SKENDER RIZAJ – NJË SHEKULL NË SHËRBIM TË ATDHEUT, KOMBIT DHE TË VËRTETËS!

SKENDER RIZAJ  – NJË SHEKULL NË SHËRBIM TË ATDHEUT, KOMBIT DHE TË VËRTETËS!

Takimi im i parë me Skender Rizajn

Në verë të vitit 1981 pasi u dënova nga Gjykata e Qarkut në Sarajevë me 3 vite burg për shkak të veprimtarisë armiqësore kundër kombeve dhe kombësive të ish – Jugosllavisë , më dërguan në Burgun e Foçës që , për rrethana të atëhershme dhe krahasuar me burgjet tjera në ish -Jjugosllavi nuk ishte edhe aq i keq , sidomos krahasuar me burgjet e Kroacisë të cilat i kalove thuaja të gjitha pasi Gjykata Ushtarake në Zagreb , pa bërë asgjë , në një proces të montuar politik më dënoi me 12 vite burg. Para se të transferohem në Burgun e Foçës , në Qendrën e Paraburgimit në Sarajevë një i dënuar boshnjak i cili kishte një gjykim tjetër , me të mësuar se do të shkojë në Foçë më tha se aty ishte vetëm një i burgosur politikë shqiptar të cilin e përshkroi si një njeri të hatashëm , trim dhe të guximshëm të cilit syri nuk i bënte vërr për asgjë , ai ishte Rexhep Mehmet Mala për të cilin nuk kisha dëgjuar më parë . Pasi më vendosën në dhomën e pranimit – karantinë , personi i parë që më vizitoi , përkundër se ishte e ndaluar ishte pikërisht Rexhep Mehmet Mala që më solli disa ushqime dhe gjëra higjienike, pas së cilës thuaja në çdo dy orë më vizitonte . Kur dola nga karantina dhe më vendosën në pavijon , Rexhepi më tregoi se janë edhe dy shokë të tjerë , të burgosur politikë që ishin të izoluar në Banja Llukë dhe Tuzëll shkaku se kishin bërë një grevë urie duke kërkuar statusin e të burgosurit politikë . Në ndërkohë i kthyen në Burgun e Foçës nga izolimi ; Skender Kastrati , një hata burrë i qëndrueshëm dhe Agim Sylejmani . që ishte i pathyeshën në mbrojtjen e qëndrimeve politike ndonëse ishte i ri me moshë. Po në të njëjtën kohë , pas demonstratave të vitit 1981 , të gjitha burgjet në Kosovë u stërmbushen me të burgosur politikë shqiptarë prandaj filluan t’i degdisin në burgjet e ish – Jugosllavisë përfshirë këtu edhe Burgun në Foçë. Drejtoria e Burgut në Foçë , për të mos lejuar bashkimin e të burgosurve që do të vinin nga Kosova me ne , katër të dënuar politikë dhe ushtrimin e ndikimit mbi ta , në fillim të vitit 1982 , shpejt e shpejt na bënë bashkë , na futën në autoburg dhe na dërguan në Qendrën e Paraburgimit në Mostar ku vuanin dënimin edhe të burgosurit politikë kroatë të dënuar për kundërvajtje , në mesin e të cilëve ishte edhe Jadranko Topiq , futbollist i shquar i Velezhit të Mostarit dhe reprezentues standard i Jugosllavisë. Me vete i kishim gjësendet personale kurse Rexhepi , Skenderi dhe Agimi , si të dënuar që kishin qëndruar gjatë në burg , me vete kishin edhe librat , në fakt një bibliotekë lëvizëse që i sistemuam brenda dhomës ku qëndronim , unë bashkë me Rexhepin dhe në dhomën tjetër ishin Skenderi dhe Agimi. Gjatë sistemimit të librave hasa në revista “ Gjurmime albanologjike “ me disa punime të Skënder Rizajt për të cilin nuk kisha dëgjuar shkaku se që nga mosha 18 vjeçare jetoja jashtë Kosovës , qoftë në studime apo në burg. Gjenerata ime historinë e mësonte në dy mënyra , gjatë shkollimit mësohej historia jugosllave që nga luftërat ballkanike , lufta e parë botërore , lufta e dytë botërore dhe periudha pas luftës ku glorifikoheshin  heronjtë serbë dhe jugosllavë dhe  shqiptarët që ishin pjesë e kësaj politike e që, në fakt punonin kundër shqiptarëve . Gjatë shkollës fillore në mënyrë të organizuar na dërgonin në kinema ku shfaqeshin filamt me partizanë që pamëshirshëm vrisnin armiqtë e popullit përkatësisht ballistat . Krijohej një bindje se ballistet ishin ata që luftonin lirinë e shqiptarëve. Ishte në trend filmi “ Beteja  e Kozarës “ , “ Beteja e Neretvës ( ku rolin e kriminelit Tito e luante Riçard Barton bashkë me Elizabeta Tejlor “ , e që ishin yjet e kinematografisë botërore . Mënyra tjetër e të mësuarit të historisë ishin odat kur shkonim te dajat në Lupçë të Epërm ku ndërroheshin rolet ; partizanët ishin kriminelë kurse ballistët dhe nacionalistët ishin patriotë . Flitej për Hasan Prishtinën , Isa Boletinin , Cen Maxhunin , Bel Bajçinovcin dhe pastaj edhe për Adem Demaçin , Fazli Grajçevcin dhe të tjerët e që për ne  ishin emra të padëgjuar më parë. Aty nisi ngjizja e një vetëdije kombëtare dhe identifikim me personazhet e historisë dhe qëndresës shqiptare në vend “ heronjve serbë “ , me të cilët identifikoheshim më parë. Në Burgun e Mostarit   kishim edhe Historinë e Popullit Shqiptar që ishte botuar falë Partisë së Punës së Shqipërisë dhe shokut Enver Hoxha . Edhe këtu identifikoheshin si trima dhe çlirimtarë vetëm partizanët ndërsa krahu nacionalist identifikohej si tradhëtarë dhe bashkëpunëtorë të okupatorit.

Diferencimi pas demonstratave dhe Skender Rizaj

Vetëdija kombëtare  filloi të zgjohej në vitin 1968 pas demonstratave të studentëve tash me heronjë si Skender Kastrati , Xheladin Rekaliu dhe të tjerët që pastaj u dënuam me burg. Literatura kryesore për zgjim kombëtar ishin “ Gjarprijtë e Gjakut “ të shkruar nga Adem Demaçi që ishte në burg , si i burgosur politikë për të vazhduar pastaj maratonën thuaja 30 vjeçare në llogoret e ish – Jugosllavisë Diferencimi filloi të bëhej që nga shkolla e mesme nga kuadri partiak komunist , në Universitet sikur edhe në organizata dhe ndërmarrje tjera . Në mesin e atyre që u vënë në shënjestër të duferencimit ishin historianët që , për aq hapësirë që kishin filluan ta kundërshtojnë historinë zyrtare duke krijuar kushte për promovim të historisë kombëtare , në me krye eruditin e heshtur su vullkan i pashpërthyer por i gatshëm që lavën e dijes historike dhe vetëdijes kombëtare ta shpërndajë të të gjithë shqiptarët por edhe popujt tjerë të robëruar e që ishin të prangosur nga histriografia e rreme jugosllave dhe serbe , Prof .dr. Skender Rizaj . Ne që ishim në burg , profesorët e diferencuar apo të shënjestruar për diferencim i konsideronim si heronjë dhe frymëzim prandaj Skender Rizajn , si doktori i parë i historisë në Kosovë e konsideronim se kryehero ndërkaq ata që diferenconin për ne ishin kolaboracionistë dhe kuislingë të serbëve ! Besoj se nuk gabuam dhe plotësisht kishim të drejtë ! Kishte historianë që ishin dënuar me burg të gjatë përveç diferencimit. Skender Rizaj , si patriot i kulluar , i pastër si loti , në moshë thuaja djaloshare , si anëtar i organizatës ilegale “ Besa Kombëtare “ që udhëhiqej nga Marie Shllaku dhe Bernard Llupi ishte arrestuar në Pejë ku qëndroi në burgun famëkeq , për t’u dënuar në nëntor të vitit 1946 në Prizren me një  ( 1 )  vit burg . Si shumë i ri , gjatë aktivitetit ilegal mbante pseudonimin “ Fishkëllima “ për t’u shndërruar në vullkan gjatë tërë kohës së veprimtarisë së tij intelektuale dhe kombëtare deri në çastin kur ndërroi jetë me 28 Nëntor 2021.

Që nga fillimi i diferencimit  , pra nga viti 1981 e deri në vitin 1990 isha në burgje të ndryshme dhe kisha mundësi të përcillja përmes shtypit të kohës në gjuhën serbe , kroate dhe sllovene proceset politike në Kosovë ku kryengritja shqiptare e frymëzuar dhe e përkrahur nga disa politikanë shqiptarë që ligjeronin në Universitetin e Prishtinës , prijatar i s cilës ishte Skender Rizaj pasiqë historia ishte forca më e fuqishme mobilizuese dhe vepruese aq më parë që pikërisht errësira apo instrumentalizimi i historisë për qëllime politike kishte ndikuar shumë në krijimin e dyshimeve në bazë të së cilës ishte pastaj edhe përcaktimi. Politika serbe ,  e ndihmuar nga kuislingët shqiptarë që merreshin me politikë antikombëtare dhe , për fat të keq edhe një numër i intelektualëve shqiptarë në Universitetin e Prishtinës u bë bisht i kësaj politike antishqiptare , nga denoncimi i studentëve patriotë , diferencimi i kolegëve të tyre e deri te angazhimi për heqjen e asaj autonomie që e kishte Kosova atëherë . Në këtë inkuizicion politik dhe kombëtar shquheshin sidomos disa profesorë të Fakultetit Juridik , Filologjik të cilët promovonin ndryshimet kushtetuese duke deklaruar se me këto ndryshime Kosova nuk humbë asgjë por vetëm fiton. Realisht , si mjet presioni kundër shqiptarëve , regjimi serbe e përdorte kinse shpërnguljen e serbëve nga Kosova me dhunë duke e krahasuar me një sajesë mitologjike që e quanin : “ Dyndja e madhe e serbëve nën Arsenije Çernojeviqin në vitin 1690 ..”. Skender Rizaj propozonte që Kosova të quhej Dardani e që kundërshtohej nga histiriografët serbë dhe autoritetet proserbe  kosovare.  Para një Komisioni Diferencues nga Komiteti Krahinor në vitin 1984 , Skender Rizaj kundërshtoi falsifikuesit serbë që kishin mbështjellës intelektualë dhe përkrahje politike  për falsifikimin e fakteve historike , demogrfafike , gjuhësore dhe onomastike të pushtuesve sidomos gjatë sundimit autoritar të obrenoviqëve dhe karaxhorgjeviqëve që e mohonin ekzistencën dhe qenien historike  , kulturore dhe etnike të shqiptarëve në Kosovë.  Skender Rizaj e mohonte pronësinë serbe mbi kishat ortodokse në Kosovë duke deklaruar se ato ishin kisha shqiptare.  Natyrisht se kjo e vërtetë ishte goditje mbi Komisionin Diferencues dhe oborrtarët e Komitetit Krahinor prandaj në mënyrë arrogante dhe kërcënuese i ndërprenin fjalën duke e kërcënuar se do ta nxirrnin jashtë nga salla. Këto ishin hallkat e një zinxhiri hakmarrës dhe diferencues ndaj historianit me përmasa botërore dhe doktorit të parë shqiptar të historisë në Kosovë Skender Rizaj ndërsa Komiteti Krahinor me rekomandim të fuiqshëm të një serbi që fliste shqip i quajtur Kolë Shiroka  , Skender Rizaj u suspendua në vitin 1987 nga procesi mësimor duke e larguar nga Fakulteti Filozofik . Skender Rizaj ishte demaskues dhe kundërshtar i rreptë i rektorit politik në Universitetin e Prishtines , Radivoje Papoviq sikur edhe i shqiptarëve që e kishin votuar dhe e përkrahnin këtë pasues të Aleksandar Rankoviqit që futi masa të dhunshme në Universitetin e Prishtinës. Për këtë duhej guximi i madh , deri në vetmohim e që Skender Rizaj e kishte cilësi sikur edhe detyrim njerëzor , kombëtar , intelektual dhe moral.  Skender Rizaj shumë pak i besonte drejtësisë tokësore që ishte e pamëshirshme ndaj shqiptarëve dhe forcën e gjente te drejtësia hyjnore dhe te Autoriteti Suprem i kësaj Drejtësie , Zotit . Në periudhën 1990 – 1999 Skender Rizaj ishte në Turqi ku asnjëherë nuk pushoi së vepruari për shtetin dhe kombin përmes intervistave , shkrimeve autoriale , punimeve shkencore , pjesëmarrjes në konferenca si dhe bashkëpunimit me Zyren e Kosovës në Stamboll.

Pas përfundimit të luftës u kthye në Kosovë si ligjerues në degën e Historisë deri në kohën kur u pensionua.

Sa ishim në llogoret e ish – Jugosllavisë , duke lexuar punimet e tyre si dhe duke dëgjuar paraqitjet e tyre nxirrnim forcë shtesë për të qëndruar dhe për t’u përballur me kushtet dhe trajtimin special që iu bëhej sidomos të burgosurve politikë shqiptarë. Skender Rizajn e kishim si parafytyrim dhe nuk besonim se ndonjëherë në jetë do ta takojmë. Sa ishim në llogorin e Stara Gradishkës , Baca Adem Demaçi na tregonte për vendosmërinë dhe personalitetin e Skender Rizajt për të cilin kishte vlerësim dhe respekt të jashtëzakonshëm . Fati deshi që pas përfundimit të mbajtjes së dënimit , bashkë me Bacën Adem e takuam disa herë Skender Rizajn , qoftë duke e vizituar në shtëpinë e tij në Legjen Ulpiana , qoftë në takime tjera si tryeza apo promovime të ndryshme.

Me një të kaluar aq të bujshme , me një bagazh aq të begatë profesional , intelektual dhe kombëtar , i përndjekur për dhjetra vite në Kosovë , i syrgjynosur jo me dëshirën e tij në një vend tjetër , i rrahur nga mosha dhe jo pak vuajtje , Skender Rizaj çuditërisht ishte shumë i kthjellët në vlerësime , mendime dhe i vendosur në qëndrim duke u shndërruar në një Orakull këshillues për gjeneratat që vinin . I dashur për miq , aspak hakmarrës edhe për ata që e persekutuan , i rreptë me veten deri në çastin kur kaloi në përjetësi ishte dhe mbeti Skender Rizaj .

Pelegrinët e  të gjitha besimeve si përmbyllje të jetës e kanë synim të vizitojnë Vendet e Shenjta , pas së cilës besojnë se e gjenë dhe sigurojnë Qetësinë e Përjetshme të Shpirtit . Atdhetarët e vërtet këtë synim e përkthejnë duke vizituar dhe duke iu përkulur Vendeve , Datave dhe Simboleve  të Shenjta Kombëtare . Për shqiptarët këto Vlera janë : “8 Nëntori , Vlora , Shqipëria , Ismail Qemali , Flamuri Kombëtar , Baca Adem Demaçi , Komandanti Legjendar  Adem Jashari dhe Kryeqyteti i Lirisës së Kosovës , Prekazi dhe , mbi të gjitha Ushtria e Lavdishme Çlirimtare e Kosovës. Skender Rizaj  aty  , me të gjithë dhe për të gjitha këto Vlera . Zoti e shpërbleu duke e dërguar në Përjetësi me 28 nëntor 2021 , ditëlindjen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve . Po cili shqiptar  dhe patriot nuk do të dëshironte të ishte si Skender Rizaj ?!

Urime Festa e të gjithë shqiptarëve , 28 Nëntori për ata që janë në liri , në gjysmëliri dhe për ata që po e mbrojnë lirinë . tash si pengje lufte në Hagë.

27 Nëntor 2022 Prishtinë            Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura