TAFIL DURAKU: KUSH PO MA PRISHË DITËN?

Burojë, 06. 03. 2016: Tash e dy dekada të plota, thënë të vërtetën, ditën po ma prishë antishqiptaria “patriotike” e “kombëtare” e LKJ-së – LDK-së dhe e simotrave të saj në këtë pushtet “demokratik”, “patriotik” e “shqiptar”. Kjo gjendje po ma prishë çdo ditë të jetës sime shqiptare, shpirtërore e kombëtare, familjare e kolektive shqiptare. Ajo LKJ e dikurshme “komuniste”, tash LDK&Co “demokratike”, me simotrat dhe me sivëllezërit e saj siamezë, që ua lunate nënën me pod shqiptarëve dhe s’u linte vend mbi faqe të dheut, madje, as në shtëpitë e tyre stërgjyshore, e, sot, po na ‘shitet’ për “patriotike” e “kombëtare”!…
Ditën time po ma prishë antishqiptaria në pushtet e rreth tij, ajo e kjo “shqiptari” (“patriotike” e “kombëtare”) që më ndoqi e po më ndjekë tërë jetën time individuale, familjare e kolektive, shqiptare, që s’la gjë pa bërë në kurriz timin dhe të shqiptarëve e të Shqipërisë, duke e shantazhuar luftën time e të popullit tim shqiptar deri në këto përmasa të “proceseve” të pafund antishqiptare, “kosovare” e “kosovariste”…
Ditën time po ma prishin UDB-ashët dhe KOS-istët e deridjeshëm dhe këlyshët e tyre të sotëm, me familjet dhe familjarët e tyre në këtë pushtet “demokratik” që dje dhe sot e shau e po e shanë luftën time për liri e për Shqipëri të shqiptarëve, që ka uzurpuar të gjitha “institucionet e shtetit” me “institucionalistët tanë të viteve të ’90-ta në krye”, familjarisht, në mënyrë krejt “demokratike”, “patriotike” e “kombëtare”, sepse, fatkeqësisht, këtë çorbë po e përzien edhe Tirana, ku e gjënin shpëtimin e tyre të vetëm shqiptarët, kur “shqiptarët” në pushtetin “komunist” jugosllav e krahinorist, shqiptaro-titistët kryenin çdo të keqe të mundshme dhe të pamundshme, edhe të paimagjinueshme, në kurriz timin dhe të shqiptarëve, ata e këta që “patriotizmin” e tyre e shisnin dhe po e shesin në Tiranë, sikurse dikur në Beograd!…

Ditën time po ma prishin të gjitha strukturat “shtetërore” e “institucionaliste” të “Republikës së Kosovës”, të cilat e shanë dhe e shantazhuan luftën time shqiptare për liri e për Shqipëri. Të gjitha strukturat e LDK-së “shqiptare” që u duatrokitnin ofensivave serbe kundër UÇK-së dhe ahengoheshin në Alenë e shpëtimtarëve të Kombit, siç quhej asokohe kompleksi banesor “Qafa”, në Prishtinë, në Restorantin “DORA”…
Ditën time shqiptare po ma prishë, po kush jo se, cili të çohet më i pari! Po ma prishin mediat e shkruara, vizive dhe elektronike, që po u thonë “kosovare” e “kosovariste”, po ma prishin (k)analistë, opinionistë e kolumnistë të njohur e të panjohur! Po ma prishin të gjitha “ministritë” dhe “institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës” (të zaptuara prej politikës ditore e antishqiptare të LDK-së&Co), po ma prishin “akademikët”, “porfesorë-doktorët”, “magjistrat”, e, madje-madje, për të keqen e madhe, po ma prishin edhe një kategori e të “burgosurve politikë shqiptarë”, që zgërdhiheshin dyerve të Shtabit të UÇK-së, në Likofc, dhe nëpër disa “Zona të luftës”!…
Po ma prishin ditën time shqiptare të gjithë ata dhe ato që luftën time për liri e për Shqipëri, po e kthejnë në “luftën” e tyre për “pavarësinë” e “Republikës së Kosovës”, për pavarësi nga Shqipëria!…
Ditën time shqiptare, po ma prishin edhe ata “komunistë” të deridjeshëm e sot “demokratë” të Shoqatës së K(Sh)krimtarëve të Kosovës tash Lidhjes së K(Sh)krimtarëve të Kosovës, po ma prishin “politikanët”, “ushtarakët”, “drejtësia”, “administratorët”, “historianët”, “pedagogët”, “profesorët” e “doktorët” e peticioneve kundër Drenicës kreshnike të Legjendarit Adem Jashari!…
Ditën time shqiptare po ma prishin UDB-ashët dhe KOS-istët shqiptaro-titistë të të gjitha profileve, kalibrave dhe ngjyrërave!… Po ma prishin ata e këta që s’i lanë dy gurë bashkë gjatë luftës së lavdishme të UÇK-së shqiptare dhe nuk po i lënë dy gurë bashkë as sot e gjithë ditën!… Që të gjithë po shihen e po dihen, në mulli të kujt paskan çuar e po çojnë ujë!…
Ditën po ma prishin ata e këta që po thirrën në emrin e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjen e tij, pikërisht, ata e këta që kanë gisht në vrasjen drejtpërdrejtë të Adem Jasharit, ata e këta shqiptaro-titistë që u fërkuan mëse shumti për Figurën dhe për Familjen e Tij Atdhetare, që me fillimin e luftës liritare e bashkimtare të shqiptarëve. Po ma prishin ata e këta udbashë e kosistë dhe një kategori e të “burgosurve politikë shqiptarë”, që po përpiqen ta shfrytëzojnë emrin dhe naming e Familjes së Kryeplakut të Shqipërisë, Shaban Jasharit…
Ditën time po ma prishin “patriotët” dhe “shqiptarët” që i futen paratë e Bujar Bukoshit (Bukuroshit) në Drenicë (përmes dhëndrrit të tij, njëfarë Mujë Krasniqit), qëllimi final i të cilave para e “ndihma” ishte që ta përçanin Drenicën dhe UÇK-në e Adem Jasharit. Ditën time shqiptare po ma prishin ata e këta që e hëngrën atë karrem “patriotik” e “shqiptar”, edhe kur ne ua tregonim qëllimin e tyre final, antishqiptar!
Ditën time shqiptare po ma prishin të gjithë ata e këta që po mendojnë se atdhetarizmi i shqiptarëve për Shqipërinë fillon vetëm prej tyre, sidomos, ata e këta UDB-asho – KOS-iistë, me këlyshë e me kudra, që i shërbyen dreqit e t’birit serbo-jugosllav e krahinorist, shqiptaro-titist!… Ditën po ma prishin me të madhe “komandantët e UÇK-së” që po thonë të “vërtetat” e tyre për luftën e tyre “pa maska”!…
Ditën time shqiptare po ma prishin të gjithë ata e këta “themelues” dhe “prijës” të UÇK-së, që i kanë mbyllur sytë dhe veshët para Betimit të UÇK-së. Ditën time shqiptare po ma prishin të gjithë ata e këta shqiptaro-titistë me pasardhësit e tyre, që tërë jetën e tyre menduan serbisht e folën shqip (siç po mendojnë e po flasin ende!), sepse, vetëm kësisoji do t’u besonin shqiptarët dhe do t’i mashtronin mëse miri shqiptarët, duke i lajthitur se vetëm ata mendojnë për të mirën e tyre!…
Ditën time shqiptare po ma prishin të gjithë “intelektualët” dhe “akademikët” e LDK-së&Co, që kanë uzurpuar dhe pronësuar të gjitha pozitat shoqërore të shqiptarëve. Madje, ditën po ma prishin të gjithë këlyshët e tyre “patriotë” dhe “shqiptarë”, që nuk lanë gjë pa bërë kundër luftës sonë shqiptare dhe bashkimit të kombit në një shtet të vetëm shqiptar.
Ditën po ma prishin të gjithë ata e këta që s’i hiqeshin pragut të derës së shtëpisë së Adem Jasharit, për ta keqpërdorur dhe keqtrajtuar qëllimin e tij të luftës për liri e për bashkim kombëtar. Dhe, prej të tillëve pati nga të gjitha shtresat dhe kategoritë e “patriotëve” dhe “shqiptarëve” të LKJ-LDK-së&Co, nga kategoria e të “burgosurve politikë shqiptarë”, nga UDB-a dhe KOS-i shqiptaro-titist.
Të gjitha këto që sot po ma prishin ditën i kemi sqaruar në shkrimin autorial “Lojërat e rrezikshme të LDK-së”, botuar në një faqe të plotë te “Zëri i Kosovës”, menjëherë pas luftës së lavdishme të UÇK-së dhe në shkrime të tjera autoriale, publikuar në shtypin e kohës. Madje, ajo që ma prishë ditën sot e gjithë ditën është fakti se ne jemi të detyruar të shkruajmë e punojmë pa para për kombin e Atdheun shqiptar, ndërsa, shqiptaro-titistët “kulturalist” i kanë rezervuar paratë për vete dhe për sojesorollapin e tyre “patriotik” e “kombëtar” që kanë vendosur nëpër “ministri” dhe “institucione”…
Ditën time po ma prishin të gjithë ata që u bënë “miq” të familjes së Bacë Shaban Jasharit, kur, unë, personalisht, me atë familje kisha lidhje të moçme dhe në vitin 1969-1970, si gjimnazist, më shumë kam hangër bukë tek jasharët (Familja e Shaban Jasharit dhe Jeset Jasharit) sesa në familjen time, në Burojë. Këto që them këtu mund t’i vërtetojnë vetëm Baca Rifat Jashari, Jeset Jashari, Xhafer Jashari dhe të tjerët që janë gjallë… Madje miqësi me jasharët kishin babë e babagjysh imi, si me Halit Jasharin (i vrarë në mars të 1998), Rexhep Jasharin, etj.
Dhe, për fund, ditën time shqiptare po ma prishin të gjithë ata e këta që po mendojnë se gjithçka ka filluar prej tyre dhe sillet rreth tyre dhe se pa ta nuk shkon asgjë përpara mësa shkon pa komunistët “shqiptarë” të Titos, kur krejt punët po na vënë mbrapësht. Shkurt e shqip, ditën po ma prishin ata e këta që i shërbyen jugovinës (serbojugosllavisë) dhe sot po shesin “patriotizëm” me thasë, por, meqë janë të shkurtë, siç thotë një shok imi, “Le ta rrahin gjoksin sa të duan, janë shumë të vegjël, nuk ju del gërba!”…
Por, sido që të jetën, fort po ma prishin ditën time shqiptare UDB-asho – KOS-istët shqiptaro-titistë, deputetet e përjetshëm federativë jugosllavë dhe një kategori e “të burgosurve politikë shqiptarë” (si argatë të devotshëm të tyre) që zgërdhiheshin dyerve të SHP të UÇK-së, në Likofc, e që po zgërdhihen edhe sot në detyrat e uzurpuara të “institucioneve” të “Republikës së Kosovës”!…
Ditën time shqiptare po ma prishë moszbardhja e dosjeve të UDB-asho – KOS-istëve shqiptaro-titistë, të cilët, duke i fshehur e moszbardhur ato, po qëndrojnë në pushtetin e premtuar serbo-jugosllav të Titos, në Prishtinë. Ditën po ma prishë, po ashtu, edhe mosmësimi shqip i shqiptarëve, mosngritja e nivelit mësimor të nxënësve, studentëve dhe titujve të tjerë, më të lartë, shkencorë. Po, çka nuk po ma prishë ditën, mua, urtakut të Kullës së Haxhi Danit, të Burojës së Drenishtës?!…
Ditën po ma prishin të gjithë ata e këta “patriotë” dhe “shqiptarë” në pushtet, që TI do t’i cilësoje e vlerësoje mëse miri me urtinë tënde shekullore, magmatike dhe emblematike: “As lopa mos t’i faltë vjetat e kështuzëm!”…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura