Pashtriku, 29 tetor 2019:
FJALA E RECENSENTIT
Libri „Parapsikologjia” i autorit Sabir Krasniqi më është dhënë për vlerësim, ndonëse me profesion jam mjek dhe posedoj vetëm dije elementare nga lëmi i psikologjisë dhe parapsikologjisë. Do të thosha se libri në fjalë është libër pionier, sidomos në lëmin e parapsikologjisë, meqë gjer më tani nuk ka ende diç të shkruar në gjuhën shqipe. I bërë nga autori me kureshtje të madhe pozitive, ky libër do të mund t’u shërbente, jo vetëm individëve të ndryshëm, por edhe atyre të cilët merren tani ose edhe do të merren në të ardhmen me psikologji e parapsikologji, kurse autorit do t’ia shtojë kurajën për hapa të tjerë në këtë drejtim.
Ky libër, ndër të tjera, paraqet edhe një dritare për shkencën shqiptare në fushën e parapsikologjisë, meqë është i pari i këtij lloji në gjuhën tonë. Ai, sado që është libër i karakterit alternativ-shkencor, me punën e mëtutjeshme të autorit në fjalë ose edhe të autorëve të tjerë, është udhërrëfyes që në të ardhmen të marr formën e një libri shkencor. Me rëndësi është se autori i cili e ka hartuar këtë libër, nuk është ndalë vetëm tek literatura të cilën e ka shfrytëzuar, por në të njëjtën kohë ai nuk ka ngelur duarkryq. Në fakt ai edhe vet ka eksperimentuar në këtë lëmi dhe përvojën e vetë e ka cekur në këtë libër.
Duke pasur parasysh se tani afro një milion shqiptarë nga Kosova dhe viset tjera shqiptare janë vendosur nëpër vende të ndryshme të Evropës Perëndimore, e cila aktualisht paraqet djepin e kulturës, artit dhe shkencës, do të ishte mirë që secili prej nesh, duke u bazuar në shembullin e Sabir Krasniqit, të bëjë diç brenda mundësive që ka, në kuadrin e profesionit dhe prirjeve që posedon. Vetëm kështu do ta zbusim sadopak dëmin dhe tragjedinë e madhe, e cila e ka kapluar popullin tonë në këto kohët e fundit.
Sa i përket fenomeneve parapsikologjike, ato ajanë prezentë në mbarë njerëzimin, tek të gjithë popujt, duke mos e përjashtuar edhe popullin tonë, por puna është që brenda këtyre fenomeneve, duke i studiuar mirë ato, të ndahet çfarë është në bazë psikomateriale, çfarë është e pasaktë, çfarë është gënjeshtër ose edhe fantazi e sëmur e individit ose grupit, i cili pretendon se merret me parapsikologji. Për të mos ndodhur shkarje të tilla, duhet që idetë e ndryshme mbi këto fenomene të vërtetohen me eksperimente, siç ka bërë përpjekje edhe autori i këtij libri.
E përfundoj vlerësimin tim për këtë libër duke i dëshiruar autorit (S.K.) suksese të reja dhe punë të mbarë në këtë lëmi.
Me respekt
Dr. Xhevat HASANI
________________________________
Librin mund ta shkarkoni e ta lexoni në formatin PDF:
SABRI KRASNIQI: PARAPSIKOLOGJIA
Shkencë që troket në dyert e të sotmes
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/parapsikologji%20sabri%20krasniqi.pdf