Prishtinë, 25. 04.2016: Kohë më parë Gjykata e Apelit në Prishtinë e liroi nga paraburgimi gjenaralin M. Bojoviq , ish komandant i korpusit të Prishtinës, përgjegjës për planifikimin dhe udhëheqjen e operacioneve ushtarake për komunat Prishtinë, Besianë, Fushë Kosovë, Kastriot (Obiliq) dhe Lipjan. Që ironia të jetë më e madhe gjenerali i ushtrisë serbe u arrestua për kalim ilegal të kufirit ndonëse i njejti përveç dokumenteve personale të Serbisë , gjithashtu ishte pajisur edhe me dokumente të Kosovës sepse, së bashku me bashkëshorten gëzonte edhe pensionin e Kosovës (në bazë të moshës) kurse pensionin e Serbisë e kishte si kontributpagues dhe angazhim në ushtrinë serbe në Kosovë e sidomos roli i tij ishte i rëndësishëm gjatë luftës së fundit ku kishte përgjegjësi komanduese , si gjeneral dhe përgjegjësi politike si njeri shumë i afërt dhe i besueshëm i Sllobodan Millosheviqit. Gjenerali Bojoviq, u dëbua nga Kosova duke ia dorëzuar palës serbe në pikëkalimin kufitar në Merdare. Për KMDLNj-në është i diskutueshëm edhe arsyetimi i vendimit të gjykatës përkatëse se: “pas ekzaminimit mjekësor gjykata mori vendim për lirimin e gjeneralit Bojoviq…”! Ekspertiza dhe diagnostifikimi mjekësor do të kishte kuptim vetëm pasi të ketë filluar procedura hetimore dhe pasi të jetë siguruar prania e gjeneralit serb gjithmonë kur ftohet nga gjykata.
KMDLNj është shumë e vetëdijshme se gjenerali Bojoviq është liruar pas presionit të Serbisë te ndërkombëtarët kurse këta kanë bërë presion te vendorët të cilët nuk u përballojnë këtyre presioneve. Prokurori i Shtetit, z. Lumezi dhe prokurorja e prokurorisë speciale për krime lufte znj. Hajdari botërisht u deklarua se e kanë shumë vështirë t’i procedojnë rastet për krime lufte sepse shumica e të dyshuarve për krime lufte në Kosovë gjinden në Serbi kurse nuk ka mundësi të kërkohet ekstradimi i tyre në Kosovë ndërsa gjykimi në mungesë , për shkak të ligjislacionit në fuqi nuk është i mundur.
KMDLNj, për hir të informimit të opinionit e thekson se menjëherë pas përfundimit të luftës një trup gjykues vendor e dënoi të akuzuarin për krime lufte, z. Trajkoviq kurse instanca më e lartë e trupit gjykues e përbërë nga gjykatësit e UNMIK-ut e liroi nga çdo përgjegjësi z. Trajkoviq dhe më nuk lejoi gjykatat vendore të merren me gjykime për krime lufte duke e konsideruar si çështje ekskluzive dhe ekzekutive të UNMIK-ut. Po në vitin 2000 nga burgu i Mitrovicës “u arrratisën” 20 serbë dhe 1 rom të dyshuar për krimr lufte me nofkën Drazha Mihajlloviq (kryeçetniku i Serbisë) dhe kurrë më nuk u arrestuan madje askush nga ndërkombëtarët nuk i përmendi në kohën kur shumë shqiptarë u arrestuan dhe u dënuan për krime lufte dhe krime ndaj civilëve. Në kohën kur Dick Marty doli me raportin për “Shtëpinë e Verdhë” në Burrel ku kinse kishin vrarë , keqtrajtuar dhe ku u ishin hjekur organet për t’u trafikuar serbëve të arrestuar nga UҪK, Serbia ndërmorri një propagandë të fuqishme duke angazhuar njerëz të sigurimit serbë dhe mjete të mëdha materiale të sigurohen dëshmitarë që do të dëshmonin rrejshëm se atyre iu ishin marrë organet apo se kishin parë duke ua hekur organet serbëve të kidnapuar dhe pastaj i kishin ekzekutuar. Për këto dëshmi të rrejshme dy të dyshuar serbë të Kosovës dhe njëri nga Vojvodina kishin ofruar deri në 200 000 euro para të gatshme. Të arrestuarit u mbajtën disa muaj në paraburgim dhe pastaj u liruan, pa asnjë dyshim nën presionin ndërkombëtar. Po të njejtën kohë kishte deklarata se prokurorë të UNMIK-ut ofronin para të majme , ndërrim të identitetit dhe strehim në një vend tjetër për ata dëshmitarë që do të pranonin të dëshmonin në rastin e Grupit të Llapit. Afërsisht 90% e të akuzuarve serbë për krime lufte në Kosovë janë liruar ndonëse kishte dëshmi bindëse sikur që ishte rasti për masakrën e Reçakut, masakrën në Studime, krimin në veri të Kosovës, krimet në Lubeniq, Qyshk dhe Zahaq, masakra në burgun e Dubravës, masakrën e Krushës, Mejës dhe shumë masakra tjera. Ndërsa afërsisht 75 – 80 % të dyshuar shqiptarë për krime lufte dhe krime ndaj civilëve janë dënuar me burg efektiv ose ndonjë masë tjetër. Kur bëhet fjalë për respektimin apo shkeljen e të drejtave të njeriut, shkeljen e Ligjit për të Drejtën Humanitare dhe zakoneve të luftës , nuk vlen parimi i reciprocitetit mirëpo në një shoqëri me një shpërputhje aq të madhe të dënuarve për krime lufte (shqiptarë) dhe me një shkallë aq të lartë të mosndëshkueshmërisë për krime lufte ( të serbëve të dyshuar), kjo gjendje ka ndikim të madh negativ në procesin e ballafaqimit me të kaluarën nëpër të cilën domosdoshmërisht duhet të kalojnë palët e përfshira në luftë sikur edhe në procesin e pajtimit i cili domosdoshmërisht duhet të ndodh pasi procesi i ballafaqimit me të kaluarën të jetë i suksesshëm. Në situatën aktuale në Kosovë ku kemi dënimin thuaja vetëm të një palë (shqiptarët) dhe amnisti përmes mosndëshkimit të palës tjetër (serbëve) Drejtësia Tranzicionale e humb fare kuptimin dhe e bënë të pamundur procesin e pajtimit.
Procesi i pajtimit midis popujve nuk mund të bëhet me akte administrative e cila e përjashton kërkimfaljen , si hap i parë dhe ndëshkimin në rast se dëshmohet fajësia. Situatën e bënë edhe më të rëndë formimi i një Gjykate Speciale për Krime Lufte apo krime të UÇK-së e cila paraqet presedan në të gjitha vendet ku ka pasur luftë apo konflikte të armatosura sepse , për herë të parë në botë e kemi rastin kur të gjithë të dyshuarit, të akuzuarit apo të dënuarit eventualë janë shqiptarë kurse pala akuzuese , gjykatat, gardianët e burgjeve dhe burgjet do të jenë të huaj. Për herë të parë në botë e kemi rastin ku parimi etnik i fajësisë e mbizotëron forcën e provave apo të argumentit që e paragjykon fajësinë dhe përgjegjësinë. Në kohën kur Hashim Thaçi u inaugurua për President të Kosovës në Sheshin Skënderbeu , ministrat serbë të Qeverisë së Kosovës dhe deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës (përjashtuar njërin prej tyre) protestonin në Graçanicë kundër dënimit të një serbi, ZH. K i dënuar për krime lufte!!!
E kemi një situatë të pashpresë dhe jonormale në fushën e drejtësisë përkatësisht në fushën e gjykimeve për krime lufte. Derisa shumë shqiptarë janë dënuar dhe mbahen në burg për krime lufte , ndonëse në Kosovë viktima në së paku 96% kanë qenë pikërisht shqiptarët në luftën e fundit, shumë prej tyre të dënuar në bazë të përgjegjësisë komanduese ndërsa gjenerali Sami Lushtaku i dënuar për një “krim “ të cilin në vendet perëndimore as që do të imagjinohej se mund të dënohet, gjenerali Bojoviq për shkak të gjendjes shëndetësore dëbohet nga Kosova ndonëse si komandant i Korpusit të Prishtinës kishte përgjegjësi komanduese dhe politike për këto viktima civile shqiptare:
– në Prishtinë: 307 të vrarë , 75 të zhdukur dhe 101 vrasje në masë,
– Lipjan: 159 të vrarë , 18 të zhdukur dhe 28 vrasje në masë,
– Kastriot – Obiliq: 69 të vrarë , 16 të zhdukur dhe 36 vrasje në masë ,
– Fushë Kosovë: 139 të vrarë, 15 të zhdukur dhe 7 vrasje në masë dhe
– Besianë (Podujevë): 499 të vrarë, 53 të zhdukur dhe 98 vrasje në masë.
Nga kjo lë të kuptohet se për shkak të përgjegjësisë komanduese të gjeneralit Bojoviq në komunat ku janë zhvilluar veprimet ushtarake të planifikuara por edhe të drejtuara nga ky gjeneral kemi 1173 të vrarë shqiptarë , 177 të zhdukur dhe 270 të vrarë në masë.
A nuk ka mjaftuar ky mozaik i krimeve që gjenerali Bojoviq të mbahet në paraburgim apo është dashur që politika të jetë përcaktuese për krimin e tij ?!
A është logjike që shumë shqiptarë edhe me dënime të vogla të mbahen në burg për krime lufte ndërsa një i dënuar me 9 vite burg siç është Oliver Ivanoviq të qëndrojë në shtëpi ?!
A është normale që shumë shqiptarë të dënohen në bazë të dëshmive të një të dënuari bashkëpunues siç është Nazim Bllaca dhe akuzave të një prokurori të UNMIK-ut, EULEX-it dhe tash bashkëpunëtorit të Prokurorisë për Krime Lufte të Serbisë siç është Mauricio Salustro dhe pse tash prokuroria dhe gjykata që i kanë dënuar në bazë të Bllacës dhe Salustros nuk e kërkon rikthimin e procesit në pikën zero ?!
Dhe sa duhet të jenë të besueshme dëshmitë e Bllacës, Salustros dhe Vekariqit kundër shqiptarëve para Gjykatës Speciale ?!
Përfundimisht, drejtësia për viktimat e krimeve të luftës, viktimat e pasluftës që ndërlidhen me prapavijë etnike dhe politike kanë mbetur të pashpaguara kurse kriminelët , përgjegjës për urdhërdhënie , mospengesë , planifikim apo ekzekutimin e viktimave kanë mbetur të pandëshkuara. Ende në mentalitetin tonë kriminelët dhe viktimat ndahen në të atyre janë kriminelët dhe viktimat janë tonat. Deri sa në Kosovë kriminelët nuk trajtohen si të tillë dhe viktimat nuk trajtohen si viktima pavarësisht përkatësisë së tyre etnike , fetare apo statusi tjetër , drejtësia do të mbetet e papërmbushur.
Kjo në Kosovë ende po ndodhë sepse kemi drejtësi selektive (për krime lufte) dhe standarde të dyfishta që për bazë e kanë interesin dhe oportunitetin politik e jo provat që duhet të jenë përcaktuese për caktimin e fajësisë apo pafajësisë.
Shërbimi për Informim i KMDLNJ-ës
Prishtinë 25 prill 2016
…………………………………………………………
Gjenerali serb, Milan Bojoviq nuk hetohet për krime lufte!