SHOQATA ‘TRADITA’ NË TETOVË – ORGANIZOI KONFERENCË SHKENCORE PËR VEPRIMTARINË ARSIMORE DHE SHKENCORE TË PROFESOR ALI VISHKOS

Pashtriku.org, 09. 10. 2014: Më 08. 10. 2014 – Shoqata për kulturë dhe art ,,Tradita”, në Tetovë – organizoi konferencë shkencore me temë: “Veprimtaria arsimore dhe shkencore e Prof. Dr.Ali Vishkos”, e cila u mbajt në Amfiteatrin e Fakultetit të Arteve të Universitetit Shtetëror të Tetovës. Konferenca punimet i zhvilloi në dy sesione, ku me kumtesat e tyre morën pjesë mbi 20 studiues. Konferencën e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës ,,Tradita”, Selam Sulejmani. Ai, para të pranishmëve tha se në radhën e figurave të shquara të kombit tonë, një vend nderi zë Prof. Dr. Ali Vishko me veprën e tij shumëdimensionale. “Veprimtaria e tij, burimin e saj e ka në traditën, historinë dhe kulturën kombëtare. Në veprat e tij spikasin virtytet themelore të popullit tonë, thjeshtësia, dëshira për punën, ndjenja e lartë kombëtare, dëshira për arsim e dije, për përparim e kulturë, vetëmohimi për të qenë i lirë dhe shumë virtyte të tjera të cilat janë trashëguar ndër breza. Këto virtyte, profesor Aliu i ka ngritur në vlera kombëtare, me një gjuhë të thjeshtë e të pasur dhe tërheqëse për t’u lexuar. Ne kemi obligim qytetar që të angazhohemi të gjithë që ta ndriçojmë rrugën jetësore të të gjithë atyre që punuan me vetëmohim dhe sakrifikuan gjithçka për kombin tonë; e kemi obligim t’u shprehim mirënjohjen tonë gjithë atyre burrave të kombit që nuk kursyen asgjë për idealet e arsimit shqip”, deklaroi kryetari i Shoqatës ,,Tradita”, Selam Sulejmani.


Për jetën dhe veprën e Ali Vishkos i pari foli miku dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Prof. Dr. Reshat Nexhipi, i cili enkas kishte ardhur nga Manastiri për hapjen solemne të kësaj konference shkencore. Ai tha se profesor Ali Vishko gjithmonë bënte kujdes të veçantë që të përdorej drejtë gjuha shqipe, sidomos në emërtimin e vendbanimeve shqiptare. Sipas tij, Prof.Dr. Ali Vishko ka ndikuar shumë edhe në avancimin e kuadrove shqiptarë, ku ai përmendi rastin e tij se si është avancuar me ndihmën e Prof. Dr.Ali Vishkos. Ai, mes tjerash po ashtu tha se edhe pse prof. Ali Vishko përnga natyra dukej serioz, atij aspak nuk i mungonte humori dhe satira. “Ky nder që po më bëhet sot mua këtu, unë atë e konsideroj për shkak të miqësisë sime me Ali Vishkon dhe e dyta, si njeri nga vendlindja e Alfabetit, domethënë ne të Manastirit kemi pak më tepër përparësi, kështu e konsiderojmë këtë respekt dhe e falënderoj me këtë rast kryetarin e Shoqatës ,,Tradita”, Selam Sulejmanin i cili bëri çmos për të më sjellë sot këtu, duke ma siguruar edhe udhëtimin nga Manastiri, ngase e dinte gjendjen time, që për shkaqe shëndetësore u largohem udhëtimeve, prandaj e falënderoj shumë për këtë respekt ndaj meje. Pas shumë vjetëve t’u them të drejtën se ndjehem më i ri për 20 vjet. Më duket vetja më i ri, se më dalin parasysh ato kujtime që kemi pasur këtu, në organizimet tona partiake nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta, dhe ato kujtime s’kthehen më kurrë”, shtoi më tej Prof. Dr. Reshat Nexhipi.
Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi tha se profesori Ali Vishko mbetet njëri nga figurat më të shquara në fushën e shkencave historike të kohës më të re tek shqiptarët. “Profesori Ali Vishko i krijonte veprat e tij më të rëndësishme dhe ato i publikonte në funksion të traditës kombëtare dhe të vetëdijes. Veprat e tij inkurajojnë ata të cilët në momente të caktuara kishin frikën që ta thonë të vërtetën, ndërsa e vërteta dhe rruga për të ardhur deri tek ajo, ishte një ndër karakteristikat më të pranishme në opusin e tij, virtyti më i madh ndër virtytet e shumta të veprës së tij”, deklaroi Behixhudin Shehapi, Sekretar Shtetëror në Ministrinë e Kulturës. Mbi kontributin e tij në ngritjen e besimit bektashian foli Kryetari i Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit, Edmon Brahimaj. “Emri i profesor Ali Vishkos lidhet në mënyrë organike me ringritjen e besimit bektashian në viset shqiptare të Maqedonisë, sidomos pas viteve 90 të shekullit që lamë pas. Jo vetëm ana e tij shpirtërore, por edhe ajo morale, intelektuale, u vu e tëra në shërbim të rilindjes së besimit tonë. Ai iu bashkëngjit aksionit për identifikimin e trojeve shqiptare të bektashizmit”, tha mes tjerash Kryetari i Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit, Edmon Brahimaj.

Konferenca e sotme shkencore kushtuar veprimtarisë arsimore dhe shkencore të Prof. Dr.Ali Vishkos punimet i zhvilloi mbi tezat për: Kontributin e Prof. dr. Ali Vishkos për arsimin shqip në Republikën e Maqedonisë; Studimet shkencore në fushën e historisë dhe shkencat tjera albanologjike në përgjithësi; Ngritjen e kuadrit të ri arsimor dhe shkencor të shqiptarëve në Maqedoni; Jetën kulturore në Tetovë dhe qytete të tjera të vendit tone; Kontributin e tij në lidhje me Kongresin e Manastirit; ndriçimin e figurës së Shën Hieronimit; Ndriçimin e fakteve të reja për Kryengritjen e Dervish Carës; Rëndësinë kulturore, historike dhe fetare të Teqesë Harabati Baba në Tetovë, si dhe aktivitetet për themelimin e Universitetit të Tetovës dhe për ngritjen e Katedrës së Historisë në këtë Universitet. /http://www.tradita.org/
_________________
Shoqata për kulturë dhe art ,,Tradita” themeloi Çmimin kombëtar ,,Ali Vishko”
Personaliteti i Ali Vishkos, që njihet si profesori i qindra nxënësve dhe studentëve, autori i disa veprave të botuara për historiografinë shqiptare, i cili shërben si shembull e model për t’u ndjekur nga gjeneratat e reja. Figura e tij është e gjithanshme, që duhet studiuar në shumë aspekte. Personaliteti dhe veprat shkencore e publicistike të profesor Vishkos meritojnë respektin më të lartë, kështu u tha nga studiuesit të cilët morën pjesë në Konferencën shkencore, me temë: “Veprimtaria arsimore dhe shkencore e Prof. Dr.Ali Vishkos”, që u organizua nga Shoqata për kulturë dhe art ,,Tradita” nga Tetova. Për ta ndriçuar edhe më shumë figurën e këtij pishtari të arsimit, Shoqata për kulturë dhe art ,,Tradita”, themeloi Çmimin kombëtar ,,Ali Vishko”, i cili do të ndahet njëherë në vit personalitetet me merita të veçanta në fushën e historisë, artit dhe kulturës shqiptare, kështu njoftoi kryetari i kësaj shoqate, Selam Sulejmani. “Kam kënaqësinë e veçantë që para Jush dhe mbarë opinionit ta bëj publik Vendimin e Kuvendit dhe të Kryesisë së Shoqatës për kulturë dhe art ,,Tradita”, për themelimin e ÇMIMIT KOMBËTAR “ALI VISHKO”. Ky çmim, që do të mbajë emrin e profesorit Ali Vishko, do t’u jepet njerëzve me merita të veçanta, në fushën e historisë, artit dhe kulturës shqiptare. Çmimi “Ali Vishko” do të jepet një herë në vit, dhe sipas Vendimit të Shoqatës sonë, ky çmim kombëtar do të ndahet në çdo përvjetor të Lidhjes së Prizrenit”, tha Selam Sulejmani, kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art ,,Tradita”. Kumtesat e studiuesve që u paraqitën në punimet e kësaj konference shkencore do të botohen në një përmbledhje të veçantë për veprimtarinë arsimore dhe shkencore të Prof. Dr.Ali Vishkos. (Shoqata Tradita: [email protected])
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura