REPUBLIKA KUSARE E ULQINIT!

REPUBLIKA KUSARE E ULQINIT!

Vlerë e padiskutueshme historike e dokumentare për njohjen dhe ndriçimin e kusarisë dhe piraterisë së Ulqinit

Nga Gjekë Gjonaj

Libri më i ri i gazetarit dhe  studiuesit të njohur  Mustafë Cankës “Republika kusare e Ulqinit – një epope 200-vjeçare” nuk është vepra e parë me vlerë historike dhe kulturore  e tij, i cili  herëpashershëm  befason  me punë të tilla vetëmohuese, hulumtuese, shkencore , që tregon një  dashuri të madhe për qytetin e tij të lindjes – Ulqinin (qytetin më të vjetër në Adriatik), por edhe një vullnet të jashtëzakonshëm , cilësi që nuk i mungon  studiuesit.

Në këtë vepër  tregimtare në prozë  trajtohen ( përshkruhen)  bëma  legjendare e  ngjarje  të rëndësishme historike  të jetës së ulqinakëve  të lundrimit në det, i cili përgjatë historisë ka qenë një nga profesionet kryesore të tyre, ku, siç thotë autori, gjithmonë këtu vlente rregulli i ashtuquajtur detar: “Është e nevojshme të  lundrosh, s’është e nevojshme të jetosh”.

Ky konstatim lë të kuptojmë  se sa të forta dhe të pa ndara ishin lidhjet  e gjata shekullore  të  ulqinakëve me detin   dhe detarinë , si burim i ekzistencës së tyre jetësore, e cila ngritjen  e vet më të madhe e arriti në shekullin XVII, XVIII dhe gjatë shekullit XIX, por edhe me kusarinë  që  përmendet që në shekullin XIV, kurse  Ulqini, në shekullin XVII e XVIII, u shndërrua në çerdhe të rrezikshme të kusarëve.

Libri “ Republika kusare e Ulqinit” është i  strukturuar  në 22 njësi tematike, për të cilat autori  bën kërkime e  hulumtime serioze me qëllim   të  zbulojë dhe të zbardhë  fakte e të dhëna  të panjohura ose pak të njohura  për shumëllojshmërinë e aktiviteteve ( ngjarjeve) në det  dhe epopenë  200-vjeçare kusare  ulqinake e cila përfundon  në mesin e shekullit XVIII. Vepra  për lexuesin është sa  interesante, aq  e këndshme, aq  tërheqëse, aq edhe e ndërtuar bukur si strukturë dhe si paraqitje ( shtjellim ).

Kur njihesh me përmbajtjen e këtij libri me vlera të padiskutueshme  historike e dokumentare bindesh për qasjen e tij serioze të bazuar në literaturën shkencore dhe për barrën e rëndë të punës që ka mbajtur mbi supe ai, jo vetëm në grumbullimin dhe prurjen dokumentare  të  lëndës nga autorë shqiptarë dhe të huaj,  por edhe në realizimin  (hartimin) me sukses  të kësaj vepre me interes  jo vetëm për ulqinakët, por edhe për  shqiptarët dhe popujt e tjerë. 

Ky libër do t’u përafrojë botën emocionuese të kusarëve dhe piratëve  dhe do t’ju zbulojë  të gjitha  të fshehtat e tyre: zakonet dhe mënyrën e tyre të jetesës, rolin e tyre në histori, kusarët që fituan famë ( emër), të  gjitha informacionet më të rëndësishme, së bashku me fotot dhe shumë gjëra të tjera interesante.

Pasi e lexova librin “ Republika kusare e Ulqinit” u binda  se  kolegu Mustafë Canka  ka dhënë më të mirën e vetes dhe nuk është kursyer për të dhënë  kontributin e tij të çmuar me saktësi argumentuese , bujari çiltërsi dhe dinjitet, për të hedhur dritë  mbi kusarinë e Ulqinit,  e cila  për  banorët e këtij qyteti të jashtëzakonisht të bukur mesdhetar për rreth 200 vjet, përveçse ishte një nga burimet e jetesës, ishte edhe një biznes mizor i përgjakshëm.

Vlerën  e këtij libri ia shton edhe  gjuha (ligjërimi) që ka përdorë autori. Vepra  është shkruar me një stil të arritshëm drejt paraqitjes së qartë të  asaj epoke të shkuar që ndërlidhet me historinë  dhe traditën e lashtë të ulqinakëve  në viset bregdetare të Mesdheut, të cilët historikisht , që nga Iliria janë të njohur si detarë të shkathtë, lundrues të mirë, ndërtimtarë dhe kapedanë të zotë të anijeve, por edhe si kusarë , apo piratë.

Mustafë Canka në këtë libër studimor është treguar një individualitet me një formim të personalitetit të respektuar, pse jo edhe të mahnitshëm, si studiues i mirëfilltë dhe njohës i mirë i historisë së Ulqinit,  sepse ka fituar diçka të madhe, lirinë vetjake që nuk ndërvaret nga askush, nga asnjë lloj klani apo grupimi politik. Kjo është një vlerë e madhe e cila  i dallon krijuesit dhe studiuesit  e vërtetë ( tamam)   nga  të tjerët, të ndikuar nga politika e kohës. (Marrë nga Koha Javore)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura