Serbët i detyrohen Perandorisë Osmane për një dyzinë të mirash: Me nismën e vezirit me origjinë serbe, Sokollu Mehmed Pasha, më 1557 u rithemelua Kisha Ortodokse Serbe nën Patriarkanën e Pejës. Sipas historianit Dushan Batakoviç, “kjo shënon fillimin e një rilindje fetare të miletit serb”.
***
Në vitet 1793 dhe 1796, Sulltan Selimi III shpalli dy fermane, me anë të të cilave u njiheshin të drejta të konsiderueshme serbëve në Sanxhakun e Smederevës. Mes të drejtave që fituan serbët ishin mbledhja e taksave nga knezët; liria e tregtisë dhe fesë. Kryengritja e parë serbe, më 1804, u përkrah nga sulltani me qëllim të shkatërrimit të pushtetit të daive, trupa jeniçere që nuk honepsnin fare pushtetin qendror në Stamboll.
Pas kryengritjes së dytë serbe, në harkun kohor 1815-17, Porta e Lartë me fermanin e vitit 1830 njohu autonominë e Serbisë, dhe më 1835 kushtetutën e Principatës Serbe. Me të ashtuquajturën Konventë të Akkermanit, të nënshkruar më 1826 mes Rusisë dhe Perandorisë Osmane, në artikullin 5 parashihej autonomi për Principatën e Serbisë dhe zgjerimin e saj me toka të reja. Serbëve iu njoh edhe zyrtarisht liria e lëvizjes gjithandej Perandorisë Osmane. Në vitin 1867, Perandoria Osmane u pajtua për tërheqjen përfundimtare të trupave të saj ushtarake nga Serbia.
Perandoria Osmane u pajtua me vendimet e Kongresit të Berlinit (1878) që e njihnin Serbinë si shtet të pavarur. Ndonëse ‘mileti serb’ (sirp milleti) në vilajetet e mbetura në Perandorinë Osmane nuk njihej zyrtarisht, Kisha Ortodokse Serbe ishte përfaqësuesja legale e të gjithë serbëve që jetonin në tokat e perandorisë. Porta e Lartë lejonte ekzistencën e shkollave serbe në Vilajetin e Kosovës dhe atë të Manastirit, në një kohë kur nuk lejohej asnjë shkollë në gjuhën shqipe. E para gazetë në Vilajetin e Kosovës, e quajtur gazeta “Prizren”, që u botua në vitin 1871, pati një rëndësi të posaçme për jetën kulturalo-arsimore të serbëve në Kosovë. Gazeta dilte një herë në javë në katër faqe, dy në gjuhën turke dhe dy në gjuhën serbe. Cilat nga këto të drejta iu njoh shqiptarëve gjatë pushtimit pesë shekullor? / Pashtriku.org /