TRAKT I OMLK-së: PAVDEKËSIA E TË RËNËVE PËR LIRI! (DËSHMI ARKIVORE)

Në 42 / 40 vjetorin e vrasjes

TRAKT I OMLK-së: PAVDEKËSIA E TË RËNËVE PËR LIRI! (DËSHMI ARKIVORE)

„Po bëhen katër (janar 1982 – shb), gjegjësisht dy vite (janar 1984 – shb), që kur policia fashiste jugosllave, ky simbol robërues i popujve, vrau bijtë e tu më të mirë, Jusufin, Kadriun e Bardhoshin, Rexhepin, Nuhiun e Bajramin“, kështu thuhet në TRAKTIN e Organizatës Marksiste – Leniniste të Kosovës (OMLK), që u shpërnda në mesin e janarit 1986 në disa qytete e vendbanime të Kosovës.

***

Në vijim ju ftojë të lexoni traktin e OMLK-së

Proletarë të të gjitha vendeve dhe popuj të shtypur, bashkohuni!

T R A K T

POPULL TRIM SHQIPTAR NË JUGOSLLAVI

Po bëhen katër (janar 1982 – shb), gjegjësisht dy vite (janar 1984 – shb), që kur policia fashiste jugosllave, ky simbol robërues i popujve, vrau bijtë e tu më të mirë, Jusufin, Kadriun e Bardhoshin, Rexhepin, Nuhiun e Bajramin.

Janë këta bijtë tu, popull trim të dalë nga gjiri yt dhe të rritur e brumosur në tokën Mëmë të Kosovës martire.

Janar, muaj i terrorit e masakrit. Muaj i sakrificës, flijimit e heroizmit, muaj kur bora skuqet me gjak, muaj që do të mbahet mend për jetë e mote, duke shkruar faqe të lavdishme në historinë e popullit shqiptar.

Janar i vitit 1982.

Është kjo kohë, kur mbi tërë popullin shqiptar nën JugosIlavi ushtrohej një terror i egër fashist i paparë në botën bashkëkohore, kur dora kriminale e UDB-së fashiste jugosllave, vrau tre nga bijtë e Tu më të mirë në mërgim; ku kishin dalur për të ndihmuar luftën Tënde të drejtë për liri. Popull shqiptar! Ishin këta bijtë Tu besnikë gjerë në vdekje të cilët dolën nëpër metropolet e Perëndimit me mallin e pashuar për Ty dhe Kosovën Mëmë. Për ty popull trim e bujar, u rrahu zemra deri në fund të jetës. Për Ty u shkrumohej zemra e zhuritur nga malli dhe dhembja. Për Ty o popull dhanë edhe jetën duke vaditur tokën e huaj me gjak për lirinë tënde dhe të atdheut.

Janar i vitit 1984.

Dhe prapë janari, ky muaj i terrorit, masakrit e heroizmit. Bijtë e Tu o popull i Kosovës kreshnike, edhe në dimrin e egër të vitit 1984, nuk qëndruan pranë oxhakut e bukës valë në çerep, por punonin pa u lodhur për një ditë më të bardhë. Punën e tyre, Ata, e kurorëzuan me qëndresën heroike në luftë me fashistët jugosIlavë duke na lënë shembullin më të mirë të sakrificës, flijimit dhe trimërisë në luftë për liri se si duhet luftuar dhe vdekur për atdhe. Ishin ata: Rexhepi, Nuhiu dhe Bajrami, që dridhën themelet e regjimit fashist – titist të Beogradit me krismat e tyre të lirisë. Ishin Ata që Ty të ngjallin shpresat e kushtrimit gjithëpopullor për liri. Ata i dolën zot atdheut si bijtë më të denj, duke përsëritur heroizmat e Perlat Rexhepit, Vojo Kushit e shumë e shumë të tjerëve të rënë në fushën e nderit për lirinë e shenjtë të atdheut.

Popull shqiptar nën Jugosllavi!

Robëria shekullore është bërë një barrë e rëndë mbi kurrizin tonë, barrë e padurueshme. Kjo robëri mund të hiqet qafesh vetëm duke thyer njëherë e përgjithmonë prangat e serbomëdhenjve. Për t’i thyer këto pranga duhet të bashkohemi të gjithë tok, pa dallim moshe e gjinie dhe si një grusht të marshojmë drejt fitores me flamurin e marksizëm-leninizmit në ballë.

Përpara drejt fitores përfundimtare!

Më të dashurit tanë! Vëllezër, shokë e bashkëluftëtarë të idealit të shenjtë për lirinë e atdheut: Jusuf, Kadri e Bardhosh; Rexhep, Nuhi e Bajram – prehuni të qetë se ideali i juaj është fanari më i ndritur, udhërrëfyesi më i mirë i luftës sonë për liri. Rinia dhe populli po betohen para Jush dhe këtë e keni garancën më të sigurt për realizimin e aspiratave më të larta, për lirinë e popullit dhe atdheut!

RROFTË POPULLI SHQIPTAR TRIM E I PAMPOSHTUR!

RROFTË VEPRA E PAVDEKSHME E TË RËNËVE PËR LIRI!

POSHTË DHUNA DHE TERRORI FASHIST JUGOSLLAV!

VDEKJE TITISTËVE DHE TRADHTARËVE TË KOMBIT!

KOSOVA REPUBLIKË!

LAVDI MARKSIZËM – LENINIZMIT FITIMTAR!

PËRPARA DREJT FITORES PËRFUNDIMTARE!

Organizata Marksiste – Leniniste e Kosovës

Janar 1986

Përgatiti: Sheradin Berisha © Pashtriku.org, më 11 janar 2024

_________________

REXHEP MALA – TRURI I LËVIZJES KOMBËTARE

Nga Sheradin Berisha

***

Rexhep Mala – truri i lëvizjes kombëtare

Nga Sheradin Berisha

https://xhafershatri.info/rexhep-mala-truri-i-levizjes-kombetare/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura