Pashtriku.org, 07. 03. 2015 – Më 15 nëntor 2009 votohet për karrigën e kryetarit të Komunës. Në garë për t’u ulur në këtë karrige janë kandidatët më të dëgjueshëm të lozhës mafioze: Fatmir Sejdiu – Hashim Thaçi – Ramush Haradinaj – Behxhet Pacolli – Nexhat Daci… Spotet dhe fjalimet e shumta me premtime të pambajtura qysh nga zgjedhjet e kaluara, e që po ritransmetohen me mijëra herë për 24 orë rresht në 3 TV’të „kombëtare“, në mbi 10 TV’të lokale dhe në të gjitha mediat tjera të kontrolluara nga kjo kast mafie, janë treguesit më të mirë të kësaj „lufte“ mediatike për të fituar këtë karrige. Një gjë duhet të thuhet hapur, se, „lufta“ e krerëve partiakë dhe e kandidatëve të tyre për të fituar pozitën e kryetarit të Komunës nuk bëhet me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve, të cilët tashmë 10 vjet rresht jetojnë në gjendje të rëndë sociale-ekonomike. Jo nuk bëhet për këtë qëllim! Sepse këtë fakt, ata e kanë dëshmuar tashmë në të gjitha zgjedhjet e deritashme të mbajtura në Kosovë.
Kjo maskaradë elektorale bëhet me qëllim të fitores së kandidatëve të lozhës mafioze, për t’i forcuar bizneset e tyre, përmes kontrabandës së cigareve, naftës, reketimeve e tendereve të ndryshme, të cilat kontrollohen nga hallkat zingjirore të kësaj mafie, e cila bashkëpunon ngushtë edhe me nëntokën dhe mbitokën mafioze jashtë Kosovës!
Kësaj lozhe mafioze;
– nuk i intereson çështja e sigurisë në vend, sepse këtë gjë e bëjnë forcat ndërkombëtare të sigurisë KFOR’i, policia e EULEX’it së bashku me marionetën vendore SHPK dhe dhjetëra shërbime të huaja të inteligjencës;
– nuk i intereson tkurrja e territorit të Kosovës, që po bëhet çdo ditë nga „fqinjtë“ serbo-malezezo-maqedon;
– nuk gajlohet fare nga coptimi i vendit përmes decentralizimit ahtisarian;
– nuk dëshiron të dëgjojë për formimin e komunave të reja etnike serbe në Anamoravë etj., dhe krijimin e etnitetit serb brenda Kosovës;
– madje bëhen edhe të verbër karshi veprimit të strukturave paralele serbe, të cilat priten të legalizohen pas zgjedhjeve të 15 nëntorit!
Prandaj:
Më 15 nëntor dalja e qytetarëve në zgjedhje nuk është zgjidhje fatlume për ta. Jo, jo në asnjë mënyrë nuk mund të jetë e tillë! Vota e tyre, vetëm se legjitimon dhe forcon pozicionet e lozhës mafioze, për zgjerimin e bizneseve të reja fitimprurëse, në mandatin e ardhshëm katër vjeçar! Zgjidhja më e mirë është bojkotimi i votimit të tyre!
Shkruar nga: Moderatori i pashtriku.org, 18. 10. 2009