SHEMSIE ELSHANI: RAMË, DO T’I THOJA – FADIL, NA KA MARRË SHUMË MALLI PËR TY!

Pashtriku.org, 19. 05. 2013 – Më 25 prill 2013, në 23 vjetorin e vdekjes – u përkujtua veprimtari dhe ideologu i shquar i çështjes sonë kombëtare, Fadil Vata. Në këtë ditë dhimbje e krenarie njëkohësisht, u mbajt një akademi përkujtimore, ndërsa në qendër të Therandës u bë zbulimi i Shtatores së tij, vepër e skulptorëve: Ylber Krasniqi dhe Sabri Bajrami. Atë ditë, për të nderuar veprën sublime të Fadil Vatës, morën pjesë shumë bashkëveprimtarë të tij, por kishte edhe shumë të tjerë që nuk erdhën, jo pse nuk deshën… dhe ndër ato/a ishin edhe Shemsie Elshani dhe Murat Bytyqi, të cilët prej vitesh jetojnë në Zvicër. Shemsie Elshani, para se të mbahej ky përvjetor i veçantë, i ka shkruar një letër Ramë Vatës! Ta lexojmë së bashku!

*  *  *

LETËR PËR RAMË VATËN

I dashur Ramë!
Nuk vij dot atje të enjten, dhe sa me vije keq, dhe sa dhimbje e mall njëherësh ndjej nuk përshkruhet me fjalë, pastaj kam kaq shumë të shkruar për Fadilin …. provova t’i klasifikoj ca por nuk përmbahem, është dhimbje e madhe …. , e djalli e mori nuk guxoj as të dobësohem këtu në këtë Zvicër se kam gjithë ato detyrime, që karshi detyrimit ndaj FADILIT janë kaq pa rëndësi … Të shtunën në akademinë për Kadri Zekën takova Muratin (Bytyqin – Sh.B) dhe diskutuam mundësinë e ardhjes, por as ai nuk kishte mundësi të vie. Kështu na mbetet që vendosjen e shtatores së Fadilit tonë të mirë në vendin e nderit në Therandë, ta përcjellim nga larg. Po të isha aty mbase do t’ia thoja dy fjalë, do t’i thoja atij – që ne shoqeve dhe shokëve të tij, sidomos mua dhe Muratin në gyrbet, na ka marrë malli shumë për të, do t’i thoja që kur u ndamë për herë të fundit atë të enjte me 10 maj 1990, në ora 15:30 në varrezat e fshatit, u betuam para flamurit që i kishte mbuluar trupin, se amanetin e tij do ta çojmë në vend. “Fatmirësisht o Fadil dolën ca djemë trima dhe vajza trimëresha që i kthyen armikut pushkën, e atdheut dinjitetin – duke e çuar në vend amanetin tënd dhe të gjithë të rënëve të tjerë. Dhe këta djemë e vajza janë vazhduesit e rrugës tënde Fadil. Ti i frymëzove ata, andaj nderimi të takon Ty, dhe Theranda shpresoj të meritoj nderin që ti po i bënë, duke ardhur në shesh – në shtatore më i gjallë se kurrë, më i madh se kurrë, më i bukur se kurrë. Me ty gjithmonë shokët dhe shoqet e klasës “KATËR 11”. “Këto do t’i thoja Fadilit të enjten.
Lavdi e përjetshme për Fadilin tonë, lulen e djalërisë së Therandës, Kosovës e tërë Shqipërisë!
Respekt pa fund Ty dhe familjes suaj të madhe që na keni dhënë një shok kaq të mirë, kujtimi i të cilit na bënë krenar dhe na jep forcë në çdo hap që hedhim në jetë, në çdo rrugëtim.

Të fala nga zemra!
Shemsie Elshani
Zvicër, Prill 2013

………………………………………..

Dubrovnik, 27 Maj 1980: Fadil Vata më shokët dhe shoqet e klasës “Katër -11”, gjatë ekskurzionit shkollor në Kroaci. Nga e majta (në këmbë – i pesti) Fadil Vata, ndërsa ulur në mesin e vajzave, Shemsie Elshani.

==============================

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura