(Vlorë, 18. 10. 2012) – Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, ka akuzuar Kryeministrin Sali Berisha dhe qeverinë se po sabotojnë Vlorën në këtë 100-vjetor të Pavarësisë. Sipas Gjikës, e gjitha kjo vjen për arsye politike. Sipas tij, përveç faktit që nuk ka pasur asnjë fond që t’i jetë dhënë Bashkisë së Vlorës për festimet, janë bllokuar edhe të ardhura që ishin menduar të investoheshin në infrastrukturë. “Desha të njoftoj të gjithë opinionin publik, jo vetëm qytetin e Vlorës, por të mbarë Shqipërisë, në lidhje me pengesat dhe sabotimet e vazhdueshme që qeveria e Kryeministrit Sali Berisha po i bën kremtimit dinjitoz të 100-vjetorit të Pavarësisë. Më pak se dy muaj nga dita e festimit të këtij përvjetori kaq të rëndësishëm, më duhet të them me keqardhje se Vlora duket se është përjashtuar plotësisht nga axhenda e qeverisë, se mungon çdo lloj komunikimi dhe ndërveprimi, se nuk ka asnjë projekt, sado i vogël, që mund të përfshijë qytetin në këto kremtime prej qeverisë së Tiranës. Në mënyrë të turpshme dhe të pashpjegueshme, Sali Berisha jo vetëm nuk ka akorduar asnjë grant financiar, asnjë ndihmë, asnjë shenjë, por ka ndërprerë edhe financimet vjetore që Bashkia e Vlorës ka marrë ndër vite prej buxhetit të shtetit. Asnjë planifikim i duhur për këtë ngjarje të rëndësishme nuk është komunikuar ende dhe duket sikur Vlora po përpiqet të anashkalohet për efekte politike. Një sjellje e tillë ka bërë që për fat të keq të gjendemi në një situatë aspak të këndshme, e cila në thelb nuk i shërben askujt. Por jo vetëm kaq. Në mënyrë të beftë, përfaqësues të palegalizuar të Partisë Demokratike në Vlorë po përpiqen që të gjithë këtë turp të madh që po i bëjnë qytetit tonë, ta fusin në hullinë e politikës së tyre të konfliktit dhe amoralitetit.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika.
………………………………………
Në vend që këta përfaqësues të bashkonin zërin e tyre me qytetarët e Vlorës në këtë njëqindvjetor, po u bien borive të urrejtjes dhe përçarjes, duke zgjedhur të marrin pjesë në korin e stonuar të qeverisë”, ka thënë Gjika. Ndonëse disa herë gjatë mbledhjeve të Komitetit Shtetëror për festimet, Kryeministri Berisha ka theksuar se i vlerësonte përpjekjet e Bashkisë së Vlorës e u ka bërë thirrje bashkive të tjera të angazhohen për festimin e këtij përvjetori, në fakt duket se këto kanë mbetur vetëm në nivel deklaratash. Gjatë gjithë këtyre muajve, Bashkia e Vlorës, drejtuar nga të majtët dhe qeveria nuk kanë pasur komunikim për të koordinuar aktivitetet e 100-vjetorit. “Të gjitha përpjekjet e qeverisë për ta anashkaluar, për ta shmangur, mospërfillur apo zvogëluar peshën e Vlorës, qytetit të Ismail bej Qemalit dhe flamurit, qytetit nga ku lindi shteti ynë shqiptar, do të rezultojnë të dështuara. Ndaj për të fundit herë i bëjmë thirrje qeverisë të lërë mënjanë gjuhën e urrejtjes partiake dhe të ndëshkimit politik për kundërshtarët dhe të vendosë që së bashku të kremtojmë 100-vjetorin, në mënyrë sa më dinjitoze. Ne do të jemi të gjithë bashkë më 28 Nëntor duke mirëpritur të gjithë shqiptarët nga çdo cep i botës për të festuar në mënyrë dinjitoze këtë ngjarje shekullore”, ka thënë Gjika. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetës “Shqip”, kryetari i Bashkisë së Vlorës ka theksuar se nuk i ka shtrirë dorën qeverisë për lëmoshë, por ka kërkuar që të jetë e përgjegjshme. “Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij janë sot më të shqetësuar për Zogun dhe për pulat që i vijnë rreth e rrotull, se sa për Ismail Qemalin që është babai i shtetit shqiptar. Ne jemi në një vështirësi të madhe për sa i përket finalizimit të investimeve në infrastrukturë. Në mënyrë kriminale para një jave i janë hequr fondit të Bashkisë së Vlorës rreth 870 milionë lekë të vjetra, duke na lënë në një vështirësi të madhe ekonomike për mbylljen përfundimtare të këtyre dy projekteve, të cilat nuk janë projekte me qëllime elektorale për janë investime me rastin e 100-vjetorit”. Sheshi i Flamurit është një nga këto projekte, i cili pritet të shndërrohet. Nga ana tjetër, duket se pengesë është edhe një borxh ndaj CEZ-it që po pengon punimet. “Ka një dëshirë për t’i rrezikuar këto investime dhe qeveria merr rolin e përmbaruesit privat, ndërkohë që në komunikimin që kam pasur edhe me Kryeministrin e Shqipërisë, dhe me drejtorin e përgjithshëm të CEZ-it, unë e njoh borxhin që Ndërmarrja e Ujësjellësit Vlorë i ka krijuar CEZ-it. Kam kërkuar që ky borxh të shlyhet ose nga granti i vitit tjetër, ose kam qenë i hapur për t’u bërë një marrëveshje që ky borxh të paguhet vitin tjetër nga të ardhurat e Bashkisë së Vlorës, me kushtin e vetëm që ky grant për tremujorin e katërt të mos prekej për të përmbyllur investimet. Çudia më e madhe që Komisioni Shtetëror për festimet prodhoi disa ditë më parë, ishte fakti se Kryeministri shqiptar po merret me himnin kombëtar, a thua se ky është shqetësimi më i madh? Unë do të isha dakord që ky himn të ndryshohej dhe që Sali Berisha ta këndonte live atë”, ka theksuar Gjika. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Vlorës që të japin kontributin e tyre për shënimin e këtij 100-vjetori.
Bashkia e Vlorës, në 100 vjetorin e pavarësisë.
=============================