REXHEP KASUMAJ: GJAKU I TURBULLUAR I KANCELARIT…

Berlin, 17 dhjetor 2019: (Një pamje ndryshe)
1.
Perandori i kërkonte ngulmërisht dorëheqjen. Por ai, sedra dhe egoja e tij, guxoi të kthente mbrapsht vullnetin e sovranit të rreptë.

Vërtetë, përse duhej të ikte? A nuk sendërtoi ëndrrën e bukur gjermane për bashkimin e principatave të xyfura ndër vite (1871)? A nuk ia doli që njëj sistemi të aleancave shkathtësore të siguronte paqen? Dhe, poashtu, të hidhte idenë e shtetit social, mbase të parin në Europë?

Megjithatë, vetëm dy vjet pas fronësimit (1890), Fjalë-Urdhëri i epërm i Wilhemit të dytë do bëhej jetë. Ai shtrëngohej t’i bindej dhe, ashtu, përgjithmonë të largohej nga punët e shtetit që kishte krijuar vetë.

Athua rivaliteti? Hija që i bënte? Madhështia? Historia që do i vente pas ishte sfondi i goditjes perandorake? Por kjo është punë tjetër. Një temë për rrëfime të ngeshme mbi teknologjinë pushtetare të një kohe të largët…

2.
Ishte ky kancelari i famshëm Otto von Bismarck, i cili, tek përballej sfidash të mëdha, kishte një kurë të veçantë: pinte, pinte shumë verë. Ndaj dhe përveç “Kancelar i hekurt” ai njihej dhe pijanec i tillë, i hekurt ose thënë në mënyrë fine, verëshijues i pasionuar.

Në Kongresin e Berlinit kushtuar Rendit të ri në Ballkan (1878), ku mikpriste burra shtetesh të Europës, qysh në mjes zbrazte tre gota birre mbushur verë nga më e forta, “Portwein”, për t’i vënë, si thosh, në qarkullim valëzimet e gjakut të tij…

Ndërkaq, gjatë drekës pinte përherë dhe me fund dy shishe shampanjë, kurse në darkë qejfërisht pëlqente Brantwein ose verën e destiluar. Ah, shprehej ai, seç më preh kjo e bekuar në fund të ditës së lodhshme.

3.
Ndërsa lexoja këtë lektyrë kujtoja një gjak tjetër, të fismë e të vjetër. Për 100 vjet ai nuk do qarkullonte gëzueshëm, harlisshëm në vrullin e ditës dhe as do prehej muzgjesh pranë oxhakut dimnor.

Ishte gjaku shqiptar që për hirin e atij gjaku të lodhur e të përnxehur berlinez, duhej të helmonte zemrat e shtypura e të gufonte në revoltë këlthitëse dhe ndaj Zotit vetë.

I dehur-prehuri Kancelar prente copëra tokash e fatesh shqiptare. Dhe dora e tij, apo e kirurgëve të tjerë tek hidhnin firmat tumirëse për krimin e klyshëve të Rusisë (Fishta) që do ndodhte shpejt më pas, nuk dridhej fare. Vera e kuqe, gjak e kuqe, e kishte qetësuar tashmë. Ndaj lapsi shkiste lirshëm, pa trazim a tronditje, si skalpel ndër të vdekur, mbi barkun e prerë të nënave shqiptare…

Britmat e dhimbjes, vajit e mallit për humbjen e atdheut, do dëgjoheshin sërish e vazhdimisht deri vonë në motet që vinin. Të rënda e barbare. Të braktisura nga qielli e rrethuar nga indiferenca njerëzore. Sepse kohë e parë ia kalonte kohës së dytë, si testament gjeopolitik, kapitullin e ri të tragjedisë! Dhe gjaku i turbulluar i kancelarit ishte (gjithë qindvjetin e ri 1900) akoma vrushkulli fillestar i saj….

4.
Ndodh që pasrendës klikash a regjimesh të pendohen a përulen pranë memorialesh të viktimave nga popuj të etnociduar prej tyre. Kudo. Në tempujt e vdekjes dhe kujtesës n’për Europë.

Vetëm për dramën, elaboratet për shfarosjen a çelekullat e nëndhéshme të shqiptarëve – këtyre rrënjësve të lashtë lindur bashkë me perënditë, nuk pendohet, as gjunjëzohet kush. As turku i Azisë, as serbi i Sllavisë dhe as zotnítë frakzi nga disa oborrë të “mërrutës”, Europës së errësisë.

Pse vallë këta të fundmit na bëjnë me faj? Që jemi etërit e tyre? Ç’kompleks i errtë! Një revansh i çuditshëm iracional që prek kufijtë e atëvrasjes…

Kushedi, ndoshta vetëm i lumi Freud me zhbirimet e tij në honet e mugëta të shpirtit mund t’u ndihmojë..!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura