Pashtriku.org, 27. 04. 2014 – Sot shënohet dita e personave të pagjetur në Kosovë, ndërkohë që akoma nuk dihet për fatin e 1712 shqiptarëve të vrarë, të cilët janë zhdukur pa lënë gjurmë, gjatë luftës 1998-1999. Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë, nga data 28 shkurt 1998 deri më 22 maj 1999, forcat ushtarake, policore dhe paraushtarake të Serbisë kanë bërë 274 vrasje në masë, në të cilat janë vrarë 3721 civilë të paarmatosur dhe këto vrasje dhe masakra kanë pasur shtrirje në tërë territorin e Kosovës. Në këtë periudhë kohore, sipas KMDLNJ’së, janë identifikuar dhe hapur 142 varreza masive në Kosovë, nga të cilat janë zhvarrosur 2031 persona të ekzekutuar. Janë identifikuar edhe disa varreza masive në Serbi, si në Peruqac, Petrovo Sello dhe Batajnica 1, 2 dhe 3 etj., në të cilat janë gjetur mbetjet mortore të afër 1000 shqiptarëve të vrarë e të masakruar gjatë luftës 1998 – 1999 në Kosovë. Në raportet e KMDLNJ’së rezulton se vrasjet dhe masakrat në masë të shqiptarëve, më së shumti janë bërë në komunën e Gjakovës, gjithsejt 40 raste me 693 persona…(KMDLNJ – Krimet e luftës në Kosovë 1998 – 1999 (Monografi 1) fq. 46 – 48). Komuna e Gjakovës shtrihet në pjesën juglindore të Rrafshit të Dukagjinit, gjegjësisht në pjesën jugperëndimore të Kosovës. Kjo komunë ka një siperfaqe prej 58.735 ha, 46 ari e 30m.
Në Gjakovë krimi ka një adresë!
***
Pesëmbëdhjetë vjet më parë, më 27 prill 1999 forcat kriminale serbe, i kishin futur në rrethim të hekurt 15 fshatra të “Rekës së Keqe” dhe “Lugut të Carragojës” në rrethinën e Gjakovës. Dëshmitarët që mbijetuan nga masakra, gjatë kalimit nëpër rrathët e vdekjes në Mejë *), Korenicë **) etj., kanë parë grumbuj mashkujsh (nga 15 – 70 vjeç) të cilët ndaloheshin nga forcat ushtarake-policore-paramilitare dhe dërgoheshin në vendet ku bëhej ekzekutimi i tyre nga njësitë e përzgjedhur të ekzekutimit. Gjatë tërë ditës këto njësi kriminale kanë ekzekutuar në mënyrë barbare 377 mashkuj të paarmatosur! Të nesërmen (më 28 prill) me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit, në vendet ku është bërë ekzekutimi i shqiptarëve janë parë dy kamionë të mëdhenj, duke u ngarkuar me kufoma, të cilat pas luftës janë gjetur në varrezat masive (2 dhe 5) të Batajnicës në Serbi! Ka shumë dëshmi për masakrat që kanë ndodhur më 27 prill në këto lokaltitete të Gjakovës. Merita Dedaj, (një dëshmitare e cila ka dëshmuar në gjykimin kundër Millosheviqit në tribunalin e Hagës) i ka parë me sy, kur 14 burra të familjes Markaj dhe Dedaj u ekzekutuan brenda mureve të oborrit, (të një shtëpie ku kishin gjetur strehim), nga njësitë serbe me kapela kaubojësh, shami dhe shirita të vënë rreth kokës! Disa vite më vonë të gjithë ata mashkuj që Merita i shikonte duke u ekzekutuar nga barbarët u kthyen nga një varrezë masive në Batajnicë të Beogradit dhe u rivarrosën në Mejë, në “lëndinë të pikëllimit”….
__________
*) Fshati Mejë shtrihet rreth 3 km në perëndim të Gjakovës. Është vendbanim fushor, i ndarë në lagje me shtëpi të shpërndarë.
**) Korenica është vendbanim, që shtrihet në rrethinë e Rekës së Keqe, rreth 4-5 km në perëndim të Gjakovës. Është vendbanim fushor, i tipit të shpërndarë.
******************
NJË FOTO FLET MË SHUMË SE 1000 FJALË!
***
Krimet në Kosovë ishin të planifikuar dhe u kryen në emër të një plani kolektiv shtetëror, të cilin Shtabi kriminal i Millosheviqit e kishte emërtuar “Potkovica” – Plani “PATKOI!
Vrasja e shqiptarëve të paarmatosur, pleqë, gra e fëmijë, plaçkitja e pasurisë, djegjja dhe shkatërrimi i vendbanimeve, dhunimet e femrave shqiptare, spastrimi etnik dhe shpërgulja e popullatës shqiptare nga Kosova (1998-1999) nuk ishin vepra aksidentale – spontane, por të organizuar e palnifikuar mirë që të ndodhin në atë mënyrë siç kanë ndodhur. Pra, krimet dhe gjenocidi në Kosovë u krye në emër të një politike, të një plani kolektiv shtetëror, të cilin Shtabi kriminal i Millosheviqit e kishte emërtuar “Potkovica” – Plani “PATKOI”. Në realizimin e këtij plani famëkeq, Serbia si shtet mobilizoi të gjitha resurset njerëzore dhe teknologjike, administratën shtetërore, transportin publik, mjetet financiare, mediat, gjyqësinë, dhe mbi të gjitha strukturën e gjerë ushtarake – policore e paramilitare, duke filluar nga Korpusi ushtarak i Prishtinës, që përbënte superstrukturën e Armatës së tretë serbe në Kosovë, Korpusin 21 të Nishit, Korpusin 37 të Uzhicës, Korpusin 24 të Kragujevcit, Korpusin special dhe armatën e parë të Beogradit, Korpusin 2 të Podgoricës, strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, si: policia e rregullt e Kosovës, Forcat speciale të policisë, Forcat e ashtuquajtura antiterroriste, Shërbimi i Sigurimit serbë (UDB-a), njësitë paramilitare, “Shkorpionët”, “Tigrat e Arkanit”, “Beli Orlovi” (Shqiponjat e Bardha) të Voisllav Sheshelit, “Beretat e Kuqe”, njësitë kriminale të serbëve lokalë etj.
***
Më prill 2013, EULEX-i ka njoftuar se ka nisur hetimin kundër 17 serbëve të Gjakovës për përfshirjen e tyre në vrasjen dhe masakrimin e shqiptarëve në fshatin Mejë dhe rrethinë, por tashmë u bë 1 vit dhe, asnjëri prej tyre nuk është arrestuar, për t’u përballur me drejtësinë, ndërkohë që me vendim të Kuvendi i Kosovës u themelua Gjykata Speciale për “krimet” që i paska kryer UҪK’ja!!!!
———————————————
– GJAKOVA 1999 –