Rezoluta e OBRM – PDUKM dhe LSDM kundër autoktonisë së shqiptarëve në Maqdoni

REZOLUTA E OBRM-PDUKM DHE LSDM KUNDËR AUTOKTONISË SË SHQIPTARËVE NË MAQEDONI

Populli i sotëm maqedonas ka të drejtë ta deklarojë, ta ruaj dhe ta mbrojë identitetin dhe gjuhën e tij ashtu siç dëshiron, por asnjëherë nuk duhet ta mbështesë këtë mbi historinë e rrejshme të shkruar deri më sot, nga ish-regjimi komunist dhe nën ndikimin e propagandës serbe e ruse, mbi “faktet shkencore” të falsifikuara, sidomos në dëm të shqiptarëve autoktonë dhe të trojeve etnike shqiptare.

Nga Abdulla Mehmeti, Tetovë – 9 korrik 2021

Rezoluta e OBRM-PDUKM (VMRO-DPMNE), e mbështetur edhe nga LSDM, kinse për “Vijat e kuqe” në bisedimet me Bullgarinë fqinje, për zhbllokimin e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë Veriore në BE (bashkë me Shqipërinë), e dorezuar në Kuvendin e Maqedonisë Veriore për miratim, paraqet një hap të rrezikshëm, të pamenduar mirë, dhe si e tillë nuk duhet të përkrahet nga partitë shqiptare dhe nuk duhet të votohet nga deputetët shqiptarë.

Miratimi, përkrahja dhe votimi i një Rezolute të këtillë nga shqiptarët e rrezikon paqen në vend dhe në rajon, është në kundërshtim me procesin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të shtetit dhe rajonit, i pranon dhe legjitimon falsifikimet e derisotme të historisë së popullit dhe shtetit të Maqedonisë Veriore, dhe përgjithmonë e vulos fatin e popullit shqiptar, me status të pakicës kombëtare në këtë shtet, si dhe e legjitimon të “vërtetën shkencore” sipas studiuesve sllavë të Maqedonisë, se shqiptarët nuk janë uatoktonë në trojet e veta etnike në Maqedoni, se “shqiptarët janë me prejardhej rome dhe çerkeze” dhe se janë mbetje të Perandorisë Osmane, si të tillë edhe duhet të “zgjidhet çështja e tyre”, duke i sunduar, asimiluar ose shpërngulur në viset “nga kanë ardhur” dhe gjithandej nëpër botë! Çfarë ka më pak në këtë Rezolutë se “Memorandumi” kundër shqiptarëve i Akademisë së Shkencave të Serbisë, se “Enciklopedia Maqedonase” dhe planet e projektet e derisotme serbe, greke e ruse kundër shqiptarëve?! Mos gaboni!

Arsyet pse partitë politike shqiptare nuk duhet ta mbështesin këtë Rezolutë, ndërsa deputetët shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë Veriore nuk duhet ta votojnë, ndër të tjera janë:

Kontesti mes Bullgarisë dhe Maqedonisë Veriore nuk mund të zgjidhet pa pjesëmarrjen aktive të shqiptarëve, të faktorit politik dhe intelektual, sepse ky nuk është kontest mes dy popujve por mes dy shteteve.

Para se të kërkohet miratimi i një Rezolute nga Parlamenti i Maqedonisë Veriore, për kinse “vijat e kuqe” të palës maqedonase në lidhje me kontestin e hapur nga Bullgaria, për zhbllokimin e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë Veriore në BE, faktori politik shqiptar dhe faktori ndërkombëtar duhet të kërkojnë shpjegime nga Sofja zyrtare, se cila ka qenë arsyeja e heshtjes së saj, kur është miratuar Kushtetuta e parë e shtetit të pavarur të Maqedonisë, më 1991 (si dhe ndryshimet e plotësimet e saj, më 2001 dhe 2019), në Preambulën e së cilës nuk janë përmendur bullgarët si etni e veçantë, sikurse maqedonasit, shqiptarët, serbët, vllahët, boshnjakët, turqit dhe romët, kështu siç kërkojnë qarqet politike dhe intelektuale bullgare, siç kërkon Sofja zyrtare sot.

Pse Sofja zyrtare ka heshtur gjatë gjithë kësaj periudhe 30-vjeçare? Pse politika dhe qarqet intelektuale bullgare kanë heshtur kaq gjatë, sa nuk u ka penguar edhe mungesa e grafës për deklarimin e qytetarëve me përkatësi bullgare, në regjistrimin e popullisës në Maqedoni (1991, 1994, 2002 etj.). Kjo “harresë” politike dhe diplomatike e palës bullgare, a domethënë se, shpresat e tyre kanë qenë, pas shkëputjes së Maqedonisë nga ndikimi serb, shumica e banorëve sllavë (maqedonas) në Maqedoni do të deklarohen bullgarë, ndërsa Maqedonia e pavarur do të nënkuptohet si shtet i dytë bullgar? Si mund të arsyetohet gjithë kjo heshtje për tri dekada me radhë e Sofjes zyrtare, njërit nga shtetet fqinje që e para e ka njohur pavarësinë e shtetit të Maqedonisë, më 1991, pavarësisht se nuk u janë njohur deri më sot të drejtat kombëtare të bullgarëve në këtë shtet, siç kërkon aktualisht Sofja zyrtare. (Shih: Preambula e Kushtetutës së Maqedonisë Veriore)

Qytetarët e Maqedonisë, pavarësisht nga përkatësi e tyre etnike, fetare dhe gjuhësore, faktori politik shqiptar, por edhe faktori ndërkombëtar, duhet të kërkojnë sqarime edhe nga partitë politike, sidomos nga OBRM-PDUKM dhe LSDM, nga institucionet e pushtetit dhe nga institucionet akademike, nga klasa intelektuale e vendit, si ka mundur të tolerohet caktimi i datës 8 shtatot 1991, për mbajtjen e Referendumit për Pavarësinë e Maqedonisë (shqiptarët kanë qenë të përjashtuar nga ky proces), me këtë edhe shënimi kësaj date, 8 Shtatori – festë shtetërore e Pavarësisë së këtij shteti, një datë e caktuar me paramendim nga qarqet politike të asaj periudhe në Maqedoni (fillimi i viteve të nëntëdhjeta), e cila lidhet me datën 8 Shtator të vitit 1944, datën e krijimit të shtetit kuisling të “Maqedonisë së Pavarur”, të Vanço Mihajllovit, siç thotë historiografia zyrtare e Maqedonisë Veriore.

E gjithë kjo, për të cilën sot është ngritur një kontest ndërshtetëror dhe është shndërruar në problem politik edhe në shtetet anëtare të BE-së, nuk ka lidhje me mohimin e përkatësisë kombëtare, identitetin, prejardhjen etnike dhe të gjuhës, historinë e popullit maqedonas, por më tepër mund të shihet si një lojë e madhe politike dhe diplomatike e koordinuar kundër interesave të popullit shqiptar në Maqedoni dhe më gjerë në rajon, karshi së cilës Tirana dhe Prishtina zyrtare, si dhe faktori politik shqiptar vendës, qëllimisht janë lënë në pozitë jashtë loje, një publik i mjerueshëm që nuk din saktë edhe kur duhet të duartrokasë, kur duhet të hesht, kur duhet ta ngre zërin dhe të veprojë, në frymën e fqinjësisë së mirë, orientimin evropian dhe në interes të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura