Berlin, 27. 02. 2017: 1. Gusht i vjemë në Budvë. Ditë shiu. Një rrebesh malësie me shkrepje rr’feje e murmurimë, aq i njohur për mua. Madje, më zgjonte një mall të largët. Ndaj dhe njerëzia, si të kapur në beft nga ngrysja e papritur e qiellit, nxitonin për të zënë vend në kafenetë e rrugicave të ngushta të qytetit të vjetër.
2.
Ndërsa me Zonjën time pinim kafenë në këndin e mezigjetur, telefoni i prehur dëftoi alarmueshëm se kish regjistruar një rrjet interneti lokal. Krejt e pritshme. A nuk shtegtojnë e kryqëzohen kudo këto valë planetare? Por, jo. Adresa vente përtej një vegëze kalimtare me ca numra të humbur pranë stolit anonim. Do ta harronim posa të prânte dhe rigë e fundme, e ne të dilnim prapë shesheve nën dritaret me lule që lëshonin petalet e tyre poshtë, thua sfidonin ftohtësinë e mureve të gurta. “Afërdita” kje emri i saj që më bëri ta lexoja disaherë me trazimin e atij që ka gjetur sërish një peng të tretur. I ngjasonte një kumti të lashtë. O zot, thashë i mrekulluar. Një jetë shqiptare në mes të Budvës. Do t’më pushtonte vetishëm një ndjesi gëzimi e dhimbjeje, njëkohësisht. E si mund të ndodhte ndryshe? Afërditë e, përballë saj, errësínë, diell i harruar, gjuhë ruse që të priste në dyqane gjërash provinciale, kalldrëm i gurtë me kujtesë të ndaluar parasllave…
Gjatë udhës n’ardhje, taksisti, një burrë i sjellshëm ulqinak, na rrëfente territoret shqiptare që ndeheshin tejendanë. Isha i lumtur të shihja akoma fëmijë që kishin përtrirë jetën dhe i jepnin dëshminë etnike Dhéut amtar.
Mirëpo tek iknim buzëdetit drejt veriut, ky ngazëllim, si vetë fryma shqiptare, sa vente e shuhej ngadalë. Fishkja prekte, së fundmi, kulmin e dramës me “Afërditën” e pikëllimit tim. Afërditën e vetmisë nën atë shi të madh e të huaj. Kur u larguam, n’zemrën e përvëluar ëndjesh të moçme, sëmboi një zbrazti. Vështroja gjithnjë pas, derisa nën hije malesh u zhdukën konturat e qytetit ku ajo pulsonte e braktisur jetën dhe qendresën e saj.
3.
Nuk mbështes kurrë (e kush do ta bënte këtë për atdheun e vet?) kirurgjinë mbi hapsinë jetike shqiptare, për ç’gjëmë gatitet regjimi i HashimIsëve të Prishtinës. Megjithatë, një pyetje nuk shmanget dot në hidhtësinë e saj.
Sikur, pra, të korrigjohej, linja kufitare përpikërisht si e kërkojnë kritikët e versionit pushtetar – a do të quhej ky, mandej, kufi i përhershëm, historik dhe definitiv?
Nëse po – aherë rezulton që, matanë “shkrepave të mbrojtura”, të përligjet rrëmbimi i padrejtë i një atllasi të tërë tokash, ku pos deleve që kullotin pafajshëm, gjallojnë poashtu njerëz që flasin, këndojnë a vajtojnë ende shqip. Deri atje, tek çerdhja rrezebukur e “Afërditës” jetimnore..!
Nëse jo – aherë përse gjithë ky mit për një kufi të përkohshëm dhe, madje, gati ndërarbnor? Është fikur, vallë, eti përflakës për atë truall të këputur dhe s’ka një projekt rrezelargët për t’a ribashkuar atë?
Natyrisht, meqë politika, e veçanërisht kjo e klanit bastardh, paskësh gjuhë tjetër, sesi më ngjan poaq i mjerë rrjeshtimi klientelist i shkencës n’për Institute me historianë e specialistë vajtimi të copëtimeve shqiptare. Përse ata nuk flasin të çliruar nga dogma e ditës dhe të pajisur me rezon dyshimi intelektual? Njëjtësimi i tyre me skemat trushplarëse të sundtarëve të motit, është një krim që prodhon breza luledjellës, të denjë për të lëvizur shfytyrshëm rreth polit të Fuqisë.
4.
Ndershmëria është virtyt nga i cili nuk çlirohemi kurrë, ne shpirtërat e lirë. Ç’fjalë peshërëndë e Niçes, vërtetë, por ç’staturë karakteriale do t’kenë, aherë, shpirtërat që, si guvernantët e Kosovës me shpurë, nuk janë të tillë? Ndërkohë që këta robër në knetën e vesit, priren shërbimesh të ulta jokombëtare – turma që i admiron zëshëm a i mallkon heshtur, vuan “moralin e frikës”! Një bashkim i mnertë i poshtnísë së të parëve dhe i drojës së të dytëve, që dërgon larg në kohë të ardhme shenjat e fatkeqësisë!