SYLEJMAN PIREVA: PËR CILËN PALË DO TË SHKRUAJË HISTORIA ME SHKRONJA TË ZEZA?!

Prishtinë, 26. 11. 2015: 1. A s’është ky një paradoks i paparë në sjelljen dhe mendësinë e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, kur me kaq forcë e kryeneçësi i mbrojnë marrëveshjet që i kanë nënshkruar vetë për “Zajednicën” dhe Demarkacionin në dëm të Republikës së Kosovës dhe në interes të Serbisë dhe Malit të Zi, kur dihet që pasojat e tyre të hidhura (nëse kalojnë), do t’i përjetojmë fatalisht të gjithë ne qytetarët e Kosovës një ditë jo të largët, madje edhe vetë pasardhësit e nënshkruesve, nëse jo edhe ata vetë?
2. Çfarë ua merr mendja: kur një ditë historia do të merret me këtë tragjedi kombëtare kaq të rëndë dhe kaq të rrezikshme, për fatin dhe të ardhmen e popullit tonë, cilën anë do të marrë ajo, të atyre që i kanë nënshkruar dhe kanë luftuar që me çdo kusht të pranohen këto marrëveshje, apo të atyre që i kanë kundërshtuar në mënyrë kategorike, që këto të anulohen dhe të mos kalojnë? Nuk besoj që ka ndonjë të marrë dhe të krisur që nuk e di se cila është përgjigjja e drejtë dhe e saktë! Atëherë për cilën palë do të shkruajë historia me shkronja të zeza? Edhe në këtë pyetje, po deshët, secili prej jush e di saktë se cila është përgjigjja e drejtë!

3. Atëherë: a nuk është momenti historik që me datën 28 Nëntor, të dalim në Sheshin “Zahir Pajaziti” i madh e i vogël, burra dhe gra, djem dhe vajza, nga të gjitha anët e Republikës për të manfestuar, në daçi për të protestuar në mënyrë paqësore, për ta ngritur zërin lart deri te Perëndia dhe për t’i kundërshtuar fuqishëm këto dy marrëveshje, duke ua bërë me dije atyre që i kanë nënshkruar se qytetarët e Republikës së Kosovës nuk do t’i pranojnë ato dhe as që do t’i lejojnë! Unë konsideroj se gatishmëria juaj, me një pjesëmarrje masive si asnjëherë tjetër gjer më tani, duke i kundërshtuar fuqishëm këto marrëveshje, përveç tjerash, do t’u ndihmojë edhe vetë atyre që i kanë nënshkruar ato, dhe nëse për këtë nuk janë bindur gjer më sot, do të binden së shpejti një ditë të afërt, qoftë për të mirën e këtij vendi, qoftë për dëmin e pallogaritshëm!
Atëherë mirësevini dhe mirë se të shihemi në Sheshin “Zahir Pajaziti”, me 28 Nëntor, qytetarë të nderuar!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura