Pashtriku, 6 prill 2021: „Kërkesa për t’iu njohur Kosovës statusi i republikës së federuar jugosllave nuk është kërkesë e LNÇK. Organizata jonë lufton për çlirimin e tokave shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia dhe bashkimin e tyre me vendin amë, Shqipërinë, dhe kështu për krijimin e shtetit unik shqiptar brenda kufijve kombëtarë. Kjo shihet nga Statuti dhe Programi, nga të gjitha dokumentet e LNÇK të botuara në organet ”Zëri i Kosovës” dhe ”Lajmëtari i lirisë”, si dhe në të gjitha traktet tona.“ – kështu thuhet në komunikatën e përpiluar nga Jusuf Gërvalla e Xhafer Durmishi në korrik të vitit 1981, në Untergruppenbach dhe u nënshkrua si: ”Komiteti Qendror i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës” (KQ i LNÇK-së)
Jusuf Gërvalla dhe Xhafer Durmishi
Këtë komunikatë e boton portali pashtriku.org, në 40 vjetorin e demonstratave të pranverës shqiptare të vitit 1981:
***
K O M U N I K A T Ë
E KOMITETIT QENDROR TË LËVIZJES NACINALÇLIRIMTARE TË KOSOVËS
Për të fshehur shkakun e vërtetë të demonstratave dhe trazirave të sivjetme në Krahinën e Kosovës, skamjen e mjerimin, shtypjen nacionale, sociale e kulturore të popullsisë vendëse, qeveria shovniste e Beogradit, me kryepolicin Herleviç në krye, u hodh në të katër anët për të kurdisur arsye të paqena, si ”romantizëm nacional” dhe ”nacionalizëm e shovinizëm shqiptar” si dhe për të gjetur ”organizatorin” e demonstratave, duke fajësuar herë një ”grup huliganësh”, herë ”ekstremistët” shqiptarë, (duke pasur në këtë rast parasysh Marksistë-Leninistët e Kosovës) herë organizatën Fronti i Kuq Popullor etj., në mënyrë që pastaj të kthehet e t’ia ngarkoj fajin kryesor Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Ndër ”organizatorët” e shumtë, kryepolici Herleviç, zuri ngoje edhe organizatën tonë patriotiko – revolucionare me emrin Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës, duke e fajësuar atë për shumë ”vepra” që nuk përkojnë aspak me veprimtarinë e saj.
E kemi parë të udhës që, pasi në mjetet e informimit publik të Perëndimit u publikuan ”informatat” e përpunuara nga agjencitë gazetare jugosllave, t’ju drejtohemi me një kërkesë demokratike edhe ne: për dezinformimet e ndryshme rreth ngjarjeve tragjike të Kosovës; ne do të kishim pasur një satisfaksion, po që se do ta transmetoni në organet tuaja edhe këtë komunikatë nga ana e Komitetit Qendror të Lëvizjes Nacionalçlirimatare të Kosovës.
1. Demonstratat e Kosovës të këtij viti nuk i ka organizuar LNÇK. Ato kanë shpërthyer spontanisht, së pari në Universitetin e Kosovës, e pastaj janë përhapur në të gjitha viset e Kosovës. Shkaku dhe arsyeja e shpërthimit të tyre nuk mund të kërkohen askund tjetër, pos në revoltën e grumbulluar me dhjetëra vite te popullsia shqiptare për shkak të skamjes, mjerimit dhe padrejtësive nacionale që i bëhen popullit tonë nga ana e qeverisë shoviniste të Beogradit.
2. Kërkesa për t’iu njohur Kosovës statusi i republikës së federuar jugosllave nuk është kërkesë e LNÇK. Organizata jonë lufton për çlirimin e tokave shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia dhe bashkimin e tyre me vendin amë, Shqipërinë, dhe kështu për krijimin e shtetit unik shqiptar brenda kufijve kombëtarë. Kjo shihet nga Statuti dhe Programi, nga të gjitha dokumentet e LNÇK të botuara në organet ”Zëri i Kosovës” dhe ”Lajmëtari i lirisë”, si dhe në të gjitha traktet tona.
Kërkesa për republikën e Kosovës është kërkesë e një pjese të intelegjencies së Kosovës. Çështja e saj është shtruar më herët, sidomos më 1968. Pasi ajo u refuzua nga ana e Titos dhe e qeverisë jugosllave, në Kosovë patën shpërthyer në nëntor të vitit 1968 demonstrata të fuqishme. Edhe atëherë edhe sot, kjo kërkesë u përkrah nga mbarë populli shqiptar në Jugosllavi. Por, LNÇK mbetet pranë kërkesës së saj të vetme – luftës për bashkimin e ligjshëm të të gjitha trojeve shqiptare të robëruara nga Jugosllavija dhe bashkangjitjen e tyre shtetit amë.
3. Nga Statuti, Programi dhe të gjitha dokumentet e LNÇK del qartë se ne nuk e aprovojmë dhe nuk e aplikojmë asnjë formë terrori dhe anarkie. As sot LNÇK nuk merr përsipër as përgjegjësinë më të vogël për aktet e ”terrorit” e të ”anarkisë”, që i trumbeton me të madhe policia sekrete jugosllave, siç është djegia e ndonjë fabrike a ndërmarrjeje, përdhunimi i monumenteve kulturo-historike, i varrezave serbo-malazeze etj. Madje, sipas bindjes sonë, janë as më shumë e as më pak se aksione subverzive të njerëzve të UDB-së. Qëllimi i tyre është justifikimi i vrasjeve, plagosjeve, arrestimeve, burgosjeve dhe terrorit të paparë mbi popullsinë tonë. Në këtë drejtim Jugosllavia, si para ashtu edhe pas Luftës së Dytë Botërore, ka pasur një traditë të gjatë. Lidhur me inskenimin e akteve të terrorit e të anarkisë nga ana e qeverive jugosllave, akte që pastaj i janë mveshur popullsisë shqiptare, mjafton të shikohet elaborati i serbomadhit Vasa Çubriloviç ”Shpërngulja e shqiptarëve”, i cili përmban një arsenal të pasur udhëzimesh për aplikimin e metodave më barbare, nga të cilat do të duhej të rezultonte çrrënjosja e shqiptarëve nga tokat e tyre brenda kufirit administrativo-politik të Jugosllavisë. S’ka dyshim se në kontekst të kësaj ”vepre” duhet të shihen edhe brengosja e Jugosllavisë për shpërnguljen nga Kosova të elementit serbo-malazez, edhe zhurma e madhe rreth prishjes së varrezave dhe të përmendoreve kulturo-historike në Kosovë.
Këto metoda nuk janë në traditën dhe në mënyrën burrërore të luftës ballë për ballë që kanë bërë me shekuj shqiptarët edhe atëherë kur armiku ka qenë dhjet fish më i përgatitur, numerikisht e teknikisht. Përkundrazi, për 500 vjet të sundimit turk, ishin pikërisht shqiptarët ata që mbrojtën tradicionalisht përmendoret kulturo-historike në territorin e tyre, pa marrë parasysh se cilit popull i takonin ato. Deri më dje serbët nuk kurseheshin në lavdatat e tyre për popullsinë shqiptare të Rrafshit të Dukagjinit, që mbrojtën Patrikanën e Pejës dhe Manastirin e Deçanit nga të gjitha stuhitë dhe luftërat e shumta të zhvilluara në këtë terren.
Shqiptarët e jugosllavisë, kur ka qenë nevoja, e kanë mbrojtur edhe me armë elementin e këtushëm serbo-malazez. Por qeverisë shoviniste të Beogradit nuk i leverdisë ta pohoj këtë në momentin aktual, edhe pse me siguri, asgjë nga e kaluara nuk do të ketë harruar. (Neve na indinjon thellë fakti se as kryepolici Herleviç as ndonjë tjetër nga udhëheqja jugosllave, derisa hakërrohen mbi shqiptarët, nuk u kujtuan të përmendnin së paku një herë problemin e shpërnguljeve të mëdha të shqiptarëve nga Kosova dhe viset tjera shqiptare, por kanë marrë në dorë kamxhikun e kërcënimeve për shkaktarët e shpërnguljes së serbo-malazezëve; ”çudi”, si nuk e publikuan asnjë rast të prishjes së varrezave të serbomalazezëve, kur hetimet treguan se këso veprash ishin kryer pikërisht nga bandat e aktivizuara çetnike dhe nga vetë njerëzit e porositur të UDB-së!)
Në fund ju njoftojmë se Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës është një organizatë patriotiko-revolucionare që lufton me mjetet më demokratike që janë përdorur ndonjëherë në Evropë. Terrori, anarkia e ravanshizmi kanë qenë dhe mbeten metoda, jo vetëm të huaja por edhe të urryera e rreptësisht të ndaluara për çdo anëtar dhe simpatizant të Lëvizjes sonë.
Komiteti Qendror
i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës
Lexoni dy faqet e faksimilit të Komunikatës
________________________________
Sqarim:
Sabri Novosella: “Sa i përket intrigave se ZK (Zëri i Kosovës-shën im) qenka marrë nga Riza Salihu kjo nuk ka kurrfarë rëndësie, pasi që Zëri i Kosovës del që nga 1973-74 këtë e din më së miri Uka (Xhafer Shatri).” (Letër Xhafer Durmishit, 9 tetor 1982)
***
Sabri Novosella: “Jam i mendimit që numri i vitit të ardhshëm të filloi prapë me 1 (Nji) ashtu si praktikohet në “Përparimin”, “Jetën e re” e të tjera. Unë numrin e parë të ZK (Zëri i Kosovës-shën im) e konsideroi të dalur në vitin 1973 ose 74. Këtë duhet ta dijë më mirë U. (Uka=Xhafer Shatri-shën im) Dallimin e bën viti, për shembull: (Nr. 1. 1983) .” (Letër Xhafer Durmishit, 4 nëntor 1982)