SHERADIN BERISHA: PJESË NGA DITARI I PROF.XHEMAJLI BERISHËS LIDHUR ME DEMONSTRATËN E 11 MARSIT 1981

Pashtriku.org, 12. 03. 2015 – Prof.Xhemajli Berisha lindi më 17 prill 1958 në fshatin Brestovc të Rahovecit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prizren. Pastaj i vazhdon studimet në Fakultetin Ekonomik në Unversitetin e Prishtinës dhe diplomon më 18 maj të vitit 1981. Më 1 shtator të vitit 1982 punësohet si profesor në Gjimnazin e Prizrenit. Ndërkaq nga shtatori i vitit 1987 deri më 3 Prill 1989, punon në shkollën e mesme ekonomike “Dimitrije Tucoviç” në Prizren. Prof. Xhemajli Berisha ishte njëri nga udhëheqësit e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës. Më 3 prill 1989 arrestohet nga UDB’a (gjatë procesit mësimor) dhe pasi torturohet pamëshirshëm në zyrat e sigurimit shtetëror në Prizren, shuhet nga jeta më 6 prill të atij viti. Prof.Xhemajli Berisha ka lënë shumë shenime në dorëshkrim, dhe në mesin e tyre ka edhe një ditar të mbajtuar gjatë kohës së studimeve në Prishtinë. Në 34 vjetorin e demonstratave të pranverës 1981, shkëpusim pjesë nga ditari i tij në dorëshkrim, të mbajtur më 11 e 12 mars 1981.

PJESË DITARI NË DORËSHKRIM I PROF.XHEMAJLI BERISHËS,DATË 11&12. 03.1981

(11. III. 1981)
Para dite vajta në ligjërata të planifikuarit dhe politikës afariste. Në çmime nuk ndejta por u këtheva në banesë. Koha është bukur shumë e ngrohtë. Dolëm në qytet për të shëtitur. Pothuajse tërë ditën ishim në sheti. Në mbrëmje shkuam për të ndejtur tek Halimi. Ximi shkoi me Agimin në bibliotekë. Që andej na sollën një lajm që bukur shumë e prisja. Studentët ishin ngritur në grevë. Ju bashkuam edhe ne kësaj rrëmuje. Filluam me britmë të shprehim revoltën. Shumë kushtet i kemi të vështira. Në një situatë të tillë s’do mend se është e pa evitueshme demosntrata.Morrëm udhëtimin nga qyteti. Dëgjoheshin thirrje të njëpasnjëshme: “Poshtë borxhezia”, rrnoftë klasa punëtore, Kërkojmë Republikën. Me këto thirrje arritëm në shesh ku zhvilloheshin korzet. Besonim se me ne do të bashkoheshin edhe qytetarët. Por u gënjyem. Ata nuk u bashkuan. Prej Këshillit Ekzekutiv filluam demonstrimin nga mesi i qytetit. Në fund u përleshëm me forcat policore. Aktiviteti ende zgjërohej, megjithëse jo me një organizim të suksesshëm. Shumica janë të pa formuar si njerëz me mendime dhe shpirt rrevolucionar. Demosntrata vazhdoi gjerë nga ora 4 (të mëngjesit – sh.b).

***
(12. III. 1981)
U zgjova me vonesë dhe mjaftë i plogësht, megjithëse zemrën e kisha të zjarrtë dhe të gëzuar me akcionin e mbrëmë. Koha kishte ndryshuar shumë. Mbi qytet endej një erë ndërsa në qiell u shpërndan re të zeza. Qyteti e kishte humbur gjallërinë e mbrëmjes së kaluar. Qytetarët endeshin me një pasiguri dhe në heshtje zvarritej jeta. Vendosa të shkoja në shtëpi, mbasë një atmosfere të këtillë heshtëse që më tërbonte. Vajta në stacion. Para sportelit ishte tollovi dhe biletat i prisnin për në ora 15 e 30. Vendosa të këthehesha në banesë, mirëpo në ato qaste takova Samiun i cili kishte të nxjerrur biletën. Edhe unë hypa me anë të njëjtës biletë dhe çdo gjë u rregullua sipas dëshirës. Prizreni, kohëve të fundit pothuase e ka humbur rëndësinë e dikurshme patriotike. Heshtëte si memec edhe pse kishte përse të fliste. Kjo heshtje më mundonte mjaft shumë, nga se nuk isha mësuar të shifja të tillë. Por bota ndryshohet edhe qyteti transformohet. Të njohur as që takova prandaj nuk pata rast të bisedoja me askend. Këthehem në shtëpi. U përshëndeta me familjen të cilët hetuan shumë ndryshime tek unë. (Burimi: A. Fejzullahi – Ngjarjet e vitit 1981, kanë lënë gjurmë në Histori! 1 maj 2012)

=============================

Prishtinë, 1 Prill 1981: Prof.Xhemajli Berisha në demonstratë (në foto me rreth të kuq)

Prizren, prill 1989: Prof.Xhemajli Berisha i mbytur nga torturat mizore të udbashëve, në ambientet e SPB’ës në Prizren!

………………………………………….

Në vijim shikoni dokumentarin: “Veç ditëlindje kanë dëshmorët”- kushtuar jetës dhe veprës së Heroit të Kombit Prof.Xhemajli Berisha.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura