PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: REVISTA ‘LIRIA’ ZËDHËNËSE E REZISTENCËS KOMBËTARE (8) /E FUNDIT/

Pashtriku.org, 10. 05. 2015 -Në të gjitha këto luftëra, si në humbje dhe në fitore , në vitet e gjata të robërisë, në tërë historinë e tij, populli shqiptar nuk e humbi asnjëherë vetëqenien dhe vetëdijen kombëtare, kompaktësinë dhe unitetin e tij. Në çdo rrethanë ai i ka manifestuar ato me një vitalitet të jashtëzakonshëm e shembullor. Pas një historiku të shkurtër që jepet për luftërat e popullit shqiptar, në referat vëmendje të posaçme i kushtohej situatës aktuale në Kosovë në mes tjerash thuhej se “ Pas Luftës së Dytë Botërore populli shqiptar dhe popujt e Jugosllavisë luftuan së toku e në aleancë të ngushtë kundër pushtuesve fashist italian e gjermanë. Edhe shqiptarët që jetonin në Jugosllavi, luftuan me heroizëm tok me ne dhe me të gjithë popujt e Jugosllavisë kundër të njëjtëve armiq. Jo vetëm luftuan së toku, por ushtria e jonë u shkoi në ndihmë partizanëve jugosllav e vëllezërve kosovar dhe në tokat e tyre derdhi gjakun e bijve e të bijave të popullit shqiptar. Ne vepruam siç na mësonte Partia Komuniste e Shqipërisë, me ndërgjegje e me frymë të lartë internacionaliste. Ne mendonim se kështu do të fitohej liria nga popujt e të dy vendeve tona, do të zhdukej robëria dhe do të ndreqeshin gabimet tragjike të historisë së kaluar. Ne besonim se pas fitores çdo gjë do të zgjidhej në rrugën marksiste- leniniste. Garanci për këtë ishin partitë komuniste që udhëhiqeshin LNÇ-në e të dy vendeve. Por bindja e jonë te “komunizmi dhe internacionalizmi” i udhëheqësve jugosllav, besimi te fjalët e tyre nuk u vërtetua. Në fakt, udhëheqja e Partisë Komuniste të Jugosllavisë nuk e shikoi kurrë drejt e në rrugë marksiste- leniniste çështjen e së ardhmes së shqiptarëve në Jugosllavi, prandaj edhe do ta zgjidhte, siç e zgjidhi gabim e shtrembër, në rrugë nacionaliste e shoviniste, plotësisht antimarksiste.
Autori vazhdon më vonë se “Zgjidhja e gabuar e kësaj çështje të madhe e parimore filloi që në mbledhjen e dytë të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Jugosllavisë, mbajtur në Jajce në nëntor të vitit 1943, ku viset shqiptare në Jugosllavi u përdorën si një mjet për të rregulluar përmasat tokësore e të popullsisë së republikave të Federatës, veçanërisht të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. E ardhshmja e shqiptarëve të Jugosllavisë u vendos apriori nga lart, pa aprovimin dhe vetëvendosjen e popullit shqiptar të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi dhe pa as më të voglin konsultim me aleaten e popujve të Jugosllavisë, e interesuar drejtpërdrejtë në këtë çështje. Shqipërinë Popullore udhëheqja e PKJ-së në kundërshtim me “politikën e barazisë nacionale” të shpallur në mbledhjen e dytë të AVNOJ-it, shkeli pa të drejt vullnetin e shqiptarëve në Jugosllavi, të shprehur në mbledhjen themeluese të Konferencës Parë të Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovën dhe Metohinë, mbajtur në Bujan më 31 dhjetor 1943 deri më 2 janar 1944 , që ishte në përputhje të plotë me të drejtën e “vetëvendosjes deri në shkëputje “të popujve që përbënin Jugosllavin dhe që ishte përcaktuar në dokumentet themelore të Partisë Komuniste e të Lëvizjes Nacionalçlirimtare Jugosllave. Për sa i përkiste konsultimit me Shqipërinë Popullore për zgjidhjen e këtij problemi historik, udhëheqja jugosllave e quante apriori të panevojshme. Ajo ishte kundër një konsultimi të tillë, pse e dinte që një diskutim parimor marksist- leninist e miqësor ndërmjet udhëheqjeve të të dy vendeve tona, duke marrë parasysh edhe vullnetin e tyre në Jugosllavi, do të çonte në një zgjidhje të drejtë dhe jo shoviniste- arbitrare e nacionaliste, si ajo që ndërmori udhëheqja jugosllave. Pas luftës, në vitin 1946, një delegacion i vendit tonë, shkëput autori nga diskutimi i Enver Hoxhës që kishte kryesuar vetë ai, bëri vizitën e parë zyrtare në Jugosllavi. Në bisedimet që ishin zhvilluar me këtë rast me Titon, ky kishte kërkuar të dinte se ç’mendonte udhëheqësi shqiptarë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare në Jugosllavi. Me këtë rast ai kishte shprehur mendimin e palës shqiptare se Kosova dhe viset e tjera të banuara nga shqiptaret i përkasin Shqipërisë dhe duhet ti ktheheshin asaj . Shqiptarët luftuan që të ketë një Shqipëri të lirë e sovrane, së cilës tani duhet ti bashkohen edhe viset shqiptare të Jugosllavisë. Presidenti Tito i ishte përgjigjur: “Jam dakord me pikëpamjen tuaj, por tash për tash nuk mund të bëjmë dot këtë gjë, sepse serbet nuk dot na kuptonin”.Ky premtim zyrtar i Titosë për këtë problem të madh e parimor nuk u shoqërua me asnjë veprim të mëtejshëm nga ana e jugosllavëve. Çdo gjë kishte qenë mashtrim nga ana e tyre. Në zgjidhjen e gabuar në Jajce, në copëtimin e tokave shqiptare dhe në mohimin e shprehjes së vullnetit të lirë të shqiptarëve dhe në mohimin e shprehjes së vullnetit të lirë të shqiptarëve qëndron gabimi themelor, me karakter nacionalist e shovinist, i udhëheqjes jugosllave që u pasua nga gabime të tjera po aq të rënda në lidhje me të drejtat e ligjshme e të natyrshme të shqiptarëve, të cilët akuzoheshin nga serbomëdhenjtë si “shovinistë”, “nacionalistë”, e “irredentistë”. Në këtë zgjidhje shumë të gabuar të çështjes nacionale në Jugosllavi dhe sidomos të entitetit shqiptar prej afro 2 milion banorësh, gati sa gjithë popullsia e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, e kishin burimin ngjarjet e kohëve të fundit në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në Jugosllavi. Edhe në periudhën kur ndërmjet vendit tonë e Jugosllavisë dhe të dy partive kishte marrëdhënie të mira, problemi i shqiptarëve në Jugosllavi ishte një “gjë hekuri” në këmbët e jugosllavëve. Kërkesat e pakënaqësitë e shqiptarëve as nuk shqyrtoheshin, as nuk zgjidheshin politikisht në rrugën e mirëkuptimit, por me dhunë, me masa të egra administrative . Shqiptarët akuzoheshin për nacionalizëm dhe kjo bëhej për të fshehur shovinizmin dhe nacionalizmin serbë. Asgjë nuk mund ti mbuloj dhe ti justifikojë represaliet e përgjakshme kundër shqiptarëve më 1945, më 1968 e përsëri më 1981, diskriminimin e tyre, lënien në varfëri, shtypjen nacionale, mohimet e dallimet në fushën e arsimit dhe të kulturës. Rënia në fatkeqësi e grupit tjetër serbomadh të Rankoviqit, në vitin 1966, e më vonë e grupit tjetër serbomadh të Nikeziqit, shënojnë periudhën e demagogjisë politike të titistve ndaj Kosovës dhe kosovarëve. Nevoja për balancimin e forcave të ndryshme brenda federatës, çoi në njëfarë rishikimi formal të statusit ë Kosovës, e cila nga krahina e thjeshtë e Serbisë, u emërua krahinë “autonome “ e saj.

Prishtinë, 1 Prill 1981: Hydajet Hyseni, duke folur para demonstruesve.

Me dashje ose pa dashje të serbëve, kjo situatë e re u dha mundësi shqiptarëve në Jugosllavi dhe sidomos kosovarëve, të zgjeronin arsimin, të ngrinin Universitetin e Prishtinës, të zhvillonin kulturën , të mësonin historinë e popullit të tyre, të vendosnin kontakte dhe marrëdhënie arsimore- kulturore dhe ekonomike me Shqipërinë, në bazë të ligjeve të Federatës dhe të marrëveshjeve zyrtare midis RPSSH dhe RSFJ. Por baza ekonomike e Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës mbeti përsëri shumë e dobët, u la pas dore .
Ngjarjet që kanë ndodhur pas vdekjes së Titos, kanë treguar se sa gabim e në ç’rrugë “antimarksiste ishte zgjidhur çështja nacionale në Jugosllavi dhe veçanërisht çështja e shqiptarëve. Kërkesave të tyre të ligjshme brenda Kushtetutës iu kishte dhënë një grusht i rëndë dhe i përgjakshëm nga ana e udhëheqjes shoviniste serbe dhe e të gjithë udhëheqjes jugosllave pas demonstratave që u bënë në Kosovë., në mars e prill të këtij viti . Ani, më shumë se kurdoherë tjetër, mbi kosovaret dhe mbi gjithë shqiptaret në Jugosllavi përveç gjendjes ekonomike të mjeruar , rëndon edhe shtypja e egër nacionale. Mbi të është vendosur ligji i terrorit, është derdhur policia dhe ushtria serbe, burgjet janë mbushur plot me të rinj e të reja. Masat që janë marrë dhe po merren, shkojnë jo vetëm drejtë zhdukjes së çdo të drejte të ligjshme e të atyre pak përfitimeve që u dukën në zhvillimin e arsimit e të kulturës, por edhe drejt shkombëtarizimit të shqiptarëve në Jugosllavi. Dhe kjo bëhet nga ata që pretendonin të respektonin dokumentet e Konferencës së Helsinkit mbi lirit e të drejtat e njeriut. Opinioni botëror duhej të mos qëndronte indiferent, por të alarmonte për këtë gjendje dramatike te popullsisë shqiptare në Jugosllavi. Shtrohet pyetja ç’kërkuan në fund të fundit shqiptaret në demonstratat masive që u zhvilluan në qytetet e fshatra të ndryshme të Kosovës. Shqiptarët në Jugosllavi më se një herë me demonstrata paqësore dhe pa demonstrata, kanë kërkuar që gjendja e tyre kushtetuese, ekonomike dhe social- kulturore të ndreqej, të të vihej në rrugë të drejtë brenda ligjeve të Federatës, ata kërkuan të kenë statusin e Republikës brenda RSFJ-së. Ata nuk kërkuan as shkëputje nga Federata, as bashkimin me Shqipërinë. Por, kërkesave të drejta e të ligjshme të studentëve, punëtorëve, fshatarëve e intelektualëve kosovarë as ua vuri veshin kush. Jo vetëm kaq, por ata, si edhe të tjera herë kur kanë paraqitur kërkesa të tilla të ligjshme e të drejta, ishin cilësuar si nacionaliste, ishin persekutuar dhe ishin mbytur në gjak. Po të ecshin në rrugën që kishte zgjedhur dhe po ndiqte udhëheqja e sotme jugosllave, kundërshtimet e shqiptarëve do të vazhdonin, do të rriteshin dhe do të acaroheshin akoma më shumë. Vetëm një zgjidhje e menduar mirë e çështjes nacionale pa pasione nga të dy palët, një zgjidhje që do të pranohej e të aprovohej nga populli i Kosovës do të likuidonte këtë situatë shumë të ndërlikuar, të cilën e kishin krijuar jo kosovaret, por shovinizmi serbomadh. Kosovaret kishin dhënë zgjidhjen më të drejt e më të përshtatshme në këto situata të vështira për Jugosllavin dhe për veten e tyre. Kërkesa për ti njohur Kosovës statusin e Republikës brenda Federatës ishte një kërkesë e drejtë, ajo nuk e cenonte ekzistencën e Federatës . Krerët serbe e jugosllave, në vend që të arsyetonin, dërgonin forca ushtarake të cilat e gjakosën popullin dhe zhvillonin fushatë të gjerë për të famshmin diferencim, duke bërë hetimin policor kush ishte pro e kush ishte kundër demonstratave. Kjo mënyrë veprimi solli terror, pastaj gjoja me “diferencim” do të përpiqeshin të frikësonin masat që nuk frikësohen, të zhdukësh patriotizmin që nuk zhduket, të kesh iluzionin se ke qetësuar gjendjen, por ke ngjallur mërin dhe zemërimin të mendosh se ke sjellë “njerëz të besuar” në pushtet, të cilin e ke spastruar nga “nacionalistët” etj. Por kur e ke e gjithë popullin në rezistencë të heshtur, atëherë më me forcë do e ngrejë zërin kundër padrejtësive që po bëheshin. Këtë situatë s’donin ta kuptonin udhëheqësit jugosllav.
Për të vazhduar më tej autori të citonte diskutimin se: “E ne iu themi hapur këto të vërteta dhe kërkojmë që problemi i Kosovës dhe i gjithë shqiptarëve në Jugosllavi, i zgjidhur gabim, të ri-studiohet me gjakftohtësi dhe të mos shkohet me dhunë e terror, të lirohen nga burgjet djemtë e vashat kosovare. RPSSH e akuzojnë se ndërhynë në punët e brendëshme të Jugosllavisë, bile atë akuzojnë se nxit turbullira në Kosovë e gjetkë. Dhe si i nxit ajo këto turbullira? Nëpërmjet marrëdhënieve arsimore e kulturore zyrtare. Shkohet deri atje sa të thuhet se RPSSH bënë kauzë të përbashkët me reaksionin politik shqiptar në mërgim, të cilën ne e kemi luftuar dhe e luftojmë me të gjitha forcat tona .
Shqipëria nuk ka bërë ndonjëherë rivendikime tokësore ndaj Jugosllavisë. Por, duke mbajtur këtë qëndrim ne s’kemi mohuar dhe s’do të mohojmë kurrë faktin se në Jugosllavi rron një pjesë e madhe e kombit dhe e popullit shqiptar. Ne kemi mbrojtur dhe do të mbrojmë edhe në të ardhmen, me të gjitha forcat e në rrugë marksiste-leniniste, të drejtat e ligjshme të vëllezërve tanë shqiptar matanë kufirit dhe kjo nuk është ndërhyrje ne punët e brendshme të Jugosllavisë. Kjo është e drejtë e jonë e pamohueshme.
Çështja e Kosovës është një tragjedi. Autoritetet jugosllave duhet të pushojnë terrorin dhe persekutimet ndaj shqiptarëve, të likuidojnë shtypjen nacionale dhe tu njohin atyre të gjitha të drejtat që u takojnë. Për zgjidhjen me drejtësi të problemeve ata duhet të bisedojnë qetësisht, me gjakftohtësi dhe në barazi me popullsinë shqiptare në Jugosllavi” , përfundon shkrimi për Kosovën dhe diskutimin e Enver Hoxhës në Kongresin e Tetë të PPSH.
5. 6. Dhuna – përditshmëri kosovare
Në shkrimin e Kadri Zekës “Edhe një akt i poshtër shovinist” , bënë fjalë për aktet e ndryshme të dhunës që aplikohen në Kosovë nga pushteti okupues serb. “Vargut të masave të egra që shovinistet serbomëdhenj po ushtronin ndaj popullit tonë, iu shtua edhe një akt i poshtër në shumë pjesë të Kosovës, u pengua përcjellja e emisioneve të Radios dhe të televizionit shqiptar. U vu kështu në jetë kërkesa që kishte bërë para sa muajsh shovinisti me damkë, Dushko Ristiqi dhe antishqiptaret e tjerë të tërbuar, si ai. Krerë të ndryshëm shovinistë e tradhtar, dikur deklaronin plotë fodullëk se nuk kanë nevojë ti pengojnë emisionet e radiotelevizionit shqiptar dhe as që ti pengojnë njerëzit që të njohin realitetin shqiptar, të cilin e quanin të mjerueshëm, e aq më pak flisnin kundër këtij kualiteti, pasi siç thoshin ata, ai nuk mund të ndikonte fare në opinionin në Jugosllavi. Më vonë ata u detyruan të bënin fushat të paparë shpifjesh e trillimesh kundër Shqipërisë dhe kur e panë se as kjo nuk mjafton, se kështu i nxirrnin sytë e vetës, ata u detyruan që në këto momente të vështira krize që po kalonin, të harxhonin miliarda për të blerë instalime, me të cilat do të pengojnë emisionet e Radiotelevizionit shqiptar. Në kanalin e valëve të televizionit shqiptar , shovinistet kishin vendosur perden e zezë, në mënyrë që njerëzit tanë të mos mundtë shohin diellin e lirisë, kurse në vend të tingujve gazmor të çiftelisë e gërnetës që i penguan ata, lëshuan një zhurmë të bezdisshme, që të ngjan në kuisjen e një bishe që po jep shpirt. Në këtë mënyrë, shovinistet donin ta ndanin e izolonin krejtësisht popullin tonë nga bota që e rrethonte dh sidomos nga Shqipëria Socialiste dhe kështu ta mbyllte brenda kafazit të tyre shovinist, ta përpunonte atë, ta zhvishte nga çdo frymë patriotike e kombëtare, ta ç’shurrte e degjeneronte plotësisht. Por, shovinistet serbomëdhenj, edhe në këtë rast i kanë bërë gabim llogaritjet e tyre. Populli shqiptar në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, nuk do të bëhej kurrë siç duan ata. Ai e kishte kuptuar të vërtetën, e kishte gjetur rrugën e tij dhe nuk kishte forcë në botë që mund ta ndalte në rrugën e lirisë dhe përparimit. Asnjë perde nuk mund ta pengonte rrezatimin e diellit të lirisë, asnjë zhurmë e kuisje prej bishe nuk mundte ta pengojë zërin e Atdheut. Populli ynë thotë: “Dielli me shoshë nuk mund të mbulohet”. Shkrimi përcillej edhe me një karikaturë, ku shihet Dushko Ristiçi i hipur mbi një tank, ku e shoqërojnë fjalët “ne jemi vendi më human në botë…”
5. 7. Feja – alibi i dobët për pushtetarët
Në një skicë-shkrim të Hydajet Hysenit “I mbyturi kapet edhe për feje” thuhej se “Për qëllimet e tyre të errëta antishqiptare, shovinistet jugosllavë dhe tradhtarët, po mundohen të shfrytëzojnë gjithnjë e më shumë edhe fenë. Për këtë qëllim , kohët e fundit, krerët më të lartë të Serbisë, Kosovës e Maqedonisë, organizuan takime me personalitete më të larta fetare dhe u munduan ti fusin edhe ata në fushatën antishqiptare. Në këtë mënyrë ata donin t’i mashtronin besimtaret e ndershëm dhe ta përçajnë popullin tonë që ishte i bashkuar sikur më parë, pa dallim feje e bindjeje politike, në luftë për të drejta e liri.
Veç shkrimeve me tematika politike, në revistën “Liria” kohë pas kohe botoheshin edhe shkrime të ndryshme për poetët tanë të mëdhenj kombëtar siç ishin Naimi, Çajupi, Noli etj. Në ketë numër autori Berat Luzha na prezanton jetën, veprimtarin dhe kontributin e madh kombëtar të poetit të mjerimit siç e quanin ndryshe – Migjenin, në shkrimin “Poeti i madh revolucionar” që botohej me rastin e 70 vjetorit të lindjes së poetit. Revistën e bënë edhe më të pasur numrin i shtuar i poezive patriotike që botoheshin në ketë numër. Pastaj kemi disa vargje që pas leximit të vëmendshëm ke përshtypjen se janë të shkruara nga një poet i talentuar që e donte fortë Kosovën, Shqipërinë dhe çdo gjë që është shqiptare. Në poezinë “Shqipja e furtunës” kushtuar dëshmorit të demonstratave Naser Hajrizit, poeti militant, Ismail Syla paraqet ditët e marsit e të prillit, kur Naser Hajrizi ndodhej në ballë të demonstratave, deri sa ra dëshmor më 2 prill 1981. Ndërsa në poezinë tjetër të Ismail Sylës “Rinia ime”, paraqitet rinia e viteve të 80-ta, ku poeti me një modesti pak si të tepruar paraqet se si rinia e atyre viteve kishte ngjyrën e bozhureve të Kosovës dhe ngjyrën e flamurit, kishte zemrat e zjarrta, dhe ishte e pamposhtur në barrikada dhe përfundon poezinë duke thënë se “Rinia ime heroikja / është e jotja Republika”, kështu që me një optimizëm përfundon se pa marrë parasysh sakrificat që do i bëjë, megjithatë ajo do të kurorëzohet me shpalljen e Kosovës – Republikë, dhe mu për këtë arsye ia vlen edhe të vdisje edhe të jetohet për këtë.  Autorja Teuta Hadri shkroi poezinë: “Dy yjeve të pashuar” që iu kushtohet dy luftëtareve të shquara Bule Naipit dhe Persefoni Kokëdhimes, kurse poezia tjetër që i kushtohet “Kosovës”, autori me një dashuri të madhe shkruan për Kosovën si një vend e fole e shqiponjave, por mjerisht okupatorët e shumtë atë e kanë lidhur në pranga , dhe mu ky vend i cili me shekuj e gjakoi lirin, u rriten trimat me nam e me fletë që tani duan t’ia kthenin nderin e nëpërkëmbur. Autori me një dashuri e mall shkruan për kohërat kur luftuan trimat me radhë, gjeneratë pas gjenerate, siç ishin : Azem e Shotë Galica, Bajram Curri e Isa Boletini, si dhe rinia e madhe e trime e Kosovës , andaj edhe këto vargje që të prekin në shpirt siç ishin: “Eja moj pranverë e kuqe / Qe të lulëzojë Kosova ime / Eja ditë e ëndërruar me shekuj / Falë të qoftë rinia ime”, sa është e kuptimplote, aq edhe është e dhembshme. Rinia e Kosovës gjatë tërë historisë ishte e gatshme që më parë të japin jetën se sa të jetonin të robëruar e të shtypur. Andaj edhe lindi parulla “Jetën e japim, Kosovën se Japim”. Në faqet e revistës, veç poezive , ilegalistët u kujdesën që të botonin edhe tekste për këngë, që më vonë këto u shpërndanin u mësonin përmendësh, dhe të rejat e të rinjtë tan, gjatë demonstratave dhe në qelit e burgut i këndonin me një zë të lartë. I tillë ishte edhe teksti i këngës “Kosovarë dhe kosovare” i autorit Hydajet Hyseni, që ishte shumë e lehtë për tu mbajtur në mend dhe kishte plotë ritëm dhe një sens të veçantë për turmat, autori bënë apel te masat e gjëra që të ngritën në këmbë për lirin e atdheut, dhe njëherë e për gjithmonë ta shporin armikun nga trojet tona , citojmë : “Kosovarë dhe kosovare / të ngrihemi ne për liri / të lidhemi me besë shqiptare / pranë flamurit kuq e zi / Ti ngremë grushtet përsëri / më mirë vdekje se robëri” , Robëria shekullore ishte ajo që tërë popullin e Kosovës si një trup i tërë u ngrit në demonstrata, për të manifestuar edhe një herë jetën e padurueshme nën thundrën e okupatorit.
5. 8. Dezinformimi- armë e dobët në duart e okupuesit
Artikulli “Demagogjia nuk mund ta mbulojë dhunën dhe terrorin” nga autori Nezir Myrta një vëmendje të posaçme i kushtonte dezinformatave që dalin nga shtabet e posaçme të sistemit, të cilat në opinionin e gjerë fusin dezinformata, me një qëllim të caktuar që te njerëzit e ndershëm të krijonin dyshime dhe dilema që po ato dezinformata shkaktonin dame të mëdha tek lëvizja ilegale shqiptare, dhe shtonte autori “Këto kohët e fundit në shtyp, radio televizion u shkrua, dhe u fol me të madhe për “aksionet e shumta punuese” që u organizonin me pjesëmarrjen e njësive të armatës dhe policisë së ardhur në Kosovë, nga viset e ndryshme të Jugosllavisë. Artikuj, shënime e reportazhe të shumta ngrinin në qiell rëndësinë e madhe të këtyre “aksioneve” për forcimin e dashurisë dhe unitetit në mes rinisë sonë dhe njësive të ushtrisë e policisë, për farkëtimin e harmonisë dhe bashkëjetesës në mes tyre, për forcimin e vëllazërimit e bashkimit në mes tyre etj… Gati sa nuk thuhej se këto njësi nuk kanë ardhur këtu për tjetër, por për të ndërtuar rrugë dhe ura, për të hapur kanale e për të ndërtuar ujësjellës, për të rregulluar oborret e shkollave e fabrikave tona, për të pyllëzuar malet tona. Me anën e këtyre rasteve qesharake, shovinistet serbomëdhenj po mundoheshin ta gënjenin e mashtrojnë opinionin në Kosovë edhe jashtë saj. Edhe me këtë rast shovinistet po mashtronin veten , kur po mendonin se njerëzit janë aq naiv sa të gënjehen aq kollaj dhe të hanin gjellën bajate që e servirëte kuzhina propagandistike e serbomëdhenjve. Se cili ishte misioni dhe qëllimi i vërtet i njësive të huaja policore e ushtarake , tani e dinë mirë sidomos ne, kosovaret, që për muaj të tërë po i ekspozoheshin dhunës dhe terrorit të tyre fashist. Populli i ka parë me sytë e tij hienat e Beogradit si i masakronin , rrihnin, poshtëronin dhe plaçkitnin studentët tanë të pambrojtur, si qëlluan me bomba, snajperë, e automatikë mbi trupat e njom të motrave e vëllezërve tanë, si i ngritën kapakët e tankerëve dhe qëlluan mbi fëmijët tanë, si i qëlluan dhe i torturuan edhe të plagosurit, si i rrihnin dhe i poshtëruan njerëzit e pafajshëm , vetëm e vetëm se ishin shqiptar… Ai i ka parë këta kriminel, si lavëronin varrezat me tanke , si i sulmonin njerëzit në shtëpitë e tyre me tanke e helikopterë, si qëllonin popullin me automatikë në mes të qytetit të tyre, i kishte parë ata të shkelnin edhe atje ku nuk mund të durohej, në nderin dhe dinjitetin tonë…
Gjatë këtyre muajve të rëndë dhe gjatë gjithë historisë së tij, populli i ynë kishte parë shumë, prandaj ai nuk mashtrohet më .Ai nuk gënjehet nga demagogjia dhe hipokrizia e atyre që natën lyejnë duart me gjakun më të mirë të bijve të popullit, kurse ditën , organizojnë “aksione të përbashkëta vullnetare” me të rinj tanë, atyre që hapën gjithë ato varre të reja dhe tani dashkan ta nderojnë dhe zbukurojnë vendin tonë, të vëllazërohen dhe të bashkohen me ne… Jo , vëllazërim me vrasësit e tij gjakatarë, populli i ynë nuk ka pasur e nuk do të ketë kurrë. Për ta populli i ynë ka vetëm urrejtje. Se cili është qëllimi i vërtet i tij për njësit e saja pushtuese, tregon ajo që ndodhi në Prekaz, e tregon përleshja në Gjakovë dhe varrimi madhështor i të riut Nesimi që u vra mizorisht nga këto njësi, tregon përleshja në Podujevë, protesta në Qendrën e Studentëve e tregon urrejtja që ruhet në sytë e çdo kosovari, tregojnë parullat që po shkruhen anë e këndë Kosovës me kërkesën e njëzëshme :Policë të huaj shkoni në shtëpinë tuaj! “. Artikullin e shoqërojnë edhe tri fotografi , që paraqesin ngjarjet e mars-prillit në Kosovë.
5. 9. Vet sakrifica si dëshmi e atdhedashurisë
Në shkrimin e Kadri Zekës “Asnjë pëllëmbë të tokës shqiptare, nuk e lëshojmë për pa dalë fare” , nga vet titulli mund të supozojmë se i ngjan më tepër një kushtrimi apo apeli që iu drejtohet popullatës së robëruar. Shkrimi është i shkruar rrjedhshëm , qartë dhe qëndrimet që dalin nga ky shkrim janë shumë të kapshme. Viti që shkoi u karakterizua nga vlimet revolucionare që përfshin mbar Kosovën dhe viset tjera shqiptare në Jugosllavi. I gjithë populli i ynë dhe rinia e tij e kuqe u ngritën në këmbë për të kërkuar të drejtat dhe liritë e mohuara, për të kërkuar Republikën e Kosovës. Kërkesat e drejta të popullit tonë, u përkrahen dhe u mbështetën fuqimisht edhe nga punëtorët kosovarë në mërgim, të cilët gjatë gjithë vitit zhvilluan një aktivitet të dendur patriotikë e luftarak. Ata qëndruan të patundur në përkrahje të studentëve, punëtorëve e fshatarëve, në mbështetje të mbarë popullit të Kosovës. Kjo e tërboi si UDB-en ashtu edhe përfaqësuesit diplomatike në perëndim, të cilat nuk lanë mjet pa përdorur e gurë pa lëvizur për ti shmangur punëtoret nga rruga e tyre e drejtë. Por përpjekjet e tyre shkuan huq. Punëtoret as nuk u përçan as nuk u tremben, nga presionet. Tani, kur punëtoret kanë filluar të vijnë për pushime në vendlindje, pranë familjeve të tyre, udëbashët e herleviqit nuk po organizojnë “takime” me punëtoret (pasi e dinë se nuk shkon kush në to, edhe po të shkojnë, punëtorët kërkojnë llogari, si viteve tjera), por kanë ndërmarr një fushat të paparë burgosjesh e arrestimesh. Shumë punëtor janë arrestuar ende pa arritur në shtëpi kurse qindra të tjerëve u është rrethuar shtëpia , pa u çmallur mirë me njerëzit e familjes dhe janë flakur qelive. Gjithashtu një numër i konsiderueshëm i punëtorëve , çdo ditë po merret në pyetje me kërcënime e presione të shumta . Aq larg kanë shkuar shovinistet serb dhe veglat e tyre në Kosovë sa ti akuzojnë punëtoret për vepër penale, pse janë anëtarësuar në klubet e punëtorëve shqiptar në mërgim .
Masa të jashtëzakonshme po ndërmerren edhe në vendkalimet kufitare, ku punëtoret shqiptar malltretohen, kontrollohen imtësisht dhe mbahen në burgim kufitar, pa asnjë faj me ditë e javë të tëra.
Gjatë këtyre ditëve që punëtoret ndodhen në Kosovë, po shohin për së afërmi, dhunën dhe terrorin e pashoq, që po ushtron regjimi mbi rinin e popullit tonë, po shohin edhe masat e shumta antishqiptare, që po ndërmerren me qëllim që t’ia zënë frymën popullit tonë, ta nënshtrojnë e shkombëtarizojnë atë.
Të gjitha këto bashkë me brutalitetin policor si dhe situatat e vështira e të ndërlikuara që po kalon Kosova. Çdo ditë e më tepër po i kalitin punëtorët tanë mërgimtar, që ti kalojnë vështirësitë e sulmet e gjithë anshme të armiqve. Kjo po shprehet çart në qëndresën e vendosur, të shumicës dërmuese të punëtorëve, që u dënuan dhe të atyre që janë në hetime e në presione.
Një nga synimet kryesore të serbomëdhenjve (të cilën mërgimtarët dhe populli i ynë i kanë kuptuar me kohë), është që përmes masave represive e presioneve të detyrojnë njerëzit tanë (sidomos rinin) të marrin rrugën e botës, për të mos u kthyer kurrë më në Kosovë. Situata kritike që po kalon tani Kosova , nuk është e para në historinë e popullit tonë. Gjyshërit dhe baballarët tanë, u lidhën fortë me njëri tjetrin dhe të bashkuar qëndruan të papërkulur , në tokat shqiptare, të trashëguara dhe të lara me gjak nga të parët tanë . Ata me trimëri të rrallë i bënë ballë masakrave e brutalitetit të kralëve serbë dhe terrorit të fashistëve italian e gjermanë. Më vonë po me të njëjtën qëndresë përballuan gjenocidin titist dhe krimet e UDB-es e Rankoviqit. Shembulli i tyre, duhet të jetë një frymëzim i madh për çdo shqiptar. Prandaj, sot për çdo shqiptar të ndershëm e patriot, vihet si detyrë e dorës së parë, që të ngulitet fortë në vendlindjen e vet dhe pa marrë parasysh vuajtjet e sakrificat të mos largohet e t’ia kthej shpinën Kosovës. Në këtë mënyrë, ne dot shkatërrojmë një planë të rrezikshëm e djallëzor të armiqve. Sot më shumë se kurrë, Kosova jonë e dashur, ka nevojë për bijtë e vet. Në këto situata, të braktisësh atdheun (qoftë edhe me pretekstin se do të ndihmojë luftën edhe nga jashtë) është barazi, me atë që quhet sabotim i luftës. Të ikësh sot nga Kosova është njësoj sikur ti çosh duart nga istikami, kur armiku kërkon dorëzimin tënd. Në përgjithësi këtë të vërtetë e kanë kuptuar punëtorët tanë në mërgim, prandaj janë aq shumë të lidhur me vendlindjen dhe fatet e atdheut .
Më siguri në të ardhmen edhe qëndresa e përpjekjet e tyre, do të forcohen e konsolidohen edhe më tepër. Revista “Liria”, me këto shkrime domethënëse më së shumti u shpërndante në mërgim dhe të mërgimtarët tanë, kështu rolin që e kishte te ata ishte i pazëvendësueshëm për qëndresën e tyre dhe për gjeturin e tyre para organeve hetuese që i pritnin në Kosovë.
5. 10. Letrat e mërgimtarëve
Në mesin e shumë shkrimeve që gjenin vend në faqet e revistës, ishin edhe diskutimet e shumta që bënin punëtorët tanë në takime të shumta anë e kënd shteteve perëndimore, që ata punonin për kafshatën e gojës. Shkrimi i Ismet Rashitit “Letër Kosovës” , është pjesë nga fjala e një punëtori kosovar mbajtur në mbrëmjen festive të 28 nëntorit, organizuar nga punëtorët shqiptar në R.F. Gjermane.
Mërgimtari ynë i vuajtur dhe trim fjalën e vet e fillon me fjalinë domethënëse “Mirëmbrëma Kosova jonë heroike!
Ne bijtë e tu mërgimtar, bijtë e tu të ndershëm, jemi tubuar në këtë natë, të festojmë 28 Nëntorin, ditën e flamurit tonë të lavdishëm dhe ditën e çlirimit të nënës sonë Shqipëri.
Nëna jonë e dashur Kosovë, gjendemi larg gjirit tënd dhe të njerëzve tanë, por gjithmonë marrim frymë së bashku me ty. Të kujtojmë nëna e jonë e dashur në ëndërr e në zhgjëndërr dhe sa herë të mendojmë për ty na rrjedhin lotët rrëke faqeve tona të zbehura.. Ne vërtet jemi larg atdheut , por nuk harrojmë amanetin e vëllezërve dhe motrave tona , djemve dhe vajzave , nënave dhe baballarëve tanë, që na porositën të qëndrojmë besnik ty nënë Kosovë. Kjo porosi sidomos tani është bërë kushtrim për ne, kur shovinistët serbomëdhenj kanë vu një peshë të rëndë mbi trupin tonë plotë plagë. Për të vazhduar më tutje se “ Jemi tubuar sonte bijtë e tu besnik dhe çdonjërit i shihen rrudhat e ballit për ty Kosova jonë hallemadhe. Në këtë natë, na kujtohet çdo gjë që po ndodhë mbi trupin tënd të bukur , na kujtohen torturat e shumta që bënë policia speciale e Beogradit dhe kriminelët e UDB-es mbi vëllezërit tanë, mbi motrat tona të ndershme, mbi bijtë tu revolucionar dhe me lot në faqe nderojmë heroizmin e tyre dhe qëndresën tënde .
Ne mërgimtarët tu me kohë të jemi betuar se kurdoherë na ke me vete. Për ty nuk do të kursejmë as pikën e fundit të gjakut. Luftën tonë të drejtë do ta çojmë deri në fund , peshën e rëndë që ke ti o nënë Kosovë, motoja e përgjithshme në marrshin tonë ngadhënjimtar është: Ja vdekje, Ja liri! Mërgimtari ynë i devotshëm përfundon diskutimin e tij me fjalët më të zgjedhura dhe më të fuqishmet: Rroftë populli i ynë heroik! Rroftë Kosova jonë kreshnike! Rroftë 28 Nëntori- Dita e flamurit!
5. 11. Mesazhi i një të arrestuari
Në faqen e 14 të revistës “Liria”, hasim në një shkrim të Kadri Zekës, që ishte i titulluar “Lamtumirë vendlindja e dashur Kosovë !” , shkrimi fillonte me “Të dashur lexues, Demonstratat paqësore që i zhvilloi në mars e në prill të këtij viti populli i ynë, shovinistet serbomëdhenj i shtypen me zjarr e hekur. Njësit e policisë speciale shtinë pa pushim mbi demonstruesit e pa armatosur dhe vranë qindra vëllezër e motra tona. Vala e dhunës dhe terrorit policor nuk u ndal as pas demonstratave masive dhe po vazhdon me tërbim të papërmbajtur. Qeveritarët e Beogradit dhe tellallët e tyre në Kosovë, ngulën këmbë se në të gjitha demonstratat që u zhvilluan në krahinë, nga dora e policisë u vranë vetëm nëntë veta. Por e vërteta e hidhur nuk mund të mbulohet me asnjë gënjeshtër … Populli që ishte autor dhe dëshmitar i këtyre ngjarjeve tragjike dhe të lavdishme, tërhoqi nga thinjët e çetnikëve me dhjeta kufoma gjatë demonstratave . Shumë shqiptar tjerë të pafajshëm, u rrëmbyen dhe u zhdukën nga patrullat policore që kishin zënë çdo rrugë e skutë, që edhe sot e kësaj dite nuk dinë kush për fatin e tyre.
Populli thotë: dardha e ka bishtin prapa”,kriminelët titistë, tani pas sa muajsh, kanë filluar ti kthejnë ë kufomat e shumë viktimave që deri më tani i “ruajtën” nëpër frigoriferë, duke trilluar rreth vdekjes së tyre. Kështu ndodhi edhe me një të ri patriot, nga një fshat i komunës së Vuçitërnës. Ishin ato ditë heroike kur i gjithë populli ynë ishte ngritur në këmbë dhe kishte dalë në demonstrata, për të kërkuar të drejtat e veta. I ndjeri drejtohet për në spital, që të dërgonte një të afërt të plagosur në demonstrata. Posa hynë në oborrin e spitalit , njësit e policisë serbe, që pritnin “gjahun” u turrën me rrëmbim drejtë tyre, ndërsa shoqëruesi kapet nga duart e milicëve gjakatarë. Që nga ajo ditë kaluan muaj të tërë, familja Ademi nuk diti gjë për birin e vet që e rriti dhe e shkolloi me njëqind mundime . Para pas pak ditësh Aliu, vëllai i tij, merr telegramin e kobshëm nga Zagrebi, ku thuhej; “Të vini të merrni kufomën, që ka vdekur në fatkeqësi komunikacion…” dhe asnjë shpjegim tjetër nuk epej rreth tij. Në të vërtetë i ndjeri u rrëmbye dhe u torturua për vdekje nga udbashët kriminelë. Këtë e vërteton letra e shkruar nga vetë dora e tij, para se ta linin forcat e fundit. Letra që po botonin në origjinal i drejtohet nënës së tij, ajo tregon çartë për moralin e lartë të tij edhe në ato qaste kritike, për dashurinë e pakufishme ndaj Kosovës së dashur, fletë për qëndresën heroike dhe idealet e larta, të njërit nga shumë yjet e pashuar, që anë kësaj pranvere për lirin e popullit dhe atdheut. Në vazhdim po e japim ashtu siç edhe është e shkruar në gazetë letrën e atij djaloshi në formë poezie: “Në vend të panjohur jam qëlluar / plagë të rënda më kanë rrokë mua / dora më punon një letër me shkruar / n’paqin mundësi, vëllezërit kufomën në shtëpi me ma pru / Dil përpara dhe pritëm mua / hiq pa lot fytyrës t’u lotuar / se për vëllezërit shqiptar jetën e kam ndërrua / për vëllezërit shqiptar, Kosovë Republikë / për të drejtat e popullit, që barbarët i kanë grabitë / Qoftë dhe rroftë populli shqiptar martir / Trashëgues i aspiratave gjerë në fitoren përfundim / janë përshëndetjet e mija të fundit / që mbetën përgjithmonë / Lamtumirë nëna ime krenare / Lamtumir vendlindja e dashur Kosovë .
Pas këtyre vargjeve- letër që të copëtonin zemrën ky fat i mallkuar i të riut nga Vushtrria, pasojnë edhe disa poezi. Poezia e Teuta Hadrit “Amanet moj nënë” , është një vjershë që i kushtohet një të riu i cili vdes në fushën e betejës, por para se të vdiste i lë nënës një amanet, dhe me ngulm kërkon që ajo ti përmbahet. Citojmë :” Kudo që të vdes moj nënë / dua trupin të ma kërkosh / dua lot të mos derdhësh / me flamur kur të më mbulosh, për të vazhduar pastaj : “kur flamuri të më mbulojë / ti mos qaj, moj nëna ime / I qetë në varrë do të pushoj/ Paskam rënë për tokën time. Po në këtë frymë patriotike ishin edhe poezitë: “Rroftë Kosova, Republikë“, e Hydajet Hysenit “Kosovë e kuqe” dhe “Kjo tokë të rriti” e Teuta Hadrit.
Në faqen e parafundit të revistës është një tufë e madhe me poezi që janë të shkruara enkas për këngë revolucionare e patriotike., këto janë edhe disa këngë që janë kënduar edhe më herët në popull, por këtu i hasim më të përpunuara dhe të përshtatura rrethanave dhe kohës. Ta zëmë teksti e këngës “Besa Besë”, ku autori Nezir Myrta shkruan : “Besa besë një besë kemi dhënë / Ty Kosovë ne të kemi nënë / Të kemi dhënë besë, e të kemi dhënë fjalë / Shpirt e zemër të kemi falë/ etj…etj…Ose kënga “Ushton toka e Kosovës”, ku autori Hydajet Hyseni adapton këngën e Grykës së Kaçanikut, me atë të Kosovës, dhe kështu lind refreni “Hej moj Kosovë o shkëmb e gurë / Vritesh e pritesh- o për flamur /Me armikun o grykë për grykë / Për liri o për Republikë/, ose kënga “Moj Kosovë o moj malësore” (Hydajet Hyseni), që është e përshtatur nga kënga “Mori Shkodër”. Është për tu habitur se si poeti në një mënyrë të mrekullueshme bënë përshtatjen e këngës me atë të aktualitetit, citojmë : “Moj Kosovë, moj malësore / Pak na duke e shumë na dole/… “Herleviq o krye lopa / S’na frikëson me tanke , me topa/ As me topa, as me aviona / jem shqiptar o e jem shqiponja/. Ose kënga “O trima luftëtarë” – Hydajet Hyseni, me vargjet “Se mjaft më moj Kosovë / Ne vuajtje, robëri / O djem shtrëngoni grushtet / Ja vdekje, ja liri/. Kënga “Kam qëndisur një shami” e Saime Isufit, është këngë e përshtatur dhe thuhej “Kam qëndisur një shami / Me shqiponjë kuq e zi / Mbi shqiponjë kam shkruar pa frikë / Rroftë Kosova, Republikë/. Në të njëjtin stil është shkruar edhe kënga “Ratë ju për Kosovë” e Hydajet Hysenit, me vargjet : “Ratë ju për Kosovën / Ratë ju për liri / Lavdi ju qoftë o lule / Lavdi për jetë lavdi/.
5. 12. Detyrë e parë e okupuesit – asimilimi i shqiptarëve
Në faqen e fundit të revistës jepet një shkrim ku vë në shënjestër asimilimin e popullit shqiptar në republikën e Maqedonisë. Në shkrimin “Shkolla shqipe në shënjestër të shovinizmit maqedonë” , ku thuhej se “ Udhëheqja titiste, që krijoi prej leckash Federatën jugosllave , pasi ripushtoi tokat shqiptare , filloi të vejë në zbatim bile edhe më me vendosmëri, politikën asimiluese dhe shkombëtarizuese ndaj popullit tonë të filluar që nga kralët serb. Natyrisht , në këtë kuadër , Titoja me shokë u kujdes që edhe klikës shoviniste të Kolishevskit, ti mbetej pjesa “ e vëllait të vogël” në tokat shqiptare.
Kështu pa pyetur vullnetin e popullit tonë dhe as gjakun e tij të derdhur , për të jetuar i lirë e i bashkuar u lanë territore të tëra shqiptare nën mëshirën e shovinistëve të tërbuar maqedonë. Për këtë nuk pati kundërshtime as klika shoviniste serbe e Rankoviqit, pasi ishte e bindur se miku i zemrës Kolishevski me shokë, do të tregohej edhe më i papërmbajtur se edhe vetë ai në shkombëtarizimin e sllavizmin e tokave shqiptare. Dhe në të vërtetë ashtu ngjau. Historia dyzetë vjeçare e popullit tonë në Maqedoni , është nga më të trishtueshmet. Mbi popullin tonë në Maqedoni u bënë masakra masive dhe u ushtrua terror i vazhdueshëm policor, me mija shqiptar të pafajshëm , u dënuan dhe u kalbën në burgun famëkeq të Idrizovës e në kapedome tjera. Në nivel republikan u formuan institucione e shtabe të veçanta me qëllim që të përjetojnë pushtetin maqedon në tokat shqiptare.
Në shërbim të këtij plani, u shpërngulën me dhunë dhjeta, mija shqiptar dhe në vend të tyre po sillen elemente sllave, nga Greqia e vende të tjera. Masa të jashtëzakonshme janë ndërmarrë e po ndërmarrën kundër kulturës e shkollës shqipe. Dhe po të flasim me gjuhën e fakteve del se mbi 23 mijë fëmijë shqiptar, mësojnë në gjuhën maqedone dhe kjo përbën gjysmën e numrit të përgjithshëm të nxënësve shqiptar, kurse gjysma tjetër mësimin e ndjekin në të dy gjuhët dhe vetëm një pjesë e vogël (kryesisht nxënësit e viseve malore, kanë të gjitha lëndët në gjuhën shqipe), Për absurditete, këtë gjendje, Sekretariati Republikan për shkencë e arsim të Maqedonisë, përpiqet ta shpjegojë me “dëshirën e nxënësve dhe prindërve të tyre , që mësimin ta ndjekin në gjuhën maqedone.

Për habi nuk dihet deri më tani ndonjë rast, që fëmija maqedonë , të ketë shprehur dëshirën të mësojë në gjuhën shqipe apo në ndonjë gjuhë tjetër. Në këtë drejtim gjendja paraqitet më kritike në shkollat e mesme e të larta, ku shovinistët maqedonë në pretekstin e “mungesës së kuadrit”, të “vëllazërim- bashkimit”, “patriotizmit jugosllav” etj, pjesën dërmuese të nxënësve e studentëve shqiptar i kanë detyruar të mësojnë në gjuhën maqedone. Shembull tipik për këtë është Universiteti i Shkupit, në të cilin studiojnë 2365 shqiptar. Nga të gjitha fakultetet e degët që i ka ky universitet vetëm në Akademinë Pedagogjike, dega e Gjuhës Shqipe , për studentët shqiptar mësimi është organizuar në gjuhën amtare. Për këtë arsye si dhe për diskriminimin e gjithanshëm që iu bëhet studentëve shqiptar, para pak kohe u organizua një protestë e fuqishme , nga studentët shqiptar.
Gjithashtu edhe standardi jetësor i tyre është shumë i ulët në krahasim me mesataren e studentëve të Republikës.
Nga numri i përgjithshëm i shqiptarëve në këtë universitet, vetëm 489 veta shfrytëzojnë bursë ose kredi, kurse në shtëpitë e studentëve (barakat e mbetura që nga tërmeti i vitit 1963), banojnë 430 studentë shqiptar, prandaj protestat e tyre, nuk përmbanin vetëm kërkesën që mësimi të zhvillohet në gjuhën shqipe por në vetvete ngërthenin shumë kërkesa tjera. Ata gjithashtu shprehnin përkrahje e solidaritet me vëllezërit e tyre në Prishtinë.
Pas ngjarjeve të Kosovës, shovinistet maqedonë, të alarmuar e në panik, nga protestat e fuqishme të popullit, sulmuan frontalisht jo vetëm shkollat shqipe në Maqedoni por edhe historinë, simbolet e figurat tona kombëtare. Goditje të rëndë ka pësuar sidomos edhe pak ai arsim shqip që ishte në Maqedoni. Janë ndryshuar pothuajse rrënjësisht të gjitha plan programet e shkollave shqipe, po ndryshohen shumë libra e tekste mësimore e disa prej tyre janë ndaluar krejtësisht. Aq shumë i ashtë errësuar logjika shovinistëve maqedonë sa t’ia ndalojnë edhe përdorimin e shumë librave shqipe që botohen në Kosovë. Kështu ka ndodhur me librin e historisë të Akademik Ali Hadrit , për të cilën janë përgjigjur penalisht, arsimtarët që janë shërbyer me të. Të gjitha tekstet e dyshuara e të ndaluara është vendosur të zëvendësoheshin, me tekste të përkthyera nga maqedonishtja .
Në mungesë të librave (sidomos të gjuhës shqipe, historisë e gjeografisë) nxënësit po detyrohen të mësojnë përmes shënimeve.
Në Maqedoni, që nga lufta e këtej janë ndërmarrë masa represive kundër mësim-dhënësve shqiptar dhe inteligjencies përparimtare. Vlerësohet se që nga viti 1946 e deri në prag të demonstratave, në Maqedoni janë burgosur e përjashtuar nga puna mbi 500 arsimtarë shqiptar. Kurse sivjet është bërë një aksion që ka marrë tiparet e një fushate të organizuar shtetërore. Deri më tani, janë arrestuar e larguar nga puna mbi 100 arsimtar shqiptar. Vetëm në komunën e Tetovës, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, u larguan nga puna 18 mësim dhënës, në këtë komunë ky proces po vazhdon edhe më me intensitet të shtuar. Në fshatin Strec u dënuan me burgim 7 arsimtar, pse gjatë vitit të kaluar shkollor kishin regjistruar mbiemrat e nxënësve në përputhje me normat e drejtshkrimit shqip, pa prapashtesën maqedone “ski”. Represione ndaj arsimtarëve shqiptar janë ndërmarrë edhe në komunën e Dibrës, Kumanovës, Strugës etj.
Me pretekstin “e lirisë së besimit fetar” me të madhe shovinistët, po inkurajojnë e përhapin religjionin. Kjo ka bërë që një përqindje e madhe e fëmijëve shqiptar të ndjekin shkollat (mejtepet ) fetare me të cilat është angazhuar një ushtri e tërë priftërinjsh. Duket paradoksale por në Maqedoninë Perëndimore në këto farë shkolla fetare, ishin përfshirë rreth 25 mijë fëmijë .
Goditjet e shovinistëve maqedonë ndaj shkollës shqipe, në të ardhmen do të intensifikohen edhe më shumë. Kjo del qartë nga shumë materiale të Sekretariatit Republikan për Shkencë e Arsim si dhe nga deklaratat nervoze të krerëve republikan, të cilët kërcënojnë për masa të reja dhe shanin e shpifin popullin tonë. Por, populli ynë as nuk frikësohet e as nuk mashtrohet nga armiqtë e tij. Populli shqiptar në Maqedoni , me një guxim të rrallë u ka përballuar shumë stuhive e rrebesheve shoviniste dhe ka një traditë të shkëlqyer në luftën për të drejta e liri. Ai i njeh mirë shovinistet maqedonë e planet e tyre djallëzore dhe do të dijë ti mbrojë drejtat e veta.
5. 13. Rrena për pushtetarët – afinitet dhe kreacion
Po ashtu në fund të gazetës është edhe një reagim që vije nga Kadri Zeka. Në shkrimin “Edhe rrena ka një kufi” bëhet reagim ndaj fjalës së Millosh Miniqit, që e mbajti në mbledhjen e Komitetit Qendrorë të LKJ-së me 18 tetor 1981 ku u shqyrtua e miratua e ashtuquajtura “Platforma politike e LKJ-së për Kosovën”. Ai në qendër të vëmendjes për “demaskim”, kishte vu deklaratën e Enver Hoxhës në Kongresin e Tetë të PPSH,, lidhur me bisedën e tij që pati me Titon më 1946 rreth fatit të popullit të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare në Jugosllavi. Sipas shkrimit del se çdo fjalë e Millosh Miniqit ishte gënjeshtër e kulluar ngase, Enver Hoxha asnjëherë popullin shqiptar në Kosovë nuk i ka quajtur shqiptar jugosllav, por e vërteta ishte krejt ndryshe, por Millosh Miniqit ajo e vërtet nuk i pëlqente dhe mu për ketë ai edhe i shtrembëron faktet .
Për këtë të dhënë më së miri flasin të dhënat që vet Enver Hoxha i shkroi në librin “Me Stalinin“, që është botuar më 1979 dhe decidivisht thuhej “Titoja më pyeti se çmendoja unë për Kosovën, “Kosova dhe viset tjera shqiptare në Jugosllavi, i thash unë, janë toka shqiptare që fuqitë e mëdha padrejtësisht ia shkëputën Shqipërisë, ato i përkasin Shqipërisë dhe duhen ti kthehen Shqipërisë. Tani që ne jemi dy vende socialiste është koha që ky problem të zgjidhet drejtë. Titoja më tha: “Jam dakord, ne e dëshirojmë këtë, por tash për tash nuk mund të bëjmë gjë, sepse nuk e kuptojnë serbet një gjë të tillë”, Pra ky pohim i publikuar qysh më 1979, kur Titoja ishte gjallë i demanton të gjitha të dhënat tjera , përfundon artikullshkruesi. – FUND –

***
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: NJË HISTORIK I DHEMBSHËM I NJË ‘LETRE…’ (1985)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3947

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura