PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS / DISA REFLEKSIONE (11)
NGA SULEJMAN ABAZI (Komandanti i Divizionit të Tiranës – ’98 – ‘99 – Kujtime

Disa refleksione
* Evidencohen elementë të bashkëveprimit me strukturat e NATO-s. Në bazë të vendimeve të Parlamentit shqiptar dhe të Qeverisë shqiptare, në dispozicion të Aleancës u vunë bazat tokësore, detare dhe ajrore të Ushtrisë Shqiptare, të cilat shërbyen si pika të ndërmjetme për përgatitjen operacionale të tyre dhe për të përballuar nevojat e operacioneve humanitare të NATO-s në Shqipëri.
Në këto baza u investua në elementët plotësues të infrastrukturës në interes të trupave tokësore e ajrore, të vendosur fillimisht me një personel deri në 6 mijë vetë.
* Trupat e aleancës, në bashkëveprim më elementë të veçantë të ushtrisë Shqiptare, shfrytëzuan rrugëkalimet në territorin e vendit për të afruar forcat dhe mjetet pranë zonës së luftës dhe për të transportuar bazë materiale logjistike të organizatave joqeveritare për zbutjen e krizës humanitare. Ndërhyrjet në rrugëkalimet kryesore përmirësuan ndjeshëm gjëndjen e tyre.
* Midis trupave të Aleancës dhe hallkave të zbulimit dhe kundërzbulimit shqiptar, u realizua shkëmbimi i informacioneve mbi gjëndjen reale të veprimeve në terren, duke synuar saktësi në transmetimin e të dhënave në interes të giditjeve nga ajri të objektivave të rëndësishme të kundërshtarit, sidomos pranë vijës së kufirit. Këto shkëmbime informacionesh rritën hapsirën e ndërveprimit të përbashkët në momente të caktuara për tu ardhur në ndihmë formacioneve të luftëtarëve të UÇK-së matanë kufirit.
* Në kushtet e bashkëveprimit dhe Programit të Partneritetit, Komanda e NATO-s realizoi një asistencë dhe mbështetje më të mirë logjistike për ushtrinë Shqiptare, duke përmirësuar mundësitë e kompletimit të tyre, përmirësimit të infrastrutkurës, në veçanti të reparteve dhe njësive të Rezervave të SHPFA. Njësitë dhe repartet e ushtrisë Shqiptare e ndjenë veten të rreshtuar në krah të koalicionit antiserb.
* Në periudhën e viteve 1998 dhe deri në përfundim të luftës çlirimtare në Kosovë, në kuadrin e veprimtarisë operacionale në të dy anët e kufirit ndarës të popullsisë shqiptare, për herë të parë u evidencuan elementët e bëshkëveprimit midis njësive të Ushtrisë së shtetit shqiptar dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Elementët e bashkëveprimit kryesisht i pasqyruan vlerat e tyre në lidhjet shpirtërore, në mbështetjen moral psikologjike të luftëtarëve të lirisë, në elementët e mbështetjes logjistike, në mbështetjen territoriale dhe në pritjen e përgatitjen e resurseve të ardhur nga vende të tjera, në dispozicion të luftës.
* Elementët e bashkëveprimit u shtrinë dhe më gjërë. Në kushtet e prijtjes së të shpërngulurve, ishte prezente mundësia e infiltrimit të elementëve spiunë dhe bashkëpunëtor të armikut. Këta elementë u zbuluan dhe u goditën.
* Elementët e bashveprimit u shtrinë dhe në zbatimin e urdhërit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për mobilizimin e burrave për luftë. Shumë të rinj dhe burra të Kosovës, pasi stabilizuan familjet, u rreshtuan në radhët e luftëtarëve të lirisë.
* U realizua bashkëveprimi midis shtabeve të niveleve të ndryshme, nën drejtimin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, në hallkat më të rëndësishme, veçanërisht midis komandës dhe shtabit të Divizionit të Kukësit, Komandës së Forcave Ajrore, komandës dhe shtabit të Divizionit të Tiranës, trupave “komando”, trupave speciale të Shtabit të Pergjithshëm etj.
* Formacionet e ushtrisë Shqiptare realizuan një mbështetje të plotë për të gjitha organizmat që vepruan në Shqipëri për të përballuar pasojat e krizës humanitare, duke kontribuar në transportimin dhe akomodimin e të ardhurve nga Kosova, në veçanti me formacionet e MCR-së dhe të strukturave të transportit ushtarak. Ndërkohë që qindra mijra kosovarë, të shpërngulur me forcë, drejtoheshin drejt kufijve shqiptar, duke vënë në vështirësi kapacitetin e shërbimeve të reagimit të strukturave të emergjencës së vendit, veprimtaritë kryesore humanitare u orientuan në riorganizimin e strukturave duke vepruar kryesisht në evakuimin e të shpërngulurve, të të lënduarve, sigurimin dhe shpërndarjen e ushqimeve të ujit të pijshëm, mbështetjen e plotë mjekësore me të gjithë kapacitetet ekzistuese, trajtimin psikologjik, furnizimin me veshmbathje, mjedise portative për fjetje, shkëmbimin e informacionit për vendodhjet e pjestarëve të familjeve, sigurimin dhe menaxhimin e ndihmave etj.
Në këtë veprimtari të gjërë shumplanëshe dallohet përkushtimi dhe sakrifica e ushtarakëve, patriotizmi dhe profesionalizmi i lartë për të qënë sa më afër dhimbjes njerëzore.
* Dallon bashkërendimi i veprimeve humanitare dhe operacionale me organet e pushtetit vendor. U krijua një përvojë e mirë që konsolidoi konceptin, se pa këto hallka misioni do të kishte shumë i vështirë për tu realizuar. Përvoja e fituar në dhënien e ndihmës në rastin e përballimit të pasojave të krizës humanitare, të një numri disa qindra mijshe njerëzish në një kohë mjaft të kufizuar, orientoi në dhënien e një përparësie të veçantë përcaktimit të detyrave të grupit ndërministral në nivelin qeveritar, përfshi këtu dhe përfaqësuesit e strukturave ushtarake.
* U sigurua mbështetja e tërë popullsisë në të katër rrethet e veriut. Populli i zonës veriore, pasqyroi një gjëndje të shëndoshë morale e psikologjike, duke reflektuar në të gjithë hallkat që vepronin siguri, bujari, besë, zëmër të madhe, pavarësisht nga vështirësitë ekonomike prezente. Populli u kthye në një faktor sigurie dhe mbështetje për të gjithë repartet dhe njësitë e strukturës ushtarake, të cilat e ndjenë këtë mbështetje gjatë gjithë kohës, në tërë veprimtarinë e tyre operacionale.
* Elementë e mësipërm patën rrjedhojat e tyre pozitive. Në kushtet e një situatë të veçantë, elementët dhe faktorët moral psikologjikë të komandave, shtabeve dhe trupave pësuan një lëvizje të fuqishme në sensin pozitiv. Përballja në momentet e para me mjedisin luftarak, krijoi probleme, të cilat shumë shpejt ndryshuan dhe u konsoliduan në interes të realizimit të misionit. Mbështetja morale nga vendasit krijoi më shumë siguri dhe kjo ndikoi fuqishëm në gjëndjen psikologjike të të gjithë elementëve veprues në terren. Ushtria e kishte të nevojëshme një mbështetje të tillë.
* Komandat dhe shtabet e njësive e reparteve ushtarake fituan një përvojë më shumë në planizimin dhe realizimin e veprimtarive operacionale. Tashmë teoria u lidh me praktikën dhe gjëndjen në terren, përfytyrimi mbi mundësitë e veprimit ishte më konkret dhe i arrirë. Vendimarrja e realizuar në kohë nuk linte shteg për mëdyshje e pasiguri, por çdo ditë e më shumë punohej për zbatimin e saj.
* Midis vetë njësive ushtarake u arrit një bashveprim i plotë. Realizimi i qitjeve luftarake të planizuara, rikonicionet e përbashkëta, planizimi i detyrave luftarake në bazë të situatës reale, përhapja në rendim luftimi në panoramën e përgjithëshme të zonës së mbrojtjes së divizionit të Kukësit dha një përvojë të re, duke vlerësuar në maksimum dhe elementët veprues direkt dhe indirekt të strukturave të aleatëve në këtë zonë.
* Me vlera të veçanta përfaqesohet në këtë periudhë realizimi i marrshimit të reparteve dhe njësive të Komandës së Përgjithëshme për të dalë në zonat e tyre të përgjegjësisë. Kjo është një përvojë, e cila në hapsirën e mendimit ushtarak kërkon një trajtim të veçantë. Ishte një rast i veçantë prezenca e mjeteve të blinduara në sasi të konsiderueshmë në veri të vendit, përqëndimi i artilerisë dhe forcave të tjera speciale dallonte për masivitetin dhe shumllojshmërinë e tyre. Distancat e mëdha të lëvizjes u kaluan në një kohë relativisht të shkurtër dhe në këtë hapsirë lëvizja e mjeteve të blinduara, kryesisht tankeve, u realizua me zinxhirë. Vlerësimi i pikave të kalimit mbi pengesat ujore bëri të mundur, që të eleminoheshin premisat për dëmtim dhe këto pengesa u kaluan drejtëpërdrejt e me sukses nga efektivat e tankeve.
* Lëvizja e reparteve dhe njësive të rezervës së Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura u realizua shkallë shkallë duke u dhënë përparësi reparteve me fuqi më të madhe zjarri, si artileria top Obuz 152 mm, artileria reaktive 130 mm, tanket etj. Në kushtet e çvendosjes së tankeve u përcaktuan dhe kapacitetet e mundëshme të transportimit të tyre me mjetet e transportit ushtarak në një reis dhe gatishmëria teknike e këtyre mjeteve.
* Drejtimi dhe komandimi i reparteve dhe njësive të Rezervës u realizua nëprmjet përdorimit të mjeteve të komunikimit “mobile”, të cilat plotësuan kushtet dhe kërkesat nëpërmjet funksionimit të shumë radiorrjeteve, duke mbuluar me sukses jo vetëm lëvizjen në distanca të mëdha por dhe nevojat e reparteve e nënreparteve në rendimin e luftimit.
* Njësitë dhe repartet e Rezervës së SHPFA, ndjejnë të nevojëshme plotësimin me më shumë elementë të mbështetjes logjistike për manovërën, vendosjen dhe kryerjen e detyrave, në kushtet e çvendosjes nga vëndisllokimet e tyre të përherëshme. Nga përvoja, rezulton e nevojëshme që qysh në momentet e para të vendosjes së këtyre reparteve, të mos mungonte interesimi dhe ndërhyrja e organeve të pushtetit vendor, pasi në terren u hasën shumë probleme, të cilat nuk mund të zgjidheshin nga komandat ushtarake. Në kushte të tilla, ekzistenca e pronës private ngjall interesa të tjera në masën e gjërë të njerzve. Veprimi në këto territore në situata të veçanta duhet të mbështetet me ligj.
* Në kushtet e situatës operacionale në kufijtë shtetëror duhet të evidencojmë një element të rëndësishëm, i cili mbart vlera të veçanta dhe kërkon studim të vazhdueshëm edhe në të ardhmen. Bëhet fjalë për prezencën dhe kryerjen e detyrave operacionale të veçanta nga trupat e batalionit special të Shtabit të Përgjithshëm të FA, trupat “komando”, trupat e Policisë Ushtarake dhe elementët e zbulimit, direkt në vijën e kufirit. Është hera e parë, që këto reparte, bashkëveprojnë me njëri tjetrin dhe realizojnë misione luftarake, direkt në kontakt me kundërshtarin dhe sigurojnë mjaft hapsira veprimi për repartet e tjera të ushtrisë. Pëvoja e tyre është me mjaft vlera dhe nuk duhet t’u mungojë vëmëndja e analizave të specialistëve ushtarakë. Veprimet e katakterit të veçantë në terren dhe suksesi i tyre, duhet të tërheq vëmëndjen e studjuesve ushtarakë.
* Në tërë shtrirjen e zonës së mbrojtjes së divizionit të Kukësit dhe në thellësi të tij, nga të gjitha hallkat e veprimit në rendimin e luftimit, u shfrytëzuan në maksimum të gjithë elementët e fortifikimit ekzistues, si një bazë e mirë, jo vetëm në konceptimin e vendosjes së këtyre hallkave, por dhe të rritjes së sigurisë në kushtet e një kundërveprimi të befasishëm nga ana e kundërshtarit. Të gjithë grupet e drejtimit të luftimit, artileria tokësore, artileria KA, elementët e komunikimit, vendosja e trupave në kushte fushore, depot e furnizimeve dhe bazimeve logjistike etj. u vendosën në objekte të fortifikuara, në kushtet e një sigurie të lartë. Në vijat e planizuara të hapjes së mundëshme të tankeve, në disa varjante, u realizuan edhe punime fushore voluminoze me mjete të dhëmbëzuara, duke i përshtatur këto vija, si për luftimin në mbrojtje dhe për bazë nisje për kundërsulme dhe mësymje. Vlerat e fortifikimeve ekzistuese do të mbeten në çdo kohë.
* Situata imponoi dhe veprime të veçanta, të cilat kishin të bënin me rritjen e elementëve të sigurisë për popullatën e gjërë, në të gjithë drejtimin verior. U ndërhy energjikisht dhe u përmirësua gjëndja e vendstrehimeve dhe elementëve të Kushtrimit Ajror, për lajmërimin e popullsisë në kushtet e një sulmi ajror të armikut. Veprime të tilla u ndërmorën me sukses në Kukës, Tropojë e deri në Tiranë. Mungesa e kujdesit në vazhdimësi për këto objekte, është i patolerueshëm dhe i pafalshëm. Hallkat vepruese nuk duhet të kujtohen për këto elementë vetëm kur e kërkon situata.
* Veçojmë faktin, që u evidentuan shumë nevoja për transportimin e materialeve dhe njerzve të lënduar me anë të ajrit, nga seksioni i helikopterëve të Komandës së Forcave Ajrore. Përdorimi i tyre në raste emergjente, në veçanti për furnizimet e të ardhurve nga Kosova dhe për evakuimin e të lënduarve, pavarësisht nga vështirësitë që u shfaqën, është një përvojë më shumë, ç’ka e bën të domosdoshme fuqizimin e këtij elementi operacional në të ardhmen.
* Situata përherë u mbajt nën kontroll nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, nëpërmjet aktivizimit dhe veprimit të grupeve të Drejtimit dhe të Kontrollit. Ky lloj organizimi jepte mundësinë e menaxhimit në kohë të situatave dhe të ndërhyrjeve të specializuara për normalizimin e tyre. Aktivizimi i oficerëve të drejtimit të Drejtorisë Operacionale dhe të Stërvitjes dhe Drejtorive të tjera, realizoi një nivel drejtimit prezent, në çdo situatë, në krah të komandave e shtabeve të njësive e reparteve në terren. Baza e këtij menaxhimi ishte shkëmbimi i informacionait në kohë.
* Veçojmë në këto përfundime, fazën e planizimit, që u realizua nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe komandat e njësive e reparteve. Ky planizim, u krye me kohë në dispozicion dhe muaj përpara, duke dhënë mundësinë e zbatimit të masave përgatitore, nëpërmjet urdhërave paraoperacionalë dhe ndikoi në përgatitjen psikologjike të personelit për veprimet e pritëshme. Rikonicionet e realizuara në kohë, në zonën e mbrojtjes së divizionit të Kukësit, patën vlera të plota përgjithësuese dhe njohëse në zhvillimin e situatave të mëvonëshme. Realizimi i disa rikonicioneve të tillë, i familjarizoi në kohë komandat dhe shtabet me terrenin dhe parashikimin e veprimeve të pritëshme dhe konsolidoi elementët e bashkëveprimit midis njësive në terren.
* Në kushtet e përhapjes në rendim luftimi, me vlera konsiderohet edhe demonstrimi i forcës pranë terrenit të luftës. Në një kohëzgjatje të pranueshme, në drejtime të veçanta të zonës së mbrojtjes së divizionit të Kukësit, në Has dhe në Tropojë, u realizuan kohë pas kohe, demonstrime të fuqishme të trupave dhe mjeteve luftarake, të cilat jo vetëm rritën besimin e popullsisë së zonës në strukturat ushtarake shqiptare, por dhe në vet komandat dhe shtabet e njësive e reparteve të ushtrisë. Ato u konceptuan aspekt i profesionalizmit, manovrës, por në veçanti tregues të një balancimi psikologjik e ushtarak, në kushtet e një “përplasje” të mundëshme.
* Në kushtet e prezencës dhe veprimtarisë luftarake të reparteve dhe njësive të ushtrisë Shqiptare në kufijtë shtetëror të vendit, në kohë dhe në hapsirë u përfitua një vlerë, e cila veproi realisht, në të gjithë hapsirën e përhapjes së këtyre forcave. Kështu, realisht vet ushtria sërbe e shikonte si rrezik dhe kërcënim prezencën e ushtrisë Shqiptare në kufi, mundësinë e bashkëveprimit me strukturat e UÇK-së, përkundrejt avancimit të mundshëm të situatave në kushte të tjera. Ata denoncuan në mediat e tyre demonstrimin e ushtrisë Shqiptare në datën 28 maj 1999, si një “presion që i bëhej shtetit Jugosllav në kufijtë e tij jugorë me anë të forcave të divizionit të Blinduar” (nënkupto sipas tyre DK Tiranë)
* Është hera e parë që realizohet një bashveprim midis reparteve dhe njësive të ushtrisë shqiptare me organizata dhe organizma joqeveritare kombëtare dhe ndërkombëtare. Kështu, prezenca dhe veprimi i UNHCR-së, Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Gjysëm Hëhës së Kuqe, IOM-it etj. u bë një faktor sigurie për të reaguar ndaj krizës humanitare dhe një element bashkëveprimi në terren, duke dhënë një përvojë të çmuar për struturat tona ushtarake në përballimin e krizave.
* Në kushtet e veprimit të komandave shtabeve, paralel me shumë struktura ushtarake të NATO-s, të cilat kanë një përvojë shumë të gjërë në manaxhimin e krizave humanitare, duke alternuar veprimtaritë e tyre me shumë organizata të tjera ndërkombëtare, vetvetiu ushtarakët shqiptarë u ndodhën nën një trainim e asistencë të plotë në terren dhe mësuan shumë duke krijuar një përvojë të re.
* Për herë të parë në kushtet e veprimit intensiv të pasojave të krizës humanitare të gjithë këto organizma dhe strukturat ushtarake të vendit zbatuan një metodë pune tërësisht të re, bazuar mbi shkëmbimin pa asnjë kufizim të informacionit të ndërsjelltë, përvojës dhe vënies në funksion të bazës logjistike humanitare, për të përmbushur minimumin e kërkesave jetike të të ardhurve nga Kosova.
* Në kushte të prezencës së situatave të vështira, është me vend, që të ketë një përkujdesje më të madhë nga shteti për të përmirësuar trajtimin e ushtarakëve. Nuk është aspak normative, që interpelanca e ish Ministrit të Mbrojtjes në atë kohë, të kontestohet fuqimisht nga oficerët në njësitë dhe repartet e ushtrisë të disllokuar në kufirin shtetëror në veri të vendit, duke nxjerrë në dritë fallsitetin e disa publikimeve jo të sakta të karakterit financiar, të cilat ushtarakët nuk i përfituan ndonjëherë.
* Parë në vështrimin e tipareve të reja, që evidentoi dhe konfirmoi operacioni i njësive e reparteve të ushtrisë për përballimin e provokacioneve të ushtrisë Jugosllave në kufirin shtetëror të Shqipërisë, integrimi i dimensionit luftarak me atë humanitar, ishte një përvojë e re për Forcat e Armatosura. Kjo përvojë, ka vlera të veçanta për vet faktin, se u zgjidhën detyra specifike në terren, mbi bazën e vlerësimit të gjëndjes dhe përllogarijtve të kapaciteteve vepruese ushtarake. Specialistët dhe analistët ushtarakë, janë të vetdijshëm se situata nuk kërkonte shumë akademizma, por zgjidhje konkrete. Kjo përvojë, duhet të futet në memorjen historike të strukturave ushtarake, me studime e përfundime studimore shkencore.
- Cili ishte karakteri i detyrave që u përballuan?
- Cilat ishin fenomenet më të dukëshme në spektrin psikologjik e ushtarak?
- Cilat ishin tendencat, veprimtaria dhe nevojat më të ngutëshme të hallkave të pushtetit vendor në situata të tilla?
- A i mundësoi menaxhimi ekonomiko financiar nevojat më të domosdoshme?
- Çfarë baze materiale u përdor dhe si u sigurua ajo?
- Cili ishte roli i transportit ushtarak dhe si i përballoi ai detyrat?
- Si ndikoi terreni dhe komunikacioni në zbatimin e detyrave humanitare?
- Cili ishte roli i përfaqesuesve të Qeverisë dhe roli i Shtabeve të Emergjencës?
- Cili ishte niveli i bashkëpunimit me këto shtabe dhe organizatat joqeveritare?
- Si u sigurua transparenca dhe komunikimi me opinionin e gjërë për të sensibilizuar atë për gjëndjen e rëndë të të shpërngulurve nga Kosova dhe nevojat më të ngutëshme për zbutjen e pasojave?
Pyetje të tilla e të tjera si këto, kërkojnë vlerësim dhe trajtim. Përvoja e fituar është me vlera të pazëvëndësueshme, por ajo duhet të shkruhet.
* Të gjithë këta faktorë, vepruan në kohë në tërë hapsirën shqiptare dhe realizuan imazhin e mirë e të plotë të shtetit dhe vet ushtrisë Shqiptare, si faktor stabiliteti në rajon dhe si elementë veprues të qëndrueshmërisë së këtij stabiliteti në kohë sa më të shkurtër, sipas kërkesave të komunitetit ndërkombëtar.
Për këtë ne të gjithë moralisht duhet të ndihemi mirë.
* Goditjet e artilerisë sërbe në një zonë të gjërë, shkaktuan shumë dëmtime e probleme serioze në rrethet e veriut. Ato shkaktuan një eksod të brëndshëm të paparashikuar. Komandat dhe shtabet në këto kushte, vlerësuan drejt situatat dhe ndërmorën masa konkrete. Planifikimi dhe ndërhyrja e tyre për të eliminuar pasojat e goditjeve të armikut ishte një përvojë më shumë dhe mbështetje për pushtetin vendor dhe popullsinë e zonës.
(VIJON)
© Pashtriku.org