PROF.MURAT GECAJ: DETYRIM, T’I NDEROJMË DHE TË SHRUAJMË PËR PRINDËRIT TANË

Tiranë, 30. 09. 2016: (Rreth librit “Adem Gllavica (Selimi) tregon…”) – 1. Kur nisa t’i shkruaja këto pak radhë, në mendje më shkuan shumë gjëra për jetën e prindërve të mi, atje në Malësi dhe që nuk jetojnë më. Për ata kam folur edhe në librin tim jetëshkrimor, “Ëndrrat ”e grisura” të jetës sime” (Tiranë, 2010). Por, ndërkaq, më doli përpara edhe një pamje e dy të moshuarëve, në Internet, që paraqiten pranë e pranë njëri tjetrit. Poshtë asaj fotoje janë këto radhë domethënëse: “Prindërit nuk janë të përjetshëm: Merri ata në telefon; shko dhe vizitoji; leri të rrinë me nipat dhe mbesat e tyre, se u zgjatet jeta; qesh e gëzoju me ata; leri të flasin dhe të tregojnë historitë e jetës së tyre; çoju byrekë ose ëmbëlsirat, që u pëlqejnë…Trajtoji ata me respekt, durim dhe me ngrohtësi…Se, nesër, mund të jetë shumë vonë!?”
Nxitësi, për ta trajtuar këtë temë, pra detyrimin moral e shpirtëror, që t’i nderojmë dhe të shkruajmë për prindërit tanë, u bë kolegu e miku im i mirë, Bardhyl Selimi. Ai më kërkoi takim për kafe, në lokalin “Bulevard” të kryeytetit dhe aty më dhuroi librin e tij të ri, me titullin “Adem Gllavica (Selimi) tregon…”. Sigurisht, lexuesi e kupton që atë ia ka kushtuar të jatit, i cili nuk jeton më, me rastin e 100-vjetorit të lindjes (14 shtator 2016).

Nga e djathta: B.Selimi e M. Gecaj (Tiranë, 25 shtator 2016)

Për fëmijët, të gjithë prindërit janë të mirë. Por Ademi nuk ka qenë një baba i zakonshëm, por i njohur në Kosovë e më gjerë, për jetën e tij të përkushtuar profesonale e atdhetare. Prandaj, në kapakun e këtij libri janë shprehur me respekt, nderim e vlerësim: Akademiku Idiz Ajeti, Dr.Sulltane Ukaj-Kojçini, Basri Demiri-drejtues në arsim, Enver Zhinipotoku-publicist etj. Për Adem Selimin e Gllavicës së Lipjanit është shkruar e përuruar më parë, pra në vitin 2002, një libër nga Gani Ratkoceri. Po, kështu kanë botuar artikuj për të, studiues e gazetarë të ndyshëm. Emrin e tij e mban një shkollë në Kosovë dhe në obrrin e shkollës teknike, në vitin 2004, është vendosur busti i tij, vepër e skulptorit Hysen Bytyçi.
Biri i tij, Bardhyli na sqaron në hyrjen e këtij libri se “Në letrat e babës jepen ngjarjet dhe personazhet, sikurse i ka menduar dhe përjetuar ai vetë…Lexuesi le të gjykojë vetë dhe historianët t’i ballafaqojnë faktet, me të tjera,që ata kanë qëmtuar, nga burime të ndryshme”.


Ballinat e librit, nga autori Bardhyl Selimi (Tiranë, 2016)

2.
Është e kuptueshme se do të duheshin faqe të tëra, për ta pasqyruar përmbajjen e këtij libri, në 388 faqe dhe të shoqëruar me mjaft fotografi dhe dëshmi dokumentare. Ashtu siç shihet edhe në përmbajtjen e lëndës, pas hyrjes, është dhënë një jetëshkrim i shkurtër i Adem Gllavicës. Në vitet 1941-1944, ai ishte nënprefekt në Ferizaj, pastaj mësues në Normalen e Prishtinës, drejtor i Fermës Bujqësorë në Fushë-Kosovë dhe inspektor për bujqësinë, në komunën e Prishtinës. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botrore, i mbrujtur me ndjenja atdhetare, iu përkushtua mbrojtjes së kufinjëve etnikë të Kosovës, duke qenë kryetar i “Komitetit të Rinisë Nacionaliste” dhe, më pas, komandant i “Shtabit Epror për Mbrojtjen e Kosovës”. Ngjarje e rëndësishme në jetën e tij ishte martesa, në verën e vitit 1944, me mësuesen Vezire Gjeraku, nga Sllatina e Madhe e Prishtinës.
Pas vendosjes së rregjimit komunist në Kosovë, Ademi doli në mal, kaloi në Greqi dhe më pas në Gjermaninë Perëndimore. Në pamundësi për t’u bashkuar me gruan, që ishte në Tiranë e ku e arrestuan, Ademi u vendos në Australi. Plot mall për trojet tona amtare, ai mundi ta vizitonte Shqipërinë dy herë, pas ardhjes së Demokracisë, pra në vitin 1991 e 1994.
Për veprimtarinë e tij të shquar atdhtare, Adem Gllavica është dekoruar me Urdhërin “Naim Frashri”, më 1994, nga Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha dhe nga Presidentja e Kosovës, Artifete Jahjaga, me rastin e 100-vjetori të Pavarësisë, me “Urdhrin e Lirisë”.
3.
Duke e shfletuar këtë libër, na tërheqin vëmendjen pjesët: “Takimi i parë me babën”, “Tregime për jetën, nga vetë Ademi”, ku përfshihen edhe vitet e shkollimit dhe, më tej, për fillimin e jetës bashkëshortore, punët e kryera dhe, në vazhdim, për “gurbetin”, për luftën dhe figura të saj etj. Në një pjesë të veçantë të librit është korrespondenca e mbajtur me bashkshorten, Veziren, ku ai ka shprehur dashuri e mall të pashuar, nga emigracioni i gjatë. Po kështu, të tilla janë edhe letrat drejtuar të birit, Bardhylit dhe përshtypjet nga takimet me atë, jashtë Shqipërisë.
Adem Gllavica i ka ndjekur me interes e shqetësim edhe ngjarjet e luftës në Kosovë, që çuan në çlirimin e saj nga rregjimi i egër serb. Në pjesën e gjashtë të librit janë pasqyruar “Vizitat në Shqipëri e Maqedoni” dhe, në të shtatën, “Artikuj për Ademin, nga autorë të ndryshëm”, si: Adem Tasholli, Skënder Zogaj, Tahir Z.Berisha, Shpend Osmani, Ismail Gashi, prof.Idriz Ajeti, Zekeria Cana, Basri Demiri, Enver Zhinipotoku, dr.Sulltane Ukaj-Kojçini, Rrustem Qerimi, Tahir Zajmi, Adem Tasholli, Zenun Rexhepi, dr.Muhamet Pirraku e mg.Bardhyl Selimi.
Libri në fjalë mbyllet me pjesën “Veprimtaria shkencore”, ku tregohet se Adem Gllavica e kreu Universitetin e Zagrebit për agronomi. Prandaj dhe iu përkushtua kësaj fushe, me studime të ndryshme. Këto punime të tij dhe të 22 autorëve të tjerë, u përmblodhën në librin “Historia e bujqësisë dhe agro-industrisë shqiptare” (Tiranë, 2003).
…Në mbyllje të këtij recensioni modest, e urojmë dhe e përgëzojmë autorin e këtij libri, mg.Bardhyl Selimi, për kujdesin e tij në mbledhjen e dëshmive e fakteve, sistemimin dhe komentin e tyre, në pasqyrimin sa më real e në gjerësi, të jetës dhe veprimtarisë atdhetare e profesionale të babait të vetë, Adem Gllavica!
Prof.Murat Gecaj publicist e studiues – Tiranë, 30 shtator 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura