SALI ONUZI: BETEJA E LUMËS MË 1912, NË DRITËN E DËSHMIVE TË DIPLOMATIT AUSTRO’HUNGAREZ OSKAR PROCHASKA

Tiranë, 16. 01. 2014 – Pasi nuk ishte përmendur në asnjë botim zyrtar të mëparshëm, më 2002 botimi akademik i “Historisë së Popullit Shqiptar” shënonte më parë shtypjen e qëndresën e 2000 lumjanëve kundër forcave sërbe në nëntor 1912, pa thënë asnjë tjetër fjalë për një betejë të zhvilluar e të fituar prej tyre. Por e vërteta zhytet e nuk mbytet, siç thotë populli.
Më 2012, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, Instituti i Historisë botoi veprën dokumentare në 6 vëllime “Shqipëria në dokumentet Austro-hungareze. (1912)” përgatitur dhe redaktuar nga akademik i asocuar Maranglen Verli dhe dr.Ledia Dushku. Në këtë vëllim janë përfshirë dy informacione (telegrame) që konsulli i Perandorisë Austro-hungareze, Oskar Prochaska i dërgonte Vjenës ato ditë nëntori 1912 dhe që flasin qartë për luftë, madje “luftë të ashpër”, e të përgjakshme” dhe “për humbje të mëdha të sërbëve,” që i ka detyruar të thërrasin për ndihmë të gjithë forcat e tyre.

– Konsulli austro’hungarez Oskar Prochaska – 

Konsulli Prochaska nga Prizreni shkruante me 13 nëntor: ”Thuhet se Ushtria serbe këtu (dmth nga Prizreni .S.O) do të shkojë në Shëngjin. Ushtarët, (duhet të jetë fjala për ushtarët osmanë të Xhavit Pashës që u tërhoqën nga Gjakova, më 4 nëntor pa luftuar – shënim im) të cilët më 5 të këtij muaji ishin nisur për në Lumë, me 7 të këtij muaji u kthyen nga Dibra e madhe. Me 8 filloi të shkrijë bora dhe ushtarët u nisën përsëri. Deri tani kanë shkuar 12 batalione dhe pak kavaleri. Deri dje, kur ata hynë në Bicaj, nuk hasën në kundërshtim. Malësorët katolikë u dorëzuan me këshillën e Preng Bib Dodës. Serbët fituan sepse nuk kishte kush t’i kundërshtonte”.
Prochaska na njofton se nga Prizreni kanë dalë 12 batalione. Kjo nuk do të thotë se 12 batalionet kishin hyrë në Bicaj. Këto batalione kanë filluar të dalin nga Prizreni që nga data 9 nëntor. Ata janë nisur në dy drejtime, njëri për Mirditë (që kaloi në krahun e djathtë të Drinit të Bardhë dhe te Ura e Vezirit e që përbëhej nga 6 batalione (siç shënon vetë historiografia jugosllave. B. Ratkovic), dhe pjesa tjetër për në Lumë. Kur Prochaska shkruan: “nuk hasën në kundërshtim” e ka fjalën për të dy drejtimet, si për atë të Lumës, dhe për grupimin e Adriatikut që kaloi nëpër Mirditë. Ushtarët e të dy drejtimeve ishin të Divizionit “Shumadija I”, të bazuar në Prizren. Në Gjakovë ishte bazuar Divizioni sërb “Drina II”.
Datën e fillimit të betejës, edhe Prochaska e jep më 15 nëntor në telegramin e tij të datës 27 nëntor. Sipas tij forcat serbe kishin hyrë në Bicaj me datë 12 nëntor pa hasur në kundërshtim. (nga raporti i datës 13 nëntor) Por me 15 nëntor “lumjanët kishin ngritur krye papritur e pakujtuar“ (raport i datës 27 nëntor). Kjo vërteton tërheqjen mjeshtërore në kurth të reparteve sërbe nga lumjanët dhe goditjen e tyre në befasi. ”Lufta, – vijon konsulli, – u bë tek Kulla e Shën Gjonit (për Gjomc në Bicaj, shënim im), Kulla e Lumës dhe në Zhur e Curr afër Prizrenit”
Po mes informacionit të konsullit Prochaska dhe atij të historiografisë serbe ka diferenca të mëdha. Nga 12 batalione që kanë dalë nga Prizreni, sipas Prochaskës, 6 batalione kanë përbërë grupimin e ”Adriatikut” të Divizionit “Shumadija I” (Ratkovic. Prvi balkanski rat.1912-1913, libri i dytë, f.294). Ratkovic shkruan se në Lumë u angazhuan vetëm 3 batalione, duke lënë pa adresë tre batalione të tjerë, që, sipas konsullit austro-hungarez, kanë dalë nga Prizreni. Kështu del se informacioni që jep Aqif Pashë Elbasani për qeverinë e Vlorës, bazuar në thëniet e Ahmet Zogut për 6 batalione sërbe në Lumë, duhet konsideruar.
Ne telegramin e tij të dërguar Vjenës më 27 nëntor 1912 konsulli Prochaska shkruante (gjithnjë nga Prizreni ) për “një luftë të ashpër e të përgjakshme, (në Lumë – S.O.) që u ka kushtuar serbëve humbje të mëdha dhe i ka detyruar të thrrasin për ndihmë të gjithë forcat e tyre.” Konsulli austrohungarez sjell edhe nje fakt tjetër: shkallën ekstreme të urrejtjes shoviniste sërbe ndaj lumjanëve, që në mënyrën e vet, flet për shkallën e humbjeve në Lumë. Ai i raporton Vjenës: ”Në vizitën që kleri katolik bëri tek gjenerali serb (është fjala për komandantin e Armatës së tretë Bozhidar Jankovic. – shënim im) me 21 të këtij muaji (3 ditë pasi kish marrë fund beteja (shënim im), ai deklaroi se sa u përket lumjanëve, ai ka marrë urdhër që “fisi Lumës do të shfaroset krejt, me gra e fëmijë”. Tanimë dihet se forcat sërbe bënë krime të llahtarshme më 1912 -13 për të zbatuar këtë urdhër famëkeq. Në tetor 1913 masakruan më shumë se 1800 veta në Topojan, Përbreg, Brekijë, Kalis, Palush, Lojme etj.
* * *
Lexuesit duam t’i tërheqim vëmendjen ne cilësimet që i bën konsulli Prochaska kësaj lufte. Nuk ka luftë pa gjakderdhje. Por Prochaska shënon në telegram që shkon me shifër në Vjenë (ku çdo fjalë matet shumë): “luftë e ashpër dhe e përgjakshme”. Nuk ka luftë pa humbje, pa vrasje e plagosje. Por Prohacka shënon “humbje të mëdha të sërbëve”. Pra, jo humbje të zakonshme.
Informacioni i konsullit është veçanërisht i rëndësishëm: ai përfaqëson një palë të tretë, Austro-hungarinë dhe jo forcat pjesmarrëse në betejë.
Prohaska i shkruan këto nga Prizreni, nga shumë afër vendit të ngjarjes, në Lumë.
Dhe i ka shkruar këto të dhëna ato ditë që zhvillohej kjo betejë (luftë e quan Prochaska)
Prochaska konfirmon edhe taktikën e goditjes në befasi. (ndonëse sipas Ratkovic sërbet kishin informata dhe po trembeshin) Goditja në befasi e bën të besueshme shkallën e lartë të humbjeve sërbe.
Mbi të gjitha konsulli Prochaska na ka dhënë dy të dhëna që e vendosin betejën e Lumës në një taban të fortë në pikëpamje historiografike:
1- “Luftë e ashpër, humbje të mëdha”
2- numrin e reparteve sërbe që kanë marrë pjesë në këtë betejë.

Prochaska na thotë se kanë dalë më datë 9 nëntor 12 batalione nga Prizreni. Kjo e dhënë ka rëndësi shumë të madhe dhe kjo ka munguar deri sot për studiuesit shqiptarë. Prej saj mund të nxirret një përftyrim më i saktë dhe më realist i betejës së Lumës. Nga këto 12 batalione që kanë dalë nga Prizreni për një ditë, sipas historiografise jugosllave, 6 batalione (b1 R10k,b2 dhe i 3, të R12k,b1dhe b4 të R11k dhe b2 i R 19k,) së bashku me forcat të tjera mbështetëse, artleri, ndërlidhje e logjistikë), gjithsej 6500 ushtarë dhe oficerë kanë përbërë “Grupin e Adratikut të Divizionit Shumadija I” që ka lëvizur në anën e djathtë të Drinit të Bardhë, në qafën e Kumbullës dhe në Mirditë e Adriatik. Këtë shifër e ka dhënë edhe italiani Giani Baj Macario në studimin e tij në vitet 1930.
Nga këto 12, 6 batalione të tjerë duhet të kenë bërë pjesë në Grupin e Lumës, ndryshe ç’ka thënë historiografia jugosllave për 3 batalione, nje batalion ne vije te pare, në Bicaj, një tjetër në krahun e djathtë të përroit të Shejës dhe një i tretë pa e kaluar lumin Luma (Këta kanë qenë batalioni 2, 3 dhe i 4 të R10 dhe tre batalione të tjerë që historiografia jugosllave, sipas Prochaskës dhe nesh, i ka fshehur). Duket se të gjashtë batalionet janë vendosur ne territorin e Lumës. Pra një regjiment e gjysëm. Kemi të drejtë të themi se lufta dhe fitorja mbi to ishin betejë dhe jo thjesht një ose disa luftime.
Kjo do të thotë se skema e historiografisë sërbe duhet rivlerësuar dhe studiuar sipas të dhënave të reja që jep arkivi austro-hungarez dhe konsulli Prochaska duke ndërtuar një skemë tjetër, duke mbajtur parasysh numrin e 6 batalioneve, terrenin, kohën dhe intensitetin e veprimeve luftarake. Dhe konkretisht:
– Në Bicaj duhet të jenë vendosur dy batalione këmbësore (njëri që ka sulmuar drejt qafës së Kolesjanit dhe tjetri që ka mbrojtur shpinën e tij.)
– Në krahun e djathtë të përroit të Shejës një batalion tjetër, që ka mbuluar sulmet nga krahu perëndimor i Gjallicës.
– Një batalion i katërt mund të ketë kaluar lumin Luma dhe të jetë futur në luftim në fazën e dytë të Betejës në Rrafshin e Lumës nga Zborri i Nangëve në Bugajë deri në Kullën e Lumës. (Bëhen kështu nga qafa e Kolesjanit në Kullë të Lumës 4 batalione sërbe)
– Dy batalione të tjerë mund të jenë mbajtur për kontrollin dhe sigurimin e rrugës Prizren-Kulla e Lumës (Përbreg) dhe mbrojtjen e tërheqjes.
Prohaska shënon se kjo luftë e ashpër është zhvilluar edhe në Zhur e Curr afër Prizrenit.
Kjo skemë mund të ketë edhe variante të tjera.
Kështu informacioni që i ka dhënë Ahmet Zogu, Aqif Pashë Elbasanit e ky kryesisë së Qeverisë së Vlorës, se lumjanët nja gjashtë batalione sërbe i paskan zhdukur, vërteton se 6 batalione janë përfshirë në këtë luftë (pavarësisht nga shkalla e pjesëmarrjes dhe e humbjes përkatëse të secilit: repartet sërbe nga qafa e Kolesjanit në Bicaj e deri në Kullë të Lumës duhet të ketë pasur humbjet më të rënda). Sipas Prochaskës “të mëdha“ e të përgjakëshme”. Sipas Ahmet Zogut “deri në zhdukje”. Duhet të besohet se këtë informacion A.Zogu ta ketë pasur nga xhaxhai i tij, Xhelal Zogu, i cili në vitet e fundit të sundimit osman në Lumë ka qenë administrator (kajmekan) dhe duhet të ketë pasur lidhjet e tij që e kanë informuar.
Këtyre të dhënave u vjen ndihmë edhe një informacion i nënkonsullit britanik nga Shkupi i cili në shkurt 1913 shkruan se, në Lumë Sërbia ka humbur 8 batalione. (kjo përfshin edhe fazën e tretë pas nëntorit 1912.)
Për të përfunduar
Forcat sërbe pjesmarrëse kanë qenë 6 batalione (6500 veta) me gjithë artleri e ndërlidhje e logjistike. Pra, nuk kanë qenë 18000, e as 16000, siç kanë shkruar disa studiues pa pasur mbështetje dokumetare dhe pa bërë analiza historiko-ushtarake.
Po del se nuk kanë qenë as tre 3 batalione forcë pjesmarrëse dhe as 198 të vrarë (apo disa qindra), siç ka fshehur historiografia jugosllave.
Ne edhe më parë i jemi referuar një informacioni që i shkonte ushtrisë osmane dhe që shënon në Lumë për 24 orët e para 1000 pushkë të kapura, pra të 1000 ushtarëve sërbe të vrarë. Pra deri me datë 16 nëntor një humbje prej 1000 vetësh e bën më të besueshme të kenë qenë në Bicaj deri në Kolesjan dy batalione. Mund të besohet se ky ritëm humbjesh shumë i lartë (50 %) të ketë vijuar edhe me datë 16-17 nëntor dhe 17-18 nëntor. Pra i bie të kenë humbur rreth 2000 e më shumë ushtare serbë dhe gjysma e tyre, (diçka më pak a më shumë) të kenë dalë gjallë e të plagosur. Kjo mund ta konkretizojë përfundimin e Novakovicit (serb, që ka marrë pjesë në këtë betejë) që thotë “disa qindra të vrarë ”, “humbje të mëdha“, dhe “humbje e plotë”.
Natyrisht studimi i arkivave sërbe (që edhe sot mbahen të mbyllura, ne veçanti për shqiptarët) do të sillte të dhëna edhe më konkrete e të hollësishme për këtë betejë të famshme, të cilën e ka ruajtur aq fort kujtesa popullore dhe folklori i krahinës dhe e ka përmendur në krijimtarinë e tij artistike edhe shkrimtari i madh Ismail Kadare.
Po kush ishte ky konsulli Oskar Prochaska
Diplomat i Perandorisë Austro-hungareze Prochaska ishte konsull me rezidencë në Prizren. Me origjinë ishte çek, kishte lindur më 12 korrik 1876 në Brno, qendër e Moravisë, qyteti i dytë në Ҫeki, pas Pragës. Lufta e parë ballkanike e zuri Prochaskën aty ku shërbente, në Prizren dhe ai i dënoi, siç e meritonin, masakrat e trupave pushtuese serbe mbi popullsinë shqiptare. Për këtë arsy sërbet e arrestuan diplomatin trim Oskar Prochaskën “për nxitje të popullsisë shqiptare për qëndresë“. Ky incident i rëndë çoi në një krizë diplomatike mes Perandorisë Austro-hungareze dhe Mbretërisë së Sërbisë. Emri dhe bëmat e konsullit Prochaska u morën në mbrojtje nga shtypi austro – hungarez dhe u bënë të njohura e popullore anekënd perandorisë shumëkombëshe. Edhe fotoja e Prochaskës që po botojmë është e një fotografi amerikan bërë për gazetën vieneze të kohës Neue Freie Presse. Prochaska u lirua nga burgu sërb në janar 1913. Ai e vazhdoi karrierën diplomatike si konsull i Perandorisë në Rio-De Zhaneiro të Brazilit. Po emri i konsullit Prochaska, për informacionet e tij tanimë historike dhe publike në Shqipëri meriton të vlerësohet, të ketë, përshembull, një zë në Fjalorin Enciklopedik shqiptar dhe të përmendet në botimin akademik të “Historisë së Popullit Shqiptar”. Mendoj se Oskar Prochaska meriton ta ketë fotografinë e tij në Muzetë tona, në Kukës e Prizren, po edhe në Muzeun Historik Kombëtar. Madje ai meriton të shpallet, qytetar nderi i qarkut të Kukësit dhe i komunës së Prizrenit. Figura e tij në përkrahje të popullit shqiptar në një moment të vështirë të historisë së tij kombëtare është shembulli i një diplomati për çdo kohë, është nder për vendin e tij, Cekinë. Dhe mesiguri Oskar Prochaska do të nderohet sa herë të flitet e të përkujtohet beteja e Lumës dhe lufta e popullit shqiptar kundër pushtuesve sërbë më 1912.

– Autori është kolonel (R)

Lapidari në Qafë të Kolesjanit, në përkujtim të Betejës së Lumës – 1912.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura