VASIL VASILI: MOIKOM ZEQO, KUJTESA E PLAGOSUR E SHEKUJVE

Patra – Greqi, 21 shtator 2017: Në fillim të qershorit (2016), Moikom Zeqo më dërgoi librin me poezi “Plagosja e Kujtesës”.
Një vit më parë më kishte dërguar “Miscellanea 10”, për të cilin më thoshte: “Është libri im i jetës… formuar në 25 vjet, 1990-2015”.
Brenda këtyre 25 vjetëve, Moikomi ka shkruar edhe dhjetëra libra, krahës “Miscellanea 10”.
Turbull kam ndjerë pse ai më thoshte se 10-ta është Libri i Tij i Jetës.
Arsyeja s’mund të jetë koha e gjatë e ngjizjes.
Ka edhe libra të tjerë që i ka strukturuar për një kohë edhe më të gjatë, por mendoj se në këtë libër me poezi në formë strofike katërshe ka derdhur mendim vetjak modern por dhe të brishtë dhe, surealizmit dhe pindarizmit të figurës i ka dhënë pamje moikomjane brenda një disipline më spartane të strofës.
Ka ndërthurur klasiken me modernen brenda një shpirti që i operon kohërat.
Edhe rimat dhe asonancat ndonjëherë na japin nostalgji, se ato dikur ishin pjesë e muzikës së simetrisë.
Qenia jonë nisi në parahistori dhe është e ndërtuar me çdo të kaluar.
Tjetër arsye mund të jetë edhe se “Miscellanea 10” është shumë shqiptare, nga ndërkallja e detajeve që lidhen me kombin.

Akademiku Moikom Zeqo – ky Erudit i rrallë i shkencës…!

Poeti fluturon shumë lartë për të rënë në zemër të lexuesit..
Ndoshta, për këto arsye ai më thoshte se “Miscellanea 10” është libri im i jetës.
Përsëri e theksoj një ndoshta të ndrojtur, sepse arsyet që e lidhin më tepër poetin me një nga librat e tij janë të padukshme.
Për poezinë e Moikomit, nga njeri libër në tjetrin, s’mund të flasësh për forcim të stilit, për rrokje të temave të reja, për modernitet.
Moikomi, që në zanafillë të poezisë së tij, i ka patur këto cilësi dhe s’mund të flitet për ’to si vlera të fituara vit pas viti nga përvoja.
Mund të flitet për pamje të reja të të njëjtit stil. E vetmja përkryerje e kësaj mënyre të shkruari është shtimi i befasisë së figurës dhe i sintezës së saj.
Moikomi është një rymë më vete për plazmimin e figurës.
Figura e tij është e ngjashme me shpërthimin e fuqishëm të mendimit me dije shkencore dhe me alkimi poetike.
Askush s’e mban mend kur Moikomi u kulturua, kur u bë erudit, kur u bë personalitet, kur u bë biblioteka më e madhe e gjallë e kujtesës shqiptare, kur u bë poet i madh.
Ai sikur ka lindur me këto cilësi.
Duke lexuar “Plagosja e Kujtesës”, të shkruar në pjesën më të madhe në dy vite, 1992-1993, vërejta diçka që s’e kisha pikasur më parë.
Poezitë e këtij libri më shembëllyen me fluturat.
Për fluturat sikur ka në ajër enkas gropa pa ajër. Dhe, në çdo rënie në këto gropa ato sikur futen në një ngërç, por në dalje bëhen të hareshme.
Poezia e Moikomit, në këtë libër, më shembëllen me fluturimin e ndërlikuar me dy kohë të ndryshme të fluturës. Njera kohë është vija lineare e poezisë (fluturimi i fluturës), tjetra përftohet kur mbaron çdo strofë imazh (ngërçi i fluturës).
Të dyja kohët kanë edhe mekanizmat e tyre mbështetëse.
Një figurë surealiste ka edhe një vdekje brënda në shtëpinë e saj.
Në poezinë e Moikomit, për të vajtur te strofa pasardhëse duhet ta fikësh habinë që të ka ndodhur brenda strofës së mëparshme imazh, sepse figura e fortë që gjendet atje mbyll një cikël të menduari dhe të përfytyruari dhe është pengesë e ëmbël për të hyrë në imazhin tjetër.
Shpërthimi i figurave në psikikë lë pas një plojë. Duhet prap një kohë ta marësh veten dhe të rilidhësh pjesët.
Këtë iluzion e përforcojnë edhe kohët e ndryshme që plazmohen brenda të njetës poezi.
Logjika poetike e Moikomit nuk është eklektike. Ai e përzgjedh kohën për përdorim poetik, që të mos jetë lineare dhe e një çasti, që ajo të jetë në zenit dhe, atje gjithnjë bën vapë nga zjarri i figurave; përzgjedh kohët si të barasvlershme me historinë, por ato duhet të kenë mbetur emnesë në kujtesë, që të përdoren për një etikë pozitive; përzgjedh edhe imazhet si mitra në ethje që të lindin figura si fëmijë të shëndetshëm me të dhëna të jashtëzakonshme.
Të tria këto përzgjedhje ai i mbledh në një, në një mendim eklektik, që i elektrizon të gjitha strofat.
Te Moikomi çdo strofë është edhe një njësi më vete. Atje mbyllet një mendim, një imazh dhe shpërthen një figurë. Janë tre njësi të pandara brenda strofës së Moikomit.
Dominante në këtë poezi është figura.
Duket sikur figura e Moikomit është bijë e shkencës pozitiviste.
Brenda kësaj poezie ka edhe detaje biblike, por ato janë pjesë të nënrenditura të etikës, sepse prej tyre synohet një efekt estetik.
Në psikikë, ku bëhet lidhja e të jashtmes me të brendshmen zanafillore, kjo poezi ushtron trysni me figurën. Është një pamje e dualitetit shpirt i gjithëkoshëm – shkencë e re.
Estetika e Moikomit nuk ka atdhe ose ka atë atdhe që i jep më shumë mundësi të shprehet bukur.
Çastin poetik, që hap ose përmbyll poezinë përgjithsisht e sjell nga kohët historike. Ky çast nuk rron kurrë në vetmi. Brenda këtij çasti ai sjell me shumicë kohë të tjera.
Poezia e Moikomit pëlcet nga kohët dhe nga figurat e historisë. Çastit i jep sivëllezër të panumërt të shpërndarë në të kaluarën, por edhe në të sotmen dhe, jo rrallë, edhe në të ardhmen. Ndiesh si në një çfaqje të kohëve.
Kjo mënyrë e të përdorurit të kohës është edhe një mënyrë zhbërje, për të lënë në jetë përfaqsuesen e saj biologjike, kujtesën, që është nënë e idesë së kohës.
Çka thashë më lartë, është iluzioni im, të cilin e përftova nga “Plagosja e Kujtesës”, ngaqë poezitë e saj, në fillim, i përqasa pak turbullt me fluturat.
Moikomi ka mijëra faqe poezi dhe disa herë më tepër se sa aq metafora. Ka ardhur koha që ai të përzgjedh nga ky korpus i pashembëllt Miscellanea – n e Miscellanea – ve të tij.
Brenda katedrales poetike, duhet të ketë edhe një kishë të ngjashme me ndërtesën peshkopale, me ikonat më përfaqsuese të saj, për besimtarët e poezisë, ku të meshojë një prift pasionant që ndjen fuqishëm eklisirin e jetës dhe thimjamin e amshimit.
Mbase është detyrë edhe e studiuesve ta kryejnë këtë punë, si një rast të veçantë.
Moikomi shpesh citon me adhurim dhe me habi Mallarme-në: “Gjithçka në botë ekziston për t’u derdhur në një libër”.
Ndërsa Kavafi, nga përvoja e tij krijuese dhe nga praktika askete e botimit (s’nxorri asnjë libër), mund të thoshte: “Libri nuk mund të shkruhet (kurrë!), ose: Libri është një qenie që s’e njohim.
Njohim vetëm pjesë të qenies, jo librin e qenies.
Atëherë, të bëjmë përpjekje për të shkruar një libër dhe ta lëmë në hije Kavafin si një përjashtim të një të menduari të skajshëm.
Por është e kuptueshme, edhe Mallarme-ja, edhe Kavafi, tërthorazi thonë të njejtin mendim.
A është e mundur që bota me qenie të derdhet në një libër? Gjithë problemi është qenia që nuk mblidhet dot nga njeriu.
Libri për të cilin fliste Mallarme është i shkruar nga të gjithë, në të gjitha kohërat, ndonëse jo i plotë, se i mungon kapitulli: gjeneza e qenies, pa të cilin s’mund të vijosh një libër për botën.
Tani pritet që gjithë dija e derisotme për qenien të futet në një libër. Çfarë do të jetë ai libër: Poezi, roman, shkencë, bibël, një lloj i ri? Askush s’e thotë dot. Çdo gjini ka muret e vetvetes.
A pritet Godoja të na e sjellë librin?
Nuk jam i dhënë pas mendimit parashikus.
Moikomi ka kohë që e ka filluar punën për Librin… sipas Mallarme-së, si përzgjedhës i një pjese të lëndës së pafundme të dijes njerëzore.
Mbase edhe të tjerë po e shkruajnë librin e dëshiruar nga Mallarme.
Dikush nga ata po studion metaforën moikomiane për ta futur në Libër. Kë do zgjedhë: Tipin e saj apo një metaforë të veçantë?
Asgjë s’dimë.
______________
– Autori Vasil Vasili, jeton dhe punon në Patra të Greqisë. Është autor i shumë libarve me poezi, studime, ese dhe prozë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura