SKËNDER SADRI KAPITI: LUFTA E UÇK-së DHE MOBILIZIMI NË ‘DRENICË’ TË DURRËSIT (Prill – Maj 1999)

Durrës, 10 Prill 2020: Sivjet u mbushën 21 vite nga Dita e Mobilizimit të madh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur “Drenica” e Durrësit, lokali i Gani KAPITIT u shndërrua në Qëndrën Kryesore të pritjes, mobilizimit dhe rekrutimit të vullnetarëve të UÇK-së nga te gjitha trojet enike shqiptare por, kryesisht nga diaspora, dhe për një periudhë të shkurtër kohore aty u rekrutuan me qindra e mijëra vullnetarë të lirisë për Çlirimin e Kosovës.
Është shkruar shumë për rolin e madh dhe unik që ka luajtur kjo si Qendër Rekrutimi. Të gjitha televizionet e mediat e shkruara të perendimit kanë qenë dëshmitarë, e madje edhe ato e kanë pasqyruar atë aktivitet epokal patriotiko-kombëtar gjithshqiptar për atë që është kryer aty në kohët më të vështira kur u përballë populli i Kosovës martire. UÇK-ja, lufta dhe karakteri gjithkombëtar i saj, dhe sidomos mbërritja e vullnetave të saj me uniformat e Ushtrisë Çlirimtare nga shtetet demokratike perendimore i dha asaj Statusin e një Ushtrie Kombëtare Shqiptare, të Ushtrisë më të re në Europë. Të Ushtrisë e cila luftoi për çlirimin dhe per Shtetin e Kosovës, Ushtri e pranuar dhe e njohur botërisht edhe si këmbësori e NATO-s. Për “Drenicën” e Durrësit është shkruar shumë, madje edhe libra për të, por në këtë shkrim-memorie historike do të paraqes shkurtimisht disa foto te siguruara nga ish’vullnetarë e ish’rekrutë si dhe fragmente shkrimore të disa prej autorëve, gazetarëve të huaj dhe intervista që ata i kanë bërë te ish-Qendra e Rekrutimit “Drenica” gjatë kohës së Rekrutimit apo Mobilizimit të Madh gjithkombëtar që është bërë aty.

Ish-Qendra e Rekrutimit të luftëtarëve te UÇK-së te “Drenica” Durrës, prill 1999
”DRENICA” e Durrësit u bë epiqendra globale mediatike ku për ditë mbërrinin gazetarë e reporterë nga gjithë Europa e deri nga Kanadaja e SHBA-ja; nga gjithë Bota që ishin të interesuar për faktin se në Vitin 1999 nga diaspora, kryesisht nga vendet më të zhvilluara dhe më të mirëqëna demokratike dhe ekonomike si Gjermania, SHBA-ja, Britania, Suedia, Zvicra, Franca, Italia, Kanadaja etj., vinin çdo ditë 200-300 vullnetarë; vinin e rekrutoheshin djem e vajza shqiptare të rinj në moshë, e pra, që nuk vinin për pushime dhe as për turizëm por vinin e shkonin drejt frontit të luftës të gatshëm për të sakrifikuar dhe dhënë jetën për lirinë e Kosovës.
Ky fakt ishte në kundërshti me atë se shqiptarët nga Shqipëria prej pasigurisë dhe traumës së ngjarjeve katastrofike të Vitit 1997 vetëm sa largoheshin nga Shqipëria, ndërsa nga Diaspora ktheheshin dhe vërshonin bijtë e Kosovës për Lirinë, për Shtetin dhe për Kombin shqiptar. Shumë nga vullnetarët me kombësi të huaj që kam regjistruar në Qëndrën “Drenica” në Durrës pasi unë Skënder KAPITI kam qenë shkruesi, sekretari i Qëndrës “Drenica”, më thonin se: Ne vendosëm t’i bashkangjitemi UÇK-së duke parë masakrat dhe genocidin serb mbi popullin shqiptar të Kosovës, por më shumë duke parë se si shumë e shumë bij të Kosovës linin punën, shtëpinë, biznesin dhe rehatinë në Perendim dhe shkonin në Luftë për lirinë e atdheut të tyre dhe të prindërve të tyre. Ata mbërrinin në Durrës dhe kërkonin nga shoferët e taksive dhe prej policëve të Portit të Durrësit që t’i dërgonin te Kafe e Hoteli “Drenica”, pasi ata e kishin mësuar, parë e njohur nga televizionet në vëndet e tyre, se aty bëhej rekrutimi i vullnetarëve të UÇK-së.

Pronari i “Drenicës” së Durrësit, e cila, shërbeu si Qëndër e Rekrutimit të UÇK-së, dhe njëkohësisht pritësi dhe mobilizuesi, Gani KAPITI, në krye të vullnetarëve të UÇK-së të cilët mbërritën te QR “Drenica” Durrës, 13 Prill 1999
Populli i Kosovës para gjithë botës e tregoi edhe një herë tjetër ashtu si gjithmonë, ashtu si gjatë gjithë historisë së tij se shqiptarët e Kosovës janë popull me shpirt të madh kombëtar, heroik e luftarak.
Kontributi që ka dhënë diaspora kosovare është jashtëzakonisht i madh dhe i një rëndësie jetike, pasi diaspora kosovare ka mundësuar mbijetesën dhe qendresën kombëtare të Kosovës. Ndihma e madhe e saj si financiarish, ekonomikisht dhe materialisht nuk lejoi pastrimin dhe as boshatisjen Kosovës. Por jo vetëm kaq, por nga diaspora shqiptare erdhën dhe iu bashkangjitën UÇK-së edhe qindra e mijëra vullnetarë nga radhët e saj.
Mediat, gazetarët dhe televizionet më të mëdha botërore në bisedë që unë kam pasur me ta gjatë kohës së rekrutimit të luftëtarëve të UÇK-së te Qëndra e Madhe e “Drenicës” në Durrës më thonin se: ata dhe publiku i vendeve të tyre ishin të interesuar për UÇK-në, për luftën dhe për luftëtarët e lirisë, pasi gazetat dhe emisionet televizive ishin “ngopur” me informacionet e dëbimeve të refugjatëve nga Kosova.
Perendimit i interesonte rezistenca dhe lufta e vetë shqiptarëve për çlirimin e Kosovës perderisa opinioni në perendim shprehej se: pse të ndërhyjnë ushtarët e vëndeve të huaja për të dhënë jetën për Kosovën, kur luftën duhet ta bënin vetë shqiptarët së pari.

Prandaj aktiviteti që është kryer te “Drenica” e Durrësit ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe si pjesë e rëndësishme e historisë dhe e krenarisë kombëtare, për faktin se kombet e tjera do ta kishin pasur lakmi faktin dhe aktin e veçantë që treguan shqiptarët, atë të gadishmërisë së lartë për aktin sublim: për sakrifikimin e jetës për kombin e atdheun, duke iu përgjigjur thirrjes së Vendlindjes Kosovë nga çdo cep i botës ku ata jetonin e punonin.

___________

Durrës, ushtarët e UÇK – (13 Prill 1999)
https://www.youtube.com/watch?v=LVhIfocKl4k
***
Në Portin e Durrësit vullnetarë të UÇK-së që vinin nga mërgimi
https://www.youtube.com/watch?v=vQbiV2XjiiY

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura