REXHEP KASUMAJ: PRISHËSIT E IDILËS (APOLOGJI PËR STARTUS’QUONË E LUMTUR)

Berlin, 07. 04. 2014 – 1. I vjetër sa bota është fenomeni i korrupsionit që dikur, në Europën feudale, ishte legal: dinjitarë mbretnorë nëvojisnin donacion shtesë për stilin e jetës oborrtare, pastaj titullarë politikë për të sprapsur e dobësuar kontrahentët, kurse shërbyes diplomatikë për finesat e zejes së hollë! Po tani, në kohën që jetojmë, përpetuimi i tij kërcënon rrënueshëm shoqëri e kombe të paarrira, gjithandej rrokullisë.
Mësohet se Agjencia antikorrupsion i paskësh dërguar institucioneve kushtetuese një referim për këtë damkë që, tashmë, ka marrë statusin e përtrirë sistemor mesjetarë në Kosovë. Janë paraqitur dhe instanca të tjera që zotohen ti kenë shpallur besatueshëm luftën e shenjtë. Latinët e lashtë, ndërkaq, si për të provuar ligështinë njerëzore, thoshin se pikërisht mamuthëria shtinjake e këtyre organizmave të posaçëm e kotnarë, është dëshmia e shëmtuar e disfatës dhe hipokrizisë. Natyrisht, rrënja e saj ka dhe faktorë të tjerë përlindës, por, ndryshe nga disa vënde, Kosova nuk përjetoi, së paku, “efektin Habsburg” që t’ndikonte vetëfrenimin e përgjegjshëm të njerëzisë ndaj prirjes së egër për të shkallmuar, pa asnjë keqardhje a drojë, interesin e lartë publik.


2.
Ishte i madh numri i shenjuar dhe, poaq, i lartë e i vranshëm rangu i tyre. Aderojnë aty, krenisht, plutokratë të të gjithë proveniencave, po që i bashkojnë tri postulate unike: bëhen të kamur pas pushtetzënjes, mandej dorëvënja në pasurinë e përbashkët dhe, së mbrami, ngazëllimi arrogant që shoqëron kryerjen e veprës madhnore.
Dhe tani, njëmend, Republika e re ka rënë, si rrallëherë, në pikë të hallit. Ligjzbatimi i rreptë (po hamendësuam atë) do të shkaktonte vakum të gjatë e dramatik qeveritar dhe, poashtu, rënje zinxhirore ndër kierarkë vernilë, grykës e të pafund. Përse? Sepse nuk janë kurthuar në leqet e krimit vetëm ata që kanë kapur fronin, por dhe ata të cilët livadhisnin aty tash 15 vjet. Ku të marrin, pra, elektorët e shkretë, të tjerë që do të përfaqësojnë vullnetin e tyre? Ngado që të kthejnë sytë, të njësojtë e jo më të mirë, do tu dalin përpara me përgjerimin mashtrues për t’ua rrëmbyer votën e dlirë, e bashkë me të, ardhmërinë e fëmijëve të tyre: të majtë e të djathtë, pushtetarë e opozitarë. Alternanca e legjislaturave s’do ishte veçse një transfer i vesit dhe instrumenteve shpërdoruese tek titajt e rinj, ujqërisht t’uritur.
Madje, do t’ishte gati një mision i pamundur dhe komponimi i një qeverie të përqendrimit kombëtar e moral, nga personalitete të komunitetit ekspertiv ose akademik. Ata (hiq përjashtimet e arta ndër ta e në personelin politik) duken, mbase, pjesa vitale e zezonës. Kanë humbur, qëmoti, mbrojtjen natyrale të racës para mësymjes magjike të parasë së pistë. Që këndej, të rekrutuar në këtë eshalon, ngjajnë të jenë pikërisht këta fatpajtuesit, revoltmbytësit dhe gatitësit e vërtetë të shpirtërave nënshtrimtarë.
Tutje dhe media, nga anë e saj, graviton klientelisht e përbetueshëm në arenën e goditjes së të mirës së përgjithshme. Një president amerikan pat thënë se po të rastiste të ndodhej në dilemë për të zgjedhur midis një situate pa qeveri ose pa shtyp të lirë, sigurisht pa hezitim, do të zgjedhja të parën. Ndaj, që e keqja të shpalosë fantazinë e saj, në Kosovën e “vakumit” funksionues, do të mungonte, prandaj, si tash kahmot, edhe ajo që trembte më shumë amerikanin e bekuar: mosqenia e shtypit të lirë. Rrjedhimisht, ndonëse Europa përherë e më tepër formësohet në inkarnim universaliteti, kartelat e nëndheut dhe klanet familjare, kanë ngujuar Kosovën në geto të errtë, kurse qytetarët, të shquar për dëgjueshmëri civile, janë shndërruar në alienë socialë e kulturorë të fundmë të saj.
3.
Mirëpo, me sa duket, do dridhet mali kot. Çdo krizë sociale a politike, derivon nga një krizë paravajtëse etike. Rrethi i mëndjes mediokre dhe zemrës së ligë (si do të pohonte Mandela), sikur mbyllet pothuajse krejtësisht. Është aventuroze të rrekesh për të gjetur një titullar me etikë, që t’kishte të drejtën për të ndjekur e ndëshkuar një tjetër pa këtë virtyt themeltar në punët e shtetprimjes. Janë ngjizur e gjallojnë të tërë sipas njëj kodi rendesh të fshehta mafiokratike. Po rrokullima s’ka të ndalë. Cënohet jo vetëm interesi e gjeni identitar popullor, por (si raportonte paracakohësh një komision i veçantë i Kombeve të Bashkuara) vetë sovraniteti shtetëror. Dhe ç’humbëtirë veç të mendosh sa lehtësisht e rrëzueshme është kjo vetëjetesë e brishtë e Kosovës së nëpërkëmbur!..
Porse njeriu shqiptar, megjithatë, s’ka pse të merakoset. Është vetë ai, e askush tjetër, që ka përligjur murtajën. Siç është e ditur, relatorë të huaj të temës i rezervojnë prore landeve shqiptare një nga vëndet e para në tabelën e mbarëbotshme të korrupsionit. Mirëpo, për çudinë e Zotit, një palë të tjerë, tani nga ata që hulumtojnë gjëndje shpirtërore kolektive, i ngrejnë poashtu sipër shqiptarët: shprehen të jenë ndër më lumnorët në botë. Rezulton, kështu, që as fenomeni gërryes e as raporti spektakular për krusmën e tij, nuk i deprimon fare, e aq më pak i përnxitë aktivisht për të lëvizur një ag të bukur pikën e vdekur. Bashkëjetojnë të realizuar edhe korruptanët e shumtë si krimbat, edhe kurrizthyerit e demosit miturak…
Po kush ka tagër, aherë, ta prishë këtë idilë të cilën e lakmojnë ethshëm të gjithë? Kush, kush? Prishësit e saj (ndonjë krah politik vetmitar a humanist i rrallë i fjalës fshikulluese, të epërm e të parakohshëm) do përfundojnë në kundërvënës të dredhës së pangjashme të historisë dhe, gjithësesi, të kombit që dhelet rehatshëm nga puhizë e harmonisë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura