(Prishtinë, 24. 10. 2012) – Gjithçka – sipas kohës. Migjeni, në kohë të vet, shkruante duke alarmuar për apotheozën e misrit, duke e ngritur vlerën e tij në legjendë, në perëndi, kurse unë dua të shkruaj dhe alarmoj për apotheozën apo legjendën e trotuarit!… E di që nuk është bash njësoj, si atëherë, kur në kohë të Migjenit njerëzve u mungonte qoftë edhe një kokërr misri, me një fjalë kafshata e bukës, dhe, sikur sot kur njerëzve të Kryeqytetit tim, kur ekzistoj unë, u mungon një pëllëmbë trotuari! Nuk ka fije dyshimi se është bërë përparim tepër i madh në krahasim me kohën e Migjenit! Merreni me mend: njeriu ynë atëherë kishte hallin e bukës, kurse unë (çfarë cikërrimtari!), marr të drejtën për të shtruar problemin e trotuarit!
E pse?!
Për shkak se këmbësorët na qenkan në hall kah ta trupojnë qytetin për të arritur deri atje për ku janë mësyrë. Për shkak se trotuaret që janë të dedikuara për njerëzit, na qenkan zënë fund e krye prej veturave, prandaj këmbësorëve s’u mbetet tjetër, veçse të rrezikojnë jetën e tyre duke ecur të njëjtës rrugë paralel me makinat ose në drejtim të kundërt, krejt njësoj! Po mirë e gjejnë! Vetë e kanë fajin që nuk dinë! Po për çka presin gjithë ato auto-taksi, prej kujt duhet të fitojnë ata, po të mos jenë këmbësorët e shkretë? A më mirë të paguash një taksi, apo ta rrezikosh jetën duke shpejtuar të njëjtës rrugë së bashku me makinat?! Po… me tax pra, a shumë zor a! Hajt, se nuk bën aq shtrenjtë taksi, jo! Llogarit: 30 ditë – mesatarja 3 euro në ditë, nuk dalin më shumë se 90 euro muaj! E shumta, 100 euro! E çka janë 100 euro për ata që i kanë rrogat 800 deri në 1000 euro?! Fare pak…, nëse do vëlla të vozitesh si zotëri dhe që të mos ua fshish pluhurin ose baltën veturave të parkuara gjerë e gjatë nëpër trotuar!
Trotuaret e zënë nga veturat e qeveritarëve tanë!
…………………………………………….
Po mirë, ata që s’paskanë lekë për të paguar taksi po u gjindkanë disi, edhe nëse ua fshijnë ngapak pluhurin ose baltën veturave të parkuara, por si t’ia bëjnë hallit ata\ato që janë me karroca me fëmijë apo ata\ato të hendikepuar, invalidë, që nuk kanë ndonjë zgjidhje tjetër, përveç se t’u grahin të njëjtës rrugë kah vrapojnë makinat?! A, jo, jo, mos keni dert, ka zgjidhje edhe për këtë, ka menduar homo sapiensi edhe për ju! Po… fare lehtë ore, me taksi, po si! Ka vend në taksi edhe për këtë kategori të njerëzve! Veç i bëni hazër lekët e nxehtë, se s’mbeteni godare, hiç pa vesves!
Me të vërtetë jeni njerëz të çuditshëm dhe aspak mirënjohës! Po nuk bëhen bre vëlla të gjitha për një ditë, aman bëni pak sabër! I vjen rendi edhe problemit të trotuareve! Po mendon qeveria për ju, nuk u ka harruar jo! Na leni rehat pash perëndinë se as frymë s’po mund të marrim prej punëve të shumta që na u kanë bërë grumbull! Jemi të zënë me sheshet njëherë, aman të na kuptoni! E sheshet kërkojnë punë, kërkojnë kohë, e të mos flasim sa shtrenjtë kushtojnë ato! Kah me i çkye përpara këto të shkreta para! Me pasë fabrikën tonë që i prodhon nuk po na dalin, e lë më që s’e kemi! Sa t’i përfundojmë sheshet, juve qeveria ju garanton, o të parehatueshëm, zgjidhjen e problemit edhe të trotuareve. Mos në këtë mandat, qindpërqind në mandatin tjetër!
Ne u garantojmë trotuaret, e ju na i garantoni votat! Shkurt!