ASPEKTE TË lnÇkvshj-së NË turqi – SI I RIVENDOSI KONTAKTET JUSUF GËRVALLA ME SABRI NOVOSELLËN, NË PRILL 1981
Nga Xhafer Durmishi – Skenderi
Panairi Ndërkombëtar i Artizanatit i Munchen-it (IHM)
Bashkimi i Artizanateve për Ekspozita dhe Panaire është themeluar në Munchen më 15 tetor 1948. Në bazë të statutit Bashkimi ka: Qëllim që, në kuadër të asaj që është e lejueshme dhe e ligjshme, të organizoj ekspozita dhe panaire apo pjesëmarrje në organizime të tilla në Gjermani dhe jashtë Gjermanisë, për ta zhvilluar tregtinë.
Në vitin 1949 është organizuar Panairi i parë në Munchen nga Bashkimi i Artizanateve për Ekspozita dhe Panaire. Në atë vit kanë marrë pjesë 820 ekspozues me ekspozitat e tyre në një sipërfaqe prej 14 000 metra katror.
Në vitin 1950 Panairi i Artizanateve i Munchenit ka marrë emrin e ri: Panairi i Artizanateve i Gjermanisë.
Në vitin 1962 është ndryshuar prapë emri në Panairi Ndërkombëtar i Artizanateve (Internationale Handwerksmesse – IHM). Fakti se gjithnjë e më shumë vende nga blloku komunist lindor i kanë ekspozuar produktet e tyre në Munchen, tregon për rritjen e rëndësisë historike dhe politike të këtij panairi.
***
Në vitin 1981 Panairi Ndërkombëtar i Artizanateve është mbajtur në javën e tretë të marsit. Të shtunën më 21 mars në këtë panair si vizitor kanë marrë edhe pjesë Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla..
Saraçoglu Nijazi (STRAJA), shtetas i Turqisë me prejardhje nga Kosova, i cili është angazhuar për çlirimin e popullit shqiptar nga zgjedha serbomadhe, ka pasur këtë adresë:
Nijazi Saracoglu
Mahmut Pasa Çadesi 82,
TR-ISTAMBUL, Türkei
Sabile Keçmezi-Basha: “Ndërsa gazeta tjetër turke “Sabah” (Mëngjesi), në numrin e 19 korrikut, 1964, po ashtu i kushton vëmendje arrestimeve të shqiptarëve të Kosovës duke njoftuar opinionin turk se: Në Prishtinë (radio), Komiteti “Lidhja Kosovare” shpall se në Kosovë vazhdojnë turbullira serioze. Nijazi Saraçoglu dhe Shaban Jilldirim u arrestuan në Prishtinë kur po kalonin nëpër Jugosllavi, duke u kthye nga Gjermania. Sipas disa lajmeve të tjera komunikacionet me Mitrovicën, Pejën, Prizrenin, Gjilanin e Gjakovën janë ndërpre plotësisht. Në Prishtinë shkollat dhe ndërtesat publike janë rrethua nga policia. Nxitësi kryesor i tërë kësaj thuhej se është Adem Dema-Demaçi, i cili kishte botua më 1958 romanin anti-komunist “Gjarpinjtë e gjakut”. Për këtë vepër ai edhe u dënua me katër vite burg deri më 1962” shkruan gazeta “Sabah”.” (Përpjekjet e gazetës “Përpjekja Kosovare” në mërgim (III))(www.zemrashqipatre.net, 24 dhjetor 2011)
Aktakuzë: “Nijazi Saraçoglu, nëpunës nga Stambolli, i lindur në Prishtinë më 1933, nga babai Shabani dhe nëna Xhevahire Abidi, shtetas i Turqisë.
… Në muajin gusht të vitit 1963, me kërkesë të akuzuarit Adem Dema-Demaçi, i cili, lidhur me këtë i ka dërguar letër përmes të akuzuarit Tefik Sahiti, e që ishte e adresuar në emër të vëllait të tij, Tefik Saraçoglu, në Stamboll të Turqisë, ka pranuar të punojë për grupin ilegal armiqësor në Prishtinë kundër Jugosllavisë dhe, menjëherë pas kthimit në Jugosllavi të të akuzuarit Tefik Sahiti, ka dërguar përmes tij 200 lira turke në vlerë rreth 20 000 dinarë për nevoja të grupit ilegal në Prishtinë; pastaj, nga fundi i vitit 1963, sërish ka pranuar në Stamboll një pjesëtar të grupit armiqësor nga Prishtina dhe me te ka zhvilluar disa biseda, duke i premtuar, sikur edhe kur mori letrën nga i akuzuari Dema-Demaçi, se do të organizoj grumbullimin e ndihmës materiale dhe ndihmës tjetër nga të shpërngulurit dhe emigrantët nga Jugosllavia në Turqi, se do të organizojë propagandë të caktuar mes tyre dhe, prandaj, nga fillimi i majit të vitit 1964, kur sërish e vizitoi në Stamboll i njëjti person, ia ka dhënë atij 500 lira turke në vlerë rreth 50 000 dinarë, në emër të ndihmës për organizatën ilegale në Prishtinë, para këto të cilat ai person ia ka dorëzuar të akuzuarit Adem Dema-Demaçi për grupin ilegal, dhe, më në fund, më 27 maj 1964, erdhi nga Turqia në Prishtinë dhe u takuan me të akuzuarin Adem Dema-Demaçi në shtëpinë e të akuzuarit Tefik Sahiti dhe me këtë rast, i ka premtuar se do të punojë edhe më tej për organizimin dhe për përvetësimin e personave në Turqi për bashkëpunim me këtë organizatë ilegale, si dhe për krijimin e lidhjes ndërmjet organizatës ilegale dhe emigrantëve të nacionalitetit shqiptar në Itali, në Gjermani dhe në shtete tjera; prandaj në këtë mënyrë, ka marrë pjesë në formimin e grupit të personave, i cili ka pasur për qëllim të ndërmarrë sulm kundërrevolucionar mbi rregullimin shtetëror e shoqëror të RSFJ, mbi tërësinë e saj territoriale, dhe të shkatërrojë unitetin e popujve të Jugosllavisë, me çka ka kryer vepër penale të bashkimit kundër popullit dhe shtetit, nga neni 117, paragrafi 1, lidhur me nenin 100 dhe 101 të LP.” (Aktakuza kundër Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, Kto-Nr. 223/64, Prishtinë)
***
Emri i Nijazi Saraçoglut ka rëndësi në historinë e Lëvizjes së Jusuf Gërvallës, sepse kur Jusuf Gërvalla arratiset nga Kosova më 14 dhjetor 1979 dhe ndahet nga Sabri Novosella, rivendosja e kontaktit më 14 prill 1981 bëhet përmes Nijazi Saraçoglut (Strajës). Më lartë në citatin e Sabile Keçmezit-Bashës, e pamë se së bashku me Nijazi Saraçoglun, në vitin 1964, duke kaluar nëpër Jugosllavi, arrestohet edhe shtetasi turk me prejardhje nga viset shqiptare, Shaban Jilldrim, i cili të paktën në vitet 1980-1984, ka qenë agjent tregtar për plasimin e mallrave të Shqipërisë në Gjermani e Evropë. Shaban Jilldrim, ka vepruar në Munchen dhe zyra e tij ka qenë në këtë adresë:
Shaban Yldrim,
Bayerstr. 5,
8000 München.
Në javën e tretë të marsit 1981, në München mbahet panairi i artizanatit, ku merr pjesë edhe Shqipëria, e gjithashtu Shaban Ylldrimi që merret me shitjen e atyre produkteve.
Djetë ditë pas ngjarjeve të 11 marsit në Prishtinë, të shtunen më 21 mars 1981, në panair të artizanatit në München të Gjermanisë, në panair, si vizitorë, marrin pjesë edhe Bardhoshi dhe Jusufi. Me rastin e njoftimit të parë me Shaban Ylldrimin, ky (Shabani) ia jep Bardhoshit adresën dhe numrin e telefonit të Nijazi Saraçoglut në Stamboll, si adresë kontaktuese me Sabri Novosellën.
Pas dy javësh, më 3 prill 1981 Bardhosh Gërvalla i telefonon në shtëpi, në Stamboll Nijaziut. Të nesërmen, më 4 prill 1981, Bardhosh Gërvalla ia dërgon këtë letër Nijazi Saraçoglut:
Herrn Nijazi Saracoglu,
Mahmut Pasa Çadesi 82,
TR-ISTAMBUL, Türkei
I dashur Shoku Nijazi,
dje, pasi e mora lidhjen telefonike me ju, isha shumë i gëzuar, sepse kanë kaluar më se 15 muaj që po presim ndonjë lajm nga shoku Bashkim Prishtina, për të cilin ju mund ta dini rastësisht se ku po qëndron. Jusufi, vëllau im para dy ditësh ka shkuar në veri të Gjermanisë tek një nip i yni, kështu që ai nuk mund t`ju shkruan edhe 6 ditë deri sa të kthehet prap këndej.
Ju thatë se e njihni vëllaun tim dhe se keni qenë së bashku në burg, por, vëllau im nuk ka qenë në burg, kështu që ju duhet ta njihni Zeqir Gërvallën, kushëririn tanë. Jusufi u arratis ditën kur u burgos vëllau ynë më i madhi Hyseni, me 14.12.79 dhe ka kërkuar strehim politik në Gjermaninë perendimore. Me Shabanin u njohëm para dy javësh në panairin e artizanatit, ku bënte pjesë edhe Shqipëria. Ai edhe na dha adresën dhe telefonin tuaj.
Pasi harrova të iu pyes a mos keni pengesa lidhur me letra, sepse mund bëhet që ua kontrollojnë, tani për tani nuk po iu shkruaj më gjërësisht. Për sa i përket çështjes sonë të madhe, ne jemi shumë optimist, sidomos pas ngjarjeve të fundit në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Pejë, dhe në Zagreb (sipas gazetës Gjermane studentët shqiptar në Zagreb bënë demonstrata solidarizuese me ato të Kosovës), ku u pa haptazi vullneti dhe gateshmëria e popullit të drejtë shqiptar.
Kishte me qenë mirë sikur edhe Bashkimi të na shkruajë sa më parë. Në fund po iu përshëndes ju me gjithë familjen dhe dashamirët tuaj.
Bardhosh Gërvalla,
Habichthöhe 40
D-7101, Untergruppenbach,
W. Germany
Tel. qyteti Ludwigsburg 7141/26091
***
Më 13 prill 1981, Jusufit i vijnë dy letra të rëndësishme.
E para, vendimi me të cilin shteti gjerman ia jep lejen e qëndrimit dhe ia njeh statusin e refugjatit politik.
E dyta, pas gjashtëmbëdhjetë muajsh, nga Turqia, falë ndërmjetësimit të Shaban Ylldrimit e Nijazi Saraçoglut, Jusufit i vjen një letër nga Sabri Novosella. Kësaj letre të 13 prillit 1981, Jusuf Gërvalla i përgjigjet të nesërmen më 14 prill 1981. Kjo pra është rruga e plotë e rivendosjes së kontaktit të Jusufit me Sabri Novosellën, pas 16 muajsh. (14 dhjetor 1979 – 14 prill 1981).
© Pashtriku.org
________________
RRUGËTIMI IM NË LNÇKVSHJ. SI U INFORMOVA PËR VRASJEN E JUSUF GËRVALLËS, KADRI ZEKËS E BARDHOSH GËRVALLËS?