QËNDRIMI I FAKTORIT NDËRKOMBËTAR NDAJ KËRKESAVE TË SHQIPTARËVE TË KOSOVËS PËR PAVARËSI 1990-1999

QËNDRIMI I FAKTORIT NDËRKOMBËTAR NDAJ KËRKESAVE TË SHQIPTARËVE TË KOSOVËS PËR PAVARËSI 1990-1999

Nga Prof. dr. Sabit SYLA, Prishtinë 21 shkurt 2022

Fillimi i viteve 1980 shënon një pikë kthese në historinë e popujve që jetonin në Jugosllavi. Kriza e rëndë ekonomike që kishte filluar të gjunjëzonte ekonominë jugosllave, që krahasohej me një deficit tregtar e përkeqësim të borxhit të jashtëm që shkonte deri në 15 miliardë dollarë në vitin 1980 e me një inflacion deri në 20%, u shoqërua me dy ngjarje të rëndësishme që do t’i jepnin një drejtim tjetër zhvillimeve politike në Jugosllavi. Vdekja e Josip Broz Titos më 1980 dhe demonstratat studentore shqiptare të vitit 1981 ndikuan në zgjimin dhe daljen e hapur në skenë të nacionalizmit serb, i cili në mënyrë latente, ndonëse i pafuqishëm, i kishte rezistuar aq sa kishte mundur reformave decentralizuese në Jugosllavi që nga viti 1965. Tek qarqet intelektuale, kulturore e religjioze serbe filloi një propagandë gjithnjë e më e fuqishme e cila vinte theksin në padrejtësitë që i ishin bërë popullit serb që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Arsyetimet e shumta e të ndryshme mbi vuajtjet e serbëve dhe mënyrat për t’i korrigjuar ato, u artikuluan në mënyrë të qartë në “Memorandumin” e vitit 1986 të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Serbisë. Në fakt, e gjithë esenca e “Memorandumit” pasqyrohej tek decentralizimi i Jugosllavisë dhe tek rregullimi kushtetues, sidomos i Serbisë në raport me krahinat, që do të konsideroheshin si zanafilla për të gjitha problemet pasuese. Në rastin e parë, atë të decentralizimit, qarqet serbe brengoseshin se në rast të shpërbërjes së Jugosllavisë populli serb copëtohej në disa shtete, duke hapur kështu “çështjen serbe”, kurse në rastin e dytë, Kushtetuta e vitit 1974 i ofronte Kosovës disa tipare, sikurse: e drejta për miratimin dhe ndryshimin e kushtetutës; e drejta për organizim autonom të qeverisjes; pavarësia e sistemit gjyqësor, etj.,  duke ngritur kështu dyshimet për një ndarje të mundshme të Kosovës nga Serbia në të ardhmen.

Në këtë mënyrë para klasës politike të Serbisë u vu si detyrë kryesore suprimimi i autonomisë së krahinave, respektivisht reduktimi i kompetencave të tyre ekzekutive e legjislative. Realizimi i një detyre të tillë do të merr një karakter më të vendosur pas ardhjes së Sllobodan Millosheviqit në krye të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë, më 1987. Millosheviqi hartoi një strategji politike për Kosovën bazuar në atë çfarë shihej si interesi nacional serb. Mënyra e tij e arsyetimit ishte e thjeshtë: nëse Serbia nuk arrin ta rimerr kontrollin mbi Kosovën, atëherë ky do të jetë fundi i kombit serb. Vite më vonë, do të bëhej e qartë se Kosova kishte qenë vetëm fillimi i fushatës nacionaliste dhe ekspansioniste për t’i bashkuar “gjithë serbët në një shtet”.

Për të realizuar objektivin e tij politik Millosheviq mbështeti mitingjet e solidaritetit që serbët e malazezët nga Kosova mbanin në qytetet e Serbisë e Malit të Zi, për të dëshmuar “të vërtetën për Kosovën”, që në fakt promovonin idenë për ndryshimin e kushtetutës. Objektiv tjetër i mitingjeve ishte edhe ndryshimi i udhëheqjes politike në Vojvodinë e në Mal të Zi dhe zëvendësimi i tyre me njerëz besnik të programit serb. Rënia e udhëheqjes së Vojvodinës në tetor 1988 e më pas edhe të Malit të Zi në janar 1989, i hapën rrugë Millosheviqit që tërë energjinë ta fokusonte në drejtim të Kosovës me synim eliminimin e autonomisë së saj. Mbledhja e 23 marsit 1989 e Kuvendit të Kosovës u shoqërua me një presion të jashtëzakonshëm psikik e fizik nga qarqet politike e policore serbe mbi delegatët e Kuvendit të Kosovës. Po ashtu demonstratat popullore në mbrojtje të Kushtetutës rezultuan me një dhunë policore që la 22 demonstrues të vrarë, shumë të lënduar e 647 të burgosur. Kështu, më 23 mars të vitit 1989, në Kuvendin Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve dhe të një pjese të deputeteve shqiptarë, do të ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974, me çka suprimohet autonomia politike e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë. Konfirmimi përfundimtar i amendamenteve pastaj u votua në një sesion të jashtëzakonshëm e solemn të Kuvendit të Serbisë në Beograd më 28 mars 1989.

Në këtë mënyrë Serbia vendosi kontrollin mbi gjithë fushën ekonomike-shoqërore, gjyqësinë, policinë, mbrojtjen civile të Kosovës, etj.

Duke mos u pajtuar me ndryshimet e dhunshme, delegatët e Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990 miratuan Deklaratën Kushtetuese, përmes së cilës Kosova shpallej njësi e barabartë me njësitë tjera të ish Jugosllavisë. Miratimi i Deklaratës në fjalë u pasua nga reagimi energjik i Kuvendit të Serbisë i cili përmes ligjit nr. 33/90 ndaloi veprimtarinë e Kuvendit të Kosovës dhe të Këshillit Ekzekutiv të Kosovës (qeverisë), duke përvetësuar kështu edhe funksionet që ushtronin institucionet e Kosovës.

Suprimimi i autonomisë së Kosovës, më 1989, dhe uzurpimi i institucioneve dhe kompetencave legjislative e ekzekutive të shoqëruara me dhunën policore, vuri shqiptarët e Kosovës para një dileme – si të vazhdohej më tutje? Kosova ndodhej para një udhëkryqi historik – të pranohej në heshtje realiteti i ri dhe t’i nënshtroheshin regjimit serb apo të ndiqej aspirata shekullore e popullit shqiptar në Kosovë për liri e demokraci. Periudha në fjalë shënonte edhe konsolidimin e forcave të reja politike shqiptare që lindën si rezultat i pluralizmit. Nën drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, si një forcë numerikisht më e madhe e unike në ish Jugosllavi, ku bashkohej gjithë inteligjenca e kohës, shqiptarët e Kosovës avancuan kërkesat e tyre politike. Në një mbledhje të organizuar në Kaçanik delegatët e Kuvendit të Kosovës shpallën më 7 shtator 1990 Kushtetutën e Kosovës, kurse referendumi për Kosovën si Shtet të Pavarur e Sovran, i shtatorit 1991, shënonte një transformim në kërkesat e shqiptarëve të Kosovës nga mundësia e bashkëjetesës me kombet e mbetura në Jugosllavi në opsionin e pavarësisë.

Duke u bazuar në miratimin e akteve të mësipërme klasa politike e Kosovës punoi në dy drejtime: në sensibilizimin e çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në konsolidimin e brendshëm duke ndërtuar institucionet paralele shtetërore, përkundër dhunës së vazhdueshme serbe. Kërkesat e udhëheqjes politike të shqiptarëve të Kosovë për njohje të kërkesave për liri e pavarësi dhe qëndrimi i faktorit ndërkombëtar karshi tyre mund t’i periodizojmë në tre faza: (1) qëndrimi i faktorit ndërkombëtar gjatë viteve 1990-1992; (2) 1995-1997, dhe (3) 1998-1999.

Qëndrimi i faktorit ndërkombëtar gjatë viteve 1990-1992

Angazhimi për zgjidhjen e drejtë të statusit të Kosovës në formë të pavarësisë së saj u prit ftohtë jo vetëm nga faktori ndërkombëtar, por edhe nga njësitë tjera federale. Vetëm Kuvendi i Republikës së Shqipërisë përmes një Deklarate, më 21 tetor 1991, njohu Republikën e Kosovës, si shtet sovran e të pavarur, mbi bazën e lirisë dhe barazisë të plotë me të gjithë popujt tjerë.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte bërë në rrethana të ndërlikuara ndërkombëtare e aspak të përshtatshme për shqiptarët e Kosovës. Shpërbërja e Jugosllavisë, si një shtet i larmishëm në aspektin etnik, religjioz e kulturor dhe me një pozitë strategjike gjeopolitike paraqiti një sfidë tepër specifike për komunitetin ndërkombëtar, sidomos për BE-në dhe SHBA-të, pasi ky proces u zhvillua mu në kohën e përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe krijimit të një sistemi të ri ndërkombëtar.

Qëndrimi i faktorit ndërkombëtar ishte një gërshetim i rrethanave të ndërlikuara politike ndërkombëtare. Përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe fillimi i krijimit të një rendi të ri ndërkombëtar, të shoqëruar edhe nga shpërbërja e Jugosllavisë, Çekosllovakisë e të Bashkimit Sovjetik, paraqitën një sfidë tepër të rëndë për SHBA-të dhe Evropën. Sfida kryesore qëndronte në përcaktimin e prioriteteve kryesore në politikën e jashtme dhe qasja që duhej marr ndaj zhvillimeve të reja. Bashkimi i Gjermanisë kishte rrezikuar pozitat dominuese të Britanisë së Madhe e të Francës në Evropë. Për t’u promovuar si një faktor me rëndësi në skenën politike evropiane Gjermania mbështeti shkëputjen e Sllovenisë dhe të Kroacisë nga Jugosllavia, ndërsa Franca e Britania nuk favorizonin krijimin e shteteve të reja. Ndryshe nga Evropa, për SHBA-në Jugosllavia nuk paraqiste më tej ndonjë rëndësi strategjike sikurse në të kaluarën, kur kishte luajtur rolin e balancuesit midis Lindjes e Perëndimit, prandaj shpërbërja e saj nuk paraqiste ndonjë rëndësi për të. Por, presidenca e SHBA ishte në dijeni të një raporti të përpiluar në nëntor 1990 nga CIA, që parashihte trazira e dhunë etnike, prandaj për të evituar zhvillime të tilla diplomacia amerikane u angazhua për “demokraci, dialog, të drejta të njeriut, ekonomi tregu dhe unitetin”.

Komuniteti ndërkombëtar, i preokupuar nga rrethanat e mësipërme, që u acaruan edhe më tepër me nisjen e konfliktit të armatosur në Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë, nuk e pa të udhës t’i kushtonte vëmendje kërkesave që vinin nga shqiptarët e Kosovës. Ai u mjaftua vetëm në angazhimin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe rikthimin e një autonomie lokale në Kosovë. Një qëndrim i tillë dëshmohet nga rezoluta e Parlamentit Evropian, e miratuar më 15 shkurt 1990, për gjendjen në Kosovë dhe respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe nga Rezoluta e Përbashkëte Senatit dhe Kongresit Amerikan e cila në esencë bënte thirrje për ndalimin e dhunës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe rikthimin e autonomisë politike të Kosovës.

Prirja e faktorit ndërkombëtar për mosnjohjen e kërkesës së Kosovës për pavarësi u përforcua edhe me tepër për shkak se komunitetit ndërkombëtar i mungonte kompetenca për të analizuar pasojat ligjore e ekonomike që dilnin nga shpërbërja e Jugosllavisë. Prandaj, Bashkimi Evropian formoi në gusht të vitit 1991 Komisionin e Badinterit, si një mekanizëm që do t’i ofronte Konferencës së Paqes këshilla ligjore lidhur me Jugosllavinë. Komisioni kishte për detyrë të lehtësonte dallimet që mund të paraqiteshin në bisedimet paqësore midis subjekteve jugosllave që së shpejti do të fillonin në Hagë, por po ashtu lëshoi edhe një numër opinionesh juridike lidhur me statusin e Jugosllavisë e të njësive të saja konstituive. Ndonëse nuk kishin karakter obligues, këto opinione kishin rëndësi specifike dhe u reflektuan në rastin e Kosovës, sidomos ato që kishin të bënin me të drejtën e vetëvendosjes së popujve dhe me kufijtë në momentin e pavarësimit. Opinioni nr. 2 nuk njihte të drejtën e vetëvendosjes së një populli brenda një republike dhe shprehej në favor të garantimit të të drejtave etnike dhe minoritare, ndërsa opinioni nr. 3, përkujtonte se kufijtë midis republikave nuk mund të ndryshoheshin.

Opinionet e Badinterit e vështirësuan edhe më tej pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare, sepse ajo nuk kishte qenë një republikë në ish federatën jugosllave, por vetëm një krahinë me në autonomi të caktuar politike e cila tanimë ishte revokuar dhunshëm nga Serbia. Duke marr për bazë opinionet e Badinterit, komuniteti ndërkombëtar u angazhua vetëm në ruajtjen e paqes dhe qetësisë në Kosovë, të cilën synonte ta arrinte përmes realizimit të së drejtave etnike apo minoritare. Mbi këtë bazë u hartuan propozime të ndryshme të cilat u shtjelluan në Konferencën e Hagës gjatë vitit 1991, sikurse “statusi special” apo një lloj autonomie e zgjeruar për banorët e minoritetit që formonin shumicën në hapësirën ku ata jetonin. Këto minoritete duhej të gëzonin të drejtat si: sistem arsimor i veçantë, organe të veçanta legjislative, strukturë administrative e gjyqësore etj.

Qëndrimi i tillë i komunitetit ndërkombëtar ishte po ashtu një refleksion ndaj kërkesave që paraqisnin serbët në Kroaci apo Bosnjë-Hercegovinë. Angazhimi për ruajtjen e integritetit territorial të këtyre dy republikave u reflektua edhe në rastin e Serbisë. Komuniteti ndërkombëtar po ashtu veproi në drejtim të ruajtjes së integritetit territorial të Serbisë, duke e njohur Kosovën si pjesë përbërëse të saj. Njohja e juridiksionit të Serbisë mbi Kosovën mund të bazohet në deklaratat e disa diplomatëve evropianë. Lordi Oven, përfaqësues i kësaj Konference, në fjalimin për shtyp të mbajtur në Prishtinë ku iu drejtua shqiptarëve e serbëve: “Serbët duhet të pajtohen me autonominë e Kosovës, kurse shqiptarët – vazhdonte ai – duhet ta pranojnë Serbinë”. Edhe zëvendësi i ministrit të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Dagllas Hog, me rastin e hapjes së Ambasadës britanike në Shkup, në dhjetor 1993, ndër të tjera deklaroi: “Ajo (Kosova) është pjesë e shtetit tashëm të Serbisë. Nuk synojmë ta shkatërrojmë integritetin e Serbisë, problemi do të zgjidhet brenda saj, Serbia do të jetë e detyruar që Kosovës t’i japë të drejtat politike më të gjera deri në autonomi”. Pro një autonomie të gjerë për Kosovën u shprehën edhe Italia, Gjermania e Franca. Po ashtu, edhe administrata e Bill Klintonit parashikonte për Kosovën një autonomi të gjerë nën sovranitetin e Serbisë.

Pra, komuniteti ndërkombëtar, u tregua i njëanshëm dhe si rrjedhojë insistonte në ruajtjen e paqes por edhe të integritetit të Serbisë. Për të arritur këtë objektiv komuniteti ndërkombëtar veproi në dy mënyra: së pari, paralajmëroi Serbinë të hiqte dorë nga dhuna – më 24 dhjetor 1992, presidenti Bush i dërgoi një letër Sllobodan Millosheviqit, që u bë e njohur si “Paralajmërimi i Kërshëndellave”, që theksonte se: “Në rast konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimet serbe, SHBA do të përgatitet ta përdor forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë e në Serbi”. Së dyti, tentoi t’i bindte liderët e shqiptarëve të Kosovës të ri-integroheshin në sistemin politik të Serbisë, me shpresën se do të ndikonin në ndryshimin e pushtetit e me këtë edhe të fitimit të të drejtave të tyre. Në vazhdën e këtij synimi, lideri opozitar serb Milan Paniq, ishte takuar në Londër me Ibrahim Rugovën dhe i kishte ofruar këtij të fundit rivendosjen e të drejtave të njeriut dhe të një autonomie për Kosovën nëse shqiptarët do të dilnin në zgjedhje. Por, shqiptarët e Kosovës nuk kishin marr pjesë në zgjedhjet serbe pasi që konsideronin se Republika e Kosovës nuk është pjesë përbërëse e Jugosllavisë. Në kujtimet e tij, ambasadori amerikan në Beograd vinte në pah këmbënguljen e udhëheqjes së shqiptarëve të Kosovës për të mos njohur autoritetin e Serbisë. Qëndrimi i tillë i udhëheqjes kosovare i bëri të ditur komunitetit ndërkombëtar se shqiptarët ishin të vendosur në rrugën drejt lirisë e pavarësisë dhe se nuk do të kishte kthim prapa në aspiratat kombëtare. Ky qëndrim vendosi bazën e kërkesës për pavarësi që do të parashtrohet në rrethana krejt tjera disa vite më pas.

Qëndrimi i faktorit ndërkombëtar gjatë viteve 1995-1997

Gjatë viteve 1992-1995 komuniteti ndërkombëtar ishte i angazhuar kryesisht në ndaljen e konflikteve të armatosura në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë. Derisa në aspektin e jashtëm Kosova u la në harresë, në aspektin e brendshëm në Kosovë vazhdonte dhuna sistematike policore serbe. Gjitha institucionet shoqërore-ekonomike e politike ishin uzurpuar nga Serbia, mbi 30.000 punëtorë shqiptarë ishin dëbuar nga vendet e tyre të punës, nxënësit, studentët e mësimdhënësit nga shkollat e fakultetet. Filloi të mbizotëronte një gjendje e rëndë ekonomike. Tashmë ne këto momente të vështira ekzistonte solidariteti popullor dhe organizimi për ndërtimin e institucioneve paralele. Shqiptarët në Kosovë kishin ngritur sistemin e pavarur arsimor – shtëpi/shkollat, institucionet shëndetësore – nëpër shtëpi private, me një rezistencë pasive kundër okupimit serb.

Në këtë periudhë daljen nga kjo gjendje e vështirë elita politike shqiptare e kohës e shihte tek përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftimeve në Bosnjë-Hercegovinë e me këtë edhe gjetjen e një zgjidhjeje politike për Kosovën. Pasi që Evropa nuk kishte qenë në gjendje ta zgjidhte krizën në Bosnjë-Hercegovinë, dhe për të parandaluar zgjerimin e krizës dhe përfshirjen e shteteve tjera në të, një përgjegjësi të tillë e mori përsipër administrata e presidentit Bill Klinton. SHBA organizoi Konferencën e Dejtonit, që u mbajt në nëntor 1995. Por, Kosova nuk ishte ftuar në këto bisedime pasi që gjasat për arritjen e paqes do të ishin më të vogla nëse do të diskutoheshin probleme të gjera dhe se pjesëmarrja e Kosovës mund të ishte shkas për zemërimin e Millosheviqit, i cili shihej nga ndërkombëtarët si çelës i arritjes së paqes.

Refuzimi i faktorit ndërkombëtar për ta trajtuar çështjen e Kosovës në Dejton shkaktoi një zhgënjim dhe pakënaqësi të përgjithshme në Kosovë. Perëndimi nuk e kishte shpërblyer durimin e popullit dhe punën e liderit të shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugovës, pavarësisht vlerësimeve pozitive për rezistencë paqësore. Bashkimi Evropian vazhdoi me qasjen se raportet e përmirësuara midis BE-së dhe RFJ-së mund të çonin deri tek një qasje “konstruktive” e RFJ-së në akordimin e një lloj autonomie për Kosovën.

Një qasje e tillë nënkupton se Bashkimi Evropian nuk kishte ndryshuar qëndrim karshi Kosovës dhe po vazhdonte me qëndrimin e vjetër për Kosovën në kuadër të Serbisë. Një tjetër argument që e vërteton këtë konstatim është se komuniteti ndërkombëtar tani filloi të angazhohej për zgjidhjen e çështjes së arsimit në Kosovë, me shpresën se një gjë e tillë do ta qetësonte situatën e do t’i hapte rrugë dialogut të mëtejshëm midis Serbisë dhe shqiptarëve në Kosovë. Me ndërmjetësimin e komunitetit katolik Shën Exhidio u arrit marrëveshja midis Ibrahim Rugovës e Sllobodan Millosheviqit për kthimin e nxënësve dhe studentëve në objektet e tyre duke filluar nga shtatori 1996.

Sigurisht, një marrëveshje e tillë nuk u zbatua, sepse ajo kishte qenë vetëm një lojë e Millosheviqit për ta hequr nga vetja presionin e komunitetit ndërkombëtar e njëkohësisht edhe për ta goditur rezistencën aktive shqiptare që kishte filluar t’i jepte shenjat e para në Kosovë. Në anën tjetër, një marrëveshje e tillë ishte e nevojshme edhe për Ibrahim Rugovën, pozitat politike të së cilit kishin filluar të veniten në Kosovë. Në këto rrethana, qëndrimi i tillë i komunitetit ndërkombëtar ndaj Kosovës, bëri që qarqe të ndryshme politike në Kosovë të mendonin për gjetjen e formave të tjera të rezistencës kombëtare. Deri tek një pikë e tillë çonin analizat që iu bënë vendimeve të Dejtonit. Pavarësisht kostos së izolimit ndërkombëtar, dënimeve për spastrimit etnik dhe gjenocid, serbët e Bosnjës kishin përfituar më shumë se sa kishin kërkuar.

Me fjalë tjera, marrëveshja e Dejtonit bëri të ditur se marrëveshjet territoriale në baza etnike në Ballkan, gëzonin legjitimitet në sytë e Perëndimit dhe se vetëm përdorimi i forcës në tentativat për arritjen e vetëvendosjes mund ta siguronte vëmendjen e Perëndimit. Në këtë kontekst, shumica e shqiptarëve në Kosovë tani u bindën se ishin shteruar mjetet politike dhe diplomatike për zgjidhjen e problemit, pasi komuniteti ndërkombëtar nuk e konsideronte Kosovën si problem serioz. Në anën tjetër, gjatë viteve 1995-1997 shtypja serbe vazhdonte ende më ritmin e vjetër, duke privuar shqiptarët nga të drejtat e tyre më elementare, në të gjitha segmentet e jetës ekonomike, shoqërore, arsimore, kulturore e politike. Lëvizja shqiptare e rezistencës pasive filloi t’i nënshtrohej një transformimi të pjesshëm pasi që një pjesë e aktivistëve filloi t’i bashkëngjitej rrymave të reja. Në fakt, filloi një lëvizje aktive që fillimisht u shoqërua me demonstrata popullore. Një faktor tjetër që përshpejtoi organizimin e rezistencës aktive ishin ngjarjet e pranverës së vitit 1997 në Shqipëri. Skemat piramidale financiare që i kishte lejuar Qeveria shqiptare kishin arritur fundin e tyre të natyrshëm. Shqipëria ra në anarki. Qeveria shqiptare e kohës humbi kontrollin, kurse armatimet e braktisura nga forcat e sigurisë u vodhën. Qindra mijëra armë ishin  në dispozicion të qytetarëve, sidomos pushkët automatike. Kjo ngjarje lehtësoi organizimin e rezistencës së armatosur. Një faktor tjetër që intensifikoi transformimin e rezistencës pasive në atë aktive ishte edhe Lëvizja Studentore, respektivisht demonstratat studentore të tetorit 1997. Dhuna e shfrenuar serbe kundrejt demonstruesve paqësorë bindi komunitetin ndërkombëtar për vështirësitë në demokratizimin e Serbisë, kurse ishte edhe një moment kthese, sepse ktheu vëmendjen e Perëndimit përsëri nga Kosova. Rritja e interesimit të diplomacisë së vendeve të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së, vërtetoi edhe njëherë se përfshirja ndërkombëtare ndodh vetëm pas eskalimit të situatës. Në aspektin e brendshëm, protesta po ashtu bindi popullatën shqiptare në Kosovë se me Serbinë është e pamundur marrëveshja në kushte paqësore, sidomos kur pas paqes në Bosnjë, Serbia i kishte duart e lira të merrej me Kosovën e në këtë mënyrë ta shtonte dhunën e represionin. Andaj, në kushtet e intensifikimit të dhunës dhe shtypjes së policisë serbe ndaj civilëve të pafajshëm, politikës së brendshme të vendit dhe indiferencës së faktorit ndërkombëtar, në Kosovë i erdhi fundi durimit dhe status quo-së.

Qëndrimi i faktorit ndërkombëtare gjatë viteve 1998-1999

Në kushtet e dhunës së vazhdueshme policore serbe dhe mungesës së perspektivës për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, organizimi i rezistencës së armatosur u pa si e vetmja alternativë për çlirimin e Kosovës dhe zgjidhjes së çështjes së saj. Shqiptarët u detyruan të organizoheshin për vetëmbrojtje e luftë të armatosur, me qëllim që t’i mbrojnë vatrat dhe tokën e tyre, dhe për të fituar lirinë. Ndonëse celulat e para të organizimit të rezistencës së armatosur i hasim qysh në fillim të viteve 1990, 28 nëntori i vitit 1997 shënon daljen publike në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Pavarësisht se misioni i UÇK nënkuptonte luftën për të drejtën legjitime të një populli për liri, dhe se në ballafaqim me UÇK-në forcat serbe kishin ushtruar dhunë të paparë ndaj civilëve të paarmatosur, komuniteti ndërkombëtar, vazhdoi me të njëjtat pretendime për respektimin e të drejtave të njeriut dhe sigurimin e një autonomi në kuadër të Serbisë. Madje, Robert Gelbard, emisar special i presidentit Klinton, kishte deklaruar në mars 1998, se “UÇK është një organizatë terroriste”. Një deklarim i tillë i dha pretekst të qartë Millosheviqit që të fillojë serinë e parë të sulmeve të shkallës së gjerë kundër popullatës civile, duke vrarë një numër civilësh të paarmatosur. Sidoqoftë, ka të ngjarë se prapa një deklarate të tillë qëndron papërgjegjësia apo tejkalimi i kompetencave nga Gelbardi, pasi nuk besohet se SHBA të ketë dhënë dritën jeshile për një veprim të tillë. Po ashtu, ai mund të jetë ngatërruar me ide të ndryshme brenda komunitetit ndërkombëtar që mund të shkonin deri në atë shkallë sa të mendonin për eliminimin e UÇK-së, nënshtrimin e shqiptarëve dhe arritjen e asaj çfarë kërkonte komuniteti ndërkombëtar – mosndryshimin e kufijve.

Pavarësisht deklarimeve të Gelbardit dhe të bashkëmendimtarëve të tij, UÇK ishte ushtri tipike çlirimtare. UÇK-ja nuk kishte të bënte me asnjë nga variantet e terrorizmit. Ushtria Çlirimtare e Kosovës iu kundërvu agresionit serb duke u mbështetur në të drejtën që kanë popujt për t’u mbrojtur nga dhuna e agresioni si dhe për t’i sjellë atij çlirimin kombëtar. Rruga e luftës së armatosur në formë të organizimit ushtarak u pa si e vetmja alternativë për çlirimin e Kosovës dhe zgjidhjen e çështjes së saj. Regjimi policor dhe ushtarak serb i Millosheviqit ishte shkaktari kryesor i përkeqësimit dhe i radikalizmit të situatës në vend, te cilët ndiqnin, arrestonin, burgosnin, rrihnin, maltretonin dhe vrisnin popullsinë shqiptare e kontrollonin me forcë territorin e pushtuar, që nuk u përkiste atyre, por popullit autokton shqiptar.

Këmbëngulja e UÇK-së dhe shkalla e paarsyeshme e dhunës së ushtruar nga autoritetet policore serbe kundër popullatës civile, bënë që komuniteti ndërkombëtar në pjesën e parë të vitit 1998 ta modifikonte qëndrimin ndaj Kosovës. Një nga përfaqësuesit e BE-së kishte deklaruar se BE refuzonte të pranonte se Kosova është një çështje e brendshme e Jugosllavisë.

Me fjalë tjera, lufta e armatosur e UÇK, që u manifestua edhe me aktin sublim të Jasharajve në Prekaz, vuri Kosovën në tryezën e diskutimeve të komunitetit evropian. Çështja e Kosovës u trajtua nga Bashkimi Evropian, Grupi i Kontaktit, Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian, etj., të cilat ofruan alternativa të ndryshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Nga propozimet më të rëndësishme ishte ai i Grupit të Kontaktit i datës 9 mars 1998, i cili doli me propozimin për “… një autonomi substanciale për Kosovën, që do të shprehej me vetë-administrimin e saj përmbajtësor, duke funksionuar si njësi më vete brenda Serbisë, e jo në kuadër të Jugosllavisë”. Nuk ka asnjë dyshim se një ofertë e tillë paradoksale ishte e papranueshme për shqiptarët e Kosovës. 

Mospranimi i “autonomive” të tilla dhe vazhdimi i luftës së armatosur bëri që komuniteti ndërkombëtar t’i avanconte propozimet e saj për Kosovën. Tani, në tryezë të bisedimeve u hodh edhe opsioni i një republike në kudër të federatës jugosllave. Kjo skemë parashihte që Kosova të kishte kushtetutën e saj, t’i administronte çështjet e brendshme dhe të kishte të drejtën e vetos në nivel federate. Niveli federativ do të kishte kompetenca në fushën e mbrojtjes, politikës financiare dhe të politikës së jashtme. Vëmendja ndaj kësaj ideje konsistonte në faktin se nuk kishte nevojë për ndryshimin e kufijve ndërkombëtar të Jugosllavisë, edhe pse sipas logjikës së Komisionit të Badinterit Republika e Kosovës do të ishte kandidate për njohje si një shtet i ri.

Mali i Zi u shpreh kundër, sepse një skemë e tillë ia zbehte atij rolin në federatë. Por, as serbët e as shqiptarët nuk do të pranonin një skemë të tillë. Si do të mund të jetonin shqiptarët nën sigurinë e një ushtrie që kreu masakra, vrasje e depërtime, apo në anën tjetër, si mund të pranonte Serbia një republikë të Kosovës kur aq shumë energji e propagandë ishte harxhuar e kur shumë mite për serbizmin e kishin gjenezën në Kosovë.

Sidoqoftë, gjatë fundit të marsit dhe gjatë gjithë prillit 1998 SHBA dhe Bashkimi Evropian, respektivisht mekanizmat përkatëse nën drejtimin e këtyre subjekteve, dolën me ide dhe propozime të ndryshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, që fillonin nga një autonomi politike e administrative, autonomi e zgjeruar, republikë me kusht, republikë me kompetenca jo si të Malit të Zi, por jo më pak se “Republika Srpska” në Bosnje-Hercegovinë, republikë në kuadër të ish-Jugosllavisë pas një prove transitive të vetëqeverisje së vetë suksesshme prej 3 vitesh, etj. Por, sikurse shihet, asnjëra nga këto propozime nuk e parashihte pavarësinë e Kosovës, pra gjitha ato, pak a shumë, parashihnin gjetjen e një lloj modeli përmes së cilës Kosova do të mbetej nën Serbi, ndonëse ishte e qartë se asnjëra nga këto propozime nuk do të pranohej nga shqiptarët e Kosovës, sepse binin ndesh me parimet themelore të luftës çlirimtare.  

Krahas aktiviteteve të komunitetit ndërkombëtar, në terren gjithnjë e më shumë po faktorizohej UÇK, e cila me ngulm kërkonte të merrte përgjegjësinë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Komuniteti ndërkombëtar e kishte kuptuar se nuk mund të arrihej një zgjidhje pa UÇK-në, prandaj për të kuptuar nga dora e parë qëllimet e luftës çlirimtare, diplomati i rangut të lartë amerikan, Riçard Holbrok, zhvilloi në fund të qershorit 1998 në Junik një takim me përfaqësues të UÇK. Edhe pse Holbrok kishte deklaruar se “… ishte një takim jozyrtar midis përfaqësuesve amerikanë dhe atyre të UÇK-së me qëllim të identifikimit të gjendjes reale në terren …”, megjithatë një akti i tillë mund të konsiderohet edhe si njohje e heshtur e UÇK-së nga SHBA.

Pas momentit të cekur më lart, faktori ndërkombëtar gjithnjë e më tepër do të orientohet tek Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, pasi që UÇK-ja ishte forcë reale në terren, e cila nuk mund të anashkalohej as nga faktori ndërkombëtar e as nga Jugosllavia në përpjekjet për ndaljen e luftimeve dhe vendosjen e paqes. Në këtë mënyrë kontaktet midis UÇK dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë do të intensifikohen gjatë nëntorit 1998. Diplomatët evropianë e amerikanë u takuan me përfaqësues të UÇK-së në Dragobil më 6 nëntor 1998, në të cilën UÇK përfaqësohej nga Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Ramë Buja. Këto takime ishin një indikacion i qartë se adresa e bisedimeve me shqiptarët tanimë ishte zhvendosur nga Prishtina në selinë e Shtabit të Përgjithshëm dhe se UÇK tanimë ishte pranuar edhe zyrtarisht si faktor vendimtar për çështjen e Kosovës.

Zgjerimi i territoreve nën kontroll të UÇK dhe kundër ofensiva serbe e gushtit 1998, që u shoqërua me zhvendosjen e një numri të madh civilësh nga vendbanimet e tyre, bëri që komuniteti ndërkombëtar të angazhohej për ndaljen e luftimeve, si parakusht për zhvillimin e aktiviteteve drejt gjetjes së një zgjidhjeje paqësore. Më 13 tetor 1998 nënshkruhet marrëveshja ku policia e ushtria serbe do të ktheheshin në nivelet e paraluftës, në Kosovë do të vendosej misioni verifikues i OSBE dhe se NATO do të bombardonte Jugosllavinë brenda 96 orësh nëse marrëveshja nuk do të realizohej.Pavarësisht këtij kërcënimi, gjatë periudhës janar-mars 1999 vazhdoi dhuna brutale e forcave serbe kundër civilëve. Mbi 200 000 njerëz u dëbuan nga vatrat e tyre, kurse nga Serbia gjithnjë e më tepër vinin përforcime ushtarake. Kulmi i dhunës serbe ishte masakra e Reçakut, 15 janar 1999, ku u masakruan mbi 45 civilë. Më 20 mars Misioni Verifikues u tërhoq nga Kosova.

Ndërkohë në shkurt 1999 kishte filluar punën Konferenca e Rambujesë që për detyrë kishte gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për Kosovën. Bisedimet për bazë kishin projekt propozimet për të ardhmen e Kosovës, të hartuara nga diplomatët Hill dhe Petrisch. Në përbërje të delegacionit të shqiptarëve të Kosovës ishin përfaqësues të UÇK-së dhe të spektrit politik të Kosovës. Delegacioni i Kosovës kryesohej nga përfaqësuesi i UÇK-së, Hashim Thaqi. Teksti i parë i draft marrëveshjes që iu prezantua shqiptarëve dhe serbëve kishte pesë pika: ndërprerja e menjëhershme e dhunës; tërheqja e menjëhershme e forcave policore e ushtarake jugosllave nga Kosova; stacionimi në Kosovë i një force ushtarake të udhëhequr nga NATO; rikthimi i sigurt i refugjatëve dhe personave të zhvendosur; dhe një zgjidhje politike që përbëhet nga një autonomi e zgjeruar për Kosovën.

Por, propozimi nuk kishte qenë i pranueshëm për dyja palët. Jugosllavia refuzoi praninë e forcave ndërkombëtare, kurse shqiptarët opsionin e autonomisë së zgjeruar të cilin e kishin pasur edhe me Kushtetutën e vitit 1974. Kërkesa e spektrit politik shqiptar ishte pavarësia, pasi që dhuna brutale serbe prej disa dekadave nuk kishte lënë hapësirë për shqiptarët që të jetojnë nën ombrellën e shtetit serb.

Më 15 mars 1999 rifilluan bisedimet, që ishin ndërprerë për shkak të mospajtimeve. Teksti i ri i negociatave ofronte një autonomi të zgjeruar që përmbante një vetëqeverisje për gjitha çështjet e brendshme, si: arsimi, shëndetësia dhe ekonomia. Kosova do të kishte presidentin dhe kuvendin, gjykatën supreme, qeverinë etj. Trupat dhe zyrtarët e huaj do ta garantonin zbatimin e marrëveshjes. Autonomia e zgjeruar do të ofrohej për një periudhë prej tre vitesh. Pas tre vitesh do të mbahej një konferencë ndërkombëtare për të vendosur mbi statusin final të Kosovës. Kompetencat e RFJ në Kosovë do të ishin: (a) integriteti territorial; (b) ruajtja e tregut të përbashkët brenda RFJ; (c) politika monetare; (d) mbrojtja; (e) politika  jashtme; (f) doganat; (g) sistemi tatimor federal; etj. Për më tepër, në Kosovë do të kishte tre nivele të autoriteteve të zbatimit të ligjit, kosovare, republikane dhe federale, kurse kufijtë ndërkombëtarë do të kontrolloheshin nga autoritetet jugosllave (rreth 1500 ushtarë). Në Kosovë do të zbarkonte edhe një forcë e NATO-s si garantuese e marrëveshjes. Në përmbyllje të draft tekstit qëndronte dispozita që parashihte organizimin e një konference ndërkombëtare për të caktuar mekanizmat për zgjidhjen e statusit final të Kosovës bazuar në vullnetin e popullit, përpjekjeve të palëve për respektimin e marrëveshjes dhe Aktit Final të Helsinkit.

Pavarësisht se premtohej një konferencë për statusin e Kosovës, një formulim i tillë, ku theksohej ruajtja e integritetit territorial të RFJ dhe politikat e përbashkëta në sferat më të rëndësishme, ishte vështirë i pranueshëm për delegacionin shqiptar. Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeline Albright, i dha garanci të qarta delegacionit shqiptar në Rambuje se shprehja “vullnet i popullit” nënkupton vullnetin e popullsisë në Kosovë e jo të asaj në Serbi e Mal të Zi, që do të shprehet përmes referendumit. Delegacioni shqiptar e nënshkroi marrëveshjen, kurse serbët e refuzuan. Më 24 mars 1999, filloi fushata e sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve policore e ushtarake jugosllave. Fushata zgjati 78 ditë. Në qershor 1999 gjeneralët e Millosheviqit u detyruan ta nënshkruanin kapitullimin e Ushtrisë jugosllave dhe brenda një kohe të shkurtër forcat serbe u detyruan të tërhiqen nga Kosova, kurse në Kosovë u vendosën Administrata e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara (UNMIK), dhe KFOR-i.

Në tërë Kosovën periudha para dhe gjatë bombardimeve të NATO-s ishte e shoqëruar me beteja të rrepta ndërmjet forcave ushtarake, policore e paramilitare serbe dhe forcave të UÇK-së.

Si përfundim, mund të konstatojmë: nga të gjitha analizat del përfundimi se, faktori vendimtar për të arriturat në Kosovë ishte Lufta Çlirimtare e Kosovës, ishte UÇK-ja me dinamizmin, pjekurinë, operacionalitetin, zhdërvjelltësinë, largpamësinë, qëndrueshmërinë, unitetin, kompleksitetin dhe ndërveprueshmërinë. Të gjithë faktorët e tjerë kanë qenë faktorë ndihmës dhe mbështetës… Pra, është e qartë se pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe pa luftën e e drejtë të saj, nuk do të kishte as ndërhyrje të NATO-s dhe as mbështetje të opinionit ndërkombëtar dhe organizmave evropianë e botërorë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura