SHERADIN BERISHA: JAVA E UKSHIN HOTIT, 11 – 16 MAJ 2019 “UKSHIN HOTI NUK I PËRKET HARRESËS!”

Pashtriku.org, 11. 05. 2019: – Më 16 maj, bëhen 20 vjet nga zhdukja pa gjurmë e intelektualit, politikanit dhe filozofit tonë të shquar, Ukshin Hoti. Lidershipi politikë e institucional i Kosovës, gjatë këtyre viteve rrallë herë ka folur për Ukshin Hotin! Edhe kur ka folur, zëri i tyre nuk është dëgjuar përtej katër mureve të sallës! Rrjedhimisht ky “zë” ka heshtur, dhe ashtu në heshtje sikur e ka harruar ndriçimin e fatit të këtij personaliteti emblematik për Kombin Shqiptar! 

***
Duke pasur parasysh këtë ‘harresë’ dhe indiferencë të pashembullt nga shteti dhe shoqëria jonë, portali pashtriku.org, (tashmë tetë vite rresht) nga 11 – 16 maj 2019 prezanton ‘JAVËN E UKSHIN HOTIT’ me moton ‘UKSHIN HOTI – NUK I PËRKET HARRESËS!’
Me ‘JAVËN E UKSHIN HOTIT’ – institucioneve shtetërore, akademike dhe shoqërisë shqiptare, ua bëjmë me dije se: UKSHIN HOTI NUK I PËRKET HARRESËS! Ai e ka sfiduar VDEKJEN, dhe do të mbetet përjetësisht i GJALLË…
***
Më 16 maj 1999, Ukshin Hoti, derisa po vuante dënimin në Burgun e Dubravës, befasisht pranon vendimin nr.24/2241/05 të nënshkruar nga drejtori i burgut, Aleksandër Rakoçeviq, për “lirim me kusht” nga burgu (!!!). Ai ishte dënuar me pesë vjet burg – në shtator të vitit 1994 nga gjykata serbe në Prizren!
***
Pas përfundimit të luftës, shokët e burgut që ishin ndarë për herë të fundit me te, kanë deklaruar se ishte ditë e diele (një ditë e pazakontë për lirime nga burgu) kur baca Ukë (kështu e thërrisnin të gjithë) rreth orës 10 – 11 të paradites, i shoqëruar nga tre punëtorë të sigurimit serb, është nxjerrë nga ambientet e brendshme të burgut të Dubravës. Dhe, nga ky moment, (sot e atë ditë), nuk dihet asgjë për fatin e tij.
***
KU ËSHTË UKSHIN HOTI?
A ËSHTË GJALLË APO I VDEKUR UKSHIN HOTI?

Këto pyetje tashmë 20 vjet ripërsëriten nga shqiptarët! Dhe për çudi, askush deri më sot s’ka dhënë një përgjigjie të saktë për fatin dhe vendndodhjen tij, ndërkohë janë thurur parreshtur spekulime, madje ka pasur edhe prononcime publike se, Ukshin Hoti është gjallë, dhe se po mbahet në burg shtëpiak (diku në Serbi), për ‘kusuritje politike’ etj.
***
Pas përfundimit të luftës, familja e Ukshin Hotit, veçanërisht motra e tij – Myrvetja, ka trokitur në të gjitha dyert e partive politike, të institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë, dhe ka kërkuar zëshëm ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit. Të gjithë politikanët (të pozitës e opozitës), motrës Myrvete, i kanë premtuar se, çështjen e Ukshinit do ta ngrisin në çdo takim zyrtar me faktorët ndërkombëtarë, për ta detyruar Serbinë që ta zbardhë fatin tij. Por, fatkeqësisht, deri më sot asnjë premtim, nuk është mbajtur, çka do të thotë se ata kanë gënjyer, për më tepër kanë luajtur me ndjenjat e familjes së madhe HOTI dhe të të gjithë shqiptarëve!
***
Pas 16 vjetësh për herë të parë Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 8 maj 2015, në kuadër të rekomandimeve për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur ka pranuar një peticion me 13 mijë nënshkrime, të mbledhur nga një grup qytetarësh të Rahovecit, për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit! Dhe kjo kërkesë me rekomandime të qarta, nuk është trajtuar seriozisht nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe si e tillë ka përfunduar në arkivin e Kuvendit!
***
Më 27 prill 2018, pas disa orë debatesh, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të miratoi një rezolutë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur në mesin e të cilëve është edhe Ukshin Hoti! Kjo ndodhi për faktin sepse nuk pati kuorum, dhe rezoluta u deshtë të votohet më 3 maj! Ky veprim tregon se sa të papërgjegjshëm janë të “votuarit e popullit” – deputetët e Kuvendit të Kosovës.
***
Kjo klasë politike (pozitë e opozitë), me këtë neglizhencë cinike për një personalitet gjithëkombëtar si Ukshin Hoti, shpërfaq gjithanshëm indiferentizmin histerik të tyre. Në të vërtetë Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, kanë shprehur interesim për Ukshin Hotin, madje edhe e kanë vizituar familjen dhe “shtëpinë Muze të Ukshin Hotit” në Krushë të Madhe, por duket se nuk kanë bërë veprime konkrete institucionale apo edhe jashtë institucioneve, që ta ngrisin këtë çështje në ato përmasa për zbardhjen e fatit të tij.
Në këtë kuadër, as Adem Demaçi (tashmë i ndjerë), as Rexhep Qosja apo Ismail Kadare (si personalitete të shquar), gjatë këtyre viteve nuk ishin aq të zëshëm, që të ndikonin tek instancat shtetërore apo edhe të bëjnë trysni tek faktori ndërkombëtar, për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit!
***
Fatkeqësisht për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit nuk janë intersuar, as institucionet akademike, shkencore etj., siç janë:
– Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë,
– Instituti Albanologjik,
– Instituti i Historisë,
– Shoqata e të Burgosurve Politikë,
– Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÒªK-së,
– Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut,
– Avokati i Popullit, si dhe shumë organizata tjera Jo-qeveritare…
***
– Madje për Ukshin Hotin, ka heshtur pjesa më e madhe e medieve të shkruar dhe elektronike shqiptare, në vend se ta sensibilizonin këtë çështje, për çdo ditë, deri në zbardhjen e fatit të tij!
***
Në qershor të vitit 1999 intelektuali ynë i shquar Dr.Moikom Zeqo, në një APEL drejtuar opinionit publik, jo rastësisht ka theksuar, se: “Indiferenca (për Ukshin Hotin) është kriminale. Indiferenca nuk është gjë tjetër veçse pajtim me torturuesit dhe ndoshta me vrasësit e tij. Ukshin Hoti nuk i përket harresës. Ai është në vetë thelbin e kujtesës së kombit. Ukshin Hoti nuk mund të vdesë dhe në të vërtetë nuk ka për të vdekur kurrë. Qenia e tij intelektuale është e pashlyeshme dhe është prezent kudo. Kosova dhe kombi shqiptar kanë nevojë urgjente për mendimin e Ukshin Hotit. Ukshin Hoti sakrifikoi gjithçka dhe askush nuk ka të drejtë të jetë mosmirënjohës, të mos ketë respekt apo të mos përkulet me nderim përpara figurës së tij. Kjo indiferencë, heshtje apo mosmirënjohje e tyre ndaj Ukshin Hotit, gjithësesi i bën të papërgjegjshëm politiksht”.
PËRGJEGJËSIA!
Rrjedhimisht përgjegjësia morale, politike, kombëtare e historike, për mos zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit, natyrshëm bjerë mbi:
1. Ibrahim Rugovën (tashmë i ndjerë), si Kryetar i LDK’së dhe president i Kosovës;
2. Hashim Thaçin, si shef i Drejtorisë Politike të UÒªK’së, shef i Delegacionit të Kosovës në Rambuje, kryetar i PDK’së, si Kryeministër i Kosovës dhe aktualisht president i Kosovës;
3. Isa Mustafën, si kryetar i LDK’së dhe ish’kryeministër i Qeverisë së Kosovës;
4. Kadri Veselin, si shef i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), tani kryetar i PDK’ës dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës;
5. Fatmir Sejdiun, si Kryetar i LDK’së dhe ish’president i Kosovës;
6. Atifete Jahjagën, si ish’presidente e Kosovës;
7. Bajram Rexhepin (tashmë i ndjerë), si Kryeministër i parë i pasluftës në Kosovë dhe si Ministër i Brendshëm në qeverinë Thaçi’2;
8. Nexhat Dacin, si Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i LDD’së, aktualisht kryetar i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës;
9. Jakup Krasniqin, si ish’zëdhënës i UÇK’së, dhe ish’Kryetar i Kuvendit të Kosovës;
10. Agim Òªekun, si komandant i TMK’së, një kohë kryeministër dhe ish’ministër i FSK’së;
11. Ramush Haradinajn, si kryetar i AAK’së dhe tani Kryeministër i Qeverisë së kosovës;
11. Fatmir Limajn, si ministër në qeverinë Thaçi’1 dhe tani kryetar i Nismës Socialdemokrate të Kosovës;
12. mbi të gjithë lidershipin politik e institucional në Shqipëri dhe të shqiptarëve në Maqedoni, Malë të Zi dhe në Kosovën Lindore;
14. si dhe mbi të gjitha institucionet akademike – shkencore, mediatike dhe organizmat tjerë me ndikim në shoqërinë shqiptare!
Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe lavdia për Sokratin e shekullit XX’të, Ukshin Hoti!

Sheradin Berisha © Pashtriku.org – 11 maj 2019

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura