Pashtriku.org, 26. 11. 2013 – Demonstratat e muajve tetor – nëntor 1968 që u organizuan në Kosovë, ndikuan fuqishëm edhe në viset shqiptare në Maqedonin perëndimore. Nismëtarë për organizimin e Demonstratës në Tetovë u bënë studentët shqiptar nga Tetova, Gostivari, Kumanova…, që studjonin bashkë me studentët nga Kosova në Universitetin e Beogradit, Zagrebit dhe në disa fakultete të Prishtinës. Me këtë rast në krye të këtyre aktiviteteve atdhetare u vunë mësuesit: Mehmetriza Myrtezani Gega (Mehmet Gega) nga Tetova, i cili në vitin 1955 u denua me 10 vjet burg, per shkak të pengimit të shpërnguljeve të familjeve shqiptare për Turqi; Hysniqemal Sherifi (i cili në vitin 1963 ishte udhëheqës i grupit patriotik e revolucionar ”Flamuri” 52 ), pastaj studentët: Faik Mustafa nga fshati Shipkovicë, Ramadan Sinani nga fshati Gajre, Hysenxhevat Kalishta, Abdylmenaf Rustemi, Arbër Xhaferi, Fehmi Rufati etj. 53
Popullit shqiptarë në këto vise etnike, përveç se i mohoheshin të drejtat në arsim, kulturë, punësim etj, kishte të ndaluar edhe përdorimin e simboleve kombëtare. Përkundër ndalesave shtetërore, shqiptarët gjenin forma për kremtimin me dinjitet të festave kombëtare.
– Tetova –
Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, më 27 nëntor 1967 në shtëpinë e Mehmet Gegës mblidhet një grup të rinjësh për të festuar këtë ditë të madhe kombëtare.
Në këtë mbrëmje festive ishin të pranishëm:
1. Faik Mustafa,
2. Ramadan Sinani,
3. Hysenxhevat Kalishta,
4. Miftar Zymberi,
5. Fehmi Rufati,
6. Abylselam Selami,
7. Xhemil Mustafa,
8. Arbër Xhaferi,
9. Abdylmenaf Rustemi.
Atë natë derisa grupi këndonte dhe bisedonte për pozitën e rëndë të shqiptarëve, sidomos në fushën e punësimit dhe të arsimit, vajza e Mehmetit, Valdetja do ta qëndis flamurin kombëtar, të cilin po këtë natë e përfundon së qëndisuri.
Më 27 nëntor 1967 edhe Shefit Pollozhani nga Struga, bashkë më Sejdi Llogën, Olloman Selën dhe Xhevat Lenën ngritën flamurin kombëtar dhe shkruan parullat:
– ”Rroftë 28 Nëntori”,
– ”Rroftë populli shqiptar”,
– ”Rroftë Shqipëria” 54 dhe të nesërmen festuan këtë ditë të madhe kombëtare. Një vit më vonë ditën e Flamurit, e festuan edhe dy grupe të rinjësh në Gostivar: Zyhdi Bilalli, Shaip Bilalli dhe Naim Bilalli nga Çegrani dhe Hysen Hasani me disa të tjerë u tubuan në ambientet e shkollës fillore ku ngritën flamurin kombëtar dhe kremtuan këtë datë historike.
Ndërkaq një grup tjetër arsimtarësh nga Gostivari në përbërje: Jusuf Dalipi, Xhavit Muharremi, Imer Imeri, Mustafë Rushiti, Refik Dauti, Flora Muharremi dhe Jamin Nuredini, pikërisht në paraditen e 28 nëntorit 1968 i vendosin flamujt në vetura dhe parakalojnë nëpër fshatrat Gajre, Florinë dhe Çegran, kthehen në qytet dhe sërish nisen e shkojnë në drejtim të kundërt, në fshatin Debresht. Pasdite Jusuf Dalipi, Jamin Nuredini, Refik Dauti, Mustafë Rushiti dhe Imer Imeri me flamur në veturë shkojnë në Mavrovë (18 km. larg Gostivarit) dhe hyjnë në restorantin e ”Haneve të Mavrovës” duke e vendosur edhe flamurin kombëtar mbi tavolinë. 55
Para këtyre ngjarjeve, më 18 tetor 1968 në Tetovë, u bë bojkotimi njëditor i mësimit të nxënësve shqiptarë të Gjimnazit të Tetovës. Ata kërkonin hapjen e paraleleve shqipe, propozim ky që ishte dhënë një vit më parë…, mirëpo qarqet shoviniste maqedonase e pengonin realizmin e tij. Këtë ngjarje edhe pse të gjithë instancat politike dhe shtypi i kohës e karakterizuan si një akt të rëndë në prishjen e marrëdhënieve ndërnacionale, megjithatë pas shqyrtimit të kësaj kërkese, më 20 tetor 1968 filloi punën paralelja në gjuhën shqipe. 56
Populli shqiptar në Maqedoni ndonëse jetonte në pozita diskriminuese, grupi i Mehmet Gegës me rastin e ditës së Flamurit u mblodhën në shtëpinë e Faik Mustafës, pikërisht në vigjilje të kësaj feste kombëtare, (27 nëntor 1968) në kohën kur në Prishtinë dhe në disa qytete tjera të Kosovës u mbajtën demonstrata të fuqishme, dhe aty shtruan për diskutim organizimin e një demonstrate në Tetovë, Gostivar, Kumanovë, Shkup dhe në qytete tjera shqiptare. 57 Meqë ato ditë, ishte ramazan, Mehmet Gega për ta përgatitur masën popullore për demonstratë, më 28 nëntor 1968 xhematit të mbledhur në xhaminë e sahatit i foli për rëndësinë historike të festës së Flamurit, që prej Kuvendit të Lezhës (28.XI.1444) e deri në Kuvendin e Vlorës (28.XI.1912), kur u shpallë edhe Pavarësia e Shqipërisë, si dhe për padrejtësitë e shumta që i bëheshin shqiptarëve para dhe pas luftës së dytë botërore. Me propozimin e tij u bënë edhe lutje për dëshmorët e rënë.
Ndërkaq, gjatë gjysmës së parë të muajit dhjetor 1968 u zhvillua një aktivitet i dendur organizativ. Anëtari i grupit Faik Mustafa vuri kontakte me dy studentë nga Gjakova: Agim Jakën dhe Ibrahim Rudin, me të cilët u konsultua rreth kërkesave që duhet shtruar në demonstratë. 58
Ndërkohë u shkruan dhe u shumzuan (me ciklograf) qindra thirrje për demonstratë, të cilat u shpërndanë nëpër fshatrat përeth Tetovës dhe në disa qytete. Paraprakisht u shkruajtën edhe kërkesat në transparente. Në mbrëmjen e 19 dhjetorit 1968 (në vigjilje të kremtes së Bajramit) me porosi të Mehmet Gegës, në disa minare të xhamive të Tetovës u vendosën flamujt kombëtar shqiptar.
Fillimisht, flamuri vendoset në Xhaminë e Sahatit, që gjendet ne qendër të qytetit, dhe atë e vendos Myrtezan Myrtezani (vëllai i Mehmet Gegës); në xhaminë e vjetër Eski Xhami e vendos Abdullah Jusufi, ndërsa në Xhaminë e Pashës flamurin e vendos Haqif Ferati. 59 Flamuri u ngrit edhe në disa shtëpi private dhe punishte zejtare, si dhe në disa fshatra përreth si në Radovicë, në Reçicë, në Shipkovicë, në Gajre etj. 60 Derisa ngritja e flamurit kombëtar, për shqiptarët e Tetovës ishte një fitore e madhe, qarqet shoviniste maqedonase këtë aksion nuk e shikuan me sy të mirë, prandaj dhe organizuan një skenar provokues.
Në orët e mbrëmjes të 22 dhjetorit, fotografi maqedonas Sreçko Janevski nga Tetova, e grisi flamurin shqiptar, të ngritur në punishten e Ismail Ejup Spahiut (rrobaqepës) në rrugën ”Ilindenska”, mu në qendër të qytetit. 61 Të revoltuar nga ky akt shovinist, me shpejtësi në vendin e ngjarjes u grumbulluan dhjetra tetovarë dhe deri rreth orës 20 të mbrëmjes, masa u shtua në disa qindra vetë. Masa e tubuar e ndoqi sllavomaqedonin S.Janevski, i cili gjatë ikjes me revole në dorë kërcënonte shqiptarët dhe futet në ambientet e hotelit ”Makedonija”. Protestuesit shqiptar pasi i thejn xhamat e dritareve hyjnë brenda në hotel, por ndërkohë vjen policia dhe e merrë në mbrojtje këtë provokator. Masa e revotluar shqiptare në krye të së cilës u ndodhën mjekët: Harun Jakupi dhe Mahmut Bajraktari si dhe arsimtarët: Selajdin Hyseni dhe Abdullah Kalishta, protestuan duke marshuar rrugëve të qytetit dhe hodhën parolla kundër pushtetit maqedonas dhe rreth orës 21 u shpërndan të qetë. 62
Nisur nga kjo situatë e krijuar, grupi i Mehmet Gegës mori qëndrim për vazhdimin e protestës. Të nesërmen më 23 dhjetor, protesta u shndërrua në demonstratë. Rreth orës 11 organizatorët e demonsratës: Faik Mustafa, Ramadan Sinani, Ismail Emini, Hysniqemal Merxhani etj, ishin tubuar përpara dyqanit të provokatorit Sreçko Janeski. Masa e demonstruesve, lëvizi nga qendra e qytetit në drejtim të kuvendit komunal dhe me këtë rast nxënësi i gjimnazit Hamit Salihu me disa shokë u futën në ambientet e komunës dhe në dritaren e një zyreje në katin e tretë e shpaluan flamurin kombëtar. 63
Pasi njoftohet policia nga kujdestarët e komunës, aty shkaktohet një përleshje midis demonstruesve dhe ”ruajtësve të rendit”. Policia për t´i shpërndarë demonstruesit përdorën shkopinjtë e gomës, ndërsa demonstruesit shqiptarë mbroheshin me gjësende që gjenin përreth. Pas këtij marshimi demonstruesit kthehen andej ka kishin ardhur (rrugës kryesore), dhe meqë ishin informuar rrejshëm se tashmë ishin burgosur disa demonstrues, masa u ndalua fuillimisht para ndërtesës së Sekretariatit për Punë të Brendshme dhe qëndruan një kohë të gjatë, duke kërkuar lirimin e të burgosurve. 64
Më pastaj demonstruesit marshojnë në drejtim të tregut të qytetit, rrugës që të shpije për Ferizaj. Gjatë rrugëtimit bashkohen punëtorët shqiptar të Kombinatit ”Tetex”, zejtarët dhe popullata e fshatrave të Tetovës. Demonstruesit mbanin në duar flamuj kombëtar dhe transparente me parullat:
– ”Poshtë shovinizmi maqedonas”,
– ”Kërkojmë hapjen e Universitetit të Kosovës”,
– ”Kërkojmë përdorimin e lirë të Flamurit Kombëtar”…,
ndërsa masa parreshtur brohoriste:
– ”Kushtetutë, kushtetutë!,
– ”Flamuri, Flamuri”,
– ”Duam mësim në gjuhën shqipe” etj. 65
Në orët e vona të pasdites, masa prej 4 – 5 mijë vetësh (e cila vinte akoma duke u rritur) u grumbullua në qendër të qytetit, ndërkohë që edhe përforcimet e policisë të ardhur nga Shkupi u shtuan shumë. Në këtë situatë entuziazmi, të përcjellur me brohoritje e parulla për barazi kombëtare, para masës, djaloshi 20 vjeçar Shifajet Fetahu, u ngjit në një shtyllë metalike dhe vendosi flamurin kombëtar. Ngritja e flamurit para demonstruesve qe akti me kulminant i kësaj demonstrate. 66
Më pastaj demonstruesit filluan sërish marshimin drejt kinemas “19 nëntori” ku policia duke përdorur shkopinjtë e gomës dhe kondakët e revoleve dhe të automatikëve u përpoqën t´a shpërndajnë masën. Gjatë këtyre përleshjeve pati dhjetra shqiptarë të plagosur si dhe u arrestuan shume të tjerë. Ndërkaq në këto përleshje u shkatërrua një vetur e policisë, një kamion, shumë vetura zyrtare e private, Komiteti Komunal i LK të Tetovës, Komuna dhe zyrat e Sindikatës etj. Demonstrata nëpër rrugët e Tetovës përfundoj në orën 20 të mbrëmjes. 67
Manifestime të hapura në frymën e demonstratave pati edhe në: Gostivar, Kërçovë,Kumanovë, Preshevë si dhe në Ulqin, ku me ekspozimin e flamurit kombëtar u shpreh vullneti i popullit shqiptar për vetvendosje.
Kush u denua për organizimin e demonstratave në Tetovë?
Për demonstratat e Tetovës, e cila e aktualizoj çështjen e përdorimit të flamurit shqiptar dhe hapjen e paraleleve të mësimit në gjuhën shqipe, u denuan 170 shqiptarë, 68 ndërsa 54 veta u denuan me mbi 1 vjet burg, jo vetëm nga Tetova por edhe nga Shkupi, Gostivari, Struga dhe Kërçova.
Më datë 25.VI.1969 në Gjykatën e Qarkut në Shkup u gjykua Grupi i Mehmetriza Murtezanit (Mehmet Gegës).
Në Aktgjykimin e këtij grupi shkruan:
NË EMËR TË POPULLIT
Si gjykatë e apelacionit të shkallës së parë, e përbërë prej Këshillit pesë anëtarësh: gjykatësit Bogosav Nikodijeviq, si kryetar i këshillit dhe gjykatës i rregullt Atanas Spasov; gjykatësit porotë:Krste Mitrevski, Abdush Huseini dhe Maria Shundilova, si anëtarë të këshillit, me procesverbalistin Jordanka Nikançeva, punëtor administrativ i gjyqit, duke vendosur sipas aktpadisë në Prokurorinë e hapur të Qarkut të Shkupit KT. nr.1225/68, të datës 18.IV.1969 kundër të akuzuarve: Memetriza Murtezani dhe Faik Mustafait, të dy nga Tetova, për veprën penale-Bashkim kundër popullit dhe shtetit- sipas nenit 117, fq.1, në lidhje me nenin 100 dhe 101, fq.1, të Ligjit Penal; si dhe kundër të akuzuarve: Abdulselam Selamit, Ramadan Sinanit, Fehmi Rufatit, Xhemail Mustafait, Agim Xhaferrit, Arben Xhaferrit, Abdulmenaf Rustemit, Useinxhevat Useinit, Isniqemal Sherifit, Refik Muratit dhe Nexhbedin Nezirit, të gjithë nga Tetova, për veprën penale-Bashkim kundër popullit dhe shtetit, në bazë të nenit 117, fq.2, në lidhje me nenin 100 dhe 101, fq.1 të LP., dhe kundër të akuzuarve: Agim Jakës dhe Ibahim Rudit, të dy nga Gjakova, për veprën penale-Bashkim kundër popullit dhe shtetit, me ndihmesën e nenit 117, fq.1, në lidhje me nenin 100 dhe 101, fq.1, si dhe nenit 20 të LP., ndërsa sipas hetuesisë kryesore shtetërore të hapur me gojë, me praninë e Prokurorit publik të Qarkut të Shkupit, Mr. Vanço Proevski dhe ndihmësit të tij, Branko Milanov,…. më datë 25.VI.1969… Në bazë të rregullave të neneve 3, 20, fq.1, 28, 38, 42, fq.1, 43, fq.1 dhe 45 të LP., në lidhje me nenin 117, fq.1 dhe 2 të LP., si dhe rregullat nga neni 89, fq.2 pika 1 deri më 6, nenit 91, fq.1 dhe 3, 93, fq.1 të LP., të akuzuarit:
1. MEMETRIZA MURTEZANI i quajtur “Gega” nga Tetova, dënohet me BURG TË RËNDË prej 7 VITESH, në të cilën llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 24.XII.1968.
2. FAIK MUSTAFAI nga Tetova me BURG TË RËNDË prej 5,6 VITESH, në të cilën i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 24.XII.1968;
3. ABDULSELAM SELAMI nga Tetova, dënohet me BURG TË RËNDË prej 1,6 VITESH, në të cilën llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 27.XII.1968.
4. RAMADAN SINANI i quajtur “Ramush” nga Tetova, dënohet me BURG TË RËNDË prej 2 VITESH, në të cilën i llogaritet koha e kaluar në paraburgim që nga data 24.XII.1968.
5. FEHMI RUFATI nga Tetova, dënohet me BURG TË RËNDË prej 2 VITESH, në të cilën i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 23.XII.1968.
6. ABDULMENAF RUSTEMI nga Tetova, dënohet me BURG TË RËNDË prej 2 VITESH, në të cilën i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 23.XII.1968;
7. ISNIQEMAL SHERIFI nga Tetova, dënohet me BURG TË RËNDË prej 2 VITESH, në të cilën i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 24.XII.1968;
8. REFIK MURATI nga Tetova, dënohet me BURG TË RËNDË prej 1,6 VITESH, në të cilën i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 23.XII.1968;
9. NEXHBEDIN NEZIRI nga Tetova, dënohet me BURG TË RËNDË prej 1,6 VITESH, në të cilën i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 20.II.1969;
10. AGIM JAKA nga Gjakova, dënohet me BURG TË RËNDË prej 2,6 VITESH në të cilën i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 24.I.1969; dhe
11. IBRAHIM RUDI nga Gjakova, dënohet me BURG TË RËNDË prej 3 VITESH, në të cilën i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 7.III.1969. 69
Ndërsa
12. Hysenxhevat Kalaishta student me 5 muaj burg;
13. Xhemil Mustafa student me 5 muaj;
14. Arbër Xhafëri student me 3 muaj;
15. Agim M.Xhaferi student me 3 muaj burg e shumë të tjerë. 70
Faksimili i aktgjykimit të grupit të Mehmetriza Myrtezanit – Gega.
Më 30. VI. 1969, në Gjykatën e Qarkut në Shkup „Këshilli i përbërë nga gjykatësi Blagoja Çonevski, kryetar i këshillit dhe gjyqtarët porotë: Pero Konçaliev dhe Petar Kunovski,“ në bazë të aktakuzës të ngritur nga zv.Prokurori publik i qarkut Vanço Pavlovski „në Gjykatën Publike të Qarkut të Shkupit, me Nr.K. 1223/1968 – 18.IV.196,… sipas nenit 118, fq.1 të LP, dhe …nenit 119, fq.1 të LP.“ në „emër të popullit“ i dënon:
1. HARUN JAKUPI, dënohet me vuajtje të rëndë të burgut prej 5 vjetësh;
2. SALAJDIN HUSEINI, dënohet me vuajtje të rëndë burgu prej 4 vitesh;
3. MAHMUT AVDIU-BAJRAKTARI, dënohet me vuajtje të rëndë burgu prej 4 vitesh;
4. ABDULLA HUSEINI-KALISHTA, dënohet me vuajtje të rëndë burgu prej 18 muajsh. 71
“Flaka” shkruan për proceset gjyqësore…!
Pas burgosjeve në Tetovë, pushteti shovinist maqedonas, burgosi e dënojë edhe shumë të rinjë shqiptar, që nuk kishin aspak lidhje me demonstratat e Tetovës. Në Shkup u denua Sejdi Kryeziu me 5 vjet burg, gjoja se ka bërë propagand armiqësore për shkëputjen e Maqedonisë perëndimore dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, ndërsa Inajet Bariu u denua me 1 vjet, po për propagand armiqësore. Asokohe në strug u denua Irfan Vlashi me 6 vjet burg, për diversion, Tosun Roçi me 4 vjet burg, ndërsa në Kërçovë u denuan: Syrja Qura, Sali Ramadani etj. 72
Përfundim
Demonstratat e vitit 1968 patën një rol të madh në zhvillimet e mëvonshme politike. Ato e detyruan udhëheqjen jugosllave të rishqyrtojë statusin juridik të Kosovës dhe me këtë rast u ndërmorën disa veprime konkrete. Në shkurt 1969 u miratue ligji kushtetues për Kosovën, i cili hapi rrugë që ajo ta ketë Kushtetutën e vet. Me anë të ligjeve emërtimi ”Kosovë e Metohi” si krahinë e Sërbisë, ndërron emrin në “Krahina Socialiste Autonome e Kosovës” (KSAK); Po atë vit gjuha shqipe u sanksionua me ligj si gjuhë e dytë zyrtare, krahas gjuhës serbo-kroate; u legalizua përdorimi i flamurit kombëtar; ndërsa në nëntor 1969 Kuvendi i Kosovës shpalli ligjin për themelimin e Universitetit të Kosovës, i cili do të jetësohet më 15 shkurt 1970. Së këndejmi, pas debateve maratonike për ndryshimet kushtetuese (1967-1971), Kuvendi federativ i Jugosllavisë më 21 shkurt 1974 miraton Kushtetutën e re të RSFJ-së, ndërsa një javë më vonë (28 shkurt) edhe Krahina Socialiste Autonome e Kosovës e miraton Kushtetutën e parë të saj, e cila Kosovën e definon njëkohësisht, si: ”pjesë integrale të Sërbisë” dhe ”element konstituiv të federatës jugosllave”. 73 Megjithatë kjo Kushtetutë nuk do të kënaqë asnjëherë vullnetin e popullit shqiptarë, prandaj dhe organizatat politike ilegale nuk do ta ndalin dot veprimtarinë e tyre atdhetare për asnjë moment, për të realizuar synimin dhe aspiratën madhore – vetëvendosjen dhe bashkim kombëtar.
______________________
Referencat:
1 A.Lalaj: Kosova – rruga e gjatë drejt vetvendosjes (1948-1981), Tiranë 2000, fq.137-140.
2 Pa vetvendosje – s´ka barabarësi, “Rilindja“, 19 gusht 1968; Vetëvendosja-pjesë përbërëse e mekanizmit vetqeverisës (po aty) 5 shtator 1968; Krahinës kompetenca më të mëdha (po aty) 6-8 shtator 1968; A.Lalaj – vepra e cituar, fq.188-189.
3 A.Lalaj, vepra e cituar, fq.283.
4 Konkluzionet e konsultës gjuhësore të 22-23 prillit të vitit 1968, mbajtur në Prishtinë, ”Përparimi” 1968, nr.3-4, fq.325-326.
5 K.Rexha- „Fati i luleve (Rruga jetësore e shkrimtarit dhe atdhetarit Jusuf Gërvalla), Prishtinë 1993, fq.104. / A.Lalaj: vepra e cituar, fq.334.
6 F.Hoxha: Jemi në shtëpinë tonë, Prishtinë 1986. ”Kosovo, Past and Present”, Beograd 1989, fq.389 /A.Lalaj: Vepra e cituar, fq.335.
7 Dr.Z.Neziri: “Isa Demaj jeta dhe veprimtaria atdhetare, Prishtinë 2002, fq.179 Mr.E.Çeku: Mendimi politik i lëvizjes ilegale në Kosovë 1941-1981,
Prishtinë 2003, fq.169. /Sh.Braha: Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare (1884-1990), Gjakovë 1991, fq.504.
8 Dëshmi e Prof.Meriman Brahës dhënë autorit, në korrik 2001 në Prizren.
9 Dr.Z.Neziri: Vepra e cituar, fq.181-182 /Mr.E.Çeku: Vepra e cituar, fq.169.
10 Nga deklarata e Meriman Brahës dhënë autorit, në korrik 2001 në Prizren.
11. Selatin Novosella, Demonstratat e vitit 1968 (Kosova Sot)
12 Po aty
13 A.Pireva: vepra e cituar, fq.38-41.
14 Po aty
15 Po aty
16 Mr.E.Çeku: Mendimi politik i lëvizjes ilegale në Kosovë 1945-1981, Prishtinë 2003, fq.170.
17 Sabri Novosella: Flijimi për ëndrrën e lirisë (Rrëfim) Zëri 26 dhjetor 1996, fq.22.
18 Aktgjykimi K.nr.23/69 Gjyqi i Qarkut Prishtinë, fq.3.
19 A.Pireva: vepra e cituar, fq.7
20 Aktgjykimi i cituar, fq.4.
21 A.Pireva: vepra e cituar, fq.53-55.
22 “Zëri i Kosovës“-Organi LPRK-së, artikulli i cituar… nr.11/12 nëntor-dhjetor 1988, fq.8.
23 Po aty
24 A.Pireva: Vepra e cituar, fq.fq.78.
25 Po aty
26 Po aty
27 Po aty
28 S.Novosella: artikull i ctuar, 4 dhjetor 2003, fq.9.
29 Po aty
30“Zëri i Kosovës“…. artikulli i cituar, fq.8.
31 S.Novosella: artikulli i cituar, fq.9
32 Po aty dhe libri i cituar i A.Pirevës, fq.112.
33 Po aty
34 A.Pireva: vepra e cituar, fq. 113-115.
35 Po aty
36 Po aty
37 S.Novosella: Në 35 vjetorin e demonstratave të 68-tës, Kosova Sot, 3 dhjetor 2003, fq.9
38 “Zëri i Kosovës“….artikulli i cituar, fq.9.
39 Nga biseda e autorit me Irfan Shaqirin, 15.XI.2004
40 ALK-„Kosovapres“ Prishtinë 28 mars 2001.
41 “Zëri i Kosovës“…artikulli i cituar, fq.9.
42 Po aty
43 Po aty
44 A.Lalaj, Kosova-rruga e gjatë drejt vetëvendosjes (1948-1981),Tiranë 2000,
fq.361.
45 Arkovi i Kosovës, fondi i KK të LKK, Dosja: Mbledhja e Komitetit Krahinor, 28.XI.1968. /Mr.E.Çeku: vepra e cituar, fq.172
46 Gazeta”Rilindja”, 30 nëntor 1968 (raport nga mbledhja e KK të LKK-së), /A.Lalaj: vepra e cituar, fq.353.
47 Po aty
48 Aktgjykimi K.nr.23/69 i shpallur nga gjykata e qarkut në Prishtinë (7 prill 1969) fq.1-2.
49 Aktgjykimi i cituar, fq.1
50 Aktgjykimi i cituar, fq.2-3
51 A.Pireva: Gjashtëdhjetëeteta shqiptare, Prishtinë 1994, fq.175-176
52 “Zëri i Kosovës“… artikulli i cituar, fq.10.
53 B.Berisha: Çështja kombëtare shqiptare dhe “ultrakomunistët“shqiptar, Tetovë 1996, fq.192.
54 B.Berisha: Vepra e cituar, fq.192. /Selatin Novosella: Cilat ngjarje i paraprinë demonstratave në Tetovë, Kosova Sot, 8 dhjetor 2003, fq.9
55 Revista ”Koha” Prishtinë, mars 1991, /S.Novosella: Artikulli i cituar, fq.9
56 B.Berisha vepra e cituar, fq.196. / Revista ”Koha” Prishtinë, mars 1991
57 B.Berisha, vepra e cituar ,fq.193, /S.Novosella, artikulli i cituar, fq.9
58 Revista ”Koha” ,Prishtinë, mars 1991 /S.Novosella: artikulli i cituar, fq.9
59 B.Berisha: vepra e cituar, fq.197, /Revista “Koha” Prishtinë mars 1991./S.Novosella: artikulli i cituar, fq.9
60 “Zëri i Kosovës“… artikulli i cituar, fq.10
61 Po aty
62 Po aty
63 B.Berisha: Vepra e cituar, fq.198. /S.Novosella: artikulli i cituar, 9 dhjetor 2003, fq.9
64 Revista ”Koha”, Prishtinë mars 1991 /S.Novosella: artikulli i cituar, fq.9
65 Po aty, /“Zëri i Kosovës“, artikulli i cituar, fq.10.
66 B.Berisha: vepra e cituar, fq.198.
67 “Zëri i Kosovës“…artikulli i cituar, fq.10.
68 Sot fillon gjykimi i organizatorëve të demonstratave të Tetovës, ”Rilindja” 1-3 qershor 1969.
69 Nga aktgjykimi 129/69
70 A.Pireva: vepra e cituar, fq.176-177.
71 Nga aktgjykimi 30.VI.1969
72 B.Berisha: vepra e cituar, fq.199-200.
73 N.Gjeloshi: “Kosova në udhëkryq 1989“, Itali 1997,fq.2
– FUND –
______________________
SHERADIN BERISHA: ROLI HISTORIK I DEMONSTRATAVE SHQIPTARE (TETOR – DHJETOR 1968) /I/
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2141
***
SHERADIN BERISHA: ROLI HISTORIK I DEMONSTRATAVE SHQIPTARE (TETOR – DHJETOR 1968) /II/
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2142
***
SHERADIN BERISHA: ROLI HISTORIK I DEMONSTRATAVE SHQIPTARE (TETOR – DHJETOR 1968) /III/
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2143