RECENSIONE PËR LIBRIN ‘EDUKATA QYTETARE’ TË AUTORËVE DR.SABRI REXHA DHE DR.NUSRET PLLANA

Pashtriku.org, 26 maj 2017: (“Libri “Edukata qytetare” është hartuar në bazë të planit e programit të Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës dhe u kushtohet studentëve të këtij fakulteti, si tekst mësimor, por mund ta shfytëzojnë të gjithë të interesuarit, që dëshirojnë të kenë njohuri nga kjo fushë e shoqërisë njerëzore. Në kuadër të këtij teksti universitar është përfshirë edhe një pjesë e veçantë, ku bëhet fjalë për ekonominë dhe ndikimin e saj në jetën njerëzore.” – Prof.Dr.Musa Limani)
***
Nga: Prof. Dr. Demë Hoti
Këshilli Mësimor i Fakultetit të Edukimit më ka emëruar njërin nga recensentët për vlerësimin e dorëshkrimit të tekstit: Edukata qyterare, të autorëve Dr.S. Rexha dhe Dr.N. Pllana, dhe përkitazi me këtë paraqes:
R E C E N S I O N

I – Të dhëna të përgjithshnme:
Dorëshkrimi i tekstit Edukatë qyterare të autorëve Sabri Rexha e Nusret Pllana, është mbarështruar në gjithsej 355 faqe tekst, i kategorizuar në 24 tërësi, që për nga përmbajtja paraqet një tërësi të strukturuar të fushëveprimtarisë të lëndës edukatë qytetare. Natyra e përmbajtjeve të përzgjedhura rezultojnë nga dokumentet: Korniza kurrikulare, kurrikula bërthamë dhe kurrikula lëndore për nivelet e arsimit elementar (klasa I-V), SHMU dhe SHML. Po ashtu, shumë nga përmbajtjet përkojnë edhe me përshkrimet e kurrikulave të programit të studimeve të departamentit parashkollor dhe fillor të Fakultetit të Edukimit dhe të disa departamenteve të fakulteteve të tjera. Dorëshkrimi ju kushtohet po ashtu, edhe të gjithë prakticientëve, të cilët i trajtojnë përmbajtjet e edukatës qytetare në cilindo nivel të arsimit, por edhe studentëve, të cilët studiojnë në studimet e nivelit BA dhe MA në fakultetet e shkencave shoqërore, juridike dhe ekonomike.
II – Të dhëna specifike:
Dorëshkrimi për nga natyra përmban mjaft përmbajtje, të cilat nuk janë të natyrës profesionale vetëm pedagogjike, meqë shumë nga ato ju përkasin edhe fushave të tjera si: Drejtësi, Rregullim shoqëror, Histori dhe Ekonomi, unë në cilësinë e profesionalistit të fushës së shkencave pedagogjike, shpreh konstatimet si në vijim:
a/ Anët pozitive
• Përmbajtjet të cilat për nga natyra i përkasin fushës së edukatës dhe të arsimit, janë përfaqësuar mjaftueshëm në dorëshkrim;
• Përmbajtjet janë relevante, kanë rrjedhë logjike dhe janë interesante për strukturën moshore të shfrytëzuesve potencial;
• Meqë dorëshkrimi për nga natyra ka karakter të tekstit mësimor, ai i përmbushë edhe kërkesat e domosdoshme të tekstit mësimor, sepse ka përmbajtje të mjaftueshme, ka ushtrime e detyra, të cilat dorëshkrimin e bëjnë interesant dhe të aplikueshëm;
• Në dorëshkrim afrohet literaturë e mjaftueshme, e cila lexuesve ju shërben edhe si udhërrëfyese, për të gjithë ata, të cilët kërkojnë burime shtesë për ngritje dhe përkryerje të vazhdueshme profesionale;
• Ndërthurja e përmbajtjeve ka rrjedhë kronologjike, respekton depertueshmërinë vertikale dhe atë horizontale;
• Dorëshkrimi afron edhe shumë shembuj konkret, që shfrytëzuesve ju mundëson të analizojnë dhe të krahasojnë dukuritë dhe fenomenet shoqërore, jo vetëm në Kosovë, por shpesh edhe në hapësira më të gjëra, si pasojë e globalizimit dhe të integrimeve, si procese botërore;
b/ Rekomandimet:
• Dorëshkrimi, për mendimin tim, do të ishte e dëshirueshme të jetë në harmoni me kërkesat e metodologjisë bashkëkohore shkencore e hulumtuese, meqë i dedikohet një popullacioni me struktrurë të ndryshme arsimore. Mendoj se meqë në dorëshkrim ka mjaft dokumente, tekste, mendime autoriale, e të tjera, tekstet universitare „duhet të thirren “në burime relevante” për hirë të korrektësisë autoriale!
• Konsideroj poashtu, se struktura e sistemit arsimor e paraqitur në dorëshkrim, duhet të rishikohet, sepse nga viti 2014 e këtej, ka një ndryshim në strukturë, sepse janë inkorporuar edhe „klasat parafillore ( Niveli 0 ) mosha 5-6 vjeçare dhe është eleminuar klasa e trembëdhjetë në nivel të SHML-së.
III – Mendimi përfundimtar për pjesën pedagogjike
Si njëri nga recensuesit e pjesës pedagogjike të dorëshkrimit, dhe duke u mbështetur në pikat I, dhe II dhe në pikat a dhe b të këtij recensioni, kam nderin që isha në cilësinë e recensuesit dhe me këtë rast shpreh mendimin tim afirmativ, se dorëshkrimi me titull: Edukatë qytetare i autorëve Dr.Sabri Rexha e Dr. Nusret Pllana, pasi të merr edhe vlerësimet dhe rekamandimet recensionale të ekspertëve nga Fakulteti Juridik dhe Fakulteti Ekonomik, meriton të botohet si tekst mësimor universitar. Botimi i këtij teksti do ta plotësojë dukshëm nevojën akute për tekste universitare të lëndës: Edukatë qytetare për të gjithë studentët, mësimdhënësit dhe prakticientët, fushëveprimtaria e të cilëve është mësimdhënia apo mësimnxënia e përmbajtjeve nga edukata qytetare.
* * *

Nga: Prof.dr. Musa Limani
Dr. Sabri Rexha dhe Dr. Nusret Pllana, Edukata qytetare,
(Për pjesën ekonomike të dorëshkrimit të këtij teksti universitar)
R e c e n s i o n
Libri “Edukata qytetare” është hartuar në bazë të planit e programit të Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës dhe u kushtohet studentëve të këtij fakulteti, si tekst mësimor, por mund ta shfytëzojnë të gjithë të interesuarit, që dëshirojnë të kenë njohuri nga kjo fushë e shoqërisë njerëzore. Në kuadër të këtij teksti universitar është përfshirë edhe një pjesë e veçantë, ku bëhet fjalë për ekonominë dhe ndikimin e saj në jetën njerëzore. Në fillim, theks i veçantë i është kushtuar nevojës së zhvillimit ekonomik, si domosdoshmëri për të krijuar të mira materiale, që janë të nevojshme për sigurimin e ekzistencës së njeriut. Me këtë rast, flitet për rëndësinë e tregut, veprimin e ligjeve ekonomike, ofertën dhe kërkesën dhe ndikimin e tyre të konsumatorët. Në këtë pjesë të librit, studenti më për afër njoftohet se çka paraqet oferta (prodhimi), çka paraqet kërkesa (konsumatori), si dhe veprimi i tyre në formimin e çmimit në ekonominë e tregut.
Në pjesën ç’është ekonomia? Në fillim prezantohet përkufizimi i ekonomisë si shkencë, duke potencuar se ekonomia ka për objekt studimi dukuritë, proceset dhe ligjet objective, që kushtëzojnë dhe rregullojnë mararëdhëniet midis njerëzve në procesin e riprodhimit të zgjeruar shoqëror. Në kuadër të kësaj pjese të tekstit, bëhet fjalë për faktorët e prodhimit dhe rëndësia e tyre, në krijimin e parakushteve dhe kushteve për zhvillimin ekonomik të një vendi. Madje, shqyrtohen sistemet ekonomike, duke dhënë karakteristikat e tyre, në zbatimin konkret të politikave zhvillimore ekonomike. Vend të konsiderueshëm zë edhe prezantimi i fushave ekonomike dhe rëndësia e tyre veç e veç, në krijimin e të mirave matriale dhe zhvilllimin ekonomik. Theks i veçantë, në këtë pjesë të librit, ka trajtimi i nevojës së intervenimit të shtetit në ekonomi, duke përfshirë ndërhyrjen edhe në ekonominë e tregut, por deri në atë masë që nuk pengon veprimin e lirë të ligjeve ekonomike.
Në kuadër të kësaj pjese, të këtij teksti universitar, zë zhvillimi ekonomik i Kosovës pas çlirimit (1999). Këtu, me një shqyrtim analitik prezantohen dëmet që u ka bërë lufta ekonomive familjare dhe ekonomisë së Kosovës në përgjithësi. Në mënyrë analitike vështrohen rrjedhat ekonomike dhe dukuritë negative, që i kanë përcjellë proceset ekonomike në Kosovë, në periudhën e pas çlirimit.
Andaj, duke pasur parasysh çka u tha më sipër, për pjesën ekonomike të këtij teksti univeristiar, mund të konstatohet se është përdorur një gjuhë dhe terminologji profesionale, e ndërtuar fjali kuptimore, që për profilin e studentëve të Fakultetit të Edukimit, është e mjaftueshme të njihen me kuptimin e shkencave ekonomike, veprimin e ligjeve ekonomike, veçmas ligjit të vlerës (ofertën dhe kërkesën), e kështu me radhë, pra të kenë njohuri të përgjithshme për çështjet ekonomike dhe rëndësinë e ekonomisë në shoqërinë njerëzore. Me fjaltë të tjera, niveli i stilit të shkrimit, në pjesën ekonomike, është mjaftë i kuptueshëm për studentët e Fakultetit të Edukimit, nga të cilët kërkohet të kenë njohuri elementare, nga ekonomia si shkencë dhe, si i tillë, i përgjigjet të jetë pjesë përbërse e këtij teksti universitar.
* * *
Nga: Prof.dr. Osman Ismaili
Recension
Dr. Sabri Rexha dhe Dr. Nusret Pllana, EDUKATA QYTETARE
(tekst universitar)

Me kërkesën e Dr. Nusret Pllanës që të shkruaj disa fjalë lidhur me librin, duke lexuar dorëshkrimin me titull “Edukata qytetare” të autorëve Prof. dr. Sabri Rexha dhe Prof. dr. Nusret Pllana, vërtet u ndjeva i respektuar dhe i privilegjuar, ngase këtë nderim më bënin dy mësimdhënës universitar.
Libri në fjalë ka gjithësejt 355 faqe tekst të shkruar dhe 6 faqe literaturë. Nga këto janë rreth njëqind (100) faqe i përkasin fushës juridike, në kuptimin e gjerë të fjalës.
Autorët e dorëshkrimit kanë bërë një punë të vyeshme, por edhe interesante për studentët, të cilët nuk i studiojnë shkencat juridike, por e këtë lëndë e kanë në programin mësimor. Andaj, autorët gjatë trajtimit të lëndës, kanë përdorur metodologji më të llojllojshme, e cila zakonisht është e rëndomtë në shkrimin e teksteve universitare, sidomos ato të karakterit shkencor, do të thotë, kur ka pretendime që të bëhen hulumtime të thella, të qarta dhe të mbështetura me citime dhe fusnota, të cilat e bejnë studimin me peshë më të madhe, duke i dhënë edhe vulën e punimit shkencor. Mirëpo, punimi kështu i shtruar, duke dhënë nocionet më karakteristike dhe elementare, në fushën e së drejtës dhe, njëherit, sqarimet e drejtpërdrejta në aspektin teorik dhe praktik, më thotë mendja se ia kanë dale detyrës, së cilës ju kanë përkushtuar, që studentëve të grupit përkatës të studimeve jo juridike t’u mundësohet të kenë idenë dhe njohuri të mjaftueshme lidhur me nocionet dhe dukuritë juridike në kuptimin e gjerë, siç janë, fjala vjen, nocioni i shtetit, normave, akteve juridike, demokracisë, llojet e demokracisë, parlamentarizmin, ndarjen e pushteteve, si edhe të dhëna të tjera lidhur me liritë dhe të drejtat e njeriut, liritë dhe të drejtat e fëmijve, shkeljen e tyre si edhe sanksionet lidhur me to. Pra, libri përmban të dhëna të shumta duke përfshirë kohën nga Antika deri sot. Kur kësaj i shtohen edhe pyetjet pas dhënies të sqarimeve, atëherë, më thotë mendja, se vërtet ia kanë dalë me sukses, arritjes së qëllimit didaktik, metodologjik dhe pedagogjik që leksionet studentët t’i kuptojnë më lehtë dhe më mirë.
Andaj, i propozoj komisionit përkatës, lidhur me lejimin e librit të hartuar nga dy autorët e lartë shënuar, që të botohet sepse i përmbush kriteret e një teksti universitar të përshtatshëm dhe të pranueshëm, i cili i plotëson kriteret e një punimi të pavarur, të mvetësishëm dhe origjinal.
________________
Shtojcë:
Dr. Nusret Pllana është autor i Monografisë: “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët – 1844 – 1999”, Prishtinë, 2001, që opinionin evropian e botëror e ka njoftuar lidhur me okupimin dhe masakrat e ushtruara nga pushtuesi serb ndaj popullësisë shqiptare në Kosovë. Autor i shumë filmave dokumentarë dhe veprave publicistike, që kanë të bëjë me krimet serbe mbi shqiptarët deri në shkallë gjenocidi.

Prof.asoc.dr.NASER ZABELI

Këshilli Mësimor i Fakultetit të Edukimit më ka emëruar njërin nga recensentët për vlerësimin e dorëshkrimit të tekstit: Edukata qyterare, të autorëve Dr.S. Rexha dhe Dr.N. Pllana, dhe përkitazi me këtë paraqes:
Recension
(Dr. Sabri Rexha • Dr. Nusret Pllana, EDUKATA QYTETARE, tekst universitar në Fakultetin e Edukimit)

Dorëshkrimi, Edukata qytetare, i hartuar nga autorët Dr. Sabri Rexha dhe Dr. Nusret Pllana, profesorë në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, është i konceptuar për të plotësuar kërkesat për studentët nga lënda Edukata qytetare.

Hartuesit e dorëshkrimit Edukata qytetare, janë mbështetur në planin dhe programin mësimor të Fakultetit të Edukimit, si dhe në metodologjinë bashkëkohore shkencore dhe, trajtojnë çështje të rëndësishme për studentët që marrin njohuritë e duhura nga kjo lëndë. Autorët, kanë sistemuar njohuri të mjaftueshme të kësaj lënde, janë kujdesur të jenë sa më të kuptueshëm dhe sa më të përshtatshëm për nivelin e atyre që u ofrohet.

Dorëshkrimi është sistemuar në disa kapituj, i bazuar në kërkesat programore të lëndës. Me këtë rast janë përfshirë njohuri të mjaftueshme për të gjitha aspektet e edukatës qytetare, si një përbërës elementar i njeriut, që rritet dhe edukohet në një mjedis të caktuar shoqëror, me specifikat e caktuara kulturore, me gjuhë dhe zakone të ndryshme nga të tjerët, si dhe me përvojë historike, që ka elemente të përbashkëta dhe veçuese me jetën e popujve të tjerë, qoftë në rrethin e afërt, qoftë në hapësirat evropiane dhe më gjerë.
Dorëshkrimi Edukata qytetare, në Hyrje trajton përkufizimet metodologjike, qoftë në mënyrën e shqyrtimit të materies së kësaj lënde, qoftë përkufizimet e elementeve që përbëjnë aspekte të caktuara të edukatës qytetare, qoftë edhe analizimin kronologjik të dukurive të ndryshme shoqërore, që kanë pasur zhvillim historik nëpër periudha të ndryshme kohore. Po ashtu, në pjesë të caktuara të këtij teksti universitar, autorët kanë trajtuar elemente të llojllojshme, si përbërës të dukurive të ndryshme në jetën e njeriut, qoftë si pjesë e një mjedisi të caktuar shoqëror, qoftë edhe si pjesë e një komuniteti më të gjerë përmes komunikimit ndërkulturor, që ju mundëson njerëzve të njihen më mirë me njëri-tjetrin, e cila del si kërkesë shumë e rëndësishme e edukatës qytetare të secilit individ.
Autorët e dorëshkrimit më tej trajtojnë çështje si vijon:
– Përkufizimin që i bëhet kësaj materjeje në vende të ndryshme dhe në kultura të ndryshme;
– Historinë e gjatë dhe të rëndësishme të edukatës, si pjesë e jetës së njeriut, në njërën anë, por edhe si kërkesë e vazhdueshme e institucioneve shkollore për të përgatitur të rinj të edukuar për jetën dhe veprimtaritë shoqërore në një mjedis shoqëror;
– Efektet dhe mangësitë, dukuritë negative të edukimit qytetar, në të gjitha periudhat kohore, duke filluar nga organizimi i shoqërive primitive, nga edukata e tyre paraprake, e deri te paraqitja e dukurive negative në shoqëritë moderne, siç janë përdorimi i drogave të ndryshme;
– Dorëshkrimi për nga natyra përmban mjaft përmbajtje, të cilat nuk janë të natyrës profesionale, vetëm pedagogjike, meqë shumë nga ato iu përkasin edhe lëmenjve tjerë si: Drejtësi, Rregullim shoqëror, Histori dhe Ekonomi.
Krahas të gjitha anëve pozitive, rekomandojë edhe çështjet si vijon:

– T’i kushtohet kujdes terminologjisë, koncepteve të ndryshme, të cilët mund të kenë shumëkuptimësi, apo edhe të keqinterpretohen;
– Të shfrytëzohen burime edhe më relevante dhe të bazuara në hulumtime;
– Të përfshihen ndryshimet e viteve të fundit në strukturën arsimore të Kosovës dhe ndryshimet përmbajtësore të saj.
Duke besuar se merrren në konsideratë rekomandimet e sipërshënuara, duke pasur parasysh informacionet e sistemuara, çështjet që janë trajtuar në secilin kapitull, nivelin e zgjedhur me kujdes të trajtimit të secilit aspekt të trajtuar, nevojën për tekste universitare në gjuhën shqipe, pasi të merren në konsideratë rekomandimet edhe të kolegëve tjerë recensentë, e kemi kënaqësinë që dorëshkrimi Edukata qytetare, të propozohet për botim.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura