dhe një dëshirë shumë të madhe që ta shoh një ditë Kosovën e lirë dhe të pavarur, po ashtu kishte mall edhe babanë – Rexhep Mitrovicën i cili jetonte në Turqi. Në vitin 1949 duke e parë aktivitetin e madh atdhetar të Nexhat Mitrovicës, anëtarët e Organizatës politike “Lidhja Kosovare”, atë e propozuan për kryetar të saj. Gjatë kësaj periudhe, sa ishte kryetar i organizatës, Nexhat Mitrovica zhvilloi një aktivitet të dendur në drejtim të çështjes kombëtare dhe kudo që mundi, pati mundësi dhe iu krijuan kushtet ai asnjëherë nuk heshti por me një dashuri të pashoq ndaj Kosovës dhe Shqipërisë ngriti zërin dhe sensibilizoi çështjen e saj. Asnjëherë nuk pushoi duke propaganduar në kancelarit perëndimore padrejtësitë e mëdha që i bëri pushteti jugosllav, shqiptarëve dhe tokave të tyre të okupuara padrejtësisht.
Tani jeton në Paris, ka dy vajza dhe një djalë.
Informim i denjë për çdo gjë në Kosovë
Në gazetën “Përpjekja Kosovare”, lexuesit njoftoheshin për çdo gjë, po them kështu, ngase lexuesi njoftohej për gjerat e rëndësishme që mund të vinin deri tek informatat e sakta, por që në të njëjtën kohë ishin edhe tejet të trishtuara.
Në një faqe të gazetës, në shkrimin “Lirimi nga burg”, shkruhej për të burgosurit politik, anëtarët e “Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare”, të dënuar në Shkup më 1949, të cilët ishin lirua nga burgu me urdhër të autoriteteve maqedone. Porse të gjithë këta pas daljes nga burgu, kishin ngelur të pa punë dhe në vështirësi të mëdha përball jetës. Ky shkrim ishte i shkurtër por me shumë simbolik, ngase njoftoheshin organizatat ndërkombëtare, se shqiptaret edhe pse për veprën e kryer ndëshkoheshin me shumë vite burgu, megjithatë kjo për pushtetin jugosllav nuk mjaftonte, porse pas daljes nga burgu për të burgosurit politik shqiptar ndëshkimi vazhdonte edhe më i rreptë, por edhe më i rëndë. E vështirë ishte për ata të burgosur jashtë qelive të burgut ngase për ta nuk gjendej askund ndonjë vend pune, që ata bile për vete dhe për familjen e ngush të tyre të siguronin ekzistencën. E kjo në vendet e civilizuara nuk ndodhte kështu.
Dalja nga burgu me kusht
Ndodhte në të shumtën e rasteve që të burgosurve politik shqiptar, daljen nga burgu iu kushtëzonin me plotësimin e kushteve të ndryshme, që për të burgosurit politik shqiptar ishin të pa pranueshme. Shpesh më ka rënë të lexoja në dosjet e ndryshme të të burgosurve, se si organet e ndjekjes atyre personave iu bënin shantazhe, iu bënin presione duke përdorur dhunën në skajshmëri, por edhe duke iu vënë këso kushtesh siç shkruan edhe kjo gazetë.
Në shkrimin “Lirimi me kusht”, ceket se “Autoritetet Jugosllave të Kosovës kanë lajmua të gjithë të dënuarit e vitit të kaluar nëpër qytetet e ndryshme se të gjithë ata nacionalist që do të kërkonin emigrimin për në Turqi, kanë me u lirua menjëherë nga burgu. Të rinjtë shqiptar që ndodheshin në burgje anë e këndë Jugosllavisë, këtij kushti iu janë përgjigjur se pëlqejnë më shumë burgun se sa dheun e huaj sado mirëpritës që janë, shkruan gazeta.
“Vetëvrasjet” e shpeshta në burgjet e Jugosllavisë
Në gazetë shkruhet edhe për “vetëvrasjet”, që viteve të fundit filluan të manifestohen si dukuri në burgjet jugosllave. Vetëm se shtrohet pyetja athua vallë, sa vërtet këto vrasje mund të quheshin “vetëvrasje” siç i quanin pushtetarët apo ndodhte e kundërta. Në burgjet jugosllave dihej se deri në ditët e fundit të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë është punuar në mënyrë institucionale me elaboratet e Vasa Çubrilloviqit.
Sa më shumë shqiptar të vdekur aq më i madh do të jetë patriotizmi ndaj atdheut, thoshin pushtetarët serb. Siç dihej, shqiptaret e burgosur politikisht në burgjet jugosllave edhe pse si popull për nga numri ishim populli i tretë, në burgjet jugosllave ishin shumicë, dhe mu nga ky fakt dëshmohet se shumë nga ata nuk arrinin që deri në fund të mbanin burgun, disa i paraqitnin si të sëmurë rëndë dhe “vdisnin” nga disa s’mundje që kurrë nuk ishte dëgjuar për to. E disa nga ata i mbytnin me dajak ose i helmonin në burg e më vonë i shpallnin si të “vetëvrarë”, e populli liridashës me kohë e kishte kuptuar lojën e tyre, dhe nuk iu besonte broçkullave të tyre.
Për një rast nga mesi i shumë rasteve të tilla shkruante dhe njoftonte opinionin e gjerë edhe gazeta “Përpjekja Kosovare” me shkrimin “Vetëvrasje dëshpërimi”. Autori në këtë shkrim shkruante për një toger, Rexhep Mitrovica, që kishte përkrahur “Lëvizjen Nacional-Çlirimtare”, ai kishte qenë thjesht një njeriu i mashtruar si shumë të tjerë nga propaganda serbe e jugosllave se do ti jepej liria Kosovës, sipas parimeve të Leninit, ai ishte i dëshpëruar dhe kishte vrarë veten në burgun e Tetovës. Në një letër të shkrua ai kishte rrëfyer gjithë deziluzionin e vet për regjimin komunist në Jugosllavi, duke thënë se i jepte fund jetës, për me e ndëshkua veten, se kishte përkrah një “Lëvizje“ që punoi kundër shqiptarëve, shkruan në letrën e Rexhep Mitrovicës.
Ikja e shqiptarëve nga Kosova për në Shqipëri
Shtypi i mërgatës në vazhdim i kushton rëndësi të madhe largimit të shqiptarëve nga trojet e tyre. Veç që në vitet 1953/56, me që ishte e intensifikuar shpërngulja për Turqi, në vitet në vijim vërehej edhe një ikje nga shqiptarët e Kosovës e sidomos të zonave kufitare që arratiseshin edhe për Shqipëri.
“Të rrejtur nga fjalimi i Enver Hoxhës, Sekretarit të Partisë Komuniste të Shqipërisë, i cili me vonesë dhe me interesa ruse, qoi zanin para disa kohe për me e mbrojt Kosovën e kosovaret nga shtypja e regjimit të Titos, disa të rinj janë arratisë nga Kosova dhe kanë hy në Shqipëri.
Në mesin e tyre të ikurve kishte kalua fshehurazi kufirin edhe një redaktor i gazetës në gjuhën shqipe “Flaka e vëllazërimit” që delte në Shkup. Ky kishte marr arratinë ashk me motrën dhe të vëllanë që të dy arsimtar , shkruan në shkrimin “Arratisje prej Kosove në Shqipëri”
Të gjithë kundër shpërnguljes për Turqi
Gjatë viteve të egra nën pushtimin jugosllav dhe gjatë kohës së shpërnguljeve të mëdha për Turqi, atdhetaret e shumtë dhe intelektualët e pakt që ishin në atë kohë, ishin të organizuar dhe kishin marr hapa konkret që në një mënyrë apo tjetër të ndikonin që të ndalnin shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e veta. Armiku kishte intensifikuar në mënyrë të organizuar që tek popullata shqiptare të ndikonte në çdo mënyrë dhe të përdorte çfarëdo mjeti që sa më shumë shqiptarë të shpërnguleshin nga Kosova duke aplikuar metoda të ndryshme dhune e terrori. Jo rastësisht mu në këto vite u shpik aksioni i mbledhjes së armëve nga organet e sigurimit, pastaj u mbajtën shumë procese të montuara politike gjyqësore, dhe në fund u ripërtëri marrëveshja për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi.
Atdhetaret duke e parë se vendi po zbrazej nga popullata, ata morën shumë aksione për ta ndalua këtë lum të gjatë të ikjes. Gazeta “Përpjekja Kosovare”, shkruan në numrin 3, të saj se “Në çdo qytet e katund të Kosovës janë ngarkua njerëz që të ndalojnë emigrimin e kosovarëve për në vende të tjera, duke iu dhënë zemër popullit me qëndrua e me durua të gjitha vuajtjet dhe persekutimet” shkruan gazeta.
Ndërpritet hovi i shpërnguljes
Pas alarmimit që bënë mërgata shqiptare në qarqet ndërkombëtare, dhe pas ankesës që bëhej nga ana e tyre në Ministrin e Punëve të Brendshme në Turqi, pushtetarët turk pas këtij reagimi, filluan të kenë më tepër kujdes se kush shpërngulej dhe kush shkonte në Turqi. Ajo me të madhe pas kësaj filloi të ketë kujdes ndaj shqiptarëve dhe paraqiti disa kushte për ata që donin që të shpërnguleshin. Dhe me kohë, filloi qeveria Turke që të zvogëloi numrin e dhënies së vizave për në Turqi.
Gazeta “Përpjekja Kosovare“ në artikullin “Konsullata Turke në Jugosllavi nuk u jep viza Kosovarëve” shkruan se “Në kohët e fundit, konsullata turke në Beograd e në Shkup, sipas udhëzimeve të qeverisë së tyre, nuk iu japin viza kosovarëve edhe kur paraqiten me formalitete të kryera. Tash konsullatat bëjnë vet hetimet, u kërkojnë dokumentet e vjetra të tyre, i provojnë nëse e dinë gjuhën turqishte, e të tjera. Ata që ishin përgatit që të niseshin kanë fillua të thonë se po i gjen belaja e vitit 1936. Atëherë disa kishin shitë pasurinë e tyre në Kosovë, por në vend që të shkonin në Turqi, ngelën në vend, mbasi Ataturku largpamës, e prishi marrëveshjen Stojadinoviq-Aras. Edhe autoritetet jugosllave nuk janë duke i ndihmua e shty më Kosovaret për me ndërrua kombësinë. Kanë kuptuar ata se edhe kosovaret nuk janë të interesuar me u largua nga toka e trashëguar shkruan në tekstin e gazetës.
Intervistë me prapavijë të rëndë politike
Në faqet e gazetës mund të ndodhte që të gjenden edhe komentimet e intervistave të ndryshme që jepnin udhëheqësit komunist shqiptar. Në mesin e shumë intervistave ishte edhe biseda që kishte bë Mehmet Shehu, në gazetën “New York Times”, në Njujork.
Gazeta shkruan se “Ka bë një përshtypje të keqe në të gjithë kosovaret intervista që i dha më 28 të gushtit 1957, në Tiranë, kryeministri Mehmet Shehu, korrespodentit të “New York Times’, përsa i përket marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë. Kjo pjesë u vu në dukje në gazetat që botohen në gjuhën shqipe në Shkup e në Prishtinë. Mehmet Shehu deklaroi se marrëdhëniet me Jugosllavinë janë çështje të një familjeje socialiste, e cila mosmarrëveshjet i zgjidhë brenda gjirit familjar ”, thotë Mehmet Shehu.
Mërgimtarët kosovarë dhe aktiviteti i tyre
Mërgimtarët shqiptar e veçanërisht ata që ishin me prejardhje nga Kosova, edhe pse ishin larg tokave të tyre assesi të harronin se nga vinin. Andaj ata ishin të vetëdijshëm se familja, të afërmit dhe vet tokat shqiptare po vuanin si askush në botë nën dhunën serbe. Për të ndihmuar dhe për të përkrahur vëllezërit e tyre të ngelur në Kosovë, ata kishin marr dhe kryer shumë aktivitete që propagandonin situatën tepër të rëndë, tek personalitetet dhe organizatat e fuqishme e me ndikim në botë. Nënkomiteti i “Lidhjes Kosovare” që vepronte në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, iu kishte drejtua një letër z. Senatorëve Paul H. Douglas dhe Everett M. Dirksen, duke ua theksuar gjendjen e popullit shqiptarë në Jugosllavi. Në vazhdim po japim disa pjesë të saja: “Vendasit shqiptarë të Ilinoisit, shfaqin mospëlqimin e tyre për ndihmën ushtarake dhënë regjimit jugosllav si dhe për vizitën që ka ndërmend ta bëjë Tito në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe daljen e tij në televizor. Dëshirojmë t’iu shpjegojmë se ka mbi 1.300.000 shqiptarë që rrojnë nën regjimin komunist në krahinën e Kosovës. Kësaj popullsie nuk i kanë dhënë asnjë të drejtë vetëmbrojtjeje si grup kombëtar dhe si njerëz. Që prej nëntorit 1944 e deri në maj 1945 regjimi i Titos ka vra ma se 45.000 mijë shqiptar dhe ka djegë qytete e katunde të tëra duke masakruar gra e fëmijë të pafajshëm. Në maj 1945 komunistet jugosllav morën me mija të rinj shqiptar dhe i detyruan që të shkonin në Serbi e Mal të Zi. Më se 35.000 nga këta të rinj, nuk u kthyen në shtëpitë e veta. Nga këta, 3.500 u vranë me mitraloz në Mal të Zi, dhe 2.000 të tjerë u mbytën me gaz helmues. Ky terror ende vazhdon në Kosovë. Më 1956 me mija njerëz u rrahën me dru, u burgosën e u mbyllën në kampe përqendrimi. Torturuan njerëzit dhe mbyllën shkollat e pakta” shkruan në vazhdim mërgata kosovare.
Rëndësi e veçantë në letër iu kushtohet organizimeve të proceseve gjyqësore gjithandej ku jetojnë shqiptaret. Veçantë flitet për proceset politike gjyqësore që mbahen në Prishtinë, në Shkup, në Prizren që ishin organizua në vitin e kaluar ndaj shqiptarëve. Të gjithë këta u dënuan me vite marramendëse burgu të rëndë vetëm e vetëm gjëja se kishin marr pjesë dhe kishin qenë anëtar të një organizate ilegale që kishte veprua në trojet shqiptare të okupuara, me qëllimin e vetëm që ti mbronin popullin nga shtypja jugosllave. Më se 36 shqiptarëve iu kishin shqiptua dënimet në këto gjykatore të okupuesit. Veç që dënoheshin me vite burgu, ata kishin edhe metoda të tjera dhune shtesë, si mos lejimin në vendet e punës, pengimin në shkollimin e mëtejshëm, ndalimin e mësimit në gjuhën shqipe, ndalimin e përdorimit të flamurit në festa kombëtare, shtetërore e familjare etj.
Në letër thuhej edhe kjo se qëllimi i politikës jugosllave, jo vetëm i kësaj të tanishmes por edhe të asaj së kaluarës, kundër popullit shqiptar të Kosovës është një politikë kolonizuese dhe shfarosëse pa asnjë kujdes për të drejtat e njeriut ose marrëveshjet ndërkombëtare që i caktojnë statutin e pakicave etnike. Thuhej në shkrimin “Aktiviteti i Kosovarëve në mërgim”.
Shtypi i huaj përkrah kosovaret
Shtypi i huaj veç problemeve që trajton e që ishin aktuale për kohën, shpesh në faqet e tyre mundë të gjeje edhe shkrime që përkrahnin çështjen e pazgjidhur shqiptare në ish-Jugosllavi. Gjatë leximit të gazetës së mërgimtarëve tanë “Përpjekja Kosovare” në shumë faqe të saja kam hasur shkrimet dhe komentet që ishin të huazuar nga gazetat e popujve të tjerë që jetonin dhe vepronin në mërgim e që ishin me origjinë nga Jugosllavia e formuar artificialisht.
Në këtë drejtim duhet cekur shkrimet e gazetës të mërgimtarëve kroat “Danica” që shkruan në superalativë për angazhimin dhe punën e madhe që bëjnë mërgimtarët shqiptar. E aq më tepër duhet cekur se kjo gazetë çmon lartë punën e shqiptarëve dhe iu jep të drejt dhe i përkrah në qëllimet e tyre.
Në mes tjerash gazeta “Danica” gazetë e mërgimtarëve kroat, që botohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me 7 gusht 1957, botoi edhe këtë shkrim: “Komiteti Shqiptar “Lidhja Kosovare”, që përfaqëson Shqiptarët e Fushë Kosovës, ka filluar të botoi në Parisë buletinin e tij “Përpjekja Kosovare”. Në numrin e saj të parë, buletini lajmon se “Lidhja Kosovare”, është pranua si anëtare e “Bashkimit Federalist të Pakicave Etnike Evropiane”. Komiteti ka këto synime :
1. Me i bashkua Kosovaret në mërgim dhe me i rendua përpjekjet e tyre për mbrojtje të Kosovës;
2. Me i dhanë zemër qëndresës së grumbulluar etnike shqiptare në Jugosllavi kundër shtypjeve ;
3. Me lajmua botën e lirë për padrejtësitë dhe shtypjen që bahet pakicës shqiptare në Jugosllavi;
4. Me luftua për çlirimin e Kosovës;
5. Me luftua që kombi shqiptar, i lirues dhe i bashkuam të gjejë pavarësinë e tij në një regjim demokratik dhe të jetë faktor paqe në Ballkan.
Simpatia e të gjithë kroatëve është në anën e shqiptarëve të lirë dhe demokratë. Prandaj ne do të ndihmojmë që krahinat shqiptare në Jugosllavi të çlirohen në bazë të vetëvendosjes së popujve dhe të bashkohen në një Shqipëri të lirë dhe demokratike, e cila është aleati i ynë i natyrshëm në luftën tonë kundër imperializmit dhe idesë mendjemadhe serbe, përfundon gazeta kroate “Danica”.
Përkujtim heronjve të kombit
Në faqet e veta “ Përpjekja Kosovare”,
njofton lexuesit e vet se me një pietet të lart ajo nderoi dhe nuk i harroi heronjtë e kombit të vet. Me 6 të vjeshtës së Dytë Kosovare, në NewYork, kishin shkua tek varri i Midhat Frashërit, bashkë
me grupe të tjera shqiptare, për me përkujtua shqiptarin e madh.
Në emër të Komitetit “Lidhja Kosovare”, kishin vu një kurorë me lule me këtë mbishkrim: Lumo Skendos-Atit të Shqipënis së Vërtetë” , Lidhja Kosovare.
(VIJON…)
_______________
PJESA E PARË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: PËRPJEKJET E GAZETËS ‘PËRPJEKJA KOSOVARE’ NË MËRGIM (1)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=3897