Berlin, 10 prill 2019. (Mbi kulturën e krimit)
1.
Kult-shkrimtari frëng dhe autori i famshëm i “Nënshtrimit” mallkon gjermanët. Por, tashmë, jo nga sindromi apo animoziteti i vjetër. (Tridhjetë e tri herë këmba gjermane do shkelte Parisin si invador, shkruan Çërçill në memoaret e tij!) Përkundrazi. Flet me pezm e keqardhje. Madje, si në altar Europe, i mëshiron dhmbsurisht.
Në gjurmë të idesë për kthim në vlerat e Votrës, ai thotë: gjermanët, më shumë se askush, kanë stërholluar instinktin e vetëzhbërjes, të shfytyrimit identitar.
Nuk e di të jetë, por nëse qenkësh kështu – aherë cila do ketë qenë shtysa, vorba ku është mpiksur gjëmë e tillë?
Mërzia, lodhja nga qenja etnike plot ngushtësi, brëngë, mite, thirrje e ofshâmë të moçme? Vështirë. Ideja e Kantit për Republikën qytetare të botës? Sërish vështirë. Apo, mbase, dorëvënja mbi një krijesë supranacionale ku gjermanët, të njohur për prirje perandorake (si shprehet Otto von Habsburg), do jetonin epërsinë në shtrirjen e pafund..? Poashtu vështirë të pretendojë gjasën saktësisë!
2.
Ndërsa njeriu, i bardhë ai zi, ka natyrë unike, popujt janë të ndryshëm dhe, ndër vite, zhvillojnë kultura të veçanta. Fjala vjen, sipas Terzanit, indusët janë aq paqësorë sa, shkruan ai, shumë tyresh kam parë të mbajnë një rrjet mbi ftyrë. Përse? Që as fluturat e vogla të padukshme të mos hyjnë e gëlltiten padashje, duke i bërë ashtu vrasës, shojtës t’një jete…
Rrjedhimisht, është kultura e fajit ajo epruveta që, nëse përfillet teoria Michelit të merakosur për shpirtin e Europës, mund të ketë ngjizur tharmin e “vetëprishjes”…
Ndërkaq, ka një popull tjetër, këtej rrotull nesh, që, i kundërt me ta, ruan prorë koherencën negative n’për mote: nuk parzmon as filozofinë etnike induse dhe as kulturën shndërrestare të fajit gjerman.
Në Belgrad, këtë qytet duhmash mesjetare e, njëkohësisht, thirrjesh të fëmijëve shqiptarë, groposur nën dhéun poshtë tij, akoma sot nuk ka pëndesë, reflektim, ndjesë, përulje. Nuk ka as prerje e fillim të ri të përkorë e kryeulur. Krime s’qenkan bërë. As varre masivë. Apo dëbim biblik. S’qenkan therur fëmijë e shnjerëzuar gra…
E zhvilluar në gjen, kjo indiferencë e krimit të mohuar bën rezervën e një rituali të përgjakshëm për një kohë të dytë.
3.
A mund të imagjinohej dot që një ministër, më i afërti, nga kabineti i Adolf Hiterit, Gebëlsi i informatave e propagandës, të zgjedhej kancelar i Gjermanisë së re?
Askurrë. Gjermanët u rilindën nga hini i ariozofisë. Dhe prenë epokën më dysh: para e pas saj.
Por kjo nuk do të ndodhte në Serbi. Doktrina e urrejtjes, mortit dhe ekspandimit, anise e disfatuar, vijon të jetë nyjëtisht e lidhur me ndërgjegjen e serbit politik dhe në Rendin e ri botnorë. President i saj, që glorifikonte idhujtarisht atin politik, është pikërisht ministri gebelsjan i fyhrerit Millosheviq, gjykuar e vdekur për popullvrasje në qelitë e Hagës.
Kryepar i shtetit të cilin, mbi krusmën e shqiptarëve, e lëmojnë sërish kartat e pista gjeopolitike…
Mjerisht!
Postime të Lidhura
DR.FADIL MALOKU: KOMBIN E BASHKOJNË PROJEKTET EKONOMIKE, E JO BROҪKULLAT MEDIOKRE POLITIKE!
Prishtinë, 11 prill 2018: 1. Një çështje e rëndësishme në procesin e tranzicionit padyshim është edhe ai i…
REAGIMI KMDLNj-së: DEGRADIMI I GJUHËS PARLAMENTARE NË KUVENDIN E KOSOVËS!
Prishtinë, 3 mars 2020: Me datë 02.03.2020 është mbajtur seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare lidhur…
SHEFIK SADIKU: POPULLI ËSHTË I MIRË, POR UDHËHEQJEN E KA TË KEQE!
Viti, 8 dhjetor 2020: Mbase nuk po zbuloj Amerikën me këtë konstatim, por vetëm po e them një…
SHERADIN BERISHA: GJYKIMI I PARISË SË PRIZRENIT(III)
Pashtriku.org, 27. 10. 2013 – Gjatë procesit hetimor, EULEX’i ka vërtetur të gjitha provat e mbledhura, dhe më…