Prishtinë, 14. 05. 2015 – Në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë të shtetit shqiptar, që njëkohësisht shënon edhe fatkeqësinë edhe po kaq vjet të copëtimit të Shqipërisë në disa shtete ballkanike, çështja kombëtare shqiptare konsiderohet e mbyllur, jo vetëm nga faktori ndërkombëtar, por herë-herë ndodhi (mjerisht) edhe nga disa politikan shqiptarë. Çështja e Kosovës, e cila pas përfundimit të LDB paraqiste një problem “të zgjidhur” nën hijen e propagandës jugosllave se çështjet nacionale ishin zgjidhur përfundimisht, në fillim të viteve të 48-ta nisi të kalojë kufijtë e ish-Jugosllavisë dhe të marrë dimensionin e një problemi që kërkonte involvimin e kancelarive (1) botërore.
Interesimi i shprehur nga bashkësia ndërkombëtare për çështjen e pazgjidhur shqiptare mund të thuhej se kishte ndodhur menjëherë pas demonstratave studentore të vitit 1968 e 1981 dhe dukshëm vjen në shprehje pas vitit 1989.
Ky interesim i shtuar kishte ndodhur për shumë arsye:
1. Fundi i shembjes së sistemit komunist më 1989-1990, nën –
2. Fundi i Luftës së Ftohët, i viteve 1989-1990, që shënonte fillimin e një epoke të re në politikën evropiane, që pasohet me formimin e shteteve të reja kombëtare në Ballkan dhe në Evropën Lindore e Juglindore (2) dhe nën –
3. Riorganizimi i Lëvizjes ilegale Kombëtare Shqiptare në rezistencën aktive ushtarake – UÇK.
Natyrisht, se të gjitha këto ngjarje patën jehonë pozitive edhe në Kosovë dhe tek shqiptarët, që për një të drejtë të natyrshme historike (bashkim kombëtar), ishin angazhuar që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej. Por, kthesën më të madhe, Lëvizja Ilegale Kombëtare Shqiptare e pëson më 1981 dhe e përfundon në fund shekull 20, në kohën kur zë fill formimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e tërë lufta kurorëzohet me çlirimin e saj. Kjo edhe është periudha më e rëndësishme; është përmbyllje kulminante e një lëvizjeje të gjatë ilegale në Kosovë dhe në trojet tjera shqiptare të ish- Jugosllavisë.
Duhet theksuar se edhe brenda organizatave ilegale politike të kohës kishte dallime rreth artikulimit programor, se cila ishte platforma më e mundshme dhe më e përshtatshme që duhej të përdorej për rrethanat e kohës, për të ardhur deri te një strategji e përbashkët e veprimit. Dallimet konsistonin në atë se si duhej t’i qaseshin zgjidhjes së çështjes kombëtare, ngase veprimtaret e ilegales asnjëherë në qëndrimet e tyre nuk ishin dogmat, por varësisht prej rrethanave kombëtare e ndërkombëtare, krijonin edhe qëndrimet e tyre. Këtë të dhënë më së miri e dëshmon evoluimi i qëndrimeve rreth zgjidhjes së statusit të Kosovës në situata të caktuara, që do i paraqes, të përmbledhura në tre opsione si:
1. Bashkimi i të gjitha tokave shqiptare me Shqipërinë;
2. Bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një republikë brenda Jugosllavisë dhe nën
3. Republika e Kosovës.(3)
Që të tri këto opsione të shtruara nga veprimtarët e ilegales të Lëvizjes Kombëtare, në periudha të ndryshme kohore, kishin edhe bartësit e vet ideor.
Opsionin e parë për bashkimin e trojeve shqiptare me Shqipërinë në programin e saj e kishte paraparë LNDSH (4), LRBSH, OMLK dhe Lëvizja Nacionale për Çlirimin e Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare në Jugosllavi.
Opsionin e dytë e kishte paraparë organizata “Partia Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi”, e cila në programin e saj parashihte bashkimin e të gjitha trojeve ku shtriheshin shqiptaret në një republikë në kuadër të RSFJ-së.
Megjithatë, veprimtaria dhe mendimi politik i shqiptarëve në Kosovë nuk u zhvillua shlirshëm, si pasojë e statusit politik e juridik të popullit shqiptar në Jugosllavi; si pasojë e pengesave që vinin nga represioni i madh nga Republika e Serbisë dhe Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, e cila nuk pranonte alternativë tjetër të zhvillimit e të mendimit politik; si pasojë e gjendjes së vështirë ekonomike, arsimore e kulturore dhe si pasojë e faktit se angazhimi politik për Pavarësinë e Kosovës zhvillohej nga veprimtarët që vepronin në ilegalitet (5).
Opsioni i tretë, apo zanafilla e idesë për Republikën e Kosovës ishte shpalosur fillimisht me demonstratat e vitit 1968. Por si më e sforcuar u paraqit në formë të plotë, në periudhën e demonstratave të vitit 1981 e 1989. Kjo kërkesë ishte shtrua madje edhe në diskutimet publike që u bënë menjëherë pas rënies së Rankoviqit. Këto biseda, sipas dokumenteve, dëshmojnë se janë zhvilluar edhe mes të udhëheqësve të Kosovës me udhëheqësit më të lartë të Jugosllavisë. (6) Kosova-Republikë, pas shumë bisedimeve në mes të veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare ilegale, ishte kërkesë e të gjitha grupimeve ilegale pas vitit 1968, 1981, 1989, që më vonë do të bëhet kërkesë e gjithë popullit shqiptar në Kosovë dhe në viset e tjera jugosllave të banuara me shqiptarë.
Me ngjarjet e viteve 1989 e këndej që pasuan në ish-Jugosllavi, me një mënyrë filloi edhe dekompozimi i federatës jugosllave, ndërsa shqiptarët si andej e këndej kufirit iu rikthyen qytetërimit të vet, pra bashkësisë së qytetërimit evropian.(7)
Mirëpo, pas ndryshimeve të shumta politike që pasuan në mes viteve 89-99 të shekullit të kaluar, veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që vepronin në ilegalitet, por edhe ata që vepronin në parti të ndryshme politike legale që u formuan gjatë kësaj periudhe, duke e par dhe hetuar ndikimin e faktorit të brendshëm dhe të atij ndërkombëtarë, në qëndrimet e veta filluan të bënin korrigjime në qasje dhe në organizim.
Programet politike e kombëtare dhe mjetet e format e luftës me të cilat parashihej të arriheshin qëllimet e saja, në esencë kishin mbetur të pandryshueshme gjatë gjithë historisë së lëvizjes kombëtare. Por, forma më e lartë e rezistencës, lufta e armatosur, ndonëse ishte pjesë e programeve, por edhe e praktikës historike të lëvizjes kombëtare, arriti të zbatohej në tërë kuptimin dhe gjerësinë e saj, vetëm në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, atëherë kur u krijuan kushtet e brendshme dhe të jashtme për të, kur u poqën faktorët subjektivë dhe objektivë të lëvizjes. Brezat e mëparshëm të lëvizjes ilegale, nuk mund ta bënin këtë, në Jugosllavinë stabile e me prestigj ndërkombëtar dhe në rrethanat e luftës së ftohtë. Megjithatë, lufta çlirimtare përgatitej dhe zhvillohej shkallë-shkallë përballë valëve të egra të dhunës që ushtronte pushtuesi.
Ky besim dhe ky angazhim i pa kursyer i ilegales dhe besimi i madh në popullin e vet, ndikoi që të formohej edhe UÇK-ja, ngase çdo organizatë ilegale në ish Jugosllavi, në programet e tyre, përveç zgjidhjes paqësore të çështjes shqiptare ato parashihnin edhe zgjidhjen me luftë, andaj dalja në skenë e UÇK-së nuk ishte e rastësishme dhe se ishte krahu më i natyrshëm i Lëvizjes Kombëtare në Kosovë që nga viti 1945. Lufta e Kosovës nën udhëheqjen e UÇK-së, dhe ndihma e madhe nga faktori ndërkombëtar që sollën lirin që ne sot e gëzojmë, dëshmon dhe provon se ishte vepra më madhore e të gjithë atdhetarëve që u angazhuan për Pavarësinë e saj duke mos kursyer as jetën e tyre.
Ky organizim i ri dhe kjo qasje e re politike e ushtarake me kohë kishte kaluar barrierat ideologjike dhe nuk e shihte më veten pre të asnjë ideologjie. Bile, për hir të interesave më madhore kombëtare, gati të gjithë ish të burgosurit politikë në vitet e 89-99, me daljen nga burgu kishin aderuar në radhët e LDK-së, e parti të tjera të formuara legalisht, vetëm e vetëm që të bënin unitetin kombëtar edhe më të fuqishëm, por ka ndodhur edhe kjo se më vonë kur po ata iu bashkonin radhëve të UÇK-së, paraprakisht deklaronin se nuk i takonin asnjë partie, se për ta ekzistonte vetëm UÇK-ja si faktor politik e ushtarak i Kosovës
Vetëm kur të studiohet mirë e shkencërisht kjo periudhë do të kuptohet më mirë e më drejt e tërë situata politike e ushtarake në të cilën kaloi Kosova. Edhe pse kjo situatë e rëndë me kalimin e viteve do të davaritej, në Kosovë do të ndihej rëndë pesha e represionit të egër serb, por edhe më tej tek populli shqiptarë do të rritej besimi te SHBA-të e Evropa, si kodi më i pathyeshëm për lirinë dhe sigurinë globale. Bashkësia ndërkombëtare shfaqet si forcë rrezatuese për zgjidhjen e problemit të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, ngase ata (shqiptarët) pa dashjen e tyre kishin ngelur larg saj. Angazhimin e madh që bënë forcat kombëtare për tu kthyer aty, në Evropë nuk ishte i lehtë, ashtu siç ishte menduar në fillim të viteve të 90-ta. Ajo madje, shpesh acaroi edhe kancelaritë evroperendimore.(8)
Rëndësia e kësaj politike dhe e kësaj lufte më vonë kishte shënuar ngritje graduale pozitive, mund të thuhej që nga Rezoluta e Parlamentit Evropian (1989) e deri te përkrahja e Planit Gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit. Zgjidhja e çështjes së Kosovës, e cila ishte edhe sfida e fundit e madhe që kishte mbetur në Ballkan pas shpërbërjes së Jugosllavisë, respektivisht bërja e pavarësisë së Kosovës mbi bazën e Planit të Ahtisarit, i cili përbën një zgjidhje kompromisi, është një sprovë përfundimtare për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, të SHBA-ve dhe e Bashkësisë Ndërkombëtare në përgjithësi..
______________
Literatura e shfrytëzuar:
1. Sylë Ukshini, Kosova në politikën e jashtme të BE-së 1991-2007, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2008, 9.
2. Po aty, 12.
3. Ethem Çeku, Kosova, në sfondin e diplomacisë Jugosllave dhe të Shqipërisë 1945-1981, Prishtinë, 2009, 303.
4. Procesi gjyqësor i Prizrenit, dok. Nr. 17/45, Gjyqi Popullor- Prizren
5. Po aty, f. 139.
6. Selatin Novosella, Kosova ‘ 68, Prishtinë 1993. 26-31
7. Po aty, 317.
8. Po aty, 13.