Pashtriku.org, 28. 05. 2013 – (Karakteristikat etnologjike të Epirit janë të kundërta me ato të Greqisë fqinje) – Le të fillojmë më së pari me pozitën që kishte mbreti në Epir. Në Epir mbretit nuk i lejohej mbajtja e kurorës në kokë. Të drejtat e sovranit ishin të kufizuara. Pa pëlqimin e institucioneve juridike mbreti nuk mund të priste monedha, as t’i shpallte luftë një shteti tjetër; dhe as të përfundonte traktate paqeje dhe aleance me shtete të tjera. Gjatë luftës mbreti kryente funksionin e udhëheqësit ushtarak të Epirit, duke pasur vetëm të drejta për të kryer flijime. Ja, ç’thotë Plutarku për mbretërit e Epirit:
“Mbretërit, pasi i bënin flijime zotit të luftës në Pasaron të Molosisë, e kishin bërë zakon t’u betoheshin atyre që do të mbronin mbretërinë sipas ligjeve. Kjo ceremoni zhvillohej në praninë e dy mbretërve të rrethuar nga miqtë e tyre, që shkëmbenin në këtë rast shumë dhurata”.
Pukëvili (1770-1838), iluminist, konsull i Francës pranë Ali Pashë Tepelenës, e përcakton Pasaronin e Epirit si “…qyteti ku u pa, mbase për herë të parë në botë, bashkimi august i sovranit dhe i popullit, i pushtetit monarkik dhe i lirisë”. Ceremoninë e Pasaronit e citon edhe W.Tarm tek Antigon Gonati. Mbretër si Alketa i Parë, Ariba, Ajakidi, Pirro Molosi, Alketa II etj., janë shfronësuar ose vrarë sipas së drejtës së revokimit.
Ilirikumi shtrihej edhe në Greqinë e sotme, të krijuar nga Fuqitë e Mëdha!
* * *
Pozita e gruas në Epir ndryshonte nga pozita e saj në Eladhë.
Në Greqi sundonte “tutela mulierum”. Gruaja në Greqi ishte e përjashtuar nga jeta publike me ligj (pronësia, trashëgimia, qytetaria dhe gjendja e privilegjuar deri në drejtim mbretërie).
Bie në sy në monedhat epirote fytyra e Dionës, përbri Zeusit të Dodonës. Ndërkaq, në numizmatikën e mbretit Pirro gratë zënë një vend të dukshëm. Këto monedha flasin qartë për shkallën e madhe të ndryshimit të pozitës së grave të Epirit me pozitën e shoqeve të tyre në Greqi. Për këtë rast flet edhe pasuria e varreve femërore të zbuluara nga ekspeditat arkeologjike.
Vallet epirote, të dokumentuara më së miri në qeramikën e pikturuar, pohojnë gjithashtu për vendin e rëndësishëm që zinte gruaja epirote në këtë trevë të lashtë shqiptare. Një pllakë bronxi në Dodonë bën fjalë për një grua epirote, e cila i sjellë një gruaje tjetër të kësaj treve skllavin e saj pa ndërmjetësinë e kurrkujt (K.Karapanos, “Dodona dhe gërmadha të saj”, f.55-56, Athinë, 1878).
Në Epir “tutela mulierum” mungonte
Këtë përfundim e nxjerrë edhe arkeologu Pjer Kabani. “Kjo tutelë i mungonte në atë kohë edhe Thesalisë”, -vë në dukje studiuesi grek A.M.Vavakos. Kjo e dhënë puqet me përcaktimin që u bën Herodoti thesalëve. Sipas tij, thesalët janë me origjinë thesprote. Për rrjedhojë logjika bën punën e saj. Janë arsyet e mësipërme që Epiri ka nxjerrë gra trimëresha, të cilat arrinin të rivalizonin me burrat. Vlen të përmendim të tmerrshmen Olimbi, nënën e Aleksandrit të Maqedonisë, që i vuri kurorën e artë vrasësit të burrit të saj, Filipit II, apo Nereisi dhe Dejdamea, të cilat ishin të fundit “burra të fortë” të dinastisë së Ajakidëve, që u shua përgjithmonë dhe ia la vendin Lidhjes Epirote.
Në Butrint, na kallëzon Pjer Kabani, një e treta e pronarëve të skllevërve ishin gra. Kur flet për kufijtë e këtij origjinaliteti, ai na bën të ditur se vendi që zinte gruaja në Epir dhe në Greqinë Veriore ishte po ai që zinte ajo edhe në Ilirinë Qendrore dhe Veriore. “Po të lexojmë historinë e mbretërve të Epirit, gjejmë mjaft emra jogrekë”, -vëren Xhuzepe Nensi në veprën e tij “Pirrus”, Torino, 1953. Mjafton të përmendim Taripën, Alketën, Aribën, Ajakidin, qenia historike e të cilëve nuk mund të vihet në dyshim. Tipikë janë emrat e ciklit trojan: Neoptolem, Pirro, Aleksandër, Teuker, Andromaka etj..
Gratë e Pirros nuk ishin greke
Krushqitë e tyre këta mbretër i lidhnin edhe me të tjerë jashtë Epirit, siç kemi rastin e Olimbisë, nënës së Aleksandrit të Madh, me Filipin II të Maqedonisë. Gratë e Pirros nuk ishin greke. Antigoni ishte vajza e Ptolemeut, pra, maqedonase. Brikena ishte vajza e mbretit ilir, Bardhylit, ndërsa Lanasa ishte vajza e Dionisit, tiranit të Sirakuzës.
– Epiri –
* * *
Në faqen 95 të veprës “Pyrrhus” të Pjer Levekut vëmë re se ekziston një lidhje farefisnore midis mbretit të taulantëve, Glaukut, dhe familjes mbretërore të Ajakidëve. Gruaja e Glaukut, Beroja, ishte princeshë epirote. Në faqen 89 të këtij libri del në pah besnikëria e Pirros ndaj kujtimit të nënës. Për nder të saj mbreti Pirro preu monedha bronxi, të cilat kishin në të djathtë kokën e nënës së tij, Ftia, bijë e thesalit Menon.
Leveku mbështetet te Plutarku (I, IV) kur flet për rritjen e Pirros te taulantët dhe pohon: “Vendi i egër i taulantëve sapo kishte dalë nga barbaria; atij i mungonte verniku i helenizmit, që princat mollosë kishin arritur ta merrnin nga grekët që në kohën e mbretit Taripa”. Ndërsa në faqen 173 po i njëjti autor shënon: “Mund të themi se ilirët kishin mbetur më shumë barbarë (lexo: jogrekë – Sh.D.) se epirotët, por influenca e helenizmit filloi të ndikojë midis tyre”. Autori këtu e ka fjalën për rrezatimet e kulturës helene, që në ato kohë përfshinin një pjesë të madhe të botës së lashtë.
Te “Bota e vjetër”, vëllimi III, Çikago, SHBA, 1983, në “Kërkime epigrafike në Epir” kemi të shënuar edhe shtatë muajt e kalendarit të vjetër epirot: Gamilios, Apelaios, Agrianos, Kraneios, Halotropios, Datyos, Phoinikaios. Duhet të mbajmë parasysh faktin që prapashtesat -os- janë vënë sepse janë shkruar greqisht. Këta muaj të kalendarit epirot ndryshojnë krejtësisht nga ata të kalendarit grek.