REXHEP KASUMAJ: NJË VLERË E PAPËRSOSUR DHE NJË PËRSOSMËRI E PAVLERË!

Berlin, 25 mars 2019:
1.
Më kujtohet, si sot, një intervistë. Shumë vite që këtej. Vend i veçantë dhe përsonalitet emblematik. E, sidomos, një fjalë, që kishte saktësi e sëmbim…
I pyetur nga intervistuesi në një studio serbe, se a frikësohej që ndodhej në Belgrad, Adem Demaçi, në stilin e tij prej rrfeje, do të thoshte: jo, aspak. Përse? Shpirti nuk vdes.

E kisha lexuar dhe më pëlqente thënja hyjnore e Jezuit: mos u frikëso nga ata që t’a vrasin trupin. Dhe, në këtë frymë qiellore, e gjeja logjike, çliruese, shprestare përgjigjen e Demaçit në metropolin serbian.
Por, pretendimi i dialoguesit nuk ishte biblik, kozmogonik. Ishte krejtësisht i kësojetshëm e tokësor.
Dhe në pyetjen e kulluar politike, ai, për çudi, jepte përgjigje eminente klerike.
Ndaj, në gjurmë të përceptimit të tij, njeriu zhgënjyeshëm do fshante: nëse qenkësh kështu, aherë për ç’duhej gjaku, tmerri, vuajtja e morti për një shtet, kur kurmi është kaq i parëndësishëm e kalimtar ndanë lumnisë në jetën e pasosme?

2.
Ndërkaq pasrendës të tij, pinjoj shpirtërorë a frekuentues të hershëm t’një shkolle tjetër politike, nuk vuajnë fare këtë dytësi të papërsosur.
Ata, hedonistë të thekur, jo nga dija por nga instinktet, shkrihen për kalimsinë. S’ka botë tjetër. Dhe sentencën e famshme “Carpe diem”, e kanë absolvuar përtej çdo përftyrimi të Horacit të lashtësisë. Dhe kjo është përsosmëria e tyre. As frikë lartë, nga qielli, dhe as turp poshtë, nga njeriu. Një përsosmëri fundërisht e pavlerë. Brutale, makabre, ç’njerëzore…
Nuk e kanë idenë e kulturës a profilimit ideologjik: të majtë, të qendrës a të djathtë, e sërish bëjnë sikur rreshtohen. Sikur kanë programe, alternativë a vizion…
Por anipse shtihanë, është pika, kodi funksional që i njëshbën në mjerësinë trishtuese. Realiteti i tyre i admiruar kënetor. E pra, rrëmbimi i gjithçkaje që del përpara. S’prish punë që aty, në plaçkën e shkretë që s’ka gojë të bërtasë, janë flijuar copëza jete, fati, dhimbjeje a ëndrre të atyre që s’i pyet askush për asgjë.
As për jetën këndej dhe as për jetën matanë…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura