TAFIL DURAKU: PSE NDËRHYRA NË SHKOLLËN FILLORE TË AÇAREVËS?

Burojë, 20. 02. 2016: Në kulmin e organizimit të luftës lirimtare dhe vetëmbrojtëse të shqiptarëve, në Zonën e Lirë të Luftës, në skenë dolën edhe cpirra e cpirraxhinj të tjerë “shqiptarë” e “atdhetarë” të mëdhenj të LDK-së së “Presidentit historik”, Dr. Ibrahim Rugova! Siç shihej në horizont, në ato fillime të arta të luftës dhe të organizimit të saj, qëllimi i LDK-së së Dr. Ibrahim Rugovës ishte që të shantazhohej lufta për liri e për Shqipëri, që me çdo kush të pengohej organizimi i saj, që të përçaheshin sa më shumë grupimet guerile të saj dhe, mundësisht, edhe të çohej te një luftë e egër mes atyre gupimeve, mes shqiptarëve dhe “shqiptarëve” të LDK-së komuniste jugosllave!…
Njerëz të SHP të UÇK-së më njoftuan se gjërat nuk shkonin edhe aq mirë, pasi që në Zonën e Lirë të Luftës, pikërisht, në Açarevën heroike të Mujë Kransiqit e Adem Jasharit (dhe jo vetëm aty), LDK-ja pengonte që të përgatitej e zhvillohej aktiviteti luftarak, e, në rastin konkret, të shfrytëzohej Shkolla fillore e Açarevës për nevoja të luftës. Pengesën kryesore e bënte njeriu i LDK-së, që, asokohe, ishte edhe drejtor i shkollës fillore të katundit Açarevë, Ismet Rrahmani.
Më takoi fati që të shkoj e të bisedoj me të, natyrisht, në emër të SHP dhe i autorizuar nga SHP, dhe, ta bëj edhe të pamundurën, që shkolla të jetë në disponim të luftës së lavdishme shqiptare për liri e për Shqipëri!…

Pa dashur të zgjatem shumë, pasi që u autorizova nga SHP (10), që të bisedoja me drejtorin e shkollës, të cilin, asokohe, nuk e njihja personalisht, por, meqë isha nip i Açarevës, dhe, pikërisht, i Familjes SELIMI, edhe takimi do ishte më i lehtë, pasi që e gjithë Açareva më thoshte e më thotë NIP, dhe, unë, u thosha e u them, natyrshëm, DAJË, sipas zakoneve tona të lashtësisë iliro-shqiptare.
Sapo vajta në shkollë, kërkova ta takoja drejtorin, Ismet Rrahmanin. Më treguan se cila ishte zyra e drejtorit dhe më shoqëruan deri në zyrën e tij. Qëllimin e vajtjes sime nuk e dinte askush, pos njerëzve të SHP. Ismeti më priti mirë. Sapo na lanë vetëm, unë, hyra në çështjen për çka kisha vajtur dhe kërkova, sipas rekomandimit të SHP (10), që shkolla të vihej në dispozicion të luftës, sepse, nuk ishte mirë që nga kushdoqoftë të bëheshin kushtëzime që nuk shkonin me natyrën e synimeve shqiptare për liri e për bashkim kombëtar.
Biseda me Ismetin shkoi mirë dhe rezultati ishte ai që e prisja: “Shkolla fillore e Açarevës, me gjithë stafin e saj, prej sot është në disponim të luftës për lirinë dhe bashkimin e atdheut, o nipashi im!”, më tha drejtori, Ismet Rrahmani.
Në ato çaste gëzimi të papërshkruar, për punën e mirë dhe të mbarë që u bë, të gjithë dolën dhe më përcollën sipas zakonit e traditës. Dhe, unë, shpreha falënderimin tim për mirëpritjen dhe mirëkuptimin që tregoi drejtori dhe të pranishmit e tjerë në shkollë dhe të gjithë së bashku më përcollën deri jashtë derës së shkollës.
Pas përshëndetjes me të gjithë të pranishmnit, të cilët filluan të qëndrojnë në hyrje të shkollës, u thashë: Prisni pak aty! T’ua bëj një fotografi për histori! Të gjithë ndenjën dhe këtë fotografi autoriale, po e publikoj për herë të parë, me këtë shkrim dëshmi autenitke të kohës, edhe pse kjo fotografi i është dhënë gratis vëllait të Ismetit, Destanit, për ta pasur familja dhe një tjetër, të formatit të madh, shkolla fillore e Açarevës…
Shkolla u shndërrua në shkollë lirie e Shqipërie dhe aty e mbante praktikën luftarake AB-eja i madh, me të cilin, po në ato lokale të asaj shkolle, që, tashmë, ka hyrë në histori, kemi bërë batuta e batuta, sepse, AB-eja e kishte për qejf e i shkonte për zef të më quante “Gazetar”(!), ndërsa, unë, ia ktheja: Jo, AB-e, jo, unë jam pak më i madh se gazetar, jam poet e shkrimtar!… Ai, niste të qeshte e nuk fliste më, por, nuk harronte t’u thoshte ushtarëve me gjakftohtësi: “Lëvizni, lëvizni! Punë, punë!…”, ndërsa, vetë, lëvizte me një energji ujku të palodhur e të zgjuar për doktrinën luftarake e ushtarake, dhe, ajo nuk i mungonte, sepse, e kishte fituar në luftëra të tjera liritare e fitimtare, në Kroaci e gjetkë.
Në oborrin e asaj shkolle u ngrit Flamuri i Parë fitimtar i UÇK-së, në Zonën e Lirë të Luftës, në Açarevën heroike që i dha shumë kombit shqiptar e Shqipërisë dhe atë Flamur e ngritën Fehmi Lladrofci dhe Xhevë Krasniqi – Lladrofci me bashkëluftëtarët e tyre trima!…
Dëgjofshim e shkrofshim për mirë, gjithmonë, për katundin e thanave e të shkozave, të malit e të ujit të bollshëm, për Açarevën herioke të Selimëve të Lagjes së Kodrës, të Lagjes së Fyllave, të Lagjes së Shkollës…, për pranverën që pat buluar në mars të 1998, kur publikova ciklin e parë me poezi nga Zona e Lirë e Luftës, pikërisht, nga Açareva, ku e fotografova një thanë që kishte lulëzuar, dhe, duke i ditur e njohur mirë cilësitë dhe veçoritë e thanës, të bukurisë e të forcës së saj magjike, atë cikël e shoqëroi edhe thana dhe ciklin e titullova: Pranverë në Açarevë, të cilin cikël, në një faqe të plotë e botoi gazeta e studentëve, “Bota e Re”…
Dhe, besoj fort, që, pas këtij cikli të gjatë dimëror antiUÇK dhe antiShqipëri. që ka tharmuar LDK-ja e “Presidentit histo(e)rik” Dr. Ibrahim Rugovës&Co, këto dy dekada e gjysmë, sërish, Açareva do ta ketë dhe do ta gëzojë pranverën e filleve të saj shqiptare, me plot gurra nipërie e mbesërie që s’i munguan kurrë, me plot gurra lirie e Shqipërie.

Burojë, më 20 Shkurt 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura